Faleminderit
Murat Gecaj: Prof.Dr. Selman Riza: atdhetari, pedagogu e gjuhëtari i spikatur
E hene, 23.11.2009, 07:00 PM

Prof.Dr. SELMAN RIZA: ATDHETARI, PEDAGOGU E GJUHËTARI I SPIKATUR
(Kujtime të një ish-studenti të tij)
Nga Prof.as.Dr. Murat GECAJ
publicist e studiues -Tiranë
Përmes mediave të ndryshme, këto ditë u dha njoftimi se, në 100-vjetorin e lindjes së tij, eshtrat e Prof. Dr. Selman Rizës do të dërgohen për t’u rivarrosur në qytetin e Gjakovës, vendlindjen e tij. Kjo gjë, më shkaktoi përsëri emocione e dhimbje, më ngjalli kujtimet e viteve studentore, në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës. Por edhe lidhjet e mëvonshme me këtë personalitet të shquar të Kombit tonë...
1.
Nga botime të ndryshme, por dhe nga tregimet e veta, në gjallje të tij, mësojmë se Prof. Selman Riza kishte lindur më 21 dhjetor 1909, në qytetin e Gjakovës (Kosovë). Më tej kishte qenë nxënës në shkollën plotore "Naim Frashëri" të Tiranës dhe në Liceun Kombëtar të Korçës. Pastaj vijoi dy fakultete të larta, në Toluzë të Francës dhe u kthye pedagog, ku kishte qenë vetë nxënës, po në Liceun e Korçës.

Zotërues i disa gjuhëve, Selman Riza i shkriu energjitë e tij mendore efizike si pedagog i gjuhësisë në Fakultetin Histori-Filologji, të Universitetit të Tiranës dhe bashkëpunëtor shkencor në Institutin e Gjuhësisë e Letërsisë të Akademisë së Shkencave. Njeri me vullnet të jashtëzakonshëm për punë, njerëzor e tepër korrekt, këmbëngulës e dashamir ndërmjet studentëve e kolegëve, -ai la pas një pasuri të paçmuar në praktikën pedagogjike dhe në lëmin e studimeve gjuhësore. Jeta dhe vepra e prof.dr. Selman Rizës janë nderuar e çmuar në Kosovë, ku ka nisur botimi i disa vëllimeve, në serinë e studimeve të tij. Ndërsa në vitin 1994 (pra, pas vdekjes), u botua në Tiranë libri i tij me interes: “Sistemi foljor i letrarishtes shqiptare bashkëkohore”. Punimet e prof. Rizës rrokin fusha të gjera të gjuhësisë shqiptare dhe të tjera studime të tij presin dritën e botimit tek ne. Të tilla përmendim: autorët e vjetër, historinë e gjuhës së shkruar, dialektet e shqipes, drejtëshkrimin, gramatikën e shqipes (bien në sy studimet për pronorët, nyjën, foljen) etj.
Pas viti 1990, në Shqipëri dhe në Kosovë, për prof.dr. Selman Rizën është shkruar në shtyp dhe janë organizuar disa veprimtari përkujtimore, ku është theksuar ndihmesa e tij e madhe në fushën e arsimit kombëtar dhe të shkencës shqiptare. Atij i janë dhënë titujt e lartë "Mësues i Popullit" dhe "Punonjës i shquar i shkencës dhe teknikës". Jeta dhe vepra e tij e mundimshme dhe shumë e shqetësuar janë burim frymëzimi për brezat që të kenë atdhedashuri të paepur dhe vullnet të çeliktë, punë të palodhur për Shqipërinë dhe "Kosovën shqiptare", siç e quajti ai në pak radhët e amanetit të fundit. Lehtësim për të gjithë ata, që e kanë njohur personalisht ose që i lexojnë punimet e tij, është dhe fakti se një shkolle në vendlindje i kanë venë emrin e tij të paharruar
2.
Kohë më parë, në zyrën time të punës (në redaksinë e gazetës Mësuesi", pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës-Tiranë, ku punova që nga 15 maji 1981 dhe deri më 15 nëntor 2002) erdhi z. Engjëll Angoni e m'u drejtua: "Më kanë thënë që prof. Selman Rizën e ke patur pedagog në Universitet. Po mbledh të dhëna për jetën dhe veprimtarinë e tij të shumanshme, të cilat dëshiroj t'i botoj. Pra, kërkoj që edhe ti t'i shkruash kujtimet për të...". Aty për aty, shpreha kënaqësinë dhe gatishmërinë për ta bërë një gjë të tillë, megjithëse i thashë të larpërmendurit se nuk kam ndonjë gjë të rendësishme për të dëshmuar.
Më tej, kur u ula të shkruaja këto pak radhë, në vetëvete ndjeva një "frikë" se nuk do të mundja të shkruaja ndonjë gjë me vlerë, për profesorin tim të nderuar dhe të paharruar, Selman Riza. E mendova kështu ketë gjë, pasi kanë kaluar shumë vite nga ajo kohë dhe, nga ana tjetër, dihen raportet e studentit me pedagogun. Megjithatë, do të përpiqem të them ndonjë gjë për të.
Kur i nisa studimet e larta në Universitetin e Tiranës, në vitin 1958, ishte një ngjarje e rëndësishme për mua. Se vija nga një krahinë e largët malore dhe mjaft e prapambetur, përsa i përket zhvillimit arsimor, në të kaluarën. Me sa më kujtohet, deri atëherë, në shkollën e lartë, nga Malësia e Gjakovës (Tropojë) kishin studiuar vetëm 3 veta
Pa u zgjatur, kujtoj se në kursin tonë ishin rreth 30 studentë: nga Tirana, por dhe nga rrethe të tjerë e disa të huaj, nga ish-Bashkimi Sovjetik e bile nga Mongolia e Vietnami. Përpara tani kam një polifoto, që është bërë në vitin 1963, kur u diplomova “mësues i shkollës së mesme për lëndët gjuhë-letërsi shqipe”. Përveç bashkëstudentëve të mij, aty shihen dhë fotot e disa prej drejtuesve dhe pedagogëve tanë. Kështu, aty janë fotografitë e Rektorit të Universitetit, Kahreman Ylli dhe të ish-dekanëve e pedagogëve tanë, Androkli Kostallari e Mentor Belegu. Më tej, renditen fotot e pedagogëve: Eqrem Çabej, Mahir Domi, Ziaudin Kodra, Henrik Lacej e Shaban Demiraj. Shënoj këtu se aty nuk janë fotot dhe të disa pedagogëve tanë, si: Aleks Buda, Skënder Luarasi, Jakov Xoxa, Myzafer Xhaxhiu, Mark Gurakuqi, Stefan Prifti e ndonjë tjetri. Kjo ka ndodhur se unë pata dy kurse, pra dhe një tjetër, pasi u ktheva më 1961 nga B.Sovjetik dhe shkollën e lartë e kreva jo në 4 vjet, por në 5 vjet.
Veçanërisht, theksoj se në polifoton që përmenda më lart, është dhe fotografia e pedagogut tim, Selman Riza. Shënoj këtu se atë e njoha që në vitin e parë, sepse vija në Universitet nga Malësia e Gjakovës (Tropojë) dhe më kishin thënë se ai ishte nga Gjakova e Kosovës. Pra, ishim pothuaj bashkëkrahinas dhe, si në heshtje, ndieja që diçka më tepër se me të tjerët më lidhte me këtë pedagog të paharruar. Mbaj mend se, kur paraqitej rasti, këtë gjë ai ma shprehte në ndonjë bisedë të veçuar, sidomos kur ishte fjala për veçoritë gjuhësore të të folmes së Shqipërisë Veri-Lindore dhe të Kosovës.
Prof. Riza na dha kursin e autorëve të vjetër të shqipes së shkruar. Por, në leksionet e seminaret e tij aq serioze dhe të përgatitura me korrektësi e aftësi të lartë shkencore, gjente rast të na fliste jo vetëm për figura të tilla, si: Buzuku, Budi, Bogdani etj., për lashtësinë dhe veçoritë e shqipes së shkruar, por dhe për bukurinë e saj dhe mundësitë e shumta që ajo ka për t'i shprehur qartë e saktë mendimet tona. Pra, nënkuptonte e kritikonte dhe ata njerës, që gjuhën shqipe e mendonin si "gjuhë të varfër", që "nuk lejon mundësi shprehjeje, si gjuhët e huaja" etj. Veçanërisht, ishte këmbëngulës dhe kërkonte saktësi gjatë shprehjes së mendimeve nga ne, studentët, jo vetëm në përgjigjet e ndryshme në leksione, seminare a bashkëbisedime, por dhe në bisedat e lira. Me dashamirësi e takt pedagogjik, por dhe me qortim, kur paraqitej nevoja, na drejtohej, kur përdornim në të folur fjalë të huaja të panevojshme ose kur nuk i shprehnim drejt fjalët a mendimet tona. Kujtoj se ai studionte me zell të veçantë pronorët e shqipes. Për këtë gjë, na fliste me pasion në auditore, por dhe kishte botuar në revistat tona shkencore
Gjej rastin që të shtoj dhe diçka tjetër. Sidomos në dy vitet e para të studimeve, kisha vënë re se ndonjë pedagog i yni rrinte si më " i tulatur" dhe "i ndrojtur". I tillë ishte jo vetëm prof.Selman Riza, por bile dhe prof.Eqrem Çabej dhe prof.Aleks Buda. Në atë kohë, nuk e dinim se ata na paskëshin "njolla" në biografi, sipas rregimit të asaj kohe, gjë që e kuptuam më vonë. Dhe, "gjynahet" e prof. Rizës na paskëshin qenë se: "Është i pabindur", "kërkon të bëjë studime në kokën e tij" apo "nuk e njeh materializmin dialektik e historik" etj.
Siç shkrova më sipër, pas vitit të dytë të Universitetit të Tiranës, m'u dha e drejta të vazhdoja studimet e viteve të tjera, për t'u specializuar në dialaktologji, në Universitetin “Zhdanov" të ish-Leningradit, pranë albanologes dhe akademikes së njohur, Agnia Vasilievnja Desnickaja. Kur e mori vesh këtë gjë, prof. Riza nuk e fshehu kënaqësinë e tij dhe më tha: "Gjuhësia është shkencë e bukur. Gjithashtu, studimi i dialekteve ka rëndësi të madhe për një vend të zhvilluar. Me vjen mirë që një student, i cili ka si të folme të fëminisë gegërishten veri-lindore, do të specializohet për dialektologji. Të uroj suksese në rrugën tënde!"
Kur përgatisja temën e diplomës nga fusha e dialektologjisë për të folmen e Krasniqes (Malësia e Gjakovës-Tropojë), në vitin e fundit të studimeve universitare, prof. Riza nuk e kaloi këtë punë timen në heshtje. Përkundrazi, më përgëzoi dhe pas kohës së mbledhjes së materialeve në terren, sistemimit dhe interpretimit të tyre, më pyeste dhe më nxiste: "Si po të shkojnë punët? Nëqoftëse ke ndonjë gjë për t'u konsultuar, jam i gatshëm. Puno me zell e kujdes, se do të dalësh faqebardhë". Por, një gjë më bëri përshtypje në atë kohë dhe tani dëshiroj ta theksoj: Pse nuk e caktuan të kujdesej apo të më ndihmonte mua në këtë punim prof. Selman Rizën, i cili më tepër se askush e njihte të folmen në fjalë?" Kësaj pyetjeje nuk di t'i jap shpjegim tjetër, përveç faktit të njohur tashmë nga shumëkush, se pushtetarët e kohës donin ta "izolonin" atë, ta "përçmonin" etj., pa i njohur kështu meritat e padiskutueshme që kishte, si atdhetar, pedagog e shkencëtar i aftë. Por meritoi nderimin e kolegëve, të masës së studentëve dhe gjithë atyre, që e njohën nga afër.
Së fundi, dua të shtoj këtu se me prof.Selman Rizën jam takuar shpesh edhe pasi mbarova studimet e larta. Kështu, jam përshëndetur e kam biseduar me të në tubimet e ndryshme shkencore, si në konferencat e studimeve albanologjike, folklorike, etnografike, në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, ku kam mbajtur një kumtesë etj.
Jam prekur pa masë dhe jam indinjuar brenda vetes sime, kur kam marrë vesh sulmin e padrejtë të disa pushtetarëve monistë dhe partiakëve, ndaj prof. Selman Riza, si dhe dëbimin e tij nga kryeqyteti e caktimin si "ciceron" në muzeun e Beratit! Mendoja me vete ose diskutoja me ndonjë shok të ngushtë a ish-student: "Çfarë ka bërë ai, që sillen kështu ndaj tij! Pse veprojnë në këtë mënyrë?" Por pyetjet tona mbeteshin pa përgjigje.
Në vitet e fundit të jetës së prof. Selman Rizës, vazhdoja të shërbeja në shtyp, në Tiranë. Ai nuk ishte mirë nga ana shëndetësore dhe kjo më therte në zemër. Jam takuar shpesh herë me të, rastësisht ose dhe qëllimisht. Kështu, në vitin 1974-1975 kam patur nderin e kënaqësinë që ai të më bënte dhe vizita në shtëpinë time, afër ish-pasticeri "Flora", kur kisha vetëm një dhomë me qera, me gruan e tre fëmijë të vegjël. Por dhe ia kam kthyer atij vizitën, pra kam shkuar në shtëpinë e tij dhe kemi ndjenjur e kemi pirë kafe bashkë. Në bisedat tona zinin vend: Malësia e Gjakovës, Kosova, gjuha shqipe etj, por dhe hallet familjare. Mbaj mend se, në atë kohë, vajza ime, në moshë të vogël, kishte probleme shëndetësore. Ky fakt e shqetësoi pa masë profesorin. Humanizmin e tij e shprehte hapur, sa herë që shiheshim. Kështu, ai më pyeste:" Si u bë vajza? A është më mirë? Mos e rresht kujdesin për të. Mbaj lidhje të ngushta dhe këshilloju me specialistët. Mos u bëj merak, se do të bëhet më mirë...".
Jam pikëlluar pa masë, kur mora vesh vdekjen e Profesorit dhe mikut tim të paharruar, prof. Selman Riza. Sa herë e kam kujtuar jetën e tij ose kam sjellë ndërmend vuajtjet shpirtërore e fizike, që i janë shkaktuar padrejtësisht, kam ndjerë dhimbje thellë në shpirt. Kam dëgjuar e lexuar se, në Kosovë, atij ia kanë botuar disa nga studimet e tij, në një seri librash të veçantë. Ndoshta, mund të ketë dhe studime të tjera a dorëshkrime, që nuk figurojnë aty. Pra, veprat e tij të plota presin dritën e botimit edhe në Shqipëri.
Nuk mund të lë këtu pa përmendur veprimtarinë interesante, të organizuar disa vjet më parë, në Muzeun Historik Kombëtar, kushtuar jetës dhe veprës së prof. Selman Rizës. Të gjithë u përmalluam dhe përjetuam mbresa të pashlyera.
Kam kënaqësinë dhe nderin të them, në fund të këtyre pak shënimeve, se profesori im Selman Riza, me sjelljen, diturinë dhe karakterin e tij, ka ndikuar mjaft në formimin tim të përgjithshëm, sidomos në atë gjuhësor dhe inteklektual
Dëshiroj dhe e kam detyrim moral që unë dhe sot: Të përulem me respekt e nderim të thellë përpara kujtimit, jetës dhe veprës së shquar të prof. Selman Rizës! Ai do të mbetet përherë i gjallë në kujtesën time.
Komentoni
Artikuj te tjere
Dibran Demaku: Lotët e profesorit
Xhevat Rexhaj: Luftëtari - Politikani - Lideri, Ramush Haradinaj
Milazim Kadriu: Akademi përkujtimore për veprimtarin, Ahmet Haxhiu
Faruk Tasholli: Me tetovarët në Gjermani - Udhë e gjatë e mëkëmbjes familjare
Halit Bogaj: Xhozef Diogardi, bir besnik i popullit tonë
Dhurata Hamzai: Plotësohet amaneti, eshtrat e Selman Rizës shkojnë në Gjakovë
Ukshin Zajmi: Evgjeni Thanasi- aktore e (pa)njohur shqiptare
Eduard M. Dilo: Margarit dhe Qirjako Dilo, dy vëllezër, dy shtylla të nacionalizmit...
Mexhid Yvejsi: Naim Frashëri (1846-1900)
Zef Ndrecaj: Mësuesi i Popullit Ndrecë Ndue Gjoka
Dibran Demaku: Si e njoha Rifat Kukajn?
Murat Gecaj: Prof. Bedri Dedja: krijues, studiues e botues shumëplanësh, autor i shquar i shekullit XX
Murat Gecaj: A e njihni Dr. Safete Juka, ''Dora D'Istria e dytë shqiptare''
Safet Hyseni: Mefail Shehu (Zajazi) alias Mefaili i Madh, një strateg ushtarak
Eduard M. Dilo: Kolë Tromara dhe Bahri Omari, dy figurave të mëdha patriotike
Halit Bogaj: Dritëro Agolli
Faruk Tasholli: Me tetovarët në Gjermani - Në Malësi udhë e pa udhë
Mexhid Yvejsi: Myderriz Haki Sermaxhaj
Viti i Nënës Terezë
Baki Ymeri: Gostivarliu që e pa mbretin dhe mbretëreshën