E enjte, 01.05.2025, 07:31 PM (GMT+1)

Mendime

Mal Berisha: "E drejta e vetëvendosjes: Rasti i Kosovës", vlerë reale e çështjes kombëtare

E diele, 21.02.2010, 10:05 PM


"E drejta e vetëvendosjes: Rasti i Kosovës", vlerë reale e çështjes kombëtare

Nga Mal Berisha

Libri që autori Bytyçi, i keni dhënë në dorë lexuesit shqiptar, është një vlerë reale e shtuar në korpusin e madh bibliotekar të trajtimit të çështjes sonë kombëtare.
Libri i "E drejta e vetëvendosjes: Rasti i Kosovës" është ndërtuar mbi një bazë shumë të pasur argumentesh bindës jo vetëm për të tërë ata që merren me aspektin historik dhe bashkëkohor të çështjes "Kosova", por edhe për juristët dhe njerëzit e të Drejtës Ndërkombëtare. Në këtë drejtim do të thoja se në libër i është dhënë vendi i merituar:
1.- Anës juridike ndërkombëtare dhe udhëtimit të Kosovës, që nga shpallja e Pavarësisë më 1912-n, pushtimit sllav të saj nën Jugosllavinë e parë Mbretërore dhe nën Federatën Jugosllave dhe deri me shtypjen nga ana e Serbisë dhe regjimit të Milosheviçit. Në mënyrë të veçantë është argumentuar e drejta e Kosovës për të qenë e pavarur bazuar në argumentet juridikë të së Drejtës Ndërkombëtare si ish-njësi përbërëse e Federatës Jugosllave dhe jo e asaj serbe;
2.- Aspektit historik të dramës shqiptare në Kosovë: Kjo është dhënë në libër me një mori referencash dhe autorësh më së shumti të huaj dhe ku një pjesë e madhe e tyre janë cituar për herë të parë, të cilët vërtetojnë përkatësinë kombëtare, autoktoninë dhe të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për vetëvendosje. Për këtë dua të përshëndes autorin sidomos për sfidat ndaj autorëve shovinistë serbë duke hedhur poshtë argumentet e tyre antishkencorë;
3.- Të drejtës së humbur të Serbisë ndaj Kosovës për shkak të ushtrimit të dhunës së të gjitha formave dhe gjenocidit ndaj shqiptarëve të Kosovës, thjesht për arsye etnike dhe fetare.
4.- Krahasimit të rastit të Kosovës me shembuj të tjerë të cilët e kishin fituar pavarësinë, si Mali i Zi, Maqedonia, dhe natyra unike e këtij rasti……..
5.- Pasqyrimit në këtë libër të të tërë procesit të pavarësisë, shkallët në të cilat kaloi ai që nga përpjekjet për mbijetesë, shkollim, autonomi, republikë, rezistencë paqësore, ndërkombëtarizim, e deri në rezistencën e armatosur, ndërhyrjen ndërkombëtare, ndërtimin e institucioneve demokratike të Kosovës, pavarësinë, njohjen ndërkombëtare…
Mendoj se autori ka arritur të pasqyrojë shumë mire harmonizimin e rolit të faktorit të brendshëm shqiptar në Kosovë, rezistencën e pamposhtur të popullatës, rolin e partive politike dhe të UÇK – së, me faktorin ndërkombëtar, duke i dhënë lexuesit tablonë realiste të të tërë elementëve që konverguan në Pavarësinë e Kosovës. Merita e tij qëndron ne faktin se njohja e kësaj pavarësie të fituar në këtë mënyrë është argumentuar dhe justifikuar në këtë libër me të drejtën ndërkombëtare, ç’ka përbën edhe debatin e fundit të sotshëm i cili pret një opinion nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës , kërkuar nga serbët dhe sponsorizuar pro dhe kundra nga dy fuqitë më të mëdha, ShBA dhe Rusia, si dhe aleatët e tyre respektivë.
Tani që jemi në prag të dyvjetorit të shpalljes së Pavarësisë mund të themi se vëllezërit tanë ia dolën që të bënin zgjedhje të lira të përgjithshme dhe lokale; të formonin Parlamentin si Pushtet Legjislativ dhe fill më pas edhe Qeverinë; të strukturonin Pushtetin Lokal dhe ta ushtronin atë me anë të të përzgjedhurve; të ndërtonin sistemin Gjyqësor në të gjitha shkallët, që nga ajo Komunale e deri tek ajo Supreme dhe Kushtetuese; të ndërtonin Sistemin e Medias së lirë të shkruar dhe audiovizive; të ndërtonin shoqërinë civile dhe të forconin zërat e pavarur; të ngrinin një Polici të stërvitur mirë dhe një Forcë Ushtarake të standardeve të NATO – s, t’i hapnin rrugën privatizimit dhe ekonomisë së tregut të lirë; të ndërtonin një politikë të jashtme të një vendi të pavarur dhe të shtrijnë shërbimin diplomatik në shumë vende të botës. Të tëra këto janë pasqyruar me mjeshtëri në libër.
Duke pas jetuar dhe dëshmuar për vite të tëra tërë këtë zhvillim që nga çlirimi deri në shpalljen e Pavarësisë, mund të them se kam gjetur në librin e Enver Bytyçit thuajse tërë atë çfarë kam parë dhe vëzhguar. Kjo e bën këtë libër edhe më me vlerë.
Si një lexues i veprave të tjera të z. Bytyçi e falënderoj shumë për këtë kontribut të çmuar në fushën e studimeve për Kosovën dhe sidomos për aftësinë për ta bërë Kosovën qendër të studimeve të veta. Themeli juridik ndërkombëtar i konstruksionit të librit i plotësuar me ngrehinën historike dhe i shoqëruar me një tis lavdie për Kosovën e cila më në fund ka plotësuar një pjesë të ëndrrës se vet, vetëm sa kanë ndriçuar të vërtetën. Kjo nderon edhe autorin edhe ne miqtë e tij.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx