E marte, 30.04.2024, 05:17 AM (GMT+1)

Faleminderit

Halit Bogaj: Bekim Fehmiu

E diele, 11.10.2009, 08:00 PM


Bekim Fehmiu / 1936-

Nga Halit Bogaj

Ishte shumë  e vërtetë se gjithkush nuk mund ta kuptonte Bekim Fehmiun dhe karakterin e tij herëherë kontradiktor. Ai qysh i  ri ishte një temperament në vete dhe një botë e posaçme që ishte dhënë me përkustim ndaj Artit të shtatë, në të cilin kishte gjetur dashurinë e tij të madhe  dhe dëshirën për të arritur suksese të shumta.Vetes ia kishte dhënë për detyrë që ta shpinte deri në  fund vokacionin e tij artistik për të cilin ishte përcaktuar.Të gjithë e dimë se e kishte tejet vështirë ta kryente Akademinë e arteve dramatike dhe filmore, sidomos në një rreth ku shqiptarët ishin të urryer nga ana e armikut tonë shekullor.Në vazhdim ai kishte arritur të hynte në rrethet më të ngushta të aktorëve të hapësirave ish jugosllave, çka e meritonte me të vërtetë me të gjitha përpjekjet e veta të bëra.Nuk ishte aspak e lehtë për një shqiptar që të arrinte në majat më të larta siç ndodhi në vitet e mëvonshme.Vetëm ai e di se në çfarë rrugë të vështira kishte kaluar gjatë karrierës së tij të begatshme kur i kishte realizuar  filmat:”Ndezja e Rajhstagut”, “Hajvalia dhe Kishnica”, “Mos vrit”, “Dita e katërmbëdhjetë”, “Virgjëreshat e Romës”, “Të shtunën mbrëma”, “Sasha”, “Uzhica”, “Roji”, “Nën qiell të njejtë”, “Vajza”, “Kleksoni”, “Armiku”, “Vitet e nxehta”, “Rruga”, “Protesti”, “Shkaku i vdekjes nuk  duhet përmendur”, “Gracka për gjeneralin”/kushtuar kapjes së gjeneralit famkeq Drazha Mihajlloviq/, “Depsi”, “Pavle Pavlloviq”, “Koshava”,” Edukuta speciale”, “Të arrihet para agimit”,”Eskadroni partizan”, “Koliostro”, “Dezertori”, “Loja e së vërtetës”, “Dëshmitari duhet të heshtë”, “Bora e fundit pranverore”, “Leja për vrasje”, “Java e zezë”, “Sallon Kiti”, “Njeriu ka nevojë për tokën” dhe disa filma të tjerë.

Bekim Fehmiu arriti famën e tij kulmore me filmin”Mbledhësit e puplave” që ishte suksesi i tij i parë kryesor për të dalur në Arenën ndërkombëtare dhe pikërisht me këtë film fillon ngritja e tij madhështore dhe e pandalshme në të  cilin aktori ynë i famshëm realizon rolin maestral të romit të  quajtur Boro i Bardhë/Beli Boro/, skenat e të cilit na kujtohen deri në  ditët e sotme, duke mbetur realizime shumë të  fuqishme që aktorit ia hapën të  gjitha rrugët drejt sukseseve të reja.

Edhepse filmi”Mbledhësit e puplave” i kishte thyer të gjitha rekordet në Festivalin e Pulës dhe ishte shpallur filmi më i mirë, shovinistët serbë nuk kishin pranuar që aktorit tonë t’ia jepnin shpërblimin kryesor, të  cilin ia kishin ndarë pa asnjë meritë  Bata Zhivojinoviqit.

Edhepse ishte hidhëruar së tepërmi, Bekimi nuk  pushonte , duke interpretuar në  serialin italian”Ulisi”, në të cilin aktronte edhe aktorja arvanitase Irena Papas në  rolin e gruasë besnike Penelopa.Në kët serial Bekimi shkëlqeu më  fort se Kirk Dagllasi disa vite më herët në filmin homonim. Në këtë kontekst duhet përmendur edhe faktin se pa u kryer akoma seriali”Ulisi” regjisori amerikan Luj Xhilbert e angazhoi Bekimin për filmin “Aventurierët”, duke i lutur kineastët italianë që t’ia lëshonin Bekimin për filmin e tij, me të cilët  ai kishte kontratë disavjeçare.

Edhepse Luj Xhilbert kishte arritur që Bekimin  ta siguronte për filmin e tij spektakular, dëshironte që aktori ynë i mirënjohur ta ndërronte mbiemrin, duke provuar që t’ia vente një mbiemër tjetër, dhe kur e kishte parë se ai nuk pranonte në asnjë mënyrë, Luj Xhilbert ishte dorëzuar.Me kokëfortësinë e tij të madhe aktori ynë i  shquar donte të tregonte se i përkiste një bashkësie tjetër etnike që nuk kishte lidhje me popullsinë sllave.Nuk kishte pranuar edhepse emrat dhe mbiemrat i kishin ndryshuar edhe yjet më të mëdhenj si:Xhon Uejn, Marllon Brando,Greta Garbo, Din Martin,Merilin Monro, Keri Grant, Kirk Dagllas etj.Me inatin e tij shqiptar dhe ballkanik kishte arritur ta ruante mbiemrin e tij Fehmiu me të cilin sot mburret mbarë bota shqiptare si dikur me atë  Aleksandër Mojsiut.Regjisori i mirënjohur amerikan, i cili  Bekimit ia kishte besuar rolin e Daksit, i kishte thënë atij se atë rol donin ta luanin pa honorar mijra djelmosha të rinj, por Bekimi as që kishte qarë kokën me ato që ia kishte thënë ai.

Atëherë kur Bekimi kishte arritur në SHBA, Xhilbert ia kishte bërë edhe një sfidë tjetër duke e lënë atë ta priste disa orë, por Bekimi ynë nuk  e kishte pritur më tepër se pesë minuta, duke i mbledhur valixhet për t’u kthyer në  Romë. Pas spiegimit të bërë nga ana e regjisorit, Bekimi kishte pranuar të aktronte në filmin e tij të përmendur.

Pason premiera e filmit dhe suksesi i tij i madh në një promovim të një aeroplani të ri të tipit”Boing”, ku merrte pjesë edhe presidenti Nikson, kurse Bekimi ishte paraqitur në rrobe kombëtare shqiptare për ta shprehur edhe njëherë identitetin e tij krenar shqiptar.Ajo kishte qenë një befasi e madhe për të gjithë, duke ngjallur kuriozitet të paparë për të pranishmit, por edhe  për ne ishte diçka e papritur dhe e këndshme që orientohej parasëgjithash kundër propagandës jugosllave e cila deklaronte se Bekimi  nuk kishte origjinë jo shqiptare.

Ato ishin ditë të lumtura për të gjithë ne sepse kishim një përfaqësues të përmasave kolosale që prezantonte qenjen tonë nacionale dhe aftësitë e veta individuale dhe kolektive, ngase edhe popujt e vegjël mund të jepnin njerëz të mëdhenj.Ishim të lumtur edhe nga fakti se ai kishte arritur t’i hapte dyert e hekurta të artit filmor evro-amerikan dhe të bëhej njëri ndër aktorët më të kërkuar të kohës, duke i realizuar edhe disa filma të tjerë të njohur për të cilët do të flasim më  vonë.

Për ato që i kishte arritur Bekim Fehmiu ëndërronin edhe shumë aktorë të tjerë të mëdhenj të botës së fuqishme filmore.

Pas projektit”Aventurierët” realizoi edhe filmin vestern”Kurrizi i djallit” në të cilin luajti bashkë me Çak Konorsin e paharruar, duke skalitur një figurë të njohur historike që luftonte për të drejtat e popullit indian.Ai rol spontan na tregonte se ai kishte prirje të mëdha edhe për role të tilla të fuqishme.Edhe në këtë film Bekimi ishte i sigurtë në vetvete se do ta realizonte një rol tejet të qëlluar çfarë ndodhi me të vërtetë, duke ia dalur që filmi të  shikohej me interesim të madh.

Pas filmave të lartëshënuar  Bekimi luan edhe në filmin”Shtatori i zi”, kushtuar një maskri ndaj lojtarëve izraelitë  të vrarë nga ana palestineze në një stadium gjerman.

Në  vazhdim të karrierës së tij të mëtejme, Bekim Fehmiu  realizoi edhe filmin melodramatik”Libera, dashuria ime”, bashkë me divën Klaudia Kardinale, ku  edhe njëherë tregoi se vërtet kishte prirje të pashtershme për role te  këtilla të dhembshme.

Pas ngjarjeve të njohura kosovare të vitit 1981  dhe intervistës  dhënë gazetës së përditshme”Rilindja”, ku i arsyetonte demonstratat e drejta studentore dhe sukseset e shumta që i kishte arritur në planin ndërkombëtar, Bekim Fehmiu ishte i margjinalizuar nga ana e shtetit jugosllav.Filluan ta anatemonin dhe të mos i jepnin  më asnjë rol, duke e konsideruar si kripën në sy dhe si”armik popullor”, por të gjitha ato veprime i bënin në mënyrë të heshtur.Bekimi as që lodhej për veprime të tilla arbitrare të një shteti që kishte filluar të vdiste pas vdekjes së Titos që kishte qenë pak më liberal se të tjerët dhe kur shqiptarët kishin  filluar ta fitonin pak autonomi më tepër se në të kaluarën.Sidoqoftë, Bekim Fehmiu bëri gjestin e tij heroik-patriotik në favor të rinisë kosovare dhe popullit të vetë të shtypur, duke u  dalur në mbrojtjeve idealeve madhore gjithëkombëtare.

Shovinistët do ta kenë pasur tejet vështirë dhe do të jenë zeir në brendinë e tyre armiqësore kur Bekimi kishte bërë një veprim të tillë aq të papritur për mendjet e mjegulluara sllave të  cilat kishin pandehur se do ta mbanin përherë të robëruar këtë popull të lashtë.

Në vazhdim vjen edhe filmi i tij i njohur”Zbutësi i egërsirave”, i realizuar në Bratisllavë, ku Bekimi shkëlqeu edhe kësaj radhe si një talent i dalluar i botës së artit filmor.

Po të kthehemi në retrospektivë, Bekimi kishte arritur sukses të madh edhe në rolin episodik të policit në  filmin”Sasha”,  në filmin”Kurtha për gjeneralin”, në të cilin  e kap gjeneralin çetnik dhe  ne projektin “Edukata speciale” në të cilin interpreton rolin e eduktorit.

Dhe sot, pas shumë vitesh,  kur i kujtojmë rolet e tij markante,  na lind një nostalgji e madhe për atë personalitet aq të lartë të  botës artistike shqiptare dhe vijmë në konkludim se ishim tejet të lumtur që kishim një yll të tillë filmor me të cilin mburret bota shqiptare.Ai na prezantonte në të gjitha meridianet dhe arrinte t’i thyente edhe barrierat më të jashtëzakonshme që dilnin para nesh, duke na bërë të njohur në mbarë botën.

Bekim Fehmiu kishte vendosur të bëhej zëdhënësi i popullit të vetë në ditët më të  vështira të ekzistencës së tij kur kishin filluar të privoheshin të  gjitha të drejtat tona.

Ai vazhdonte rrugën e tij krijuese, duke u bërë gjithnjë e më i madh dhe më i kërkuar, por shtypi  dhe propaganda sllave nuk e shënonte asnjë fjalë për arritjet dhe sukseset e tij, ngase nuk i konvenonte dhe ua prishte rregullat e tyre të lojës, por kurrë nuk kishte pranuar të bëhej poltron i politikës së tyre dhe t’i tradhëtonte idealet e veta kombëtare.


(Vota: 11 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora