Kulturë
Shefqet Dibrani: Proza e Muharrem Blakajt (1)
E premte, 19.02.2010, 10:56 PM

RRËFIMI PËR MISIONIN...
Muharrem Blakaj: “MISIONI SEKRET” , roman, botoi Sh. Botuese “Rozafa”, Prishtinë 2004, faqe 270. ISBN 9951-02-047-X
Shkruan: Shefqet DIBRANI
Muharrem
Blakaj për lexuesin shqiptar është bërë i njohur në fushën e librit dhe të
krijimit letrar, kryesisht si romancier. Ai, sot shquhet si njëri nga
shkrimtarët e përkushtuar që merret me prozën e gjatë. Ky epitet për Blakajn
vlen veçmas pasi ai jeton jashtë atdheut dhe vazhdimisht ka shkruar romane. Ky autor deri më tani është prezantuar
me katër romane duke e bërë veten emër të pranueshëm në fushën e letërsisë
shqipe, veçmas siç e theksuam më parë të asaj letërsie që krijohet në mërgim.
“Misioni
sekret” është romani i parë i këtij autori, është një vepër letrare, një
roman interesant që dallon nga një sërë romanësh të kësaj natyre, jo vetëm nga
ana stilistike dhe e rrëfimit të ngjarjes, por me përpjekjen serioze dëshmon
potencën krijuese për të sjell një tip të prozës, e cila sikur ka
munguar(?!...), e madje si zhanër letrarë mjaftë konkurrues që sfidon veprat e
kësaj natyre të autorëve që jetojnë në diasporë, veçmas të atyre në Evropë.
Autori
në romanin “Misioni sekret” ka
shpalos në mënyrë estetike dramën e popullit të tij, dramë kjo që rëndoi edhe
mbi shpatullat dhe jetën e autorit. Por me romanin në fjalë autori është
inkuadruar në letërsinë shqipe me mjaftë ambicie.
Shikuar
nga kultura e shkrimit shihet fuqishëm përpjekja e autorit për ta sforcuar
rrëfimin si një përpjekje fondamentale për t’ia rritur vlerën artistike këtij
romani. Në disa fragmente të romanit “Misioni
sekret” duket sikur vet autori ishte protagonist i shumë ngjarjeve dhe
ndodhive shoqërore e politike që mbuluan për vite të tëra qiellin e Kosovës.
Madje, (si një konvencë jashtë letrare), mund të shprehemi se autori ishte
viktimë politike e sistemit. Ai është përballur me shantazhet policeske, me
burgosjet dhe madje edhe më pësimin nga ky sistem. Fakt i parë që tashmë dihet
është vrasja e vëllait në burgun hetues në Pejë, dhe fakti tjetër është e dhëna
se ai nga këto përndjekje do të detyrohet t’ia kthej shpinën edhe atdheut,
përkatësisht Kosovës. Ne u detyruam t’i përmendim këto sekuenca jetësore që
s’kanë të bëjnë me librin, por shërbejnë për të ditur edhe arsyen pse ky autor
merret pikërisht me hulumtime në fushën e shërbimeve sekrete, përmbajtje kjo që
mund të nënkuptohet nga vet titulli i librit.
Në
romanin “Misioni sekret”, autori ka
arritur të shpalos me mjaftë mjeshtri “misionin sekret” si dramë e përjetuar,
si torturë dhe si preokupim shoqëror. Kështu si është dalë, duket një rrëfim
specifik, mjaftë rrëqethës pasi ngjarja përkon me një realitet shoqëror e
politik të përjetuar për individin apo shoqërinë si një tërësi më vete,
përkatësisht fati i një populli që kaloi nëpër një etapë shoqërore e politike e
cila përfundoi me një tragjedi të përmasave çnjerëzore, sidomos kjo gjë
shqetësonte për faktin se krimi ndodhte diku në një cep të “Evropës së
civilizuar?!”
Hapësira
e rrëfimit është e përmasave specifike, ku kujdesshëm përshkruhen zhvillimet e
mëdha shoqërore e politike si një observim specifik qoftë i tematizimeve etike,
qoftë i atyre morale, apo shoqërore si një koncept i ndërtuar mbi veprimin
këmbëngulës për të arritur synimin e planifikuar, qoftë të romanit si një
krijim artistik, apo të sukseseve që arriti populli ynë si procedim i fitores e lirisë së ëndërruar.
Optika
e krijimit në romanin “Misioni sekret”
të Muharrem Blakajt është ndërtuar mbi observime të kujdesshme duke rikthyer e
aktualizuar idetë mbi ngjarje e situata të cilat kanë lënë vragë në jetën e
autorit apo të shoqërisë si një koncept më i avancuar në njërën anë, dhe në
anën tjetër: janë vështrime të kujdesshme mbi gjendje emotive ku janë sublimuar
kujdesshëm edhe degradime të rënda që i kanë bërë shoqërisë njerëzore
personazhe të dyfishta të cilat janë të implikuara në shërbim të misioneve
sekrete, dhe njëherësh në një prizëm tjetër, këta individ kanë shitur moral
patriotik në shërbim të çështjes dhe atdheut i cili terrorizohej dhe dhunohej
pa ndërpre nga politike diskriminuese e cila përdorte mekanizmin e “shërbimeve
sekrete” për t’ia zgjatur robërinë kombit tonë, ose të paktën për t’i çoroditur
lëvizjet e fuqishme për liri dhe pavarësi.
Drama
e tij jetësore, apo drama e përjetimit jetësor janë sinonim i dramës si
fantazmë e shpikur që është e lidhur dhe ndërthurur me mjeshtri me shumë
zhvillime dhe ngjarje reale. Prandaj romani “Misioni
sekret” i M. Blakajt me mjaftë besnikëri ka përshkruar zhvillime që i
përkasin një kohe të caktuar, kohë kjo jo aq e largët nëpër të cilën jo vetëm
kaloi, por u përcëllua kombi ynë.
Sekuenca
të romanit, përkatësisht fragmente të tëra janë sajuar e ndërtuar në formë
tregimesh të cilat mund të botohen edhe veç e veç dhe do të shpjegojnë një
sekuencë të ndodhisë së romanit. Ky element më duket është edhe një afinitet i
fushës së krijimit letrar pasi romani mund të cilësohet si tregime që
plotësojnë njëri tjetrin duke sforcuar konceptin e përgjithshëm të këtij
romani. Po ashtu vërehet se brenda romanit autori i ka ballafaquar me sukses
veprimet e kundërta, si të shprehemi, polet e kundërta të një fushe magnetike
të cilat herë refuzohen dhe herë tërhiqen mes njëra tjetrës, ashtu edhe
zhvillimet e ngjarjeve brenda këtij romani herë duken refuzuese e herë
tërheqëse por veprimi i tyre është i ndërtuar dhe ruhet me rigorozitet nga një
fushë e ndikimit tërheqës, e herë pas here edhe refuzues, por që ballafaqohen
gjatë tërë procesit të veprimit dhe të viktimizimit të personazheve shërbyese
dhe të atyre në shërbim.
Ngjarja
është shtruar si një dramë e brendshme e individit, kurse proceset vihen
pikërisht në kohën e lëvizjeve të mëdha të nëntokës në njërën anë dhe të
lëvizjeve të mëdha patriotike për të prishur atë statusquon e rrejshme që për
dekada me radhë e kishte propaganduar një sistem i kalbur vetëqeverisës por që
shtirej si njëri nga proceset më të përsosura, më të avancuara, madje, madje jo
rrallë është thënë se duhet marrë model i së mirës dhe i realizimit të
aspiratës të të drejtave nacionale të kombeve e kombësive që ishin futur me
dhunë nën juridiksionin e një administrate federale e cila avanconte dhe
përparonte kombet dominuese në dëm të kombeve më të vogla dhe sidomos në dëm të
pakicave kombëtare që në ish Jugosllavi ishin emërtuar si “kombësi”, një
pozicion i papërcaktuar, një lloj binomi artificial që për dekada të tëra
diskriminonte kombin tonë në mes statutit të kombit dhe të pakicave kombëtare
që ishin të rregulluara e mbroheshin me konventa ndërkombëtare të cilat i
kishte nënshkruar edhe vet Jugosllavia. Në këtë pozitë kushtetuese kaq
diskriminuese sikur ishte krijuar tereni më i përshtatshëm për spekulimet e
mundshme të shërbimeve sekrete të cilat jo që vepronin në mënyrë të
pakontrolluar, por ato shërbime ishin yshtur e motivuar pikërisht nga aparati
shtetëror i cili me legjislacionin e tij juridik sikur iu kishte mundësuar fushëveprim
të skajshëm e të papenguar pikërisht këtyre shërbimeve.
Por,
autori i romanit nuk është kufizuar vetëm në periudhën e përmendur më lart,
veprimin e shërbimit sekret serb në Kosovë ai e bart edhe gjatë luftës së
armatosur dhe pas përfundimit të saj. Madje, madje rezultatet e veprimeve të
shërbimeve sekrete sikur i pagoi më shumë Kosova pas përfundimit të luftës duke
u likuiduar me dhjetëra e dhjetëra intelektual e personalitete që i duheshin
një vendi, veçmas është dashur të ruhen e jo të likuidohen pikërisht personat e
implikuar dhe përgjegjës të shërbimit sekret serb që ka vepruar në Kosovë për
dekada me radhë, shërbim ky që për shumë nuanca qoftë të romanit e qoftë të
realitetit praktik është prezent edhe në të tashmen e çliruar të Kosovës, ku brenda
këtij romani shpalohet me kujdes esenca dhe ekzistenca e tyre, personazhe këto
që krijojnë situata të ndera të cilat e bëjnë rrëfimin e romanit më të gjallë
dhe ngjarjen më përjetuese.
Autori
për ta bërë romanin e tij më tërheqës, më interesant dhe më të pranueshëm, ka
zgjedhur edhe kohën kur më së shumti kanë qenë aktive shërbimet sekrete,
sidomos në kohën e vlimeve të mëdha
shoqërore e politike, në kohën e ndryshimeve të mëdha kushtetuese, në kohën e
pozitës më diskriminuese që iu caktua nga radikalizmi serb kombit tonë.
Radikalizmi serb, si kurrë më parë ishte sforcuar dhe kishte nisur marshimin e
tij drejt republikave veriore të ish Jugosllavisë, kurse Kosovën e kishte
përdorur si një epruvetë laboratorike për të yshtur këtë radikalizëm për yryshe
të mëtejme drejt republikave dhe kombeve të tjera në tërë këtë hapësirë e cila
tashmë ishte tronditur në themelet e saj nga gjithë vlimet dhe ndryshimet e
mëdha që rrokullisnin shërbimet dhe misionet e caktuara.
Personazhet
e romanit janë figura të gjalla të jetës publike, dhe personalitete të tjera që
me dashje ose përmes shantazheve janë implikuar në këto shërbime duke qitur në
pah tërë mynxyrën e veprimit të aparatit shtetëror i cili ishte shtrirë me tërë
strukturën komanduese në çdo pore të jetës qytetare, duke qenë në gjendje të
kontrolloj e komandoj çdo veprim në tërë hapësirën e caktuar dhe madje edhe në
mërgim.
Natyrisht
në romanin e Blakajt me sukses është paraqitur veprimi i shërbimit sekret serb në
raport me shqiptarët, dhe ky raport ishte ndërtuar mbi kundërshtimet,
përkatësisht në përpjekjen e këtij shërbimi për ta mposhtur luftën dhe veprimin
kundërshtues legal e ilegal që e bënin shqiptarët në Kosovë, dhe në pamundësi
të një veprimi të tillë i tërë ky shërbim ishte angazhuar në mënyrë të dyfishtë
për ta çoroditur, për ta implikuar dhe për ta devijuar veprimin e mirë
patriotik ku jo rrallë ishin ngatërruar veprimet e pastra patriotike me ato të
pseudopatriotëve të cilët kishin misione të dyfishta dhe fatkeqësisht persona
të rënë në ingranazhe të shërbimit sekret serb bënin kërdinë dhe hatanë në dëm
të kombit pjesëtar të të cilit ishin, kurse në anën tjetër kishte si qëllim
final që mbarë popullin shqiptarë ta paraqiste para opinionit ndërkombëtar si
një popull kriminel, terrorist, bartës drogash, trafikant prostitucioni, vrasës
dhe plaçkitës ordiner, gjë që pati ndikim tepër negativ brenda autoriteteve dhe
medieve kudo në Evropë, e veçmas në Zvicër.
Romani
“Misioni sekret” i Muharrem Blakajt
është shkruar me mjaftë mjeshtri, vërehen njohje të theksuar që autori ka mbi
shërbimet sekrete, sidomos të shërbimit sekret serb i cili herë vepronte haptas
e herë më i maskuar, herë i uniformuar e të tjera herë mjaftë i shëmtuar.
Sidoqoftë autori me mjaftë mjeshtri ka paraqitur fytyrën e vërtetë të këtij shërbimi
në rrethana e caktuara kohore që kalonte Kosova. Një pjesë e këtij romani do
t’i kushtohet veprimit të shërbimit serb në Evropën Perëndimore dhe më larg, ku
pikësynim kishte Zvicrën pasi dihej se veprimi i emigracionit politik dhe të
atij ekonomik ishte më aktiv se kudo tjetër. Përmes personazheve të caktuara
autori me mjaftë sukses e ka konkretizuar qëllimin e veprës së tij që mëton për
të pasqyruar kryekëput veprimin e shërbimit sekret serb i cili pat përdorur çdo
mjetë moral, material, politik e diplomatik për t’i nënshtruar shqiptarët, për
t’ua çorientuar idenë e lirisë dhe të pavarësisë. Gjithsesi romani në fjalë do
të dilte jo aq përjetues, kurse veprimi i shërbimit sekret serb më i zbehur dhe
jo gjithaq i komplikuar po sikur në këto shërbime të mos ishin implikuar dhe
involvuar edhe vet shqiptarët të cilët pas gjithë atyre shërbimeve që do t’ua
bënin padronëve të tyre do të pësojnë dhe do të eliminohen si të papërdorshëm.
Por në rrethanat e shërbimeve sekrete zakonisht ndodhë që pasi të jenë shfrytëzuar
veprimet e tyre në fund janë shtrydhur si limon, madje me një inskenim të
caktuar janë eliminuar fizikisht për të lënë mënyrën e veprimit të këtyre
shërbimeve më enigmatike, përkatësisht për ta bërë veprimin sa më misterioz.
Personazhi
kryesor i romanit Fer Gergjlekaj luan rolin e eprorit për zbulim, ai në këtë
roman paraqitet njohës i mirë i kësaj fushe, i shkolluar dhe përgatitur në
qendrën që ka prodhuar kriza e krime të mëdha për kombin tonë dhe për njerëzit
e Ballkanit në përgjithësi. Ky personazh i jep shkas rrëfimit për t’u zhvilluar
me tërë dramacitetin e mundshëm që e lejon mënyra e këtij rrëfimi, për t’i
implikuar në këto shërbime personazhet tjera që janë kryesisht kriminel
ordiner, për vrasje, për vjedhje a për dhunime të shumta si Momçillo
Milivojeviq (Moma) me
pseudonimin Ylber Kraça, Brankoviq Marinko, Starqeviq Misha, Fer
Gjergjlekaj me pseudonimin Besimi dhe i njohur si Beli, Gorani, fëmijë i
braktisur nga prindër shqiptar, i rritur në jetimore si fëmijë serbë, i
indoktrinuar me urrejtje patologjike dhe i yshtur për të vrarë e dhunuar
popullin e tij... i vetkonvertuar mandej në Agron, pastaj si personazhe
kryengritëse vijnë Mentori, Bardha, Agroni etj., dhe në fund, një garniturë personazhesh që janë
marrë si referenca të veçanta për ta begatuar në mënyrë artistike motivin e
“misionit sekret”.
Romani “Misioni sekret” i Muharrem Blakaj është një roman i realizuar mjaftë mirë qoftë në planin ideor,po edhe në planin artistik. I shkruar me një gjuhë të rrjedhshme dhe me pikësynim të caktuar, që e bëjnë rrëfimin më përjetues, ndërsa syzheu dhe personazhet e romanit janë narratori më i suksesshëm që e bëjnë veprën më përjetuese dhe romanin në përgjithësi më të realizuar.
Këtu mund të lexoni një fragment nga romani që trajtuam:
http://www.zemrashqiptare.net/article/ArtKulture/13029/