E premte, 02.05.2025, 07:47 AM (GMT+1)

Faleminderit

Faruk Tasholli: Me tetovarët në Gjermani - Shtëpia e zotit dhe e shqiptarëve të mërguar

E enjte, 05.11.2009, 07:12 PM


FARUK TASHOLLI

ME TETOVARËT NË GJERMANI

SHTËPIA E ZOTIT DHE
E SHQIPTARËVE TË MËRGUAR

Pas gjashtë vitesh marrim udhë të takohemi sërish me imamin e xhamisë shqiptare në Leverkuzen. Është po i njëjti, Amir Xheladini. Pasi merremi vesh, takimin e lëmë në stacionin hekurudhor ku presin pak taksistë dhe disa vetura në një autoparking. Koha është jo fort larg namazit të drekës dhe hoxha, sigurisht nxiton të më marrë mua dhe të mos e lë keq xhematin. Pa vonuar më ndalet para këmbëve vetura që e nget ai vetë dhe pas përshëndetjes, ai vazhdon vozitjen duke nxituar rrugës kryesore të qytetit që çon drejt te xhamia. Derisa rrëfen i entuziazmuar që ka arritur me bashkatdhetarët të bëjë xhami të re në Gjermani, të parën xhami shqiptare me minare dhe me arkitekturë tradicionale  në Europë, nga një distancë veç na shfaqet një godinë e mrekullueshme. Jemi në rrugën Mühlenveg 211. Këtu është xhamia e re me arkitekturë tradicionale. Pasi dalim nga vetura, mulla Amiri na prin drejt xhamisë, i kujdesshëm, energjik dhe fjalëmbël. Ai me emocion rikujton ditën e vënies së gurthemelit, angazhimin e madh të shqiptarëve në Leverkuzen për një faltore myslimane, që tashmë shërben edhe më shumë se faltore, ashtu si e ka menduar gjatë gjithë shërbimit të vet këtu, edhe si një qendër të kulturës kombëtare. Ne po hymë nga lart, më thotë hoxha. Çdo dhomë, çdo hapësirë dhe çdo kthinë e xhamisë ka derën e vet. Ja hyrja për burrat, hyrja për gratë. Sylynjarët e avdesit po ashtu të ndarë, por të përshtatshëm. Ecim tutje, andej nga mafili ku zakonisht falen gratë dhe hapësirën e xhamisë e shikojmë nga lart. Poshtë shikojmë hylbenë, vendin ku prin hoxha dhe hapësirën e dizajnuar bukur, prej nga kumbojnë lutjet drejtuar Zotit. Koha e faljes së namazit të drekës po afrohet. Xhemati hyn ngadalë në sallën e namazit. Hoxha bëhet gati.
Namazi i drekës nuk zgjat shumë. Afërsisht një çerek ore. Shumica e xhematit janë pensionistë. Ata ndalen në sallën e ndejës, ku ka kafe e çaj. Rrinë bashkë duke llafosur herë për vendlindjen, herë për vitet e gjata të kaluara në mërgim. Përtej sallës së ndejës, është salla e mësimit dhe e tubimeve të ndryshme. E rregulluar bukur dhe e pajisur mirë. Aty fëmijët mësojnë lutjet, edukatë fetare dhe kulturë të përgjithshme. Por salla përdoret edhe për veprimtari të tjera. Sidomos për mbledhje të karakterit lokal rreth organizmit të shqiptarëve në xhami dhe aktivitetit të tyre të përgjithshëm.
    Por xhamia shqiptare në Leverkuzen dhe rrethinë, si dihet, është themeluar në vitin 1985. Këtë na e thotë edhe Veli Mustafa, një nga aktivistët e Leverkuzenit, që në themelimin dhe mbarëvajtjen e punës së xhamisë është angazhuar që nga dita e parë. Ai ka tridhjetë e pesë vjet në mërgim. Të gjitha i ka kaluar në Leverkuzen, në fabrikën e njohur të medikamenteve medicinale Bayer, ku për shumë vite kanë punuar afërsisht dyqind shqiptarë. Ne përpara faleshim në xhamitë e turqve dhe të arabëve, na rrëfen Veliu. Madje me vite. Por një ditë menduam ta kemi xhaminë tonë, çerdhen tonë, ku mund të falemi e të takohemi si të tjerët. E ndërmorëm iniciativën. Në fillim ishim gjashtëmbëdhjetë vetë. E nisëm punën në një lokal të improvizuar. Na printe  mulla Nafi nga Nerashti. Ne e mbanim xhaminë dhe hoxhën, pra ata 16 vetë. Por ngadalë filluan të na bashkohen edhe të tjerët. Më vonë imam erdhi mulla Jakup Asipi nga Kumanova. Ai për pesë vjet bëri shërbesat fetare dhe anëtarësia në xhami filloi të rritej. Pas tij erdhi Shaban Mehmeti nga Shkupi, ndërsa tash e 13 vjet jemi me mulla Amir Xheladinin. Por i gjithë ky historik mbrun shumë vlera brenda vetes. Mos të harrojmë se krahas ngritjes së xhamisë, këtu në mërgim, kjo popullatë, ka bashkëjetuar shpirtërisht e fizikisht me pjesën e popullit në atdhe, ku pikërisht brenda këtyre viteve i ranë zavalle të mëdha mbi shpinë. Shqipëria po dilte nga komunizmi i rëndë, ndërsa viset shqiptare nën ish Jugosllavi, bashkë me Kosovën, pas shtypjes së gjatë, i përfshiu lufta. Ne kishim familjet atje, vëllezërit tanë, gjakun tonë. Kjo vatër na ka shërbyer të tubohemi, të grumbullojmë ndihma dhe t’i dërgojmë në pjesët e atdheut. Rolin kryesor për ndihma drejt atdheut në Leverkuzen e ka luajtur xhamia, flet Veli Mustafa. Shqiptarët e këtushëm, edhe kanë bërë xhami, edhe kanë mbajtur familjet, edhe kanë ndihmuar ngritjen e institucioneve shtetërore e kulturore shqiptare, edhe kanë ndihmuar vëllezërit. Tash xhamia, pasi ka kaluar në ndërtesë të re dhe moderne, po ashtu mbahet nga anëtarësia që ka arritur në gati 500 pjesëmarrës. Por donacionet nuk kanë munguar e nuk mungojnë as tash. Gjithçka filloi kur me këshillin inicues për ndërtimin e xhamisë e vizituam Lazim Destanin në zyrën e “Sharr-Turistit”, pasi ia prezantuam planin, ai na dha një ndihmë fillestare prej 15.000 euro dhe na tha: “Zoti ju ndihmoftë, po patët nevojë për ndihmë të mëtutjeshme përsëri llogaritni në mua!” Fjalët e tij na dhanë vullnet të madh dhe kështu nisëm. Pas tij u radhitën edhe shumë të tjerë që kontribuan për ndërtimin e xhamisë. Pas tij janë radhitur qindra të tjerë… Së pari u ble lokacioni, pastaj u bë projekti dhe filloi ndërtimi. Jo pak shqiptarë kanë bërë ditë të shumta pune në ngritjen e godinës së xhamisë. Edhe organet shtetërore të qytetit e përkrahën këtë iniciativë me dhënien e lejes për ndërtim. Si na thotë edhe mulla Amiri, këtu vijnë edhe afro 100 të rinj shqiptarë, që pos organizimeve sportive, zhvillojnë edhe jetën kulturore. Të gjithë angazhohen për mirëmbajtjen e objektit,  zakonisht gratë, sa njëra sa tjetra, vijnë për ta pastruar. Në këtë xhami nuk mund të ta gjejë gishti as një vazhgë pluhuri. Secili kënd është i pastër.
    Por bashkëbiseduesit tonë, Veli Mustafës, i kthehemi sërish. Jo për punën në kryesi të xhamisë që e bën tash e 23 vjet, por për vitet e mërgimit. Veliu vjen nga fshati Cerovë, nja njëzet kilometra larg Tetovës: “Herët, thotë, kam dalur nga fshati, por askund tjetër nuk kam bërë shtëpi, pos “aty ku më ka rënë koka”. Mërgimin e nisa si pesëmbëdhjetëvjeçar në rrethinat e Beogradit. Vëllai  im dy vjet më i vjetër se unë, veç punonte atje. Dimrit bartja qymyr dhe dru, ndërsa  verës, ose vjeshtës së ftohtë, më thirrnin të punoja ose nxirrja panxhar sheqeri, madje jo rrallë padronët më kanë thirrë edhe në gjysmë të natës. Kur u hap udha për Gjermani, ndryshuan gjërat për të mirë. Këtu së paku kisha banesë të mirë, shtrojë e mbulojë e jo si atje në Serbi, ku mblidheshim disa vetë në një dhomë. Erdha këndej dhe tash i bëra 35 vjet po në Leverkuzen. Pra, kam ardhur 20 vjeçar këndej, thotë Veliu.
    Bashkë me ne, në bisedë është edhe Shukri Sinani, një nga mërgimtarët e vjetër. Mulla Amiri na e prezanton si veprimtar të zellshëm, jo vetëm në kuadër të xhamisë, por edhe më shumë. Kur nisim të shpalojmë palët e jetës së Shukriut, ai na kthen që në fëmijërinë e vet, duke shtuar se mundin ia patëm borxh kombit. Ishim një familje që jetonim në fshatin Kalishtë të Gostivarit, por shpejt zbritëm në Tetovë. Më vonë mora vesh se babai iku nga Kalishta për t’iu shpëtuar pak fjalëve dhe izolimit të fshatarëve që i bënin nga frika. Pse? Pas Luftës së Dytë, tre nga xhaxhallarët e mi, nën Ballin Kombëtar ia kishin kthyer pushkën partizanit. Ata kur ishte formuar shteti policor e ushtarak i Jugosllavisë, nuk kishin mundur më të qëndrojnë në male dhe marrin arratinë. Në fillim drejt Greqisë, e pastaj në Turqi, me shpresë se një ditë do të ktheheshin në vendin tonë. Për hir të tyre ma kishin burgosur babanë. Tek pas burgut babai im kishte blerë shtëpi në Tetovë. Më kujtohet si fëmijë, kur gjyshja më thoshte:” Afrohu se ky është babai yt!”- por unë nuk e njihja. Ishte viti 1953 kur ai kishte dalë nga burgu. Si dihet, kushtet i kishim të vështira. Për kafshatën e gojës dhe mëkëmbjen e ekonomisë familjare, në fund të viteve gjashtëdhjetë edhe unë ia mësyva Europës. Shkova në Belgjikë dhe u paraqita refugjat. Njeri i familjes së ndjekur nga Jugosllavia. Ndeja ca kohë atje, por erdhi një urdhër që ta lëshoja Belgjikën për shtatë orë. Kalova në Gjermani. Fillova punën. Nja tri vjet më vonë, kur shkova në pushime në Tetovë, nga shtëpia më nxorën policia maqedone dhe drejt e në stacionin e tyre. Në ato bisedat e njohura informative, si u thoshin. Por për fat nuk më burgosën. E mora udhën për në Gjermani dhe  punën e bëja punë, ndërsa sjelljen, sidomos atë politike, shumë i kujdesshëm. Nga përvoja në zyrat e policisë, edhe pse dukeshin të heshtur, xhaxhallarët e mi, Xhelili, Avdyli dhe Hyseni, nuk ishin të harruar. Ata si ballistë të mërguar, përcilleshin që nga Gostivari, në Stamboll e deri në Bruksel. Pos që i njihnin bëmat e tyre gjatë Luftës së Dytë e më vonë, policia jugosllave vazhdimisht merrte informata për ta dhe për anëtarët e familjes. Kur e pashë që as unë nuk do t’iu shpëtoja bëmave të familjes, natyrisht që u rendita në frontin kombëtar për çlirim e përparim të shqiptarëve në Jugosllavi. Kështu ngadalë u inkuadrova në grupet politike ilegale, ku xhaxhai im Xhelili, i njohur me emrin Xhelo Kalishta, insistonte për formimin e një lobi kombëtar. Këto përpjekje morën hov sidomos pas vitit 1981. Por më vonë, me daljen e Lidhjes Demokratike të Kosovës në skenë, u ndjemë të çliruar nga brenda. Ishte kjo organizata e parë publike shqiptare brenda Jugosllavisë. Të gjithë u renditëm drejt saj, por më vonë, dolën edhe parti të tjera shqiptare, si Partia e Prosperitetit Demokratik, Partia Demokratike Popullore në Maqedoni dhe Lëvizja për Republikën e Kosovës që vepron në Europën Perëndimore. Këto  bënë që shqiptarët të ndahen varësisht prej orientimeve që i bënin këto parti, por edhe prej viseve nga vinin. Ndarjet brenda krijonin edhe ndarje jashtë, këtu në mërgatë. Për një kohë të gjatë u krijua bindja se partitë neve, mërgimtarëve, na kthyen në sponzorë materialë të tyre. Nuk vonoi shumë dhe krisën luftërat në viset shqiptare. Sërish u desh të ndihmojmë, madje edhe me njerëz, por për atdheun kurrë nuk është mjaft. Falë punës dhe ndihmës së Zotit, Kosova u bë shtet dhe shqiptarët përreth avancuan pozitën e tyre. Tash ne në mërgatë edhe pse iu kemi kthyer detyrave tona, sërish organizohemi, por më shumë në planin humanitar. Kjo është lidhja më e mirë me vendin tonë, rrëfen  Shukri Sinani.
    Por, gjatë kësaj bisede, nuk mund ta shmangim xhaxhain e tij, Xhelo Kalishtën, që tash në Bruksel kalon pleqërinë e thellë. I tregoj Shukriut se unë njihem me të dhe mëngjeseve të hershme kam shëtitur me Xhelon në parkun e madh të Brukselit në Shkarbek, aty ku shqiptarët  me vite kanë ngritur bustin e Skënderbeut. Po aty, Xhelo Kalishta, më ka rrëfyer për luftën që ka bërë, për shputën e këmbës së këputur, për djalin që e ka lënë në Kalishtë dhe ia kanë rritur vëllezërit dhe për ikjen drejt Greqisë, pastaj kalimin në Stamboll e më vonë në Bruksel, i përndjekur nga shteti jugosllav… Pasi kemi pirë kafetë, u lëmë lamtumirën edhe anëtarëve të tjerë të xhamisë që presin të bëjnë namazin e iqindisë, ndërsa hoxha, mulla Amir Xheladini, më shpie drejt stacionit të trenit dhe sërish kthehet në xhaminë e Leverkuzenit, në atë shtëpi të Zotit dhe të shqiptarëve të mërguar.

(2008)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx