E premte, 02.05.2025, 07:46 AM (GMT+1)

Faleminderit

Ju paraqesim veteranët e arsimit - Tahir Z.Berisha

E diele, 08.11.2009, 07:42 PM


SHËNIME BIOGRAFIKE

www.tahirzberisha.com
 
Tahir Z.Berisha, u lind në Vërban të Vitisë më 1928. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, maturën e mësuesisë në Pejë, kurse Shkollën e Lartë Pedagogjike (Gjuhë Shqipe dhe Letërsi) dhe Fakultetin Filozofik në Shkup.
Si 16 vjeçar mori pjesë aktive në LANÇ, kurse në moshën 18 vjeçare u emërua mësues në Zarbincë të Bujanovcit - Kosova Lindore. Veprimtarinë arsimore e vazhdoi si arsimtar në gjimnaz, drejtor i Shkollës së Mesme Ekonomike dhe drejtor i Entit Arsimor Pedagogjik në Gjilan. Në vitin 1956, gjatë aksionit famëkeq për mbledhjen e armëve u përjashtua nga mësimi si "i papërshtatshëm politikisht". Pas Plenumit të Brioneve dhe rënies së A.Rankoviqit, më 1966, rehabilitohet dhe kthehet prapë në arsim ku punoi si inspektor dhe kryeinspektor i arsimit si dhe sekretar shumëvjeçar i Shoqatës së Veteranëve të Arsimit të Kosovës.

Në vitin 1986 regjimi shovenist i Millosheviqit përsëri e përjashton nga Lidhja e Luftarëve të LNÇ dhe del në pension.

Gjatë shërbimit aktiv dhe më vonë vazhdimisht është marrë me shkrime letrare e publicistike. Përveç shumë artikujve publicistikë dhe punimeve të tjera profesionale, deri më tash i ka botuar këto vepra:
"Trojet që nuk shuhen", Prishtinë 1993/95;
"Emra që nuk harrohen - Arsimtarët veteranë (1941-1951) dhe arsimi shqip në Kosovë", I, Prishtinë 1994;
"Emra që nuk harrohen - Arsimtarët veteranë (1941-1951)",II, Prishtinë 1996,
"Rrëfime në veten e parë", Prishtinë 1998 dhe
"Shënime dhe ecejake të një refugjati nga Kosova", Londër 2001.
Në veprën e parë, "Trojet që nuk shuhen" e cila i kushtohet Vërbanit, vendlindjes së autorit, dhe Anamoravës, bëhet fjalë kryesisht për masakrat e ushtrisë serbe ndaj shqiptarëve në vitin 1912/13, për reformën agrare dhe kolonizimin në Kosovë si dhe padrejtësitë e tjera që iu bënë shqiptarëve gjatë kohës së Jugosllavisë monarkiste, kur shkollat dhe arsimi në gjuhën shqipe ishin rreptësisht të ndaluara.

Tahir Z.Berisha në pension
Tahir Z.Berisha në pension
Në dy vëllimet e librit "Emra që nuk harrohen..." janë përfshirë portretet dhe biografitë e mbi 2000 arsimtarëve të parë shqiptarë që i vunë themelet e shkollave të para shqipe në Kosovë. Ky, pra, është leksikoni i parë i këtij lloji në Kosovë dhe Shqipëri.


Ndërkaq, vepra "Rrëfime në veten e parë" ka më tepër karakter autobiografik dhe trajton situatën aktuale politiko-shoqërore në Kosovë.
Vepra "Shënime dhe ecejake të një refugjati nga Kosova" dallon nga veprat e mëparshme. I filluar në formë të ditarit në Prishtinë në prag të bombardimeve të NATO-s, në mbi 300 faqe në pjesën e parë, përmban shënime nga Kosova, Maqedonia, Turqia, Anglia dhe Skocia. Në pjesën e dytë bëhet fjalë për shqiptarët në Angli (për mërgatën e mëhershme dhe refugjatët e fundit e problemet e tyre). Shtojca e veçantë përmban disa artikuj, analiza dhe intervista me personalitete të ndryshme dhe korrespondencën e autorit me shokë, miqë e të tjerë. Libri është i ilustruar me shumë fotografi, skica dhe harta.
Në dorëshkrim i ka mbetur edhe vëllimi i tretë i librit "Emra që nuk harrohen...".


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx