E premte, 02.05.2025, 06:16 PM (GMT+1)

Faleminderit

Adem Berisha: Zhvarroset për t'u rivarrosur Heroi i Pavdekshëm Kombëtar Sadik Ramë Gjurgjeviku

E merkure, 07.10.2009, 07:33 PM


N J O F T I M

ZHVARROSET PËR T’U RIVARROSUR HEROI I PAVDEKSHËM KOMBËTAR
                                     
SADIK RAMË GJURGJEVIKU

Nën ndikim të fuqishëm të emocioneve e duke u përballur me dhimbjen por gjithsesi edhe me krenarinë që jam bashkëkombës dhe bashkëfshatar i afërm i heroit dhe tribunit të Madh kombëtar Sadik Ramë Gjurgjeviku, njoftoj se sot më datën 07. tetor 2009. nga ora 11, në organizimin dhe angazhimin e nipave të heroit, Ismet e Osman Ukë Berisha, është bërë zhvarrosja e eshtrave të kësaj figure të ndritur kombëtare nga varrezat e qytetit të Rahovecit ku ishte varrosur 65 vite më parë, më 1944, për t’u rivarrosur në fshatin e tij të lindjes, Gjurgjevik të Madh të komunës së Klinës e cila njëherit është edhe organizatore e ceremonisë së rivarrimit të premten më datën 09. tetor 2009 rreth orës 15.
Rreth figurës dhe veprës së ndritur të këtij heroi e kolosi të shqiptarisë, unë me këtë rast nuk dua të flas pasi që për këtë kam shkruar disa herë më parë por edhe për faktin se lidhur me jetën dhe veprën e tij kanë shkruar mjaftë njerëz kompetent si historiani i mirënjohur, tashmë i ndjeri prof dr Zekeria Cana, Mr Jetish Kadishani, Tomë Mrijaj e Klajd Kapinova, dr Asllan Krasniqi e të tjerë por vetëm dua të theksoj se Sadik Ramë Gjurgjeviku është një figurë e rëndësishme e Kuvendit të madh të Pejës të udhëhequr nga patrioti i shquar kombëtar Haxhi Zeka dhe komandanti i përgjithshëm i Lëvizjes për çlirim dhe bashkim kombëtar të 1919-ës dhe luftëtar deri në frymën e fundit për realizimin e aspiratave kombëtare shqiptare. Nuk mund të mos theksoj se traditën dhe veprën e tij të ndritur në vazhdimësi e ka ndjekur e gjithë familja e tij e gjerë dhe e ngushtë, djemtë Ukë e Shaban Sadiku ku Shabani është vrarë në betejën e Çelisë së Jellofcit më 12 shtator 1845 kurse Uka është ekzekutuar në Prishtinë më 1947 sipas aktakuzës së antishqiptarit e kriminelit Ali Shukrija. Veprimtarinë e tij e kanë vazhduar me plot përkushtim si të bijtë, ashtu edhe nipat e tij Skënder, Ismet, Selim, Osman e Qerim Berisha (Qerimi, më i riu, është ndarë nga jeta).
Në ceremoninë e zhvarrosjes së eshtrave të heroit morën pjesë: Osman Ukë Berisha, nip i heroit, Qerim Osman Berisha, stërnip i heroit, Ymer Hamëz Thaçi, Ramë Hamit Banushaj, Nysret Halil Berisha, Sadik Bajram Berisha, Adem Zeqë Berisha, bashkëvendës e bashkëfshatar të heroit, mulla Xhevat Kryeziu e Fitim Bojaj nga Bashkësia Islame e Klinës, Sabahudin B. Çeska, Mehdi Shehu dhe Milazim Sh. Elshani, inspektorë komunalë por edhe admirues e veprimtarë.
Zhvarrosja u realizua plotë 13 vite pas identifikimit të varrit të heroit më 1996 i cili u realizua me iniciativën dhe angazhimin e historianit të mirënjohur prof dr. Zekeria Cana, nipave të heroit Tafil e Ramazan Berisha, poashtu tashmë të ndjerë e në bazë të informatave burimore e të vetme të plakut, atëherë 92 vjeçar Qamil Tahiraga nga Rahoveci i cili ishte jo vetëm pjesëmarrës por edhe anëtar i Këshillit për varrim në ceremoninë e varrimit më 1944, Adem Zeqë Berishës, aktivist dhe veprimtar i çështjes kombëtare, mulla Xhevat Kryeziut imam dhe veprimtar i dalluar, Jusuf Hasanit aktivist dhe veprimtar sindikal i BSPK-së, Samedin Hoxhës dhe veprimtarëve tjerë të kohës.
Është për keqardhje por nuk mund të mos e theksoj indiferencën e strukturave komunale të komunës së Rahovecit lidhur me këtë ngjarje të rëndësishme historike dhe kombëtare edhe pse ato me kohë kanë qenë të njoftuara lidhur me këtë ngjarje nga mulla Xhevat Kryeziu në mënyrë që kjo ceremoni të organizohej dhe realizohej nga këto struktura.
Njoftoj dhe ftoj gjithë njerëzit e vullnetit të mirë të cilët kanë mundësinë qe të premten më datën 09 tetor 2009 të marrin pjesë në ceremoninë e rivarrimit te të Madhit Sadik Ramë Gjurgjeviku në fshatin e tij të lindjes, Gjurgjevik të Madh të komunës së Klinës e cila njëherit  është edhe organizatore e kësaj ceremonie.
Duke JU kërkuar ndjesë mbase për këtë informim jo edhe aq profesional, përshëndes gjithë lexuesit e nderuar dhe ju përcjell edhe ngushëllimet e mia për këtë tribun e hero të madh kombëtar por edhe duke JU përgëzuar për faktin se jeni bashkëkombas të këtij vigani të kombit.

Vëllazërisht e me respekt nga Adem Berisha,
Rahovec – Republika e Kosovës martire.


(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx