E premte, 02.05.2025, 07:43 AM (GMT+1)

Faleminderit

Safet Hyseni: Mefail Shehu (Zajazi) alias Mefaili i Madh, një strateg ushtarak

E hene, 16.11.2009, 08:30 PM


Mefaili i Madh, oficer i Ballit Kombëtar - 1945
Mefaili i Madh, oficer i Ballit Kombëtar - 1945
Mefail Shehu (Zajazi) alias Mefaili i Madh, një strateg ushtarak


Nga Safet Hyseni

Shqiptarët në Kërçovë gjatë Luftës së dytë botërore do të rreshtohen në forcat nacionaliste të Ballit kombëtar, me pak përjashtime të disave që përkrahën idetë komuniste. Rreshtimi i shqiptarëve përkrah forcave nacionaliste apo forcave të djathta është si pasojë e ish- pushtetit okupues, i cili kishte ushtruar dhunë të paparë ndaj shqiptarëve. Ushtria dhe xhandarmëria serbe në çdo anë që shkelte kishte vrarë e djegur duke krijuar 11 varreza masive vetëm në fshatrat që ende kanë popullsi shqiptare dhe që mbahen mend nga banorët e këtyre anëve. Egërsia e dhunës ka qenë aq mizore dhe primitive, sa që viktimat në disa raste janë varrosur të gjallë, por të plaguar me bajoneta. Ushtria serbe jo vetëm që kishte vrarë shqiptarë dhe djegur shtëpi, por kishte rrafshuar me tokë shumë fshatra të banuara me popullsi shqiptare, duke bërë therje kolektive pa lënë as edhe dëshmitarë. Metodën e tokës së djegur e provuan fshatrat që ndodheshin në lindje të Kërçovës, si: Sopi, Staroeci, Trebinja, Braçani, Karbunica, Arbëria, Qafa, Trapqidolli dhe shumë fshatra të tjerë që ishin në lindje të Kërçovës. Rreshtimit të shqiptarëve përkrah forcave nacionaliste, i printe bindja se asgjë nuk do të ndryshojë në jetën e tyre, pa marr parasysh se pushteti do të ndërrojë emrin. Nga fshatrat e Sopit, Braçanit, Arbërisë, nuk ka shpëtuar asnjë shqiptar për të dëshmuar, por dihet që ato janë therë si bagëtia te kasapi dhe më pas janë djegur në zjarrin e shtëpive të tyre. Nga Trebinja kanë shpëtuar 2 veta nga Qafa disa si dhe nga Trapqidolli dhe Karbunica kanë mbetur disa veta sa për të dëshmuar.

Ithtar i Shqipërisë etnike

Kërçova nga forcat e ish Jugosllavisë u çlirua me anë të forcave gjermane më 19 prill të vitit 1941. Po në atë ditë Divizioni Firenca, më 18.04.1941 ka shkelë Kërçovën dhe Gostivarin. Nga pushteti i ri që vendoset në Kërçovë për kryetar të komunës emërohet Ahmet Haxhi Sadiku. Kjo qeverisje krijohet më 22 qershor të vitit 1941. Me këtë rast Kërçova ka hyrë në përbërje të Shqipërisë dhe e gjithë veprimtaria është kryer në gjuhën e nënës (shqipe). Shqiptarët që kishin hequr të zitë e ullirit, bashkimin me Shqipërinë nën pushtimin italian e përjetuan si çlirim dhe në të vërtet edhe kështu tingëllonte. Në këtë kohë shqiptarët u përfaqësuan në administratë, në polici, u hapën shkolla, u ndërpre dhuna, lëvizja ishte e lirë. Në vitin 1941, kur Mit’hat Frashëri u bë themelues dhe ideator i organizatës Balli Kombëtar dhe më 1942 publikoi programin e saj “Dekalogun” e famshëm, i cili program gjeti mbështetje në të gjithë trevat shqiptare në Kërçovë do të përkrahet fuqishëm nga Mefail Shehu, i cili rreth vetes do të mbledh burrat më të mirë të besës e të pushkës që idetë e Mit’hat Frashërit do të mundohet t’i realizojë, jo duke pritur por duke vepruar në çdo moment si në organizimin politik, ashtu edhe në atë luftarak. Mefail Shehu apo siç njihet në popull, Mefaili i Madh, do të bëhet ithtari i Shqipërisë etnike ngase ai e ngriti organizatën e Ballit Kombëtar në nivelin më të lartë ushtarak dhe politik, me një strategji veprimi dhe afrimi të shqiptarëve. Ky njeri i urtë që kishte bërë pajtimin e gjaqeve, i ndjente se pushtimi fashist edhe ndryshon rrënjësisht nga pushtimi sllav i mëparshëm duhet të luftohet por gradualisht me hedhjen e idesë se lufta duhet të bëhet për Shqipërinë etnike. Qysh në fund të vitit 1941, me organizim të Mefail Shehut në Kërçovë do të paraqiten forcat e para vullnetare nën flamurin shqiptar që luftonin dhe mbronin popullatën nga çdo e keqe që mund t’iu vinte nga okupatori momental apo nga të tjerët që aspironin sërish ta shtinë Kërçovën nën ombrellën e vet. Duke parë numrin e vullnetarëve shumë të madh që paraqiteshin për çdo ditë, Mefail Shehu do të detyrohet që të merr aktivitet të ngjeshur në koordinimin e radhëve dhe organizimin e një ushtrie të rregullt, e cila do të jetë e aftë të mbrojë popullin dhe të jap kontributin e nevojshëm për të krijuar Shqipërinë etnike. Në vitin 1943 pas një vit ekzistimi të Organizatës “Balli Kombëtar”, Mefail Shehu në qendër të qytetit te “Tregu shqiptar” (deri para një viti quheshe sheshi i qytetit), organizoi një tubim gjithëpopullor, ku promovoi “Komitetin e Ballit Kombëtar” për Kërçovë. Edhepse Balli Kombëtar ishte themeluar që në vitin 1941 dhe ishin përcaktuar edhe zonat e veprimit dhe komandantët e çetave, promovimi i Komitetit në vitin 1943 ishte i një rëndësie politike, vinte si një sinjal sa për t’iu treguar forcave komuniste se ky Komitet përkrahet nga mbar popullata që edhe u dëshmua.
Mefaili i Madh zgjidhet për udhëheqës.
Në një takim të Komitetit që po mbahet në Zajaz, në vitin 1942, Mefail Shehu zgjidhet për komandant ushtarak, ku marrin pjesë përfaqësues të fiseve më të mëdha. Që nga zgjedhja e tij, ai e pa të udhës që të caktojë edhe komandantët e çetave duke ua ndarë edhe zonat e veprimit. Vetë Mefaili me çetën e tij do të veprojë në fshatrat e Zajazit e deri në Kollar, Mefaili i Vogël nga Greshnica deri në Kërçovë, ndërsa Begzat Vuli do të veprojë nga fshati Berikovë dhe deri në Garanë. Shpeshherë këto forca arrinin në numër shumë të madh gati edhe mbi 2 mijë vullnetarë kështu që duheshe që të thirret një kuvend më i gjerë gjë që Mefaili e bëri dhe në tetor të vitit 1943, në Zajaz u thirr kuvendi ku u vendos që udhëheqës i Komitetit të Ballit Kombëtar të jetë Mefail Shehu, si zëvendës të jetë Mefaili i Vogël, arkëtar Begzat Vuli, ndërsa nënprefekt Skënder Presheva. Me këtë rast Mefaili të pranishmëve do t’iu thotë: Tanimë të gjithë e dimë se përse duhet të luftojmë. Është koha që gjaku jonë të mos derdhet kot, por të luftojmë për idealin e bashkimit në udhën e Lidhjes së Parë dhe të Dytë të Prizreut dhe të burrave si Abdyl e Mit’hat Frashëri, të luftojmë për Shqipërinë Etnike.
Mefaili nuk do të pajtohet me okupimin italian dhe ai që nga viti 1939 do të dalë kaçak. Shumë shpejt do të bëhet i dashur dhe i adhuruar nga të gjithë për urtësi, trimëri e guxim. Ai nuk do të bijë pre edhe e lajkave dhe joshjeve të ndryshme dhe e as intrigave komuniste. Në Zajaz dhe Kërçovë do të vinë emisarë të ndryshëm nga Shqipëria, për ta bind që të heq dorë nga idealet e tij, por ai asnjëherë nuk do të lejojë që t’i nëpërkëmbet ideali dhe dinjiteti dhe me urtësi i përcjell, duke u thënë se: udha e komunizmit është e gabuar, këtë kush do të mbesë gjallë ka për parë. Edhe një takim Mefaili e pati me komunistë shqiptarë te “Gurra e Kaçakëve” afër Tajmishtit, ku merrnin pjesë Tomë Gjela dhe Ibe Palikuqi, që deshën ta bindin që të kthehet kah ana e partizanëve. Dëshmitarët thonë se Mefaili u ka thënë: “ju jeni shumë të rinj, më dhimbej që nuk luftoni për Shqipëri, rruga juaj është e gabuar, nëse nuk e doni Shqipërinë, më mirë është të rrini në shtëpi”. Takimi tjetër është bërë pa prezencn e Mefail Shehut, kur Hamdin, Dema ka thirr familje shumë të mëdha që të mos i shkojnë komandantit për fjale por, edhe Hamdin Dema ka dështuar. Të gjithë këto flasin për aftësinë, afërsinë dhe strategjinë me të cilën ka punuar me luftëtarët Mefail Shehu. Dëshmitarë okularë thonë se në vendin e quajtur Zabel në Zajaz, ka pas një takim në mes të partizanëve dhe luftëtarëve të “Ballit Kombëtar” dhe ka qenë shumë afër që të pajtohen, por që flamuri shqiptar të jetë në anën e djathtë. Por komunistët menjëherë e prishën marrëveshjen dhe Mefaili u drejtohet luftëtarëve të vet dhe disa partizanëve shqiptarë, duke u thënë: “në bëfshim vëllazërim me sllavët, na mallkon gjaku i pafajshëm që është derdhur, na mallkojnë nënat që nuk jua dinë varret, na mallkojnë bunaret e mbushura me kokat e familjarëve tanë, ai që ka guxim të ther një fëmijë, nuk ka besë, kjo u dëshmua edhe sot. Udha jonë është Shqipëria etnike, nuk ka rrugë tjetër”.
 
Ai u bë tmerri i forcave komuniste
 
Mefaili në radhët e veta mbante vetëm vullnetarë dhe trima të bindur e të sprovuar në beteja. Ai nuk luftoi vetëm në Zajaz, por edhe në Shkup, Gostivar, Dibër gjithkund ku ishte i nevojshëm. Trimat e tij ishin shumë besnikë dhe të bindur në atë çka bënin. Të udhëhequr nga një ideal i lartë, ata nuk binin në kurthe të ndryshme çka po përgatitnin komunistët dhe nuk hakmerreshin me vrasje të të pafajshëmve dhe djegien e shtëpive, si bënin partizanët sa herë iu jepeshe rasti. Robërit e luftës që i zinte ai, i lëshonte, duke ju thënë: “shkoni në shtëpi dhe mos ejani në këto anë, këtu janë shtëpitë tona, arat tona, malet, lumenjtë dhe fushat tona”. Komandanti me vete mbante 60 deri në 80 luftëtarë, por kur kishte nevojë, me atë shkonin edhe të rinjtë. Në Zajaz vepronte edhe Organizata e “Rinisë së Ballit Kombëtar”, çka ishte një ndihmë shumë e madhe në përhapjen e idesë për luftën që bënte Balli Kombëtar. Disaherë partizanët ishin munduar që ta shtinë në dorë Kërçovën, por nuk kishin pas sukses. Kërçova mbrohej në të shumtën e rasteve nga komandantët, si Begzat Vuli, Sali Raxha dhe Habib Kaleshi që ishin ndër më të besueshmit e Mefail Shehut. Begzat Vuli dhe Habib Kaleshi bien heroikisht në fund të vitit 1943, kur Kërçova sulmohet me 4 brigada në mungesë të dy Mefailave që ishin në ndihmë të Xhemë Gostivarit, ndërsa Sali Raxha do të zihet i gjallë dhe do të zhduket në vitin 1945. Në luftë të drejtpërdrejt me partizanët janë vrarë shumë pak luftëtarë të Mefilit. Ndërsa në Kërçovë, sipas të dhënave zyrtare, janë vrarë 442 partizanë. Numri prej 442 nuk është i saktë, ngase nuk jepen të dhëna për brigadat malazeze që lanë shumicën luftëtarëve në një rast kur tentuan që të marrin Kërçovën. Këto të dhëna shtrembërohen (në librin “Slobodata beše nivniot ideal”) me qëllim, ngase nuk jepen të vrarit e brigadave malazeze si dhe partizanët që ranë në betejën e fundit në nëntor të vitit 1944. Në këtë betejë kanë mbetur shumë partizanë të vrarë dhe kjo u tregua në fund kur ato ia filluan që të hakmerren me egërsinë më të madhe, duke djegur e dëbuar të gjithë popullatën civile në drejtim të Gostivarit. Mënyra se si silleshin me popullsinë shqiptare pushtetarët e rinj komunistë, tregonte për një barazim të numrave të të vrarëve, andaj ato këtë e bënë me të burgosurit që i merrnin pas ripushtimit të Kërçovës.

Asnjë ballist nuk u vra jashtë tokave shqiptare

Lufta ideologjike bëri që në Kërçovë të vriten partizanë nga anë të ndryshme të vendit. Në okupimin e Kërçovës do të vriten shumë partizanë edhe atë nga Ohri 60, Struga 13, Manastiri 6, Krusheva 20, Brodi 21, Gostivari 8, Tetova 4, Demir Hisari 7, Negotina 2, Gjevgjelia 7, Prilepi 21, Resnja 6, Dibra 6, Ferizaj 3, Prishtina 5, Peja 5, Serbia 5, Bosnja 2, Sllovenia 2 si dhe shumë të tjerë nga Kërçova që ky numër edhe pse është 442, nuk është real, pa i përfshirë ata që e lanë jetën në nëtorin e 1944 dhe tri brigadat malazeze, të cilat mezi arritën të shpëtojnë të përgjysmuara. Përderisa në Kërçovë gjetën vdekjen shumë të rinj të mashtruar ideologjikisht, ky mashtrim nuk ishte në anën e luftëtarëve të Ballit Kombëtar, të cilët nuk shkuan që të vdesin në vende të huaja. Të gjithë luftëtarët e Mefail Shehut ranë heroikisht, duke mbrojtur vendin e vet për idealin më të lartë, bërjen e “Shqipërisë etnike”. Nga Zajazi vetëm një ballist ka rënë në Dibër, disa në Gostivar dhe Shkup, që është një dëshmi se shqiptarët nuk sulminin dhe okuponin tokë të huaj. Me këtë rast, Mefaili kur u ripushtua Zajazi dhe Kërçova bashkëluftëtarëve të vet do t’u drejtohet: “ne bëmë të gjithë atë që mundëm, luftuam si burrat dhe ata që ranë si heronj dhe nuk vdiqën për interesa të huaja, se vdiqën duke mbrojt dinjitetin, nderin dhe me flamurin tonë kombëtar. Tashti kur kemi situatë tjetër, do të duhet të mendojmë dhe të kuvendojmë më ndryshe. Kush dëshiron që të vazhdojë të rezistoj, do të mbetet me mua, por tani në grupe të vogla, kush dëshiron të dalë jashtë, do t’i ndihmoj me shokët që kam gjithandej, por një gjë duhet ta dini dhe të jeni të bindur se ata dinë të mashtrojnë dhe hakmarrja e tyre është primitive. Vëllezër, unë nuk mendoj që të largohem nga Zajazi, se edhe kështu si jemi tani, ne do ta mbrojmë popullin nga ndonjë masakër? (Nexhbedin Rushiti, Mefail Selimi bashkëluftëtarë që janë gjallë).
Në nëntor të vitit 1945, çeta e Mefail Zajazit, që nuk kishte më shumë se 30 veta, do të bie në pritë dhe do të vritet me armë në dorë Mefail Zajazi bashkë me dy luftëtarë të tjerë, njëri nga Kollara dhe tjetri nga Gjirokastra. Pas rënies së tij heroike, pushteti i ri komunist, do t’i pushkatojë gati të gjithë të burgosurit që akoma ndodheshin nëpër burgjet e Kërçovës.
Mefaili mbeti më i dashuri dhe më i adhuruari në popull.
Edhe para rënies së tij si dhe pas rënies, popullata e Kërçovës ishte duke përjetuar ditë të rënda. Njerëzit jetonin më shumë nëpër kasolle, pasi që shtëpitë ju ishin djegur. Ai që kishte shtëpi, nuk guxonte që të strehojë ata që jua kishin djegur. Për çdo ditë varroseshin viktima të urisë, ftohtit dhe tifos. Pushteti përveç pushkatimeve që bënte pa gjyqe, kishte përhapur sëmundjen e tifos në masë: kur lëshonte nga ndonjë të burgosur dhe kështu përfundonin edhe familje të tëra. Hakmarrja ishte e tmerrshme, populli këtë e dinte se e kishte përjetuar vite më parë. Pushteti ushtarak bënte të veten, sikur deshi të barazojë të vrarit partizanë në luftë me civilët shqiptarë të burgosur. Ata nuk ishin robër lufte, ishin mbledhur pas përfundimit, por pushkatoheshin pa gjyqe. Ky veprim i tyre zgjati dy vite të tëra, që nga fundi i 1944 deri në fund të vitit 1946. Edhe në këtë gjendje të krijuar, askush nuk e mallkoi apo t’i thotë e të mendojë keq për Mefailin. Ai edhe në vazhdim mbeti si njeriu më i dashur në mbarë trevën e Kërçovës. Për veprën e tij dhe për “Ballin Kombëtar” nga pushteti komunist janë thënë të gjitha të këqijat, por ai akoma adhurohet nga populli dhe mbetet nacionalisti më i çiltër që diti të luftojë dhe dha jetën për idealin e shenjtë “Shqipërinë etnike”. Për veprën e Mefail Shehut, shumë dihet, por shumë pak është thënë, e megjithatë fotografia e tij tani është nëpër shumë dhoma të shtëpive të Kërçovës.



(Vota: 19 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx