E merkure, 09.10.2024, 11:06 AM (GMT+1)

Kulturë

Muharrem Blakaj: Misioni sekret...

E diele, 14.02.2010, 08:53 PM


MISIONI SEKRET...

(Fragment)*

Nga Muharrem Blakaj
***

Serbja e bukur kishte kohë që ishte kthyer në banesë. Ajo kishte përgatitur darkën dhe bashkë me Besimin kishin ngrënë, duke cakërruar gotat e verës. Biseda zhvillohej e qetë. Besimi ishte liruar krejt nga stresi i frikës. Hezitimet, mëdyshjet dhe ankthi dukej se i qenë darovitur. Tani e ndiente veten shumë të sigurt, pasi zbulimi që kishte bërë ishte një udhërrëfyes. Ishte i sigurt se Gorani, i konvertuar tanimë në Agron, do të ishte një mburojë e gjallë dhe një shpëtim i sigurt, që, siç dukej, vetë Zoti ia kishte dërguar si një engjëll për ta shpëtuar nga fatkeqësitë dhe për t’i rrëfyer rrugën drejt shpëtimit të sigurt, deri në largimin nga ky vend i mallkuar. Tani nuk i kishte mbetur asgjë, vetëm ta vazhdonte dëfrimin e një nate më parë, por tani vetëm ai me serben e bukur.
Pas pijes dhe dëfrimit, kishte ardhur koha e gjumit. Kokën e kishte të rënduar, por mendjen ende të kthjellët. Pesha e rëndë e natës sa vinte dhe rëndohej mbi qepallat e tij. U shtri të flinte në një dyshek që ia solli vajza, kurse ajo u mbyll në dhomën e saj. Dua të fle e patrazuar nga askush, tha ajo, duke i uruar natën e mirë me një puthje të lezetshme.
Nuk i kujtohej se sa kishte fjetur, kur dëgjoi derën të hapej vajtueshëm. Si një hije e frikshme, në maje të gishtërinjve, ajo u afrua pranë dyshekut ku ishte i shtrirë Besimi. Në atë gjysmerrësirë, Besimi njohu Belin.
“Në gjumë je?“ – pyeti Beli me një zë pëshpëritës. 
“Isha, por tani sa u zgjova. Ç’kemi?“
“Ngrehu! Me duket se na kanë rënë në gjurmë. Sipas informatave që kam, nesër herët në mëngjes… shpejt, shpejt!”
“Kush të tha?” – pyeti Besimi, me sy të zgurdulluar.
Beli nuk vërejti gjë në mimikën e tij, por nga zëri e njohu se i kishte hyrë frika në palcë.
“Eja, shpejt! Pasi të dalim jashtë, të tregoj çdo gjë! Ngutu, ngutu!”
Besimi tani ishte në këmbë, i gatshëm për të dalë. Beli priu i pari dhe sakaq u gjend në Ballkon. Me një të kërcyer u gjend në kopsht. Pas tij u hodh edhe Besimi. Fresku i natës ia përshkoj ballin e djersitur. Jashtë vazhdonte të binte një shi i imtë dhe herë pas here qiellin e çante ndonjë vetëtimë gjarpërore. Pas saj, si e mbytur, dëgjohej krisma e largët e motit me një gërrhamë të venitur.
Pasi kaluan mes për mes kopshtit me lule, u gjenden në skajin verior. Regëtima e dritës së neonit, që mezi arrinte deri të cepi kopshtit, ua mundësoi t’i gjenin kangjellat dhe, pasi u ngjitën fort pas tyre, ata u gjendën jashtë kopshtit, në rrugën e ngushtë. Me hapa të lehtë dhe të shpejtë, ata u afruan pranë parkingut të veturave. Beli hapi derën. Sakaq të dy u gjendën në veturë. Pasi u rehatua mirë në ulësen e tij, Beli ndezi motorin. Ju duk një zhurmë alarmuese gërrhama e motorit. Beli nuk pati kohë të merrej me atë gërrhamë. Duke i lëvizur me shpejtësi duart mbi timon, sakaq u gjend në rrugë.
Kur vetura u gjend në rrugën kryesore, dritat e neonit depërtonin në kabinën luksoze të veturës. Besimi, porsa hapi gojën për t’i treguar Belit për sa kishte parë në xhepat e Goranit, vëmendjen ia tërhoqi ndryshimi i vogël në kabinën e veturës, që e bëri të ndërronte mendje, duke mos nxjerrë zë. Në vend të flamurit shqiptar, në xhamin e përparmë ishte i varur flamuri serb, kurse xhufka në anën tjetër nuk ishte fare aty. Në dorë, jashtë zakonit të tij, Beli kishte vënë dorëza. Për t’u bindur se ky ndryshim ishte i pranueshëm, pa pyetur fare Belin, shtyu kasetën duke e lëshuar magnetofonin. Kabinën e mbushën tingujt e një kënge çetnike. Kjo e papritur e bëri të dyshonte, se diç nuk ishte në rregull. Duke u përballur me një ndryshim të theksuar dhe duke e marrë parasysh frikën e tij të tepruar se gjoja kishin rënë në gjurmët e policisë, disi e ndjeu veten të futur në një grackë. Pa dashje iu bë se akoma koka e tij gjendej në mes të hekurave. Tëmthat iu bë se iu frynë dhe e ndjeu se zemra i rrihte me një ritëm të shpejtuar.
“Ku po me çon?” – mori zemër më në fund dhe pyeti.
“Mos ke frikë. E vërejta shqetësimin tënd. E kam ndryshuar kabinën, sepse sot gjithë ditën kam pasur punë me njerëzit e konsullatës. Tani unë po të dërgoj në një zonë kufitare, që nuk kontrollohet natën dhe ti, sakaq, do të gjendesh në anën tjetër të kufirit. Atje të presin njerëzit e mi. Çdo gjë është e organizuar mirë. Thesarin në përgjithësi e kam nisur. Pasi të kalosh Austrinë, do t’i bashkohesh karvanit të kamionëve dhe bashkë me ndihmat humanitare, ti si përcjellës i tyre, do të jesh në Beograd. Edhe dokumentet e udhëtimit i ke gati. Pasi të kalojmë kufirin, do ti marrësh dhe… mirupafshim në tokën e lirë!” – tha Beli me një qeshje të papërmbajtur
Vetura mori një kahe që të nxirrte në një zonë kufitare. Në tabelë mundi të lexonte: Zoll 40 km. Paska kohë mjaft, mendoi. Frika iu kishte darovitë. Pas fjalëve të Belit, e ndiente veten më të sigurt. Nuk e kishte të qartë akoma se sa do të qëndronte Beli në këtë vend, por tekefundit kjo nuk kishte ndonjë rëndësi të veçantë. Rëndësi tani kishte largimi i tij nga ky vend dhe atë sa më parë. Pastaj, të gjitha rregullohen. I shkujdesur ndezi një cigare për veti e një për Belin.
Shiu vazhdonte të binte. Rrallë, tek-tuk, vinte ndonjë veturë nga ana e kundërt. Diku larg, fare prapa tyre, u dukën dritat e gjata të një veture që vinte pas tyre, me një shpejtësi të madhe. Beli shau nëpër dhëmb, sepse dritat e gjata nga reflektimi i pasqyrave i binin në sy. Vetura u afrua dhe doli në anën e kundërt, duke i kaluar me një shpejtësi marramendëse.
Derisa u afruan buzë malit, ata nuk folën fare. Pasi Beli e ndaloi veturën, i fiku dritat dhe me një shpejtësi të vogël filloi ta ngiste drejt malit. Nga errësira e dendur mezi dallohej rruga. Beli mbante mesin e rrugës. Mali nuk ishte larg. Vetura sa vinte dhe afrohej. Beli fiku edhe motorin. Vetura tani ecte ngadalë, se rruga kishte marrë të tatëpjetën. Fare buzë mali, në një shesh të gjerë në anën e majtë, Beli e parkoi veturën.
“Është mirë që këtë pjesë të shkurtër rruge ta bëjmë në këmbë. Vetëm një zhurmë sado e vogël në këtë qetësi nate, do të mjaftonte për të na zbuluar.”
“Mirë, ecim në këmbë. Është larg që këtej?”
“Rreth njëqind metra. Eja pas meje, në distancë,“ – tha Beli dhe sakaq u zhduk në dendësinë e malit. Besimi e ndiqte pas. Errësira ishte e madhe. Ata ecnin në një distancë, por pa mundur ta shquanin njëri-tjetrin. Beli ndezi pranë këmbëve të tij llambën e xhepit, që e kishte marrë me vete, para se të dilte nga vetura.
Shiu vazhdonte të binte me intensitet të shtuar. Dëgjoheshin vetëm pikat e shiut, që binin mbi gjethet e lisave, me zhurmë monotone, si dhe hapat e tyre. Befas Beli ndaloi. Pasi e hodhi dritën rreth e qark tij, u kthye nga Besimi, i cili ishte afruar tani fare pranë.
“A ke marrë armë me vete?” – pyeti Beli me zë të ulët.
“Jo. E harrova, por besoj se nuk do të kem nevojë për të,“ – u përgjigj po ashtu me zë të ultë Besimi.
“Ti nuk do të kesh nevojë për të, kurse unë që kam nevojë, e kam marrë me vete, ja ku e kam!“ – dhe sakaq e nxori armën nga brezi.
Në dritën e llambës Besimi pa revolen në dorën e tij. Ju duk se ishte e madhe, me tytë të gjatë. Por nuk pati kohë të mendonte gjatë për formën e saj, sepse ai vrullshëm e ktheu tytën në drejtim të tij.
“Kështu, pra, këtu përfundon misioni ynë shoku Fer Gergjlekaj.”
“Cili mision!? ” – pyeti i hutuar dhe i fiksuar Besimi.
“Misioni sekret!” – u përgjigj qetë, ndërkaq drita e llambës luajti duke ndërruar pozicionin.
Pastaj dëgjoj zhurmën e njohur të hekurt, gjatë tërheqjes së çarkut.
“Ç’pate!?... Mos luaj me armë, Ylber!…” – tha me zë shpotitës, që ju bë se nuk ishte zëri i tij. Mornica të akullta ia përshkruan tërë trupin, duke iu ngjitur nga fundi i këmbëve, deri në tepën e kresë, por atje arritën të nxehta, të përvëluara, sa që djersët i dolën nga ankthi, duke u bashkuar me ujin e pikave të shiut që i shkonte rreke ballit dhe faqeve. Leqet e këmbëve zunë t’i dridheshin.
“Nuk jam Ylber Kraça, por jam Moma... Momçillo Milivojeviq!”
“Si!?... kurse unë?!...”
“Po, pikërisht. Kështu i kemi pasur rolet!“
“Ç’kërkon nga unë?“ – tha Besimi me zë lutës.
“Në emër të Serbisë…“ - dhe fjalët e tjera nuk i dëgjoi. Dëgjoj vetëm një vërshëllimë të shurdhër, të shoqëruar me një flakë regëtuese, si dhe dhembjen djegëse në mes të barkut. Pastaj ndjeu edhe një therje tjetër të zjarrtë në gjoks dhe instinktivisht u bë gërmuq, duke mbajtur plagët me të dy duart. Ndjeu se sytë po i errësoheshin, kurse drita e llambës sa vinte e venitej. E pa se nuk do të mbahej dot në këmbë, ndaj zgjati ngadalë dorën e majtë, për ta mbështetur sado pak diku në tokë, por tani as tokën nuk e gjente dot. Nuk e dinte se në ç’formë ishte duke qëndruar në mes të asaj hapësire të errët dhe të patrajtë. Drita e llambës filloi të sillej dhe të merrte trajta të ndryshme, ndërsa dheu dhe balta e lagur ju përplas pamëshirshëm fytyrës. Ndjeu pikat e shiut që i binin mbi fytyrë. Iu bë se ato po ia freskonin faqet dhe ballin që i digjeshin flakë. Qenkam i shtrirë mbi kurriz, mendoi, dhe u përpoq të ngrihej, por trupi nuk ju bind. Gjuha iu kishte trashur, kurse goja i qe mbushur me shije gjaku. Si në ëndërr hetoi një palë duar që po e tundnin. E mori me mend se ishin duke ia marrë gjësendet e pakta që i kishte nëpër xhepa. Ato lëvizje i ndjeu edhe mbi dorë që rrëshqitshëm ia nxorën orën, unazën, pastaj ia hoqën gjerdanin nga qafa. Si në agoni dëgjoj hapa që largoheshin, por disi ata hapa ishin të rëndë, të largët e të humbur. Qerpikët i kishte plumb të rëndë. Me mundim arriti t’i hapte sytë. Asgjë nuk dalloi. Errësirë dhe qetësi. I mbylli prapë sytë. Kishte dëshirë të flinte, të pushonte dhe pastaj… nga me erdhi kjo shije e gjakut në gojë që s’po me shqitet? Ah, sikur të kisha një pikë ujë!…
Shiu vazhdonte me ritmin e tij. Shushurima e gjetheve nën pikat e shiut dukej se e prishte atë heshtje varri. Qiellin e çau një vetëtimë gjarpërore, pastaj e vonuar, gati e shurdhër u dëgjua gjëma e motit, si gërrhatje gjumi dimëror. Tutje, në fundin e rrugicës malore, u dëgjua refreni i këngës çetnike, pastaj ushtima e motorit të veturës, duke e shuar fare atë zë të çjerrë e të frikshëm, që iu bë se vinte nga amshimi. Diku, në mesin e pyllit, u dëgjua cicërima e një zogu. Pastaj iu bë se dëgjoi zërin e qyqes. Vallë, kë e vajton ajo qyqe me atë zë të trishtuar? Por, këto zëra shpezësh nuk ishin ndonjë vajtim. Ishin shenjat e para se po agonte dita e re.

*Fragment nga romani “Misioni sekret”, botoi Sh. Botuese “Rozafa”, Prishtinë 2004.


SHËNIME PËR AUTORIN:

Muharrem BLAKAJ (06.01.1959). Lindi në fshatin Vrellë, komuna e Burimit (ish Istogu). Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, të mesmen, ekonomiken, tre vitet e para në Pejë, ndërsa vitin e katërt, maturën, e përfundoi në Istog.  Po atë vit e regjistroi Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë, degën gjuhë dhe letërsi shqipe.
Muharrem Blakaj për herë të parë burgoset më 14 dhjetor 1979, kurse për herë të dytë  më 5 shkurt 1987. Herën e dytë në mungesë të provave e lirojnë, ndonëse  një vit më parë UDB serbe ia kishte mbytur të vëllanë  (Xhemailin), në burgun hetues në Pejës. 
Gjatë bastisjes në shtëpinë e tij, policia ia merr dorëshkrimin e tregimeve të përgatitur për shtyp „Monolog i një komiti“, si dhe dy novelat „Balta me gjak“ dhe „Besa“, të cilat nuk ia kthejnë asnjëherë.
Muharrem Blakaj, në tetor të vitit 1987 detyrohet ta lëshoj Kosovën dhe të kërkoj strehim politik në Zvicër. Ai deri më tani i ka botuar kudo në shtypin shqiptarë qoftë në diasporë apo në Kosovë, tregimet dhe fragmente nga romanet e tij. 

Veprat letrare:

1. “Misioni sekret” , roman, botoi Sh. Botuese “Rozafa”, Prishtinë 2004.
2. ”Thesaret e humbura”, roman, botoi SHKSH „Mëmëdheu“, CH - St. Gallen 2005.
3. “Atentat brenda germës L”, roman, botoi SHKSH „Mëmëdheu“, CH - St. Gallen 2007.
4. “Paraardhësit”, roman, botoi “KOMBI” (IKDFK), Prishtinë 2009. 
Muharrem Blakaj, bashkë me familjen e tij jeton në Zvicër. 
Adresa elektronike: memi_1111@hotmail.com

Përgatiti: Sh. Dibrani



(Vota: 6 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora