E shtune, 27.04.2024, 12:18 PM (GMT+1)

Kulturë

Restaurimet e 2010, Kisha, kala, muze dhe amfiteatro

E shtune, 20.02.2010, 02:19 PM


Nga Fatmira Nikolli

Ndërhyrje për rehabilitimin dhe restaurimin e qendrave historike, monumenteve të kulturës dhe objekteve të kultit në të gjithë Shqipërinë, janë ato çfarë shihen si parësore nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, për investimet e këtij viti në favor të turizmit kulturor. Në asamblenë e dytë vjetore mbi turizmin në Shqipëri, organizuar dje nga Shoqata Shqiptare e Turizmit (ATA) dhe MTKRS, ministri Ferdinand Xhaferaj shpalli listën e objekteve ku do të ndërhyhet, dhe tha për të pranishmit se ka ndërmarrë projekte të rëndësishme mbi zhvillimin e turizmit për sezonin veror të 2010-ës. Gjatë takimit u fol edhe për përmirësimet në infrastrukturën energjitike të vendit dhe atë rrugore, që siç u tha, janë bërë sipas këndvështrimit prioritar për të mbështetur turizmin. Këtu u përmendën zgjidhja e problemit të furnizimit me energji, por edhe një sërë rrugësh siç ishin ato drejt plazheve të Spillesë dhe Shëngjinit, e po ashtu edhe drejt Antigonesë, Finiqit dhe Butrintit. 

Takimi 

Në fjalën e tij, ministri Xhaferaj u shpreh se "për zhvillimin e turizmit, si një ndër prioritetet e qeverisë shqiptare është dhe rritja e bashkëpunimit me agjencitë private. Ky bashkëpunim është jetik për mbarëvajtjen dhe suksesin e turizmit në Shqipëri". Sipas ministrit të TKRS-së, në 5-vjeçarin e ardhshëm turizmi në vendin tonë do të shndërrohet në industrinë më të rëndësishme të vendit. Kjo, pasi MTKRS-ja ka në projektet e saj zhvillimin dhe nxitjen e trashëgimisë kulturore, krahas trashëgimisë natyrore. "Statistikat e vitit 2009 në krahasim me një vit më parë kanë pasur një zhvillim me 35%, por nuk duhet të mjaftohemi me kaq, pasi po të përmirësojmë standardet do të kemi rritje më të mëdha në këtë fushë", - tha ministri. Gjithashtu, gjatë takimit u tha se një prej domosdoshmërive të turizmit në Shqipëri është dhe rritja e investimeve cilësore. Lidhur me investimet për vitin 2010, ministri përmendi se për këtë vit janë parashikuar disa ndërhyrje me rëndësi për turizmin kulturor. Siç bëri me dije Xhaferaj, "institucionet kulturore në varësi të MTKRS-së do të lidhin marrëveshje bashkëpunimi me AKT, për të vendosur në mënyrë të institucionalizuar trashëgiminë tonë kulturore shpirtërore dhe materiale në funksion të turizmit". Për herë të parë në Shqipëri, Shoqata Shqiptare e Turizmit (ATA) në bashkëpunim me MTKRS-në shpallën dhe çmimin "Biznesi i Vitit në Turizëm" 2009, që i shkoi Tirana International Airport dhe Komunitetit të shtëpive pritëse të Thethit. Ky çmim njeh dhe promovon kontributet e bizneseve turistike shqiptare në drejtim të përmirësimit të cilësisë së tyre. 

Restaurimet
 
Sa iu takon ndërhyrjeve që pritet të bëhen në kuadër të turizmit kulturor, Xhaferaj përmendi restaurimet në qendrën historike të Beratit, rikonstruksionin e Muzeut Arkeologjik në Durrës, restaurimin i Teatrit të Sofratikës. Por, ai tha se do të ketë rikonstruksion të Muzeut Arkeologjik në Korçë, restaurim të Kishës Shën Maria në Lubonjë, e po ashtu restaurim të banesës së Oso Kukës dhe asaj të Pashko Vasës. Në vijim do të restaurohet edhe banesa e Gjergj Fishtës, banesa Kazani dhe ajo e Petro Markos. Po në kuadër të objekteve të kultit që gjenden në Shqipëri, pritet të restaurohet edhe Teqja e Shën Dyrrit, por edhe Kisha e Shën Janit. Ndërhyrje restauruese do të ketë edhe manastiri i Mesopotamit. Ministri tha se këtë vit pritet të ketë ndërhyrje edhe në kalanë e Grazhdanit. Suksesi në zhvillimin e qëndrueshëm e konkurrues të turizmit do të ndikojë në nxitjen dhe zhvillimin e aktiviteteve të tjera ekonomike të lidhura me turizmin, si artizanati, suveniret etj, por edhe në hapjen e vendeve të reja të punës, ashtu si edhe në përmirësimin e jetës së popullsisë së zonave pritëse dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore e natyrore. 


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora