E marte, 30.04.2024, 05:57 PM (GMT+1)

Kulturë

Ahmet Selmani: Zbulimi mistik dhe real i flijimit

E enjte, 18.02.2010, 10:16 PM


ZBULIMI MISTIK DHE REAL I FLIJIMIT

Mira Meksi: “E kuqja e demave” (roman), botoi “Ideart”, Tiranë, 2009

Shkruan: Ahmet Selmani

a) Shumësia tematike

Në qoftë se e lexojmë romanin me titull “E kuqja e demave” të autores Mira Meksi, patjetër do të ndalemi në njërin nga rrafshet e veçanta të tij, përkatësisht në atë që ka të bëjë me çështjen e temës që trajtohet aty, ngaqë duket qartë se ajo ka një strukturë tjetërfare dhe mbarështrohet si një tërësi e kombinuar, ose që ndërthuret si brumë i ngjeshur politematik. Këtë e themi nga vetë fakti se aty gërshetohen disa njësi të veçanta tematike, secila duke shërbyer si një shkas i mjaftueshëm për tjetrën, si vazhdimësi ose si plotësim i ndërsjellë, që mëpastaj të shtjellohen me një intensitet të njëjtë drejt shthurjes përfundimtare. Teknika me të cilën shërbehet autorja për t’i ngjizur ato brenda vijës rrëfimore është ajo e sintezës rrëfimore; në njërën anë duke shpalosur disa përvoja jetësore dhe, në anën tjetër, duke krijuar parimin e shumësisë së tyre, të përzgjedhjes së kujdeshshme të disa pjesëve krejt të ndryshme, me të cilat arrin ta ndërtojë tërësinë e vet të natyrshme, të ndërlidhur sipas një logjike të caktuar ose sipas një kuptimi të ngjashëm simbolik. Në këtë kontekst, të paktën ballafaqohemi me dy tema të veçanta: me atë të koridave dhe atë të dashurisë. Dhe këto formalisht nuk kanë asgjë të përbashkët midis tyre, por që thelbësisht pikëtakohen në simbolikën e ngjyrës së kuqe, në ndërfutjen e të parës tek e dyta dhe, anasjelltas, të dytës tek e para. Pikërisht nga kjo shumësi tematike lind një rrafsh jashtëzakonisht heterogjen në aspektin e rrëfimit të ngjarjeve; aty gjërat fillojnë paraprakisht me një qëllim të caktuar, por mandej përfundojnë në rrokme interesante, porse qëllimi i parë assesi nuk e pengon të dytin, përkundrazi, ato vetvetiu bëhen elemente ndihmëse ose plotësuese, për të nxjerrë në dritë shumë aspekte të reja ose të panjohura, gjithsesi duke e dëshmuar potencialin e madh të rrëfimtares, e cila futet nëpër sfera tërheqëse e të mistershme, vetëm e vetëm që ta zbulojë të fshehtën e artit dhe të filozofisë, e cila hedh dritë mbi qenien njerëzore. Në qoftë se qëllim i shkuarjes në Spanjë është përkthimi i letërsisë, vendosja në Babelin e saj, pra siç ndodh me kryepersonazhin e romanit, atëherë ky qëllim shndërrohet në diçka tjetër, ose, më mirë të themi, qëllimi në fjalë dyfishohet, për arsye se, krahas detyrës së përkthimit të shumë veprave të autorëve spanjoll, ajo udhëhiqet edhe nga kureshtja e ngjallur për ta zbuluar botën e koridave, qytetin e Tarazonës, atë të Madridit, jetën nëpër manastire, dokumentet e ndryshme, misterin e ikonave etj. Të gjitha këto shndërrohen në një rrokme ngulmuese e të mundimshme, si një ekspeditë vetanake, e cila kap përmasat e një synimi kryesor, ku si cak mbetet zbulimi artistik. Prandaj, edhe vetë shumësia e çështjeve të trajtuara kurorëzohet si një ngrehinë e hapur, gjithsesi në kuptimin e dinamikës së brendshme, mbase edhe si një materie e cila mund të kundrohet nga shumë pikëpamje të një njësie mjaft të ndërlikuar.

b) Filozofia e njohjes

Gjithë konteksti i romanit “E Kuqja e demave” të M. Meksit na shpie drejt një zbulimi gnoseologjik të realitetit njerëzor. Ndonëse në shikim të parë bota e demave, ose loja e koridave, aq e njohur në traditën spanjolle, na duket argëtuese, ekzotike, joshëse, prapëseprapë rëndësia e saj qëndron në domethënien e zbuluar në mënyrë të shkallëzuar. Në mes të kësaj bote interesante ndodhet kryepersonazhi Teuta e cila, megjithëse ka vajtur në Spanjë për qëllime përkthimi, ajo futet në mjedisin jashtëzakonisht tërheqës të koridave, duke ndjekur lojën spektakolake të fljimit të demave; futet në botën e opiumit ku gjërat zhvillohen në rrafshin real dhe ireal, njihet me njerëz që e vëzhgojnë jetën nga brenda dhe nga jashtë, por edhe me njerëz që marrin pjesë drejtpërdrejt në toreim, siç është Antonio Manueli në të cilin ajo është e dashuruar. Rrjedhimisht, këtu fillon zbulesa thelbësore e një bote sa të thjeshtë, aq edhe të ndërlikuar, një bote që është art më vete dhe mister i çuditshëm, një botë ku përplasen ndjenjat dhe hamendjet, ëndrrat dhe vizionet. Aty nuk kemi të bëjmë thjesht vetëm me një lojë në kuptimin argëtues, por aq më tepër edhe me një mishërim artistik e filozofik. Përshkrimi i saj aq i hollësishëm na shpie drejt një pahu të gjallë, brenda të cilit vetvetiu ekzistojnë përkime dhe ngjashmëri, fate të njëjta jetësore e njerëzore. Të gjitha personazhet janë aktorë të gjallë, bartës të veprimeve formale dhe thelbësore, me çka na mundësojmë ta njohim realitetin e panjohur të tyre. Në të vërtetë, kërkimi i kësaj bote kaq të zhurshme është zbulim i vetes sonë, është një përvojë e pashmangshme në kuptimin më praktik, një filozofi sa gnoseologjike aq edhe ontologjike, e cila të vë në sprovë ekzistenciale, për t’i kuptuar të gjitha ato që e karakterizojnë shpirtin njerëzor. Natyrisht, këtu gjërat ndodhin gati në mënyrë mistike, në rrafshin fizik dhe atë shpirtëror, në atë real dhe ireal, për të arritur deri tek e vërteta tronditëse, e cila është absolute dhe e patjetërsueshme. Marrëdhëniet e ndërsjella të personazheve, qoftë të Teutës me Antonio Manuelin, apo qoftë edhe me dona Maria Viktorian, janë substanciale dhe provokuese, tepër domethënëse për mënyrën sesi manifestohen dhe fund e krye i përkasin natyrës shpirtërore. Dhe, si të tilla, ato paraqesin lëndën themelore të rrëfimit njohës, që si synim kryesor e ka nxjerrjen e një përfundimi senzacional ose të një ndërgjegjësimi të plotë. Futja në këtë vazhdë njëherësh është edhe dalje prej saj, zbulimi i saj është ecje vertikale, ikja prej saj është edhe ballafaqim sy më sy, zhbirim i të fshehtave është edhe tronditje e paparë, kuptimi i saj është edhe ngadhënjim, afrimi me të është edhe ikje nga vdekja etj.

b) Simbolika e së kuqes

Vepra në fjalë përshkohet nga ligjësitë e kundërta ekzistenciale, pra me forcën e jetës dhe me atë të vdekjes; njëra identifikohet me njeriun si bartës i veprimeve të shumta, dhe tjetra me demin si qenie e flijuar. Dhe, kjo na shpie drejt kontekstit të një loje fatale, e cila shfaqet në forma të larmishme brenda të tashmes dhe të kaluarës. Kalimi nga spektakli i gjakut në korida, në manastiret e ndryshme, tek ikonat e shumta, e deri tek e kuqja e Onufrit, gjithsesi përbën një vijë themelore hulumtuese. Kjo për shkak se aty ndryhet gjithë simbolika e romanit në fjalë, krijohet rrafshi i nëntekstit me të cilin shoqërohemi gjatë leximit të veprës, natyrisht si një pjesë e nënkuptuar dhe e shijuar nga ana jonë. Duke i parë shenjat ndërlidhëse të ngjarjeve, simbolikën e ngjyrës së kuqe, e cila kalon nga njëra hapësirë në tjetrën, nga loja në realitet, nga ëndrra në zhgjëndërr, nga miti në jetë, nga historia në aktualitet etj., në fakt autorja e ravijëzon qartë rrjedhën logjike, por si një kategori të befasishme estetike. Pra, ecuria e ngjarjes zhvillohet si një ekspeditë e mistershme, por duhet thënë se shthurja e saj gjithmonë mëton të shfaqet si një akt i papritur. Kryepersonazhi depërton në mënyrë sistematike, në bazë të njohjes së gjërave, të hulumtimit të vazhdueshëm, duke u shoqëruar me miq, duke mësuar të fshehtat e fljimit të demit në fushëlogun e korridave. Mbi të gjitha, ballafaqohet vetëm me një mister kyç, e që fshihet në qenien e dona Maria Viktorias, “zonjës së zezë”, siç e quajnë, e cila shfaqet si “një ngrënëse zemrash riake”, si “një grua e lindur për dashuri”, si nyje e pamposhtur gjer në fund. Tek ajo ndeshet jeta me vdekjen, dashuria dhe urrejtja, qetësia dhe zhelozia, gruaja dhe djalli etj. Më tepër se dashurinë, prej saj e mëson tejdashurinë, e kupton rëndësinë e papërfytyrueshme të qenies femërore. Vetëm ajo e di të fshehtën e rrëmbimit të zemrës së një mashkulli, e di formulën joshëse dhe tronditëse njëkohësisht, të përcjelljes së gjakut të saj në zemrën e Antonio Manuelit etj. Pikërisht këtu identifikohet simbolika e ngjyrës së kuqe, e cila kalon dhe transformohet nëpër disa situata, që nga flijimi i demit, ngjyra e kuqe e pikturave të Onufrit e bërë me gjak njeriu, e deri te gjaku i dona Maria Viktorias në gojën e toredorit. Kështu krijohet ndërlidhja logjike e veprimeve, krijohet riti mistik dhe tragjik, kuptimi filozofik dhe artistik, kuptohet në suaza të një konteksti të thellë simbolik, që gjithsesi është i pashmangshëm dhe vendimtar.

c) Rivaliteti i personazheve

Në gjithë romanin ekziston një vijë e shquar ku lëvizin dy personazhe kryesore; njëri ka të bëjë me Teutën, rrëfimtaren e ngjarjeve të veprës dhe, tjetri ka të bëjë me gruan e quajtuar dona Maria Viktoria. Pra, siç mund të vërejmë, kemi të bëjmë me dy personazhe femërorë që kanë lidhje dashurie me toreadorin Antonio Manuelin. Teuta është vajzë e re, vetëm 25 vjeç, ndërsa Dona Maria Viktoria është më e moshuar, por rivaliteti i tyre arrin kulmin e vet në fund të romanit. Pika e dobët e tyre është toreadori i cili ndodhet midis tyre; me njërën është i lidhur fizikisht, dëshiron të mbetet pranë saj, ndërsa me tjetrën është i lidhur shpirtërisht, nuk mund të shamnget aq lehtë, sado që e ka tradhtuar me Juan Banitezin. Pikërisht rivaliteti i dy personazheve e shpejton ecurinë e ngjarjeve, ngaqë ato njihen dhe mësojnë prej njëra-tjetrës, e kuptojnë pozicionin e tyre që kanë ndaj toreadorit të famshëm; njëra e ka rrëmbyer fizikun e tij, kurse tjetra e ka rrëmbyer zemrën e tij. Ai nuk shpëton dot as nga njëra e as nga tjetra, sepse është dyzuar në mënyrë të llahtarshme, madje aq shumë sa edhe vetë loja e tij me demat varet nga këto dy krijesa diametralisht të kundërta që luftojnë në emër të dashurisë. Vetë Antonio Manueli shprehet haptas: “Korrida ime dhe dona Maria Viktoria, për mua janë të pandara” ose, në rastin tjetër kur thotë: “prania e saj gjatë korridës ka diçka të mistershme, që s’arrin dot ta kuptoj; është si një frymë rreziku, si një pasion i frikshëm, pa të cilin më ngjan se s’arrij dot ta kryej asnjë suerte…Të gjitha këto vijnë e përzihen në toreimin tim, dhe vetëm atëherë ai ka kuptim; unë ndihem vetvetja, arti im dhe mistika e tij kanë kuptim…”. Në këtë aspekt, loja është fatale, rivaliteti është përshkallzues, gjithçka shthuret me vetëvrasjen e Antonio Manuelit, flijimi i tij ngjet si flijimi i demit, të kujton aktin e gjakut, ngjyrën e tij, e cila farfurit në kokën e Teutës. Siç thotë ajo, më në fund: “Antonio Manueli kish shijuar dashurinë, gjakun dhe vdekjen, të gjitha bashkë, një lojë që shkonte përtej njerëzores, në cakun e fundmë ku ndahet jeta nga vdekja, apo ku në të vërtetë ato përzihen dhe s’njohin ndarje”. Kështu, vetvetiu gjaku bëhet kod i deshifrimit të domethënies së dashurisë që fshihet midis rivalitetit të këtyre dy femrave, të cilat përfundojnë secila në pozicionin e vet të kundërt, njëra e pamposhtur në artin e vet të tejdashurisë, tjetra e zhgënjyer nga fitorja e humbur, por e ndërgjegjësuar se i mungon forca dhe arti magjik i rivales së saj, që është vendimtar për ta fituar luftën e tejdashurisë. Më tepër se çdo gjë tjetër ky rivalitet nxjerr në shesh kthimin nga jeta dhe ikjen nga vdekja, ndjenjën e lartë femërore dhe përjetimin e skajshëm mashkullor. E gjithë kjo filozofi përligjet brenda rrokmes së flijimit në kuptimin e gjerë dhe të ngushtë të kësaj fjale. Vetë Antonio Manueli thotë: “ky rit sakrifikimi është pushtim, çlirim, triumf dhe kënaqësi epshore, si asgjë tjetër mbi dhe”, ngaqë, siç shprehet më tej, “për një çast ndihem kryezoti i botës”. Prandaj, duke u nisur nga e gjithë kjo, realisht ky roman arrin të shkund ndërgjegjen e lexuesit, duke e futur në sferat magjike të qenies së tij, si dhe duke e vënë në sprovë të njëmendtë për fatin e vet. 


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora