Kulturë
Çerkin Ismaili: Gjirmë shpirti - Ec e njihe veten
E diele, 21.02.2010, 10:08 PM

Për shkak të aktivitetit të mëtejmë ilegal dhe politik, ndonëse në vëzhgim të përhershëm, pas shpërndarjes së trakteve politike në Mitrovicë dhe në minierën “Trepça” në vitin 1986 , u detyrua që dy vjet të qëndrojë larg syve të pushtetit të kohës, në Dalmaci, ku punoi si punëtor krahu. Përndjekjet, arrestimet e shantazhet politike ndaj tij kurrë nuk kanë pushuar. U burgos përsëri në vitin 1992.Shërbimi sekret jugosllav në vitin 1999 e kishte klasifikuar në listën e intelektualëve të Mitrovicës, që i kishte paraparë t’i likuidonte.
Me krijimtari letrare ka filluar të merret qysh si gjimnazist, kur edhe ka filluar t’i botojë shkrimet e para.
Deri tash ka botuar:
“Lindjet e shpërndara”, poezi,Prishtinë, 1993,
“Tela të këputur,” poezi, Mitrovicë,1997,
“Drama e qëndresës së Vocëve të Shalës së Bajgorës”,monografi, Prishtinë,1998,
“Shtrëngata”, roman,Prishtinë, 2006
“Ethe të trishta’, roman, Prishtinë, 2009.
Përveç këtyre veprave , autori ka botuar edhe një mori recensionesh, vëzhgimesh letrare dhe esesh.Gjithashtu, për veprimtarinë e tij letrare janë shkruar një mor kritikash dhe studimesh letrare.
Në dorëshkrim ka disa vepra letrar akoma të pabotuara.
Disa here ka marrë çmime letrare për poezi
Ishte bashkëthemelues dhe kryetar i parë i Klubit Letrar “Lumi i bardhë”në Mitrovicë dhe anëtar i redaksisë së revistës letrare “Fjalë e valë” që botohet në Mitrovicë. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Jeton në Prishtinë dhe kryesisht merret me krijimtari letrare.

Titulli:Gjirmë shpirti
Autori: Çerkin Ismaili
Redaktor: Adem Zejnullahu
Recensues: Sabit Idrizi
Redaktimi gjuhësor: Autori
Ballina dhe përkujdesja kompjuterike: Shkumbin Ismaili
Shtypi: Shtypshkronja
PRELUD
Autobiografia ime e pashkruar
Dashuri e pa rrëfyer-
Me eshtra të bluar e zemër të thyer.
Edhe po ta dija si do vdisja
Dhe kur do vdisja -
Jetën nuk do ta jetoja ndryshe!
E kam dashur vdekjen shqiponjë në fluturim
Jo si të qyqes-
Që qyqarisht shkon motet
Prej varrit në varr me mallëngjim.
Për llafet bajate të gojëzive
Tebdilëve fshehur nën pelerina-
Si në përralla
Me sy e veshë qiqëruar
Nëpër bira të gardhit
Nuk më ka hëngër palla!
ABSURD
Me sy kah qielli
E me duar të ngrira kah hyu
Andej nga bie napalmi para vdekjes
Kuajt qorra-
Në kutinë e zezë hingëllijnë
Për dashurinë e pelave të ngordhura
Nëpër Kashtën e Kumtrit kërkojnë
Gjilpërën magnetike;
Tjetër kurgja s’kanë humbur
Përpos vetes që s’e gjejnë dot!
Zemrat prej guri u kanë përpirë hijenat
Pllumbi i Jemenit e korbi i Po-esë
Trurin pikë për pikë u kanë pi;
Në kremten e madhe-
Të vdekjes së idhujve në Babiloni!
Janë lindur fëmijë sakat
Në shpirt gungaç-
Me samar breshke në shpinë
Bijë mëkatarë të Evës e Adamit
Plakur galuc gjunjtë i brejnë
Në Kopështin e Goliatit
A janë a s’janë ata që janë
Kaini e Abeli
Në këtë llakërdi
Kush s’e di!
PRAPË NGA E PARA
Lakuriqët e natës e magjistarët e kërrusur
Me një sy në qiell e një sy në tokë-
Në dasmën e djajve ia behën tebdil
Diçka ishte ;
Maskaradë apo lojë
Monstrumiadë
Larje hesapesh, zjarr, gjak e plojë!
Në gjuhën e mëkatit diç namatisën
Gurë e dru i dogji zjarri!
O Zot?
Prapë duhet nisur nga e para ?!
Trandofileve në gota u morën erë
Dhe ikën-
Lulet u çuan në kryengritje-
Kopshtijet u zgjuan me aromë gjaku!
Kur i ngulën sytë
Në gjinjtë e stisur të evgjitkave zeshkane
U dehën në dasmën pagane -
Në bukuritë e mallkuara-
Vdiqën idhujt ,u dogjën magjitë.
SHPINA IME E RRJEPUR
Për skllavërinë e të gjallëve
Nëntë dredhë-
Në shpinë m’i kanë nxjerrë!
Për mizoritë e të vdekurve
Nëntëdhjetë e nëntë dredhë
I kam paguar me fajde!
Për të palindurit;
Lëkura e shpinës time
Me gjak pagoi këstin e parë!
Në shpinë s’më ka mbetur
Asnjë dredhë me vlerë
Për kokën time!
Në kohën e krizës globale
Kur nxirren e stërshiten
Dredhë shpine
Moralistët e gjorë
Mëkat e quajnë fajdenë!
Vaj halli për shpinën time të rrjepur!
MBI RRASHTËN TIME
Midis kudhrës e çekanit
Në mengel
Nën qemerët e kështjellës
Vezullon rrashta ime
Ëndërron dashurinë e humbur.
Skllavët pa fat në arenë me bisha
Zgjyrin e shekujve me gjak e lajnë
Në lumenjtë e bebëzave të shituara
E ngrohen me buzëqeshjet idhnake
Të dashurisë fatale.
Mbi rrashtën time
Orfeu vajton Euridikën,
Drenushat bëjnë vetëvrasje
E nimfat shtatngrira në ujëvarë
Flenë mbi vetull.
KUR NDËRGJEGJJA GJUAN ME GURË
Për t’u ndier të lumtur
Kur ndërgjegja gjuan me gurë
Çmendemi çmendurisht
E vërbohemi vërbërisht
Rrëmujën e terrin për t’i pa mirë!
Për t’u ndier të lumtur
Në shtretërit e faraonëve
Këndshëm-
Në piramidat e çmendisë
Horizontalisht jemi shtrirë
Kur ndërgjegja gjuan me gurë!
Kur ndërgjegja gjuan me gurë
Rrapin e gërryen krimbi deri në çmendi
Në zemër i hapë zgur!
Për t’u ndier të lumtur
Jemi çmendur-
E po vdesim si Hamleti!
Kur ndërgjetja gjuan me gurë
Për t’u ndier të lumtur
Në kalldrëmin e urrejtjes fatale
Symbyllur-
Idiotë të çmendur
Zhvatemi në labirinte urithi!
Kriza e ndërgjegjes shtrigë
Na ndjek prapa-
Mallkon-
Gjuan me gurë
Nga qielli në tokë
Se edhe peshku
Ka nisur të krimbet në kokë!
METAMORFOZË
Lëkura shkretirë e përcëlluar Sahare
Lëvore qarri
Rrah i djegur mali
Koka mendje e të marrit
Pak idiotë-
Më shumë robotë!.
Hardhuca me dy këmbët
Verikalisht ka shkelë në hënë,
Kameleoni burrërisht
Me tigrin ndërroi lëkurë,
Buburreci luan di pët t’u mburrë
Lepuri kryeneq, hero në gjumë,
Gjarpëri pa bisht,elefanti kërriq!
Pranvera dimër, dimri me vapë
Vjeshta me lule, vera me acar
Antartiku i shkrirë , Sahara e ngrirë!
KOHA ZEZONË
Në udhëkryq
E kam harruar veten
Me hijen time
Çakalli syçartur rrugën kur ma preu!
More, nuk jam fajtor
Që u linda në kohë pa kohë
Heret apo vonë,
Errësirë ishte
Nuk jam fajtor
Që ishte koha zezonë.
Në rrashtën time hapa gropë
E në zverkun tim kanë hapur varrë
Ah, ç’mi ra kokës, koha zezonë
Koha marroçe, kurvë e përdalë.
GJIRMË SHPIRTI
Rrebeshi pas stuhisë
Rrebeshëm ma vrau ylberin
E mjegull është në bebëza, në horizont mjegull;
Maje bjeshkës diku flamuri udhën ka humb
Shqiponjën e molisur tek e mbajnë në thumb.
Mbi vetull dridhet diell i zymtë
Në baladë cijatet lirika e valë;
Horizontet gri koten në gjumin pa cak
Në Kepin e shpresës së vdekur vlon farmak!
Orëligën e përkundin të ligjët marrëzisht
Tek dredhë e dridhë globin në gisht!
Derisa mjegulla mjegullon horizontet
Kushtrimi im shuhet, meteor në greminë
Namatisur hiri i përhitur përhitet-
Në ëndrrën e gjirmës dhe shpirtin n’ mallkim!
BLASFEMI E TAKIMIT HIPOTETIK
Eja kur të duash
Ironi e lodrës hyjnore
Zgjuar të pres -
Deri në Ditën e Gjykimit
-Vërr- s’ më bën syri!
Në sernishten time të djegur
Merr hisen tënde
Dhe shporru
Me zhurmën e fantazmave
E të lehurat e çakajve
Tek zhgrryejnë-
Ngjyrat e ylberit të dremitur!
Zgjuar të pres
Zgjuar-
Mister i llahtarshëm
Ndërsa nga vetja ik -
Dhe vetja tinëz ikën nga unë
Blasfemi e takimit në askund!
Ç’ rëndësi ka në hirësinë e mekur
Një gjeth i verdhë vjeshte
Që erërat e humbin në kozmos
Me ëndrrën e blertë në udhën e harrimit!
Në rrëmujë qivuret me eshtra të thyer
Kërkëllojnë nëpër varre ,
Përplasen në shtatë palë qiej
Varrosen nën nëntë palë tokë;
Dridhen me vajin e kthimit- kërthi
Ndërsa mbi flatra të Feniksit
Dashuria prej hiri kridhet në blasfemi!
ME ËNDRRA TË GURTA
Grigjën e ëndrrave të blerta
Mbrëmë-
Në logun e dhembjeve
Zanat ma kanë shituar
E dashuritë m’i kanë gurëzuar!
Ajme,
Tufën e kujtimeve
Tymmjegulla e shekullit
Ma ka vërbuar!
Sa keq qenka të flesh
Me ëndrra të gurta
E zhgjëndërr të dergjesh pa dashuri
Dhe të zgjohesh me dhembjet akull
Ndërsa kujtimet në betejë
Si meteorët-
Vdesin një nga një!
GROPË NË TRU
Diku thellë nga horiozontet e zemrës
Vrushkuj zjarri shpërthejnë;
Krateri vjell, lava gjithçka vjel...
Of, medet
Sa gropë të thellë
Më paskan gërryer në tru
E zverkun ma shpojnë me turjelë!?
Nuk ia kisha njohur të gjitha dashuritë
As të gjitha ëndrrat e Tokës time
Në hile e mëkate të kësaj bote
Nuk kisha marrë erë-
Me ëndrrat e zbërdhylta të pagjumësisë fatale
Lodra të brishta idhujsh përpëlitemi në skëterrë!
Trumcakut nuk i duhet shumë për jetë
Pak strehë nën çati –
E pak gjumë në sy;
Ose një qoshe e errët
Ku merimanga thurë rrjetë...
DHEMBJE E GRUAS SË PËRDALË
Shitem në ankand si plaçkë e vjetër
Herë mirë e herë lirë-
Varësisht nga klientët mbretër.
Pse , more rrejnë
Kohë e skllavërisë ka mbaruar?
Të frikësuar si lepujt trokasin pizevengët
Në portën time-
Veshur si për gjerdek
Pas djersës së molepsur;
Medet, si po cenohet nderi qytetar!?
Hipur mbi kërthizën time
Si në samar pele-
Zar linçimi hedhin në bixhoz
E tallen pijanecët-
Kur më thërrasin nur ezmere
Tallen klounët,
Bijt e epruvetave moderne
Kur të papjekur më hanë në bordele !?
Vinë pizevengët
Vinë me zemër të mërdhirë
Me kurmin e kurvës hijerëndë
Me naze u ngroh shtratin;
Kanë fytyra të pista, ndërgjegjen rrëshirë,
Trupin im mumje kur ma ngrijnë shtatin!
Në gjinj përditë më godasin furtunat,
Zjarri i skëterrës i djeg sytë e mi-
Gjeni i trishtë kur lodron në damarë
Ndërsa lind kopilë të dashurive të mallkuara
Jam dhembje e mallkuar e gruas së përdalë...!
KREJT MBRAPSHT
Akrepat e orës po më sillen mbrapa
E sytë s’ma shohin shtegun përpara,
O dreç, n’agim më shfaqet nata,
Çdo e ligë m’ka nisë nga e marta!
Në muzg më lind dielli
E hëna në mëngjes;
Përditë më godet në kokë
E premtja e zezë!
E , mbrapsht më sillet rrota e vjetër-
Mbrapsht kthehet lumi në burim,
A është kështu e mbrapshtë ajo bota tjetër
Pa ledhatime e me ndëshkim?!
EC E NJIHE VETEN
Loti e ka humbur moti
Udhën në shtresat e kujtimit
Zezonë-
Tashmë nuk njohim trajtën tonë!
Gurët e mallkimit me imazh morti
Në valët e lumit shkreptijnë
Nëpër udhët pa shteg e shtigjet pa udhë
Ndërsa tehu i thikës antike
Lëpihet në lëkurë
E ngulet në zgavrën e ashtit njomak
Ku këlthitin e vdesin dashuritë
E dhembjet dhembshurisht
Kremtojnë dhembjet e trazuara...!
Tash, ec e njihe veten
Në këtë kaos
E mati pulsin zemrës pa zemër,
E mati largësitë udhës pa udhë,
E gërryeja mykun kohës pa kohë,
E të pabesit mbaja besën,
E ndizja yjet natës pa hënë...!
Ec e njihe veten
Në akuariumin e ngrirë
Kur po shkrihet Antartiku
Kur besa thyhet si buka -
Në ndërgjegjen e molisur të mikut!
Ec e njihe veten
Hamlet në dilemën moderne
Në lojërat pa krye të lakuriqëve të stisur!?
SHPËRLARJE TRURI
Më në fund e mundën të gjorin guri
E mbështetën në muranë;
Me gjilpërë ia shpojnë sytë,
Me gozhda ia mbyllin gojën,
Me helm ia pshurrin shpirtin
Me flakë ia lajnë e shpërlajnë trurin.
Në vend të bukës
Rrena i servirin për drekë,
Gumzhimën e marrëzive në darkë
Imët ia bluan koka,
Kur ecën esëll, gjumi e zë
Morri e sëmbon në rrashtë-
Me prirjen fatale të mendojë asgjë!
Guri trushpërlarë-
Ëndërron në gjumin pafund:
-Flij i gjorë! Flij! Për ty mendoj unë!-
VJEN PROMETHEU
Në këtë natë acari, sonte kur mërdhij
Përpëlitem me klithmat që dalin prej dheu
A shuhet zjarri me zjarr, hej
E di vetëm Prometheu...
A vritet heshtja me heshtje,
Dallga dallgën pse e përplasë në kep
Në luftë stërkalash, i shurdhër je, o det
Si nuk ndjen dhembje , kur rrufeja vret?
Në këtë natë acari, vjen Prometheu
Me shkëmbin e përflakur mbërthyer në shpinë
Me gaca të ndezura ngroh Atdheun-
Dhe ashklën e zemrës që shkabat i grijnë!
Sonte vjen Prometheu, vjen Prometheu
Sonte do ngrohemi e do ndezim zjarre;
Cep më cep sonte do sodis Atdheun-
Dhe do t’i ngushëlloj sonte eshtrat në varre...!
KRYQËZIM I DHEMBJEVE ME MOTET
Tashmë motet u dogjën në mua
Stinët m’i ka përhitur hiri
E fundit shpresa dha shpirt
E s’rilindet më kurrë-
Fjala e fundit më ngriu në grykë.
Ani, s’ka gjë të keqe
Të gjitha fjalët kush s’i ka thënë
As të gjitha fijet e jetës kush s’i ka zënë
Përderisa stinët e vitet –
Me hapat e vet ngatërrohen në lak
Vdekja tinzake vjen e merr hak...
Hija ime këndej e andej përjetësisë
Në lapidar matet me emrin tim
Në mote flakësh, me syrin e largësisë
Se kryqëzohen dhembjet me motet
Medet, si s’e paskam ditë...
HESHTAKU
Para vdekjes së shkëmbit
Gurit kam për t’ia nxjerrë zërin,
E pas djegies së bjeshkës,
Lisit kam për t’ia nxjerrë kushtrimin
Heshtakun do ta ndrydh e shtrydh
Si ullirin-
Derisa t’ia nxjerr fjalën...
Para vdekjes le të kalërojë heshtjen
Në krahë mize, heshtaku harbut;
Le të kënaqet me lartësinë e heshtjes
Dhe nektarin e heshtjes të quajtur mut...!
KLOUNI
Gjumi dinak më nuk më mashtron
Tebdil surratin ta pashë,
Dhe trupin zvarranik
Krejt lakuriq!
Pështyje surratin tënd qelbanik
Klouni-
Mos u dro
S’e lajnë detërat, liqenet
S’e lan lumi...
S’më rren më, dot
Huqet e veset t’i njoh
Kupto-
Tashmë me gishtrinj-
Klouni,
Sytë i ka hapur majmuni!
BUZËQESHJE IRONIKE
I kam pasur vitet veç me dy stinë
Pranverë e verë
S’ka pritur ashti im!
Pranverat i kam pasur dimër
E verën vjeshtë
Lulet e vyshkura
Ironikisht m’kanë buzëqeshë!
MISTERIOZE
Çuditërisht për çdo ditë
Nëpër çudira rrëshqasim
Me turinj të thyer...
Sa më shumë që duhemi
Gërrithemi më shumë...
Sa më larg që jemi
Më shumë mallëngjehemi.
Kur jemi afër
Largohemi më shumë.
Sa më shumë njihemi
Më shumë injorohemi.
Kur flemë themi jemi zgjuar!
A e kemi surratin tonë
Ore,hej
Apo e kemi ndërruar?!
Nuk shihemi n’pasqyrë
Me sytë lëbyrë!
ANKRONIKE
Akoma kush s’u kthye nga parajsa,
As ferrin kush se ka pa-
Logjikë e absurdit pa trajta
E mëkatit të pistë që kurrë s’u la .
Krishtin e mbërthyer në qiell e përplasën,
Profetët në beteja mbetën të ngrirë,
Evën e Adamin kush e di ku i tretën,
Në Shkretirën e Adenit kërkojnë mëshirë...!
ZGJËNDRRA U BËFTË ËNDËRR
Kështu si po ecim
Tre hapa prapa e një para
Në këtë shekull nuk do ngecim!
Në strofullën e majmunit krenarë
Gomarë me samarë
Që s’ngopen dot bar
Apo krishtër të djersitur
Që gjykohen në Kalvar.
Zhgjëndrra u bëftë ëndërr
E deti u bëftë kos-
Sa rënd shkelim baltën
Kur tjerët shkojnë në kosmos...
PAFATËSI
Dhëmbin ia kam ngulur lisit
Prej marazit ka plasë guri
Dhe e kam kthjellë syrin
Nëpër re e kam shkrepur motin
Zemrës i kam hapur dryrin.
Ia kam vënë syrin vashës
Të kurthuar diku në zemër,
Ia kam ngulë heshtën të gjorës
Si Akilit në thembër.
Me mehlem varrët ia kam lyer plisit
E ijet e thyera ia kam lidh në lak;
Me kurorën e përgjakur në krye të fisit
Sa keq qenka të jesh mbret i pa fat!
Komentoni
Artikuj te tjere
Vehbi Klaiqi: Poezi nga libri ''Loti im''
Cikël poetik nga Bajame Hoxha - Çeliku
Ejup Ceraja: Lirikë e shqetësimit dhe dhembjes
Këze Kozeta Zylo: Gjaku juaj pikore drite
Kalosh Çeliku: Gomarin q? e hante ukju tha: ?sht? ?nd?rr
Agim Gashi: Vaji i shqiptarit
Faik Islami: Mjerimi i Letërsisë me Otellon e Blushit
Xhevat Pllana: Vepër me vlerë përmbajtësore dhe artistike
Bilall Maliqi: Intervistë poetike me Hydajet Hysenin
But Jaku: Observime biblike të një ligjërimi poetik
Dy poezi nga Neki Lulaj
Revista Shqiptari për shpirtin Tuaj (Nr.1-2010)
Thellësisht Nënë Tereza
Suzana Kuqi: Endrra si veshje
Baki Ymeri: Poezi rumune nga Amerika - Theodor Damian
Nexhat Rexha: Shkëlqimi i yjeve të lirisë
Thani Naqo: Katranosje dhe triumf
Dy poezi nga Kasam Shaqirvela
Triptik nga Përparim Hysi
Restaurimet e 2010, Kisha, kala, muze dhe amfiteatro