Faleminderit
Baki Ymeri: Gostivarliu që e pa mbretin dhe mbretëreshën
E merkure, 11.11.2009, 08:59 PM
Gostivarliu që e pa mbretin dhe mbretëreshënNga Baki Ymeri
Nga gostivarlinjtë e Bukureshtit, më i njohur ishte Halit Emini nga Llakavica. Jetoi ndërmjet viteve 1865-1925. Është autor i një ditari me kujtime të shkruara në të dy gjuhët: shqip e rumanisht. Ende nuk dihet se ç’u bë me fatin e tij. E ka përmendur këtë rast, edhe dr. Hasan Kaleshi, edhe Haki Selimi, ky i fundit, gazetar i Flakës. Është fjala për një dorëshkrim të rëndësishëm, të një rilindasi që fliste shqip, rumanisht, maqedonisht, serbokroatisht, turqisht, persisht dhe frengjisht. Sabri Selmani (1900-1995), ishte nga Llapushniku. Jetoi në Bukuresht, 95 vjet. U lind atë vit kur vdiq Naimi, më 1900. I admironte shkrimtarët rumunë dhe krijonte shqip këngë origjinale me motive përmallimi. Deri në çastet e fundit, për të përkujdesej një kushërirë e gruas: zonja Mia. Kurmi i tij prehet në varrezat e krishtera “Gjençea” të Bukureshtit, siç prehet edhe Bajram Shabani në varrezat ortodokse të Bushtenit, apo Lazim Rexhepoi në ato të Piatra Neamcit në Moldovë. Varret e tyre i stolis edhe kryqi, edhe hëna, ngase nuk i mundonte virusi antikristian i krokodilave të internetit që janë duke ia bërë sherrin Kosovës, Shqipërisë dhe Çamërisë, të ndodhur tashmë në shënjestër të faktorit qeveritar për zbulim, identifikim
![]() |
| Fan S. Noli mes shqiptareve te Brailes (1911) |
Shqiptari i Llapushnikut, që në kohën e mbretërisë ishte menaxher i restoranit Gara de Nord, kishte njohur përgjatë jetës së vet, dijetarin Nikolla Jorga dhe kryeministrin Duka, ky i fundit me prejardhje shqiptare. Duka vjente në restoranin tonë, ngase njihej me patronin. “Së trëic domnule Ministru!” (Të na rroni, Zoti Ministër!”, i thoshte patroni kur e shihte. “Çe faç mëj turkule!” (Ç’bën mor turk!), e pyeste ministri shqiptarin e Llapushnikut, sa herë që e shihte në restoran. Sabriu e ka njohur atë kohë edhe Ministrin e Jashtëm të Rumanisë, Nikulae Tituleskun, njërin nga diplomatët më të mëdhenj të Evropës, dashamir i madh i popullit shqiptar. “Mos e arritsha mëngjezin nëse të gënjej, na thoshte xhaxhi Sabri: Nikulae Titulesku dy herë më ka dhënë nga njëmijë leja. “Ishin goxha para ato”, na thot dhe shton:.
“Nikolla Jorga vjente në Sallonin Mbretëror, që gjendej përballë postës telefonike. Salloni ishte i shtruar me qylima persanë. E kam njohur edhe majorin Eftimiu, një vllah që kishte restorantin e stacionit hekurudhor Gara de Nord. E kam parë poashtu edhe Mbretin e Rumanisë, Mihai I. Ishte i ri asokohe. Vjente me nënën e vet, Mbretëreshën Maria, në rrugën Kalea Vktoriei nr. 85, lart në kat. Atje ishte një shtëpi e madhe e Dobërçeanut, që ishte drejtor. Dobërçeanu kishte një vajzë që çalonte dhe 20 vajza që qëndisnin flamuj për regjimentet e Mbretërisë. Mbretëresha Maria, pas vdekjes se burrit, vjente në Kalea Viktoriei me automobil, me shoferin e saj dhe agjutantin që ia çelte derën. Mbreti mbante një baskë në kokë dhe pantallona të shkurtëra. E mbaj mend edhe njëfarë Davidesku. Ishte njeriu i mbretit. Gruaja e tij ishte nga i njëjti fshat me gruan time, nga komuna Kondeesht, rrethi i Jalomicës. Davidesku e ka pagëzuar gruan time. Ishte edhe një djalë të cilin e pat pagëzuar: Puju Dumitresku. Dumitresku ishte sekretari privat i Mbretit. Davidesku ishte ushtar, dhe kur e kreu ushtrinë, mbreti e mori pranë vetes. Mori tri gjermanë dhe Davideskun. Pas shpinës së Pallatit Mbretëror, gjendet një shtëpi me kate. Atje vinin mbreti Karol i Rumanisë dhe Davidesku i fshatit të gruas sime. Unë kam banuar pranë tij, në rrugën Kalea Viktoriei, karshi Kishës së Bardhë (Biserika Alba)”.
“M’ka marrë malli me ni shqiptar t’ foli shqip”
| Nikolla Gjergj Pallamida, president i Komunitetit Ortodoks Shqiptar te Bukureshtit |
Në bazë të një dokumenti që e gjetëm këto ditë, na jepet rasti t’i sqarojmë disa gjëra. Fjala është për periudhën e marsit të vitit 1941, kur patën ngjarë do trazira rrënqethëse të legjionarëve fashistë kundër të huajve, përkatësisht kundër hebrenjve: thyerje shtëpishë, djegje dyqanesh, sulme bestiale, madje edhe gjakderdhje. Është e qartë, thekson prof.univ. dr. Ilie Puia, se “në mbarim të vitit 1940 dhe fillim të vitit 1941, kanë ngjarë evenimente të përgjakshme, të krimit dhe ahmarrjes, në të cilat i vetmi argument i dialogut të legjionarëve me pushtetin dhe popullin, ka qenë pistoleta”. Atë që e bënë ksenofobët e tërbuar të Manastirit kundër shqiptarëve të pafajshëm para disa vitesh (2001), legjionarët e Horia Simës e kishin bërë në Bukuresht, qysh para 60 vitesh. Sa për ilustrim, lidhur me pafajshmërinë e shqiptarit të Llapushnikut, po e japim për herë të parë, tekstin e një dokumenti autentik, të pronarit të restoranit “Bukureshti-Nord”, N. Poenaru:
“24 Mars 1941. Zotërisë së Tij, Zotit Prefekt i Prefekturës së Policisë të Kryeqytetit. Bukuresht. Zoti Prefekt, Funksionari im, Sabri Selmanoviçi, është i reklamuar te Zotëria Juaj, gjoja se ka marrë pjesë në çrregullimet e rebelimit fatkeq. Me respekt të veçantë, Jua bëj të ditur se ky funksionar është në shërbimin tim, nga viti 1932, duke patur funksionin e kasierit – pra, të njeriut të besueshëm. Në ditët e 21-25 Mars të vitit 1941, nga vetë inisiativa, ua kemi sevuar tryezën falas 180 ushtarëve të trupës dhe oficerëve, në drekë e darkë, zoti Sabri Selmanoviçi, duke qenë me prejardhje turke dhe nënshtetas rumun, ka qenë i deleguar nga ana ime për ndarjen e ushqimit, zotëria e tij duke i dhënë secilit ushtar bukën ndërsa kuzhinieri Lëzëresku ua ka servuar çorbën në ditët e sipërpërmendura, si në drekë po edhe në darkë. Zotëria e tij ushtron shërbimet në orët vijuese: në mëngjez nga ora 5-3, dhe në mbrëmje, nga ora 7-12 natën, dhe këtë në mënyrë permanente, duke patur pranë atributeve të kasës, edhe atë të udhëheqjes së krejt personalit të restoranit. Zotëria e tij nuk ka munguar nga shërbimi, duke qenë personalisht i njohur nga organet e Shtetit të Gara de Nordit: Polici, CFR, Mjeksia, Pranim-nisje, Doganë, etj. Shakasë me shije të budallaftë që i vihet në shpinë zotërisë së Tij, i mungon krejt serioziteti dhe Ju lutem respektësisht, po qe se të lartëpërmendurat nuk janë të mjaftueshme, do t’iu kërkoj zotërinjve oficerë me të cilët kam bërë ndarjen e ushqimit në ditët e rebelimit, një dëshmi nga ana e tyre dhe e organeve policore të Gara de Nordit. Pranoni, Ju lutem, Zoti Prefekt, sigurimin e nderimeve tona të veçanta. Nënshkruan: N. Poenaru” (kopja e origjinalit në gjuhën rumune, gjendet në koleksionet tona - B.Y.).
Shqiptarët ishin të njohur për trimëri dhe besnikëri
Dokumenti në fjalë është një nga dëshmitë bindëse se shqiptarët u kanë ikur implikimeve politike në veri të Danubit. Ndërmjet viteve 1942-47, Sabri Selmanin e gjejmë në Birrarinë Qëndrore, ku do të vazhdojë të punojë si pensionist, deri në vitin 1987. Kishte një respekt të hatashëm ndaj Jusuf Hamzait të Siniçanit (që ishte mik i ngushtë me ish-presidentin e Rumanisë, Gjorgje Gjorgjiu Dezh), i varrosur në varrezat turke, edhepse nuk ishte turk, por ishte e drejtë e familjes së tij ta varrosin atje ku e ka lënë amanetin për së gjalli. Çfarë shqiptari i hatashëm ishte Jusufi, na thoshte Sabriu dhe shtonte se “Jusuf Hamzanë e njihnin me emrin Gjorgje Ivanesku, mua më njihnin me emrin Nenea Mishu, ndërsa babain tim, Kadri Selmanin, e njihnin me pseudonimin Gogu Radulesku. Pse? Ngase në bazë të burimeve historike, rumunët e dinin se shqiptarët nuk janë myslimanë por gjak i gjakut të Skënderbeut që ka zhvilluar 25 beteja kundër hordhive osmane në ballkan.”
Na fliste pastaj për ata që ia kishin hangër hakun, për ata që e kishin harruar, për Kadriun dhe Hasipin që kanë patur dyqan në Jallomicë, për shqiptarët që i zunë rob kur nisi lufta, për babain e vet që shkonte nga pijetorja në pijetore dhe vjente i dehur në mesnatë, për hamallët shqiptarë “që e bajshin mallin në shpinë”. Gjyshi i tij, Selman Tusha, dyzet vjet ka qenë plak katundi. Ai kishte tri djem: Hasipin, që ia prenë kryet hajdutët në Rumani, Xhemalin dhe Kadriun. Baba i tij, Kadriu, ka qenë pronar i restoranit “Gogu Radulesku” në Këmpina (1928-30). “Ishte patron, por edhe pijanec. Si pasojë e zullumeve të t’et, i njohur si kurvar, vrasës dhe hapsanexhi, Sabriu e braktis Këmpinën dhe vjen në Bukuresht, ku inkuadrohet si hysmiqar. Fiton ca para dhe kthehet në vendlindje, prej nga rikthehet në Silishte, ku e mban duqanin deri në vitin vitin 1937. Pastaj shkon në komunën Grindu, ku ia lë dyqanin Haqifit dhe vjen në Bukuresht.
“Ktu u martova. Vllaznit nouk e lishin gjruen t’voje me mu, se nok i dojshin muslimanët. Ju i mshefni gjrat ene i rrehni kur t’doni, m’thojshin”. Në Bukuresht ka patur dy shtëpi, por kur hynë komunistët, njërën ia prishën, tjetrën u detyrua ta shesë për pak para. Nuk u konvenonte të kesh pronë private, por u konvenonte të punosh për ta, për një rrogë qesharake, komuniste. Se puna është emblemë nderi dhe krenarie, dëshmon edhe shembulli i Sabriut: 17 vjet ka punuar në fabrikën e çokolladave “Dobroxheanu” që gjendej në rrrugën Kalea Viktoriei, në atë rrugë të famshme të Bukureshtit ku gjendet hoteli Kontinental i Ismail Qemalit. 10 vjet ka udhëhequr kasën dhe personelin e restoranit “Poenaru” në Gara de Nord dhe 17 vjet ka punuar në Birrarinë Qëndrore, në Sfëntu Gjeorgje (Shën Gjergji). Vetëm në Bukuresht, ka punuar gjithsejt 44 vjet, plus punët e tjera që ka kryer si manifakturant, nëpër provincë.
“Kur kum ardh une n’Vllajak, te ne hini bullgari. Më 1916-tën, na murrën angari. Ato xhi kishin 15 vet e tërma, i mirshin. Une kisha 16 vet, po hika pi agje se na ndjekshin serbët, shkova n’Manastejër, pi agje n’Greqi, masdandej erdha n’Molldovë, n’Marashesht e n’Bukuresht. Jerdha ktou se ktou e kum pas babën. Kjo dynja a jallan dynja, njani vojn, qetri shkon. Aj xhi vojn e presim tuj këndu, aj xhi shkon e përcejllim tuj vajtu. Çish kum kan e çish kum mbet: me njerëz t’mëjër e me t’kçi; me orospaja e me hajduta; me xhip e me ministra. Vojte patroni Poenaru e m’thojte: Shko ktu e shko atje. Mu m’çojshin kahmos, njën te ministri. Kishin besim t’madh te shiptarët. Po çfar besimi kan gjemt e haxhi Beqirit të Gostivarit xhi m’kan harru!”
E këtillë ishte jeta e mërgimtarit zemërgjerë të Llapushnikut, që ka dashur 100 gra, që u ka gjetur punë, edhe shqiptarëve, edhe turqve, edhe rumunëve, edhe bullgarëve të Maqedonisë që tash deklarohen si maqedonë. Na fliste edhe për doktor Topën, që ishte asokohe shef i Sitalit të Urgjencës dhe funksionar i Ministrisë së Punës. Bullgarët e furnizonin Bukureshtin me prodhime qumshtore, ndërsa shqiptarët me ëmbëlsira, besnikëri dhe trimëri. Muret e dhomës ku banonte me zonjën Maria, ishin të stolisura me fotografi e me vargje që i kish krijuar në gjuhën rumune, nën ndikimin e folklorit. Motivi elementar: nostalgjia ndaj vendlindjes. Dëshira e vetme e tij ishte të kthehet në vilat e të japë atje frymën e fundit. Nuk ka gjë më të keqe se sa të jesh e vetmuar në vend të huaj, na thot sot, një korçarkë e këtushme (Dhorka (Dishnica) Kristesku. Jeta e përbujshme e Sabri Selmanit, dashuritë dhe përmallimet e tij, defilojnë në do vargje nostalgjike, që i krijonte atypëraty:
“Trandafil qi po çel vetë/ Pse më çove në gurbet?/ Në gurbet e n’Rumani/ Hupa vilat, hupa shpi,/ Hupa miq e miqsi.// Punova sa punova./ Di shpaja i marova./ Bana darsëm e u martova./ Jum martu me niçin gra./ Kush nuk ze bes, le të vije me i pa!/ Niçin gra i kum pagu/ Tum qajn e tum vajtojn mu./ Mu s’ka kush tum qaje/ Raj kujtohem, nuk e di/ Si m’harut ju nejpët e mi./ Nuk kam vlla e nuk kam motër,/ Nuk kam motër e nuk kam vlla,/ Nuk kam gajlen kuj me ja qa,/ M’ka marr malli me u pa,/ M’hipën vaja e za me qa”.
Komentoni
Artikuj te tjere
Faruk Tasholli: Me tetovarët në Gjermani - Në Tetovë të kesh shtëpi
Eduard M. Dilo: Prof. Dr. Safete S. Juka , figurë e madhe kombëtare...
Arsim Halili: Plejadë pavdekësie
Ferit Ramadani: Tribunit të Lirisë
Mexhid Yvejsi: Mulla Iljaz Spahia
Lekë Dukagjini, cili ishte njeriu i Kanunit?
Ju paraqesim veteranët e arsimit - Tahir Z.Berisha
Jani Dilo, një jetë kushtuar çështjes sonë kombëtare
Halit Bogaj: Toni Bler
Mexhid Yvejsi: Fadil Rashiti
Faruk Tasholli: Me tetovarët në Gjermani - Shtëpia e zotit dhe e shqiptarëve të mërguar
Halit Bogaj: Medlin Ollbrajt
Baki Ymeri: Shqiptarë të harruar të Bukureshtit: Foqion Miçiaço (1904-1977)
Mexhid Yvejsi: Arben Hyseni
Faruk Tasholli: Me tetovarët në Gjermani - Anesteziologu Dr. Lirim Vela
Milazim Kadriu: Zahir Pajaziti është një nga themeluesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së
Milazim Kadriu: Përkujtohen dëshmorët Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
Vangjush Ziko: Portreti i një mediatori kulturor të përkushtuar
Milazim Kadriu: Akademi përkujtimore për ish pjesëtarin e UÇK-së, profesorin Muhamed Aliu (Bokseri)
I. Egriu: Ne shenje te 25-vjetorit te vdekjes, përkujtojmë Mesuesin e popullit, z. Abdi Begu-Haxhiu, pishtarin e arsimit










