Faleminderit
Murat Gecaj: Prof. Bedri Dedja: krijues, studiues e botues shumëplanësh, autor i shquar i shekullit XX
E premte, 20.11.2009, 08:00 PM

Prof. BEDRI DEDJA: KRIJUES, STUDIUES E BOTUES SHUMËPLANËS, AUTOR I SHQUAR I SHEKULLIT XX
Nga Prof. as. Dr. MURAT GECAJ
Publicist e studiues-Tiranë
1.
Në kujtimet e jetës së tij, Prof. Bedri Dedja ka shënuar se lindi më 20 nëntor 1930. Aty shprehej se “unë ndjehem krenar që linda në Korçë, në djepin e arsimit kombëtar laik, në Korçën që ishte…mbretëreshë e artit dhe e shkencës, trimëreshë e atdhetarizmit në kohët që shkuan dhe në kohën e sotme”. Gjimnazin e mbaroi në Durrës, më 1949, kurse Shkollën e Lartë në Moskë, më 1953, në dy degë njëkohësisht: psikologji-pedagogji dhe letërsi për fëmijë.
![]() |
Prof. Bedri Dedja - Akademik |
Me ndarjen e fakulteteve në ILP të Tiranës dhe krijimin e dy dekanateve të reja, kur ishte vetëm 24 vjeç, prof. Bedri Dedja u emërua dekan i Fakultetit Histori-Filologji. Në atë periudhë, ai kishte nisur të bënte emër me shkrimet e tij në shtypin e kohës dhe si veprimtar i rinisë. Kështu, në verën e vitit 1954 e dërguan për pushime me një grup fëmijësh në Varna të Bullgarisë dhe më 1957 ishte në Moskë me delegacionin shqiptar, në Festivalin Botëror të Rinisë dhe më 1962, po në një festival të tillë, në Finlandë. Më pas u ftua të merrte pjesë dhe në Kongresin e Parë të Psikologëve Sovjetikë etj. Me krijimin e Universitetit të Tiranës, më 1957, plot pasion dha leksionet e psikologjisë, në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë.
2.
Në vitin 2001 u vu në qarkullim libri me kujtime i prof. Bedri Dedjes, me titullin tërheqës “Nëper ravat e jetës”. Në hyrjen e tij njëfaqëshe, ndër të tjera, autori shkruante:
“”Nëpër ravat e jetës”! Kështu më është dukur më e arsyeshme që ta quaj librin tim të kujtimeve. Sipas “Fjalorit të gjuhës shqipe”…fjala “ravë” ka kuptimin e rrugëve të dhive në mal, ose të gjurmëve në borë. Më është dukur se rrugët e mia të jetës ngjasojnë më shumë me “ravat”. Sidoqoftë, këtë do ta dëshmojë më mirë lexuesi, i cili, besoj, do ta trajtojë me dashamirësi këtë libër…”.
Më kishte treguar Profesori i paharruar se librin e mësipërm e kishte dërguar në shyp dhe prisja me padurim daljen e tij. Pas vonesave të njohura të botimeve tona, më në fund, ai pa dritën e botimit. Për këtë gjë, më njoftoi menjëherë dhe shkova ta përgëzoja. Përpra më vuri librin e tij të ri, si dhuratë për miqësinë tonë 45-vjeçare, ku kishte bërë dhe një shënim me fjalë aq të ngrohta e dashamirëse. Menjëherë vura re kënaqësinë e madhe, që ndjente dhe njëfarë lehtësimi shpërtëror. Kjo ishte e natyrshme, sepse në ato 525 faqe ai ishte “rrëfyer” përpara lexuesve, si në asnjë libër të tijin të mëparshëm.
Siç shkruante në kujtimet e veta, në prill-maj 1945, ai kishte nxjerrë revistën e fëmijëve të qarkut të Durrësit, “Flamurtari i vogël”, që i kishte shërbyer si shkolla e parë në fushën e publicistikës dhe botimeve, pra e “nxiti drejt letërsisë së vërtetë”. Më tej, ndër faqet më interesante janë dhe ato, që ka përshkruar periudhën e punës si kryeredaktor i parë i gazetës arsimore-kulturore “Mësuesi”, që nga viti 1961, kur doli si botim i Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës. Në numrat e parë të asaj gazete, pra kur isha ende student, nisa të botoja aty dhe unë shkrimet e mia modeste. Si dhe mjaft mësues e bashkëpunmëtorë të tjerë, kurdohere gjeta te Prof.Bedriu mbështetje, nxitje e dashamirësi, si publicist e padagog i talentuar që ishte.
![]() |
Prof. Bedri Dedja, në vitet e fundit të jetës (Foto nga: Murat Gecaj) |
Sigurisht, ky libër i prof. Bedri Dedjes u mirëprit nga lexuesit tanë të dhënë pas letërsisë dokumentare, nga miqtë e të njohurit e tij të shumtë në Shqipëri, në Kosovë e më gjerë. U botuan dhe artikuj vlerësimi nga lexuesit e studiuesit tanë në shtypin tonë, si në gazetat “Mësuesi”, “Drita” etj. Tani, që këtë pedagog, shkrimtar dhe studiues të mirënjohur nuk e kemi më ndërmjet nesh, që nga data 13 prill 2003, ndiejmë se vlerat e këtij libri rriten, bashkë me mallin e pashuar të familjarëve dhe të të afërmve, kolegëve gazetarë dhe të fushës së arsimit, të ish-studentëve të panumërt dhe të gjithë atyre, që e kanë njohur ose kanë shfletuar krijimet e tij të rralla.
Veprimtaria e prof. Bedri Dedjes në fushën e shtypit pedagogjik pati hapësira të mëdha me shkrimet e tij të shumta dhe me vlera pedagogjike-psikologjike në gazetën “Mësuesi”, si dhe në revistën “Arsimi Popullor”. Vetë u kujdes që, me okelion Biblioteka e “Mësuesit”, të publikoheshin shkrime me sa më shumë vlera për arsimin kombëtar shqiptar dhe sidomos për historinë e tij. Veçanërisht ai i dendësoi punën studimore-pedagogjike dhe botimet në këtë drejtim, pas emërimit të tij më 1965, drejtor i Institutit të Studimeve dhe Botimeve Shkollore. Një vit më pas botoi librin “Mbi rrugët e perfeksionimit të sistemit të sotëm të edukatës familjare”. Më vonë atë e dërguan drejtor i Drejtorisë së Studimeve dhe Botimeve Shkollore, në Ministrinë e Arsimit e Kulturës. Në mbarimin e vitit 1970 e caktuan në detyrën e zv.ministrit të Arsimit e Kulturës, nga u largua në nëntor 1972.
Me fillimin nga puna të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, më 6 dhjetor të atij viti, atë e ngarkuan me detyrën e sekretarit shkencor të saj. Këtë detyrë e kreu mbi dy vjet, me ndërgjegje të plotë dhe aftësi të lartë profesionale. Më pas edhe prof. Dedjen e përfshiu “vala” e shkurtimeve dhe e qarkullimeve “vullnetare” për në bazë. Kështu, më 25 gusht 1975 nisi punën pedagog në ILP të Elbasanit (tani Universiteti “A.Xhuvani”). Pas disa ecejakeve e shqeteësimeve të njohura për kohën, prof. Bedri Dedja mundi të kthehej familjarisht nga Elbasani dhe në qershor 1980 e nisi punën përsëri pedagog në Universitetin e Tiranës.
3.
![]() |
Prof. Bedri Dedja (i dyti-djathtas) dhe Agim Deva, Rifat Kukaj e Murat Gecaj (TIRANË, 25 TETOR 2000) |
Kujtim i paharruar për të ishte vizita e parë në Kosovë, që e bëri në vitin 1973. Një miku i tij kosovar, poeti Agim Deva do t’i dërgonte, shumë vite më vonë, një libër me autografin-vjershë, ku ndër të tjera thoshte: “A të kujtohet, xhaxhi Bedri,/ kur i shndërronim vargjet në fëmijë,/ ne të dëshronim këtu në Kosovë,/ ne na dëshroje në Shqipëri…”. Pas çlirimit të saj, bile dhe pak ditë para se të vdiste, e vizitoi disa herë Kosovën dhe kudo u mirëprit me dashuri për meritat e shumta të tij, si pedagog, shkrimtar e studiues. Veçanërisht, ishte i respektuar nga personalitete të tillë, si prof. Rexhep Qosja-Akademik, prof. Pajazit Nushi e të tjerë.
Prof.Dedja, si mjaft intelektualë bashkëkohës, ishte mjaft i lodhur nga jeta dhe i ngarkuar nga krijimtaria intensive. Por gjithnjë mbeti me vullnet të çeliktë dhe i papërkulur. Kështu, nuk iu nda punës dhe veprimtarisë krijuese, letrare e shkencore, duke qenë një ndër anëtarët e bashkëpunëtorët më aktivë të Akademisë së Shkencave, të Ministrisë së Arsimit e Shkencës, Institutit të Studimeve Pedagogjike dhe Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve. Kujtojmë këtu, p.sh., se në vitin 2003 u botua vepra madhore “Historia e Arsimit dhe e Mendimit Pedagogjik Shqiptar”, ku ai ishte autor kryesor dhe përgjegjës i redaksisë. Kam pasur fatin që, në atë periudhë të jetës, të bashkëpunoj me të. Gjithëherë, ndieja aftësitë e tij të rralla dhe horizontin e gjërë, taktin e punës në kolektiv e tjera.
Po kështu, në kuadrin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ai drejtoi redaksinë e arsimit për ripunimin e “Fjalorit Enciklopedik Shqiptar”; kryesoi bordin e vlerësimit të botimeve letrare-publicistike për fëmijë, pranë MASH, ku gjithashtu kam bashkëpunuar me të etj. Ishte kryetar i Shoqatës Mbarëshqiptare të Psikologëve dhe kryetar nderi i Shoqatës Mbarëshqiptare të Shkrimtarëve për fëmijë e të rinj. Gjithashtu, ishte bashkëpuntor pranë Universitetit të Kembrixhit për hartimin e biografive të njerëzve të shquar dhe emri i tij renditet ndërmjet anëtarëve të Lidhjes Botërore të Shkencave Pedagogjike. Për arsye financimi, i mbeti pa realizuar projekti për organizimin e Kongresit të Parë Mbarëshqiptar të Psikologëve.
Prof. Bedri Dedja ka botuar mjaft vepra shkencore dhe tekste për shkollat e larta në fushën e pedagogjisë, psikologjisë dhe historisë së arsimit e të mendimit pedagogjik shqiptar, ndër të cilët përmendim librin “Sekretet e talentit”. Ka marrë pjesë në shumë tubime kombëtare e ndërkombëtare, ku janë shqyrtuar probleme të ndryshme të psikologjisë e pedagogjisë dhe të letërsisë për fëmijë etj. Është për t’u shënuar se edhe në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (Tiranë, 1972) lexoi punimin e tij, me temë: “Rreth akselerimit psikik dhe ndikimit të tij në mësimin e gjuhës letrare”.
Për të ktijuar një përfytyrim më të plotë për veprim,tarinë e gjerë krijuese e botuese të Prof.Bedri-Dedjes, përmbledhurazi, po japim disa të dhëna. Kështu, ai ka botuar 4 novela për fëmijë (që nga “Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit”), 10 vëllime me tregime e përralla (që nga “Përralla popullore për kafshët”), 9 vëllime me vjersha e poema (që nga “Numrat”), 13 romane e 2 pjesë teatrore për fëmijë (që nga “Shoku i braktisur” dhe deri te “Presidenti i Planetit të Kuq”-2006), 3 libra publicistikë (“Biseda me pionierët”-1986 ; “Nëpër ravat e jetës – Kujtime”-2001 ; “Duke ecur kontinenteve - Përshtypje udhëtimesh”- 2004) dhe 13 libra për fëmijë të përkthyer nga rusishtja.

Megjithëse në moshën mbi 73-vjeçare, kishte shumë plane për botime të reja. Ai pohonte: “Kam dosjet e krijimeve, që kam përgatitur plotësisht ose jo për t’i botuar si libra më vete. E nuk janë pak, janë me mijëra faqe, që edhe i përfshin edhe nuk i përfshin bibliografia ime. Midis tyre do të përmend disa, që presin radhën në arkivin tim:
-“Përgjigjet e kohës” (shkrime dhe pamflete politike);
-“Vota ime për çështjen kombëtare shqiptare”(shkrime dhe pamflete);
-“Psikologjia në fokus” (Mikroenciklopedi I);
-“Edukata, kjo magjistrticë”(Mikroenciklopedi II);
-“Letërsia e mbretërve dhe letërsia e ushtarëve” (shënime kritike-letrare);
-“Biografia ime në tregime” (novelëza për të rriturit);
-“Stacionet e poezisë” (vjersha për të rritur, seleksionimi i poezive më të mira) etj.”
Ishte kënaqësi e veçantë për të gjithë ish-kolegët e ish-studentët, bashkëpunëtorët dhe të njohurit e shumtë dashamirë të tij, që në prill 2009, më rastin e 5-vjetorit të ndarjes së Prof. Bedri Dedjes përgjithnjë nga ne, të përurohej në kryeqytetin Tiranë një tjetër vepër dinjitoze e tij për fëmijë. Ajo mban titullin “Presidenti i Planetit të Kuq” dhe u botua me kujdesin e së bijës, Edlira Dedja-Bytyçi.
Në nëntor të vitit 2000, prë në përvjetorin e lindjes, Presidenti i Republikës i dha prof. Bedri Dedjes-Akademik, titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”. Më parë, ishte nderuar dhe me “Çmimin e Republikës” dhe me mjaft dekorata e çmime të tjera: për jetën e shkrirë në shërbim të arsimit kombëtar, për letërsinë dhe shkencën shqiptare. Prandaj emri dhe vepra e tij do të mbeten përherë të gjalla në kujtesën e brezave tanë.
Komentoni
Artikuj te tjere
Murat Gecaj: A e njihni Dr. Safete Juka, ''Dora D'Istria e dytë shqiptare''
Safet Hyseni: Mefail Shehu (Zajazi) alias Mefaili i Madh, një strateg ushtarak
Eduard M. Dilo: Kolë Tromara dhe Bahri Omari, dy figurave të mëdha patriotike
Halit Bogaj: Dritëro Agolli
Faruk Tasholli: Me tetovarët në Gjermani - Në Malësi udhë e pa udhë
Mexhid Yvejsi: Myderriz Haki Sermaxhaj
Viti i Nënës Terezë
Baki Ymeri: Gostivarliu që e pa mbretin dhe mbretëreshën
Faruk Tasholli: Me tetovarët në Gjermani - Në Tetovë të kesh shtëpi
Eduard M. Dilo: Prof. Dr. Safete S. Juka , figurë e madhe kombëtare...
Arsim Halili: Plejadë pavdekësie
Ferit Ramadani: Tribunit të Lirisë
Mexhid Yvejsi: Mulla Iljaz Spahia
Lekë Dukagjini, cili ishte njeriu i Kanunit?
Ju paraqesim veteranët e arsimit - Tahir Z.Berisha
Jani Dilo, një jetë kushtuar çështjes sonë kombëtare
Halit Bogaj: Toni Bler
Mexhid Yvejsi: Fadil Rashiti
Faruk Tasholli: Me tetovarët në Gjermani - Shtëpia e zotit dhe e shqiptarëve të mërguar
Halit Bogaj: Medlin Ollbrajt