Faleminderit
Baki Ymeri: Shqiptarë të harruar të Bukureshtit: Foqion Miçiaço (1904-1977)
E merkure, 04.11.2009, 09:21 PM
![]() |
Foqion Miçaço (1974) |
Miku i Asdrenit dhe Latif Berishës që digjej për Kosovën
Asdreni ishte një vjershëtor i cili valoi flamurin përmi dhenë e stërgjyshërve, mes maleve dhe fushave tona, atje ku murmërijnë gjithë jehonat e harruara, atëherë kur të parat çape shtroheshin në udhën e independencës sonë spirituale, atëherë dilnin në dritë Rezet e Diellit - simbole hyjnore të ringjalljes shqiptare.
Nga Baki Ymeri
Së bashku me Visar Dodanin e Memorjeve të mija (Konstancë, 1930), Aleko Vançin e monografisë patriotike Pranë kllanikut, (Bukuresht, 1940), dhe Gjergj Bubanin e Shqipërisë së re, Foqion Miçiaço është njëri ndër shkrimtarët më të shquar shqiptarë të Bukureshtit. Në krahasim me Asdrenin, Mitrush Kutelin dhe Lasgush Poradecin, Visar Dodani, Aleko Vançi, Gjergj Bubani dhe Foqion Miçiaço, edhepse kanë botuar romane, kujtime, përkthime, drama etj., historia e letërsisë shqipe mund t’i konsiderojë si shkrimtarë minorë. De facto, ata janë shkrimtarë shqiptarë të harruar. Përveç Elida Petoshatit që ka shkruar për Visar Dodanin, ende askujt s’i është kujtuar, një portret të thjeshtë t’ia bëjë ndonjërit prej tyre, edhepse vepra e tyre është voluminoze. Ç’akanë bërë ambasadorët e Shqipërisë deri tani, ku është Tipografia Albania, dhe ku janë varrezat e Nikolla Naços, Aleko Vançit, Visar Dodanit, Foqion Miçiaços, do na pyesin një ditë ambasadorët e Kosovës në Bukuresht, si dhe gjeneratat e reja që do të vijnë, edhepse studentëve të Shqipërisë në këtë vend, as që u han palla për kopalla për vlerat e shenjta të rilindësve tanë.
Përkthyesi letrar, eseisti, dramaturgu, aktori dhe publicisti Foqion Miçiaço është autor i dy veprave të rëndësishme që e pasurojnë fondin e lidhjeve kulturore rumuno/shqiptare: vëllimi antologjik Cetatea Rozafat (Kështjella Rozafat) dhe Gjenerali i Kadaresë, të cilin e ka përkthyer dhe botuar në gjuhën e Emineskut, në vitin l973 (Generalul armatei moarte). Vepra e tij e parë është një antologji e folklorit shqiptar, me balada, këngë dashurie, vargje satirike, fjalë të urta, legjenda dhe fabula, të cilën e ka hartuar vite me rradhë, duke e përkthyer me përkushtim në gjuhën rumune, duke e shoqëruar me një parathënie të akademikut Viktor Eftimiu, dhe me një tabelë kronologjike mbi historinë e Shqipërisë dhe burime mbi hulumtimet e folklorit shqiptar.
Sipas publicistikës shqiptare, “Në fillim të parathënies, Viktor Eftimiu flet për historinë e lashtë e të pasur të vendit tonë e për gjuhën shqipe. Pasi thekson se shqiptarët u kanë bërë ballë me guxim rebesheve të kohërave, që nga periudhat më të lashta, ai ndalet te folklori shqiptar, në përgjithësi, e te përmbledhja në fjalë, në veçanti.” Libri u botua në Editurën Minerva të Bukureshtit, më 1974, në një tirazh prej 9.66O ekzemplarësh. Për të shkruan edhe Drita e Tiranës (16 shkurt 1975), duke ia tërhequr vërejtjen autorit pse paska përfshirë në fund të librit edhe disa “përpunime të cilat mendojmë, nuk duhet të ishin botuar.” Fjala është për dy alegori popullore të Lumo Skëndos, i papërshtatshëm për autoritetet e diktaturës komuniste, ndaj “Kolegjiumi i redaksisë” së Dritës jep rekomandime paushale në adresë të Bukureshtit: “Shpresojmë se në një ribotim të kësaj përmbledhjeje të vlefshme, këto 10 faqe në librin prej 370 faqe, do të hiqen, për ta mbajtur sa më të pastër librin e folklorit shqiptar në gjuhën rumune”.
Foqion Miçiaço u lind në Korçë, në vitin l9O4 dhe u shua në Bukuresht, në vitin l977, pas një jete të përbujshme letrare e artistike, por edhe të terratisur si pasojë e varfërisë dhe persekutimeve indirekte që ia ka bërë pushteti komunist i Çausheskut, pse paska studjuar në një vend kapitalist (Itali) dhe pse paska qenë, në kohën e Mbretërisë funksionar i Ambasadës shqiptare. Për të mposhtur varfërinë dhe pensionin qesharak, i shkruan dhe kërkon audiencë te Çaushesku, por më kot, duke pranuar përgjigje konfuze dhe jokonkludente. Foqion Miçiaço është autori i përkthimit të një numri të konsideruar poezishë të Fan Nolit, Lasgush Poradecit, Fahredin Gungës e poetëve tjerë shqiptarë, të cilat i ka përkthyer në gjuhën rumune.
![]() |
Foqion Miçaço, Luan Qafëzezi, Ismail Kadare dhe Xhelku Maksuti (Bukuresht,1974) |
Në fushën publicistike, gazetës Rampa i ka hapur hapsirë tipografike tre vjet me rradhë, duke botuar Letra italiane nga Milano dhe Roma, me shkrime mbi spektaklet teatrale nga Italia e Veriut, mbi pjesë lirike dhe dramatike, të pasura në kolorit dhe përmbajtje. Pas ardhjes në Rumani, ndërlidhet me një gazetë demokratike, Epoca, në të cilën, që nga viti 1932 tërheq një numër të konsideruar pendash të reja, duke plasuar ide mbi artin dhe letërsinë, duke prezantuar personalitete të mëdha artistike të qytetërimit perëndimor, duke kontribuar edhe përmes qëndrimit të tyre në pasurimin e këtij patrimoni aq të ndryshëm dhe të ndritur. Disa vjet më vonë, Ion Vinea dhe Marcel Iancu ia hapin portat këtij të riu, i ardhur nga atdheu parajsor i artit, për të shkruar me elan dhe entuziazëm në faqet e Contemporanit, për modernizmin, për njerëzit dhe rrymat e ndryshme nga atdheu i Dantes. Në faqet e Shqipërisë së re, ndërmjet viteve 1923-1934, boton artikuj në gjuhën shqipe, duke nënvizuar evenimentet më të rëndësishme, nacionale dhe internacionale.
Jetonte ndërmjet botës shpirtërore dhe besimit ndaj Zotit
Foqion Miçiaço jetonte ndërmjet botës shpirtërore dhe besimit ndaj Zotit. Kemi patur fat ta njohim së bashku me një student kosovar (Hajro Hajra). “E admiroj sinqerisht profesorin e romantizmit shqiptar, Latif Berishën. Nëse më pyesni për Emineskun, ai është Zoti i letërsisë rumune“, na thoshte ky korçar i frymëzuar, para 40 vitesh (1971): “Eminesku ka shprehur ndjenja të zjarrta ndaj gjuhës shqipe dhe integritetit territorial të shqiptarëve. Gjeorgje Eminesku, nipi i poetit, përmes temperamentit të tij vullkanik, kishte pamjen e një shqiptari të vërtetë.” Foqioni ishte një tip ëndërrimtar. Të mbesat e Asdrenit theksonin se vëllau i tij, Dhionis Miçiaço, e përkrahte (subvencionalisht) nga Shqipëria, ndërsa këtu e merrte një ndihmë modeste nga Nik Pema, funksionar i konsullatës së Shqipërisë në kohën e Zogut, para se të krijohet Ambasada shqiptare, në vitet 1936/37, kur erdhi Pandele Nasi, që kishte mbrojtur doktoratën në Paris. Foqioni ka qenë bashkëkohanik dhe mik i përzemërt i Asdrenit, Lasgush Poradecit, Mitrush Kutelit. Së bashku me Aleko Vançin, Nikollaq Zoin, Visar Dodanin, Gjergj Bubanin, Dhimitër Kristo-Rrëmbecin e ndonjë tjetër emër, ende të panjohur për opinionin tonë, Foqion Miçiaço mund të konsiderohet si njëri ndër publicistët dhe veprimtarët më të shquar të komunitetit shqiptar të Rumanisë. Ka qenë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë, ndërsa vëllau i tij, Dhionis Miçiaço, e ka mbrojtur doktoratën në drejtësi, në Universitetin e Bukureshtit, duke qenë mik i ngushtë i shkrimtarit të famshëm shqiptar, Mitrush Kuteli. Pas mbrojtjes së disertacionit kthehet në Shqipëri, ku ka qenë notar publik në qytetin e Fierit.
Përndryshe, Dhionisi ishte kryetar i Shoqërisë së Studentëve Shqiptarë të Rumanisë dhe bashkëpunëtor i Shqipërisë së Re në Bukuresht, me një varg artikujsh kushtuar evenimenteve të ndryshme që kanë të bëjnë me komunitetin e këtushëm shqiptar. Kështu, në nr. 495 (31 mars 1932), në kuadrin e artikullit “Shoqëria e Studentëve Shqiptarë në Rumani kremtoj poetin Asdren”, lexojmë: “Kremtimi u çel më ora 9 mbrëmanet (25 mars) duke qenë prezentë Z. Kryekonsull Basile Dogani, deputeti Bedri Peja, poeti Asdren, Nik Pema, Kristaq Tarpo (anëtar nderi), Aleko Vançi dhe gjithë anëtarët e shoqërisë. Rradhën e fjalimeve e hapi kryetari i shoqërisë, Z. Dhionis Miçiaço, i cili, në një ligjëratë të bukur bëri një përshkrim të personalitetit Asdren, duke analizuar shkurtas vjershëtorin në degët e ndryshme ku u çfaq si luftar kombëtar, si poet, si fletorar, si modelltar i gjuhës amtare dhe si frymëzonjës i brezave të reja. Duke nënvizuar modestinë shëmbëllore që e karakterizon vjershëtorin kombëtar, kryetari i Shoqërisë e mbylli fjalimin duke i uruar poetit Asdren, jetë të gjatë dhe një vazhdim të lumtur të veprave për art dhe plëng arbënor”. “Asdreni midis nesh” është një portret tjetër që ia kushton Dhionisi në numrin jubilar të së përjavshmes Shqipëria e Re (nr. 563). Në të njëjtin numër figurojnë edhe artikujt “Shkurtime biografike dhe bibliografike” (M. Kuteli), Historia e një festimi (A. Ktona), Lirismi dramatik (F. Miçiaçio).
Foqion Miçiaço është autor i një analize të mirëfilltë letrare të veprës “Psallme murgu” të Asdrenit, botuar te Shqipëria e Re (nr. 489/1931), duke e karakterizuar bylbilin e Drenovës si një vjershëtor i varfër, bujar dhe heroik, i cili “valoi flamurin mijëra ngjyrash përmi dhenë e stërgjyshërve, mes maleve dhe fushave tona, atje ku murmërijnë gjithë jehonat e harruara, atëherë kur të parat çape shtroheshin në udhën e independencës sonë spirituale, kur kujtimi i mundimeve thureshe me impetuozitetin tonë të papërgënjeshtruar, atëherë dilnin në dritë të parat vepra Reze Dielli, symbol hyjnor i ringjalljes shqipëtare, bashkë me ato Ëndrra e lotë që tregonin së larkmi udhët e ndritura.” Me Psallmet e murgut, sipas Miçiaços, Asdreni “hyn nënë kubenë e eternitetit. Është vepra e madhe që përmban në faqet e saja gjithë poezinë e viseve tona.”
Foqion Miçiaço mbyll sytë përgjithmonë në Bukuresht, më 24 maj 1977. Nga një letër e bashkëshortes së tij (Elena Miçiaço), kuptojmë se ndërkohë, Foqioni ka qenë anëtar i Fondit Letrar, me një aktivitet të dendur letrar që ka zhvilluar gjatë 47 viteve të tij, duke qenë një filorumun dhe filoshqiptar i bindur. Nga një medalion dërguar redaksisë së revistës Romania literara, më 28 shtator 1977, kuptojmë se “Në kohën kur trëndafilat kanë lulëzuar varret e freskëta të njerëzve të shumtë dedikuar artit, ka kaluar në botën e atyre që janë larguar prej nesh, edhe shqiptari me nënshtetësi rumune, Foqion Miçiaço. Njeriu është shuar, por në flakën e madhe të kulturës vazhdon të digjet”. Korçari i Bukureshtit ishte mik i Asdrenit dhe Latif Berishës që digjej për Kosovën. Në kuadrin e korrespondencës së tij, shquhet letërkëmbimi që ka mbajtur me Prof. dr. Latif Berishën, martirin e Kosovës kreshnike, të cilin e përgëzon për atdhedashurinë dhe besnikërinë e tij karakteristike: “I dashur Zt. Berisha! Me gaz të math mora ato dy numëra të Fjalës (gusht/shtator 1974). Fjala Juaj prej një shqiptari të vërtetë më kënaqi tepër. Pa vonesë iu përgjigja dërgesës Suaj, duke Ju falënderuar për gjestin Tuaj fisnik. Vepra Juaj letrare e mendore është duke ma kënaqur zemrën dhe duke më shëruar shpirtërisht. Me dashuri dhe besë, Foqion Miçiaço, Bukuresht, 13 maj 1975.”
Komentoni
Artikuj te tjere
Mexhid Yvejsi: Arben Hyseni
Faruk Tasholli: Me tetovarët në Gjermani - Anesteziologu Dr. Lirim Vela
Milazim Kadriu: Zahir Pajaziti është një nga themeluesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së
Milazim Kadriu: Përkujtohen dëshmorët Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
Vangjush Ziko: Portreti i një mediatori kulturor të përkushtuar
Milazim Kadriu: Akademi përkujtimore për ish pjesëtarin e UÇK-së, profesorin Muhamed Aliu (Bokseri)
I. Egriu: Ne shenje te 25-vjetorit te vdekjes, përkujtojmë Mesuesin e popullit, z. Abdi Begu-Haxhiu, pishtarin e arsimit
Halit Bogaj: Ismail Kadare
Halil Haxhosaj: Kulti Gjeçovian
LDD - dega në Suedi përkujton me pietet Ukë Bytyqin
Mexhid Yvejsi: Hahja Bakalli
Halit Bogaj: Bekim Fehmiu
Milazim Kadriu: Ngritet Obelisku për heroin Afrim Zhitia
Faruk Tasholli: Me tetovarët në Gjermani - Bozofca krenohet me birin e saj
Mexhid Yvejsi: Selman Riza
Fiqiri Sejdiaj: At Gjergj Fishta pa veladon
Nasho Jorgaqi: Dimensioni oksidental i Faik Konicës
Adem Berisha: Zhvarroset për t'u rivarrosur Heroi i Pavdekshëm Kombëtar Sadik Ramë Gjurgjeviku
Baki Ymeri: Shqiptari i Nikolla Naços dhe shembujt e shenjtë të veprave të tij
Në Wuppertal të Gjermanisë u mbajt akademi përkujtimore për Heroin e Kosovës Ahmet Krasniqin