Kulturë
Sabile Keçmezi- Basha: Udhëtimi nëpër ëndrrën e kuqe
E diele, 21.02.2010, 10:55 PM

sabile_basha@hotmail.com
UDHTIMI NËPËR ËNDRRËN E KUQE
E shikoja vjedhurazi, ashtu me bisht të syrit, dhe pa dashur vija në përfundim se dikur... në rininë e saj, kishte qenë e bukur. Bile-bile mund të them se edhe tani nuk i mungonte ajo hijeshi, konstatova triumfalisht. E shikoja, disi me dhembshuri, në retrovizorin e një furgoni të vjetruar. Dhe, mendime të çuditshme më vinin vërdallë në kokë. Disi, vetvetiu i bëja pyetje vetes, a thua kush mund të jetë kjo zonjë? Nga vjen dhe çfarë mendimesh i torturojnë kokën... Kishte një shikim të përhumbur dhe një qëndrim prej aristokrateje. Edhe pse kishte filluar të bënte vapë, ajo krahëve kishte hedhur një peliçe të shtrenjtë. Këpucët elegante i mbërthenin këmbët dhe çorapët e zeza e të mëndafshta i shtonin edhe më tepër skofinë. Nuk fliste me askënd. Nganjëherë na shikonte të gjithëve me radhë dhe fytyrën ia mbulonte një e qeshur e përzier me dhembje. Herë-herë lëvizte nga karrigia sa për të shikuar anash dhe trishtueshëm ofkëllinte. Duart, ato duar të bardha e të hajthme, ishin mrekullia vetë. Ato, herë i kryqëzonte mbi gjoks, e herë me një lëvizje të shpejtë i lëmonte flokët e bardha-borë.
Nuk dija as vetë përse në një mënyrë të çuditshme më tërhiqte vëmendjen çdo lëvizje e saj. Më ngjante në dikë, por assesi të më kujtohej se në kë. Pas një rrugëtimi goxha të gjatë e të mundimshëm, përsëri e zura veten se si shikimi padëgjueshëm më ikte dhe më ndalej tek ajo... Dikur, vonë, shumë më vonë, filluan të më pengonin edhe bisedat e udhëtarëve të tjerë që bënin brenda, ngase m’u duk se zonjën, që kishte zënë vend në ndenjësen e parë, e pengonin në meditimet e saj. Njëherë, më erdhi nëpër kokë të nisja një bisedë me të, por... nga t’ia filloja se... Nuk njiheshim fare, andaj edhe nuk kisha se çfarë të bisedoja, kështu mendoja fillimisht. Të vetmen gjë të përbashkët që kishim dhe që na lidhte në këtë rrugëtim, ishte fatkeqësia që na kishte katandisur dhe udhëtimi me këtë furgon të vjetruar nëpër ëndërr të kuqe. Gjatë rrugës disaorëshe dhe marramendëse, që bëmë, mësova se zonja ishte nga qyteti i minatorëve dhe se furtunat e çmendura e ndjellakeqe e kishin hedhur rastësisht në qytetin tonë. Tani, bashkë me ne, e ndante fatin dhe furgonin e vjetër që na bartte për diku... nëpër ëndërr të kuqe. Dhe, çka ishte më e keqja, askush nga ne nuk kishte haber se për ku shkonim...
E dëgjova me vëmendjen më të madhe se çfarë bisedonte ajo me disa luftëtarë që na përcillnin kohë pas kohe. Mbeta e shtangur. Ajo - zonja me peliçe, kishte një zë të butë dhe plot ngrohtësi. Derisa fliste, ishte e qetë, shumë e qetë. Dhe, dale me nga dale rrëfente për peripecitë e saj që kishte përjetuar deri në kryeqytet. Edhe njëherë zgjata kokën para, për t’i parë fytyrën. Çka të shihja...Ajo ishte amësia vetë. Çdo gjë në mënyrë të përkryer harmonizohej me pamjen, zërin dhe ndjeshmërinë e saj. Tanimë nuk kisha asnjë dilemë se kjo grua tej mase i ngjante nënës sime, të cilën kishte vite që e kisha humbur. Në çast ndjeva një afërsi të papërshkruar që rrezatonte nga ajo. O Zot, thashë me vete, a thua pse të gjitha nënat kanë diçka magjepsëse në sytë e tyre.
Ajo, me një shprehje të fytyrës së shumëvuajtur, tregonte se me sa mund kishte arritur të kalonte në rrathët e ferrit që i kishin vënë qoftëlargëtit. Dhe se si, krejt rastësisht, ishte ndodhur në stacionin e trenit dhe në autobusin që bartte popullatën e ndjekur për në Qafë Morinë. Rrëfimi i saj më zgjoi kureshtjen dhe... gjithsesi doja të dija edhe më tepër për jetën e saj.
Ishte fillimi i prillit dhe bregoret sapo i kishte mbuluar gjelbërimi. Nxehte një diell që më përcëllonte lëkurën e fytyrës dhe të duarve. Më vonë, nga vapa e sikleti, përvola mëngët e këmishës gjer në llërë. Nga mbrapa e vështroja gruan me peliçe dhe ndieja një dhembje si për nënën. Herë- herë më vinte të ngrihesha nga vendi dhe t’i afrohesha pranë për të filluar një bisedë. Fundja, le të ishte edhe pa kuptim, por vetëm të flisnim diçka... ashtu kot, vetëm sa për të thyer qetësinë mortore. E, pastaj, më vinin një mijë e një mendime të tjera, të cilat nuk më lejonin të lëvizja nga vendi. Fundja, mendova, me çfarë të drejte unë t’i prishja qetësinë gruas së gjorë, kur të gjithë në furgon, thua se kishin bërë një marrëveshje të pashkruar që të udhëtonin në heshtje.
Pas një rrugëtimi të gjatë dhe lodhjes rraskapitëse, papritmas, foli njëri nga ne, sa për të thyer heshtjen vrastare.
- Dini gjë... se ku do të na ndalin... – tha. Unë pata përshtypjen se ai më tepër foli për vete, sesa iu drejtua dikujt, ngase asnjëri nga ne nuk kishim ndonjë njohuri shtesë për rrugëtimin tonë biblik.
- Në kryeqytet nuk do t’ju ndalin... Jam shumë i sigurt për këtë - foli papritmas shoferi i furgonit.
- E pse jo në kryeqytet? - reagoi një udhëtar tjetër, që pata përshtypjen se mezi kishte pritur që dikush të fillonte bisedën.
- Unë kam këtë shkresë, - nga xhepi i xhupit nxori një letër të zhubravitur dhe na e luhaste para syve. (Me vete mendova, a thua edhe sa udhëtarëve të tjerë ua ka tregua po të njëjtën shkresë).
Ngelëm të shtangur. Filluam të shikoheshim mes vete duke mos u besuar fjalëve që sapo i dëgjuam dhe letrës që sapo e pamë.
Shoferi, duke e vërejtur habinë ton, shtoi edhe më me bindje se kjo që thoshte kishte edhe mbulesën e vet, ngase shtoi:
- Ore, e dini ju se Tirana është e mbushur përplot me refugjatë. Është spicë në kryeqytet. Duke e parë këtë grumbullim të madh të njerëzve, është dhënë urdhër që të tjerët që vijnë, të sistemohen në gjithë vendin, - dhe heshti për një moment, duke u frikuar se mos e kishte tepruar me bisedën dhe mos na kishte rënduar me ndonjë fjalë, për të ndërhyrë më vonë me një kujdes të pashoq.
- Or vëllezër, më vjen keq, shumë më vjen keq, por kështu më kanë thënë. Kohë lufte është kjo... - dhe heshti duke gëlltitur ca fjalë të pathëna.
Nuk di se cili foli nga udhëtarët, por nga mesi i furgonit u dëgjua një zë, që, duke u kollitur e duke rënkuar, shtoi.
- Po ti, a nuk e sheh se sa të lodhur jemi. Ne, ka net të tëra që nuk kemi futur gjumë në sy - dhe heshti duke mbështetur kokën në supet e një udhëtari tjetër.
- E qartë..., e qartë..., por urdhri është urdhër e unë nuk kam tjetër rrugëdalje..., - vazhdoi të arsyetohej shoferi.
Në furgon pllakosi heshtja. Dy-tre veta nga mesi i tij koteshin. Një tjetër më prapa gërhiste me të madhe për shtatë palë qejfe. Ndërsa zonja që ishte vazhdimisht nën survejimin tim, qëndronte e shtangur dhe nuk bëzante, thua se e tërë kjo që po ndodhte nuk kishte të bënte fare me të.
Pas një heshtjeje të shkurtër, njëri që rrinte menjëherë prapa zonjës, kërkoi që të ndalej furgoni. Njëherë u befasuam, ngase mënyra si e kërkoi ndalimin, na u duk se shprehte mllef, por më vonë, me të vjellat që e fshinë përpara, u bindëm se kishte pasur turbullim nga rruga dhe lodhja e stërmadhe.
Ishte mesi i ditës. Në furgon temperatura ishte e padurueshme. Vinte era djersë dhe pluhur. Të gjithë ishim të lodhur. Riga kotej mbi krahun tim dhe herë pas here ngrinte kokën, duke me pyetur me një zë të ngjirur:
- Ma, a kemi mbërritur? - Unë i ledhatoja flokët, duke i kujtuar asaj se vetëm edhe një sy gjumë sa të bëjë dhe do të jemi në vendin e duhur.
Djali, ndërkaq, më mbrapa bisedonte me ngadalë me babanë e vet, por biseda e tyre pothuajse nuk dëgjohej fare. Bisedonin qetas dhe shtruar. Besi, nga dritarja e furgonit, me gjasë i tregonte vendin se ku ndodheshim. I tregonte diçka për Migjenin dhe për qytezën e Pukës. Këtu, është Qafë Arza, i tha. E shikova dhe me vete thashë, “o Zot, mu tani e ka gjetur t’i flasë për gjeografin e vendit”.
Zonja me peliçe, edhe më tej qëndronte e shtangur, thua se nga diku e kishte parë fantazmën. Çile gur gojën, heshtte si mumie.
Dhe përsëri në furgon pllakosi heshtja. Ne, udhëtarët e furgonit pa dokumente udhëtimi, pa plaçka dhe pa adresë banimi, udhëtonim... udhëtonim... pa ditur se ku do të ndaleshim... Para shtatë apo tetë orëve, policia në Qafë Morinë, na i kishte marrë që të gjitha, duke na thënë:
– Ja, shikoni këndej... - duke treguar me dorë nga Kosova.
- Këtu, më... nuk do të shkelë këmba juaj. Përshëndetuni me këtë vend, se andaj, për ku shkoni ju, nuk keni nevojë më për këto dokumente. - Dhe na i grisnin ato, një nga një, duke u zgërdhirë si bishat, ndërsa jargët u shkonin gojës nga kënaqësia.
Në kalimin “kufitar”, shqiptaro-shqiptar ishte bërë një stivë me lloj-lloj dokumentesh. Veç atyre, ata, nga të dëbuarit, merrnin çdo gjë, bile si specialitet i tyre ishin bërë tabelat e panumërta të veturave, të traktorëve dhe çdo gjë tjetër që u binte në dorë. Ashtu, gjysmë e kotur dhe gjysmë e zgjuar, shikoja në drejtim të shkrepave dhe ndodhitë e para ca orëve nuk më shqiteshin nga mendja. Përnjëherë ndjeva një frenim të papritur të furgonit. U tremba. Ashtu rrëmbyeshëm shoferi thirri, duke na thënë:
- Gjysmë ore pushim... dhe po qe se ka dikush ndonjë nevojë, ja këndej... - na i tregonte me dorë disa gëmusha të vogla, buzë rruge.
Vajza u tremb nga zëri i shoferit dhe më shtrëngoi krahun, duke më pyetur e trishtuar:
- Ma, çka ka ndodhur...?
- Asgjë... asgjë, zemër... ji e qet... Po bëjmë një pushim të vogël... - Ajo, vrik shtriu krahët përpjetë, duke treguar në një mënyrë kënaqësi për pushimin e papritur.
Dera u hap me rrëmbim dhe udhëtarët u sulën të dilnin.
Të gjithë nxitonin. Shtriva dorën në drejtim të burrit dhe fëmijëve. I ndala për një çast. Zonjës me peliçe i dhamë përparësi që të zbriste. Bile Besi i zgjati dorën dhe e ndihmoi që të zbriste më lehtë nga furgoni. Më befasoi një gjest i tillë prej fisniku, ngase kaherë njerëzit i kishin harruar këto tipare më të mira të mirësjelljes. Frika nga asgjësimi na kishte shndërruar kaherë në një copë mishi, që na karakterizonin vetëm sytë, të cilët me kohë kishin humbur edhe atë grimë ndjeshmërie, që kaherë na kishte ngelur.
Njëherë (pas bombardimeve), derisa rrinim zgjuar, e bënim rojë, Besi më kishte tërhequr vëmendjen qetë e butë, duke më thënë:
- Shiko, tani nuk e dimë se çfarë na sjellë e nesërmja, por do të të lutesha, çfarëdo që të na ndodhë, dhe mbi të gjitha, duhet të mundohemi që të mbetemi njerëz.
E shikova Besin me admirim, por ai nuk kishte mundësi të vërente ndjeshmërinë time, ngase ishte errësirë hadi. Në vete ndjeva një krenari për të, se edhe në këto orë të liga të jetës, ai përsëri... e përsëri... na këshillon se duhet të mbetemi njerëz...
- E di... e di..., - thashë në mënyrë kategorike.
- Nuk besojë... se, çfarëdo që të na ndodhë, të sharrojmë në atë llum të pështirë, nuk besojë se do të biem...
Zonja, e befasuar nga sjellja finoke e tij, iu falënderua nga zemra Besit. Derisa ajo edhe më tej fliste diçka me burrin, unë mendova me vete,
- E po... tani, është momenti i duhur që t’i ofrohem asaj...
I zgjata dorën dhe, më shpejt se e pritja, ajo më afroi pranë vetes.
- Unë jam... unë jam... – dhe për një moment humba aftësinë e të folurit. - Zonja vuri buzën në gazë dhe pëshpëriti:
- Edhe unë jam... thënë të drejtën, më... nuk e di se kush jam... - dhe filloi të bënte grimasa të të qeshurit, thua se në moment ndiente nishk nën sqetull.
Si gjithmonë, Besi më erdhi në ndihmë.
- Kjo është gruaja e ime, e këta zgjatakët, janë fëmijët tanë, - e tha me krenari.
- Jo..., moj bijë, jo... tepër po dimë, a nuk e sheh se si na ka katandisur jeta, - dhe ofkëlliu pahetueshëm.
Ajo shpejt gjeti vend dhe, duke e hedhur një faculetë mbi një shkëmb, u ul për të pushuar. Vërehej se ishte e zbehur. Ishte e lodhur dhe kjo hetohej dukshëm. Mendova, e po rruga e ka lodhur gruan e gjorë. Por, në ditët në vijim hetova se ajo mund të duronte fyerje, përbuzje e sharje nga më të ndryshmet, por... ta dhimbsesh, ta mëshirosh, ajo këtë nuk e përballonte dot.
E pyeta se me kë udhëtonte. Më shikoi habitshëm, duke m’u drejtuar,
- Unë... me kë udhëtoj? - më bëri pyetjen, që më erdhi si akuzë e heshtur, së paku kështu m’u duk mua. Vetëm që nuk e tha “Pse, a nuk e ditke ti se me kë udhëtoj?”
- Më falni... - pëshpërita, - po ne nuk njihemi, - i thashë.
- Do të më njohësh... do të më njohësh..., bija e ime, - më tha. - Do të kemi kohë për të gjitha..., se rrugë e gjatë është kjo..., e tha mendueshëm.
Qesha, sa për t’i bërë qejfin zonjës me peliçe, e në kokë më erdhën mendime të pafundme. Po ne, shpejt, shumë shpejt do të kthehemi andej nga kishim ardhur. Kështu, bile shpresa më mbante.
- Fillikat jam... E vetme..., kështu siç më sheh, - vazhdoi zonja.
- Sot... në këtë kohë, siç thua... të gjithë në një mënyrë apo tjetër, - i thashë, - jemi të vetëm. Edhe ne nuk e dimë ku i kemi të afërmit. Por... do të vijë dita... kur të gjithë do të takohemi dhe do të ri-njihemi.
Qeshi. E qeshja e saj shprehu mosbesimin në fjalët që sapo ia thashë.
- Po...po, për të gjallët ka ymyt, po çfarë thua për ata që nuk janë më në mesin tonë.
U drodha. Mornica të ftohta më përshkuan trupin tejpërtej. Dhëmbët më kërcëlluan. Medet, thashë, a thua çfarë do t’i ketë ndodhur kësaj gruaje fisnike.
Gruaja nuk bëzante. Shikonte në drejtim të kodrave dhe luante pandërprerë me një fije bari, që e kishte gjetur aty... pranë. Me gjasë, priste që të vazhdoja bisedën, por nuk ishte edhe aq e lehtë të bisedoje më të.
Udhëtarët, të lodhur e të molisur nga dielli pranveror, filluan të futeshin në furgon.
- Shkojmë edhe ne... - tha gruaja. Drejtoi shikimin nga dielli, e mati me sy.
- Shih..., në këtë luginë, akshamet vijnë më herët. Është mirë që të mos vonojmë, - dhe shpejtoi hapin.
Me të njëjtën zhurmë e monotoni furgoni gëlltiste rrugën kaherë të arnuar. Pas pushimit të shkurtër, njerëzit filluan të zienin si në koshere bletësh. Tani të gjithë flisnin diçka, tregonin ndonjë ndodhi nga ditët e bombardimeve. Si duket, pushimi kishte ndikuar që të njiheshin më mirë mes vete. Se, disa dolën edhe të një krahu e të një ane, ngase përmendnin emra e gallape që i komentonin me zë të lartë. Dikur... filluan edhe të qeshnin. Zonja i shikonte. Duke e lëvizur kokën, shtoi:
- A sheh... çka është njeriu. Aty qesh dhe aty qan... Jetë i thënçin kësaj..., - shtoi me dëshpërim.
- Edhe ai..., i ndjeri, ka qenë shumë gazmor dhe shumë i hareshëm. Kur hynte ai në oda, një nahi ia kishin lakmi... por... ja, nuk është më... - Uli kokën dhe pata përshtypjen se u pendua për fjalët që i tha. Se, pas kësaj ndërhyrjeje, një kohë të gjatë heshti. Unë respektoja heshtjen e saj. Pritja që të fliste ajo. E ndieja se kishte nevojë të bisedonte me dikë... Isha e gatshme ta dëgjoja deri në fund.
- Më fal..., bija e ime, për gafën që bëra, por... po më dhemb... shumë po më dhemb, ja... mu këtu... - dhe me dorë preku anën e majtë të kraharorit.
E ndieja atë dhembje, e kisha të njohur si dritën, por ç’t’i thosha, vallë.
- Njerëzore është të kemi dhembje. Fundja, njerëz jemi, zonjë.
- Po...po. Por..., nganjëherë më duket se mbi supet e mia ka zënë vend shekulli me tërë plagët e veta, - dhe humbi shikimin tej kodrave e maleve që sapo kishte filluar t’i mbulonte blertësia. Unë edhe më tej heshtja duke pritur se çfarë i kishte ndodhur.
- Burrin më vranë... horrat... kriminelët... Më thanë... më vonë, se disa qytetarë e kanë parë duke e zvarritur rrugës. Unë, as nuk munda ta varrosja siç i kishte hije... As varrin nuk ia di... - qante me dënesë dhe thyente gishtat një nga një. Për të parën herë u zura ngushtë. Nuk dija si ta ngushëlloja zonjën e mirë, çfarë t’i thosha... Ajo, pas kësaj bisede që patëm, mbylli sytë, heshti dhe padiktueshëm iku në botën e vet. E vëreja se nuk flinte, por... kështu donte ajo...
Duke biseduar me zonjën, nuk e kisha hetuar se kishte rënë terri dhe i kishim arritur shumë afër Tiranës.
Përnjëherë u krijua tollovi në furgon. Njerëzit kërkuan të hynim në qytet, duke thënë se i prisnin të afërmit, por, siç u pa më vonë, vërtet ishte e pamundur. Policia shqiptare kishte bllokuar hyrje-daljet në qytet dhe, ashtu siç tha shoferi, ne ishim të detyruar të vazhdonim rrugëtimin. Kaluam edhe Durrësin, edhe Kavajën, duke kërkuar vazhdimisht që të ndaleshim diku. Se, vërtet, rrugëtimi më nuk kishte kuptim. Kishte net të tëra që nuk kishim fjetur dhe vërtet ishim të rraskapitur.
Me gjeturinë e shoferit, disi nëpër rrugët anësore, depërtuam në brendi të qytetit të Elbasanit. Ishte befasuese dhe e këndshme pritja e grave të atij qyteti. Ato kishin organizuar që për çdo mbrëmje të gatuanin ushqime të llojllojshme për t’i pritur vëllezërit e tyre që vinin nga Kosova. Ishte ora më e imët e natës, ato të lodhura kishin zënë vend pranë hyrjes në sallën e sporteve dhe sapo hetuan ndaljen e fugonit, hapën derën dhe na dëshiruan mirëseardhjen, duke na qerasur secilin me nga një pako ushqim të freskët. O Zot, kurrë në jetën time nuk kisha ngrënë diçka ashtu të shijshme si atë natë. Besi, edhe sot më ngacmon duke më thënë:
- Ke qenë e uritur... atëherë ... Vezët, vezë janë, e buka, bukë është... e sheh se asgjë të jashtëzakonshme nuk kishte, por ty t’u duk... - Unë edhe më tej nuk pajtohem, por përsëri mendoj se të tëra ato kishin një shije të veçantë, që kurrë më nuk e kam përjetuar në shumë restorante të njohura të botës.
Aty... të gjithë udhëtarët që ishim në furgon, u vendosëm përkohësisht, në palestrën e sporteve, që nesër për të vazhduar rrugëtimin në drejtime të panjohura... Grupi ynë, de fakto, atë natë u shpërbë. Dikush u vendos në familjet mirëpritëse në qytet, dikush shkoi për Durrës e dikush shpresonte... vazhdimisht shpresonte se shpejt do të kthehej në shtëpi.
Zonja me peliçe, së bashku me një familje tjetër, u kthyen për Durrës dhe shpresoja se përsëri do të shiheshim. Në ndarje, ajo fort qau. Qau aq dhembshëm, sa të gjithë të pranishmëve u shkuan lotët. Qamë edhe ne, qanë edhe fëmijët. Në ndarje më shtrëngoi fort dhe më shikoi drejt në sy:
- Ju... do të më vizitoni, sigurisht që do të më vizitoni. Unë do t’ju pres... e pastaj të llafosim për një mijë palë qejfe, - lëviza kokën në shenjë pohimi, duke menduar se kur do të ndodhë kjo...
Kishin kaluar ditë e javë të tëra, ne rropateshim me jetën... jetë i thënçin. Shpesh mendoja për zonjën me peliçe dhe për fatin e saj. Kishim shkuar shpesh në qytetin D. E kishim kërkuar, por më kot. Ne, adresë të saktë të saj nuk kishim. Ditët iknin, e me kalimin e tyre, na vinin hallet varg e vistër.
Pasi u stabilizuam pak, filluam pastaj të shkonim me burrin në Bibliotekën Kombëtare. Një ditë maji, duke nxituar me Besin, në sheshin “Dëshmoret e Kombit”, një zë i njohur, na e ndali hapin. Ishte ai i njohuri i zonjës me peliçe. Shumë u gëzova për mundësinë që m’u ofrua për të ditur diçka për të.
- Ore..., i thashë, dini ju diçka për zonjën... se ne kemi humbur çdo gjurmë të saj... - Zotëria më shikoi habitshëm mua e pastaj Besin dhe ngeli i nemitur. Kisha përshtypjen se Ai u zu ngushtë, por s’dinte nga t’ia mbante. Unë e shikoja me habi bashkudhëtarin e zonjës, pastaj e shikoja Besin dhe pritja përgjigje. Pas një kohe të shkurtër, Besi, si me hezitim më tha:
- A di çka... unë... mua më ka ardhur keq të të tregoja... se ajo ... mikja jonë... Zonja e nderuar... pas një kohe që ne jemi ndarë, ajo... ajo... filloi të belbëzonte, dhe në atë moment ndërhyri zotëria, që kishte pasur rastin ta njihte më mirë zonjën:
- Ajo..., zonjë, më vjen keq, por... pas ca dite që u ndamë, mori lajme tmerruese nga mali. I kishin vrarë të vetmin djalë që kishte dhe... nuk mundi ta përballonte këtë dhembje. Humbi dëshirën për jetë... dhe... dhe na shkoi. – Atij iu mbushën sytë me lot dhe shtoi:
- Pranoni ngushëllimet e mia, zonjë, se ajo shumë shpesh ju ka përmendur... dhe gjatë ju ka pritur...
- Ajo... ajo paska vdekur? - edhe një herë e pyeta burrin për t’u siguruar në fjalët që dëgjova.
- Po... – pohoi me zë Besi.
- Ku e keni varrosur? - më doli spontanisht pyetja.
- Këtu, tek Sharra... – pëshpëriti i njohuri i zonjës. - Dy-tre veta ishim në varrim... – dhe heshti.
Ngela si mumie, pa ditur çfarë të thosha... Për çudi, nuk munda as të qaja, lotët më kishin shteruar. Rënkova si bishë e plagosur, pa pasur takt për të fshehur dhembjen...
Komentoni
Artikuj te tjere
Raimonda Moisiu: Intervistë me shkrimtarin Kristaq Turtulli
Zef Mulaj: Malet e mia, të fëminis
Dy poezi nga Ekrem Ajruli
Tahir Bezhani: Koha dhe shqetsimet e një krijuesi
Agron Shele: Poezi nga vëllimi poetik “Pasazh i pafaj”
Çerkin Ismaili: Gjirmë shpirti - Ec e njihe veten
Vehbi Klaiqi: Poezi nga libri ''Loti im''
Cikël poetik nga Bajame Hoxha - Çeliku
Ejup Ceraja: Lirikë e shqetësimit dhe dhembjes
Këze Kozeta Zylo: Gjaku juaj pikore drite
Kalosh Çeliku: Gomarin q? e hante ukju tha: ?sht? ?nd?rr
Agim Gashi: Vaji i shqiptarit
Faik Islami: Mjerimi i Letërsisë me Otellon e Blushit
Xhevat Pllana: Vepër me vlerë përmbajtësore dhe artistike
Bilall Maliqi: Intervistë poetike me Hydajet Hysenin
But Jaku: Observime biblike të një ligjërimi poetik
Dy poezi nga Neki Lulaj
Revista Shqiptari për shpirtin Tuaj (Nr.1-2010)
Thellësisht Nënë Tereza
Suzana Kuqi: Endrra si veshje