E enjte, 16.05.2024, 01:45 AM (GMT+1)

Faleminderit

Faruk Tasholli: Me tetovarët në Gjermani - Në Tetovë të kesh shtëpi

E merkure, 11.11.2009, 07:23 PM


FARUK TASHOLLI

ME TETOVARËT NË GJERMANI

NË TETOVË TË KESH SHTËPI

Shumë mërgimtarë shqiptarë nga Malësia e Tetovës, në vitet gjashtëdhjetë, mësynë drejt veriut, në viset ku ekonomia ishte më e zhvilluar, por edhe në shtetet perëndimore të Europës. Njerëzit që në fëmijëri i kishin marrë mësimet në shkollë për luftën e fundit, vetëm aty kishin dëgjuar emrin e Gjermanisë, ndërsa  në moshën e rinisë kur prej tyre kishte zënë jeta të kërkonte më shumë, këtë emër po e lakonin ndryshe. Burri që 37 vjet më parë ka lindur në Gjermani, Lirim Destani, në qytetin e Stolbergut përfytyron hijen e babës së vet Myqerem Destanit, i cili në këtë qytet kishte ardhur të punonte qysh i ri, duke lënë fshatin e lindjes, Bozofcën, të strukur atje në shpatijet e Sharrit, ku netët e dimrit ishin më të gjatë sa kurrë, ku në supet e fshatit rëndonte varfëria e paperspektiva, si bora mbi degët e drurëve të malit. Në fundin e viteve gjashtëdhjetë, Myqeremi, bashkë me të vëllain e vet Destanin, të yshtur për ta mëkëmbur ekonominë familjare dhe për të krijuar familjet e tyre, për ta zgjatur sipas zakonit  lozën e pashkëputshme të trashëgimisë në ato brigje, ku të parët e tyre kishin jetuar denbabaden, shtrëngojnë burimet e lotëve në shpirtërat e tyre djalosharë dhe nisen, në fillim drejt Zvicrës. Pasi kalojnë udhën e gjatë dhe të rëndë, ku buzëqeshjen ua kthen vetëm shpresa për t’u kthyer fitimtarë në vendlindje, për ta gëzuar vatrën prindore, nisin punën me një elan e shkathtësi të skajshme. Punojnë dhe fitimet i dërgojnë në një adresë, për ta shumë domethënëse, te babai i tyre, te Dalifi në Bozofcë. Për pak kohë familja e tyre ngrit kualitetin e jetesës por edhe fillon të mbahet zgjerimi i saj. Në ndërkohë nga Tetova vijnë edhe kontigjentet e para të punëtorëve mërgimtarë në Gjermani. Për t’u ndier më të sigurtë dhe më të fortë, Myqeremi me Destanin, pasi ua kishte bërë garancionet bashkëvendësi i tyre Nexhmi Rexhepi, në fund të vitit 1969 kalojnë në Gjermani, pikërisht në Solberg të Rajnë Vestfalisë, aty ku kishin nisur punën disa nga bashkëfshatarët e tyre, por edhe familjarë. Punën e fillojnë në një ndërmarrje sharrash, ku fillimisht përpunohet lënda e drurit. Dalëngadalë, në Stolberg, po bëhej një Bozovcë e vogël, që në heshtje po i ndiente meloditë baladike të kavalleve të Sharrit, të cilat vinin si jehonë dhe si kujtim për vendlindjen e mbetur   dy mijë kilometra larg. Por ata as që bënin mend se një ditë do të nguliteshin në Stolberg, as në vise të tjera të Gjermanisë.
Lirim Destani, fëmija i tretë i Myqerem Destanit, punëtor i kualifikuar në njërën nga fabrikat më me renome të krahinës së Rajnë Vestfalisë, në Prymmetal, jeton në qytetin e lindjes dhe punon ku ka punuar babai i tij, në pjesën më të madhe të jetës së tij prej mërgimtari. Ai është rritur e shkolluar këtu, madje për shkak të notave të larta në mësim, i ka kaluar dy klasë brenda një viti shkollor, pastaj ka bërë edhe një përvojë të gjatë pune afër njëzetëvjeçare, por në asnjë moment nuk ndihet si vendësit. Nëse bisedon me të pa ia ditur biografinë, nga e folmja e tij vendçe, mendja të thotë se ai do të ketë ardhur para dy-tri, apo pesë viteve në Gjermani. Por jo! Lirimi ka krijuar edhe familje këtu, ashtu si motra e tij Vasfija, por edhe si vëllezërit Arifi e Sevriu. Që këta fëmijë të ndjehen ashtu si janë, shqiptarë, por edhe ta mësojnë gjuhën dhe ta marrin përgjithmonë frymën e vendlindjes, Myqerem Destani, pra babai i tyre, i bie gurit e drurit, si i thonë një fjalë, deri te qëllimi suprem. Blen shtëpi në Tetovë, si këndon bukur në një nga vjershat e tij edhe poeti i asaj ane Ramadan Sinani,  dhe, kthen familjen që t’i shkollojë fëmijët shqip. Që nga viti 1977 e deri më 1979 fëmijët me nënën qëndrojnë në Tetovë. Lirimi, edhe pse ajo kohë ka mbetur larg, të freskët e sjell ndër kujtime:
- Motra dhe vëllai i madh kishin lindur në Bozofcë. Kur shkova unë me ta, dija pak shqip, por më ra që në Tetovë ta nis klasën e parë. Vazhdova edhe të dytën atje. Isha nxënës i shkëlqyeshëm. Që të tre, për pak kohë e harruam tërësisht gjuhën gjermane. Babai ishte i lumtur që iu kishim kthyer trungut tonë. Me përpjekje maksimale na mbante në Tetovë. Por edhe ne mërziteshim për të. Të vetmen shtyllë që na bënte të ndiheshim të fortë e kishim gjyshin tonë, Dalifin. Ai çdo javë zbriste nga Bozofca deri te shtëpia jonë në Tetovë, e sidomos ditën e enjte, kur në qytet ishte ditë tregu.  Ne fëmijët e prisnim me gëzim ditën e enjte, madje më me gëzim se ndonjë ditë feste, pasi gjyshi, pos që na gëzonte me buzëqeshje e përqafime, në trastën e tij sillte edhe një pjesë Bozofcë, duke i shpaluar në duart tona frutat e pemëve që piqeshin javë për javë në Malësi. Por këto dy vite të qëndrimit tonë në Tetovë, babai, pos që i përjetoi rëndë shpirtërisht, trupin e tij e goditën edhe dy fatkeqësi. Ai ishte lënduar në dy aksidente, në njërin duke shkuar në punë dhe në tjetrin në vendin e punës, ku makina ia kishte shtypur këmbën. Mundimet e tij ishin të mëdha, edhe pasojat po ashtu. I mërzitur dhe me dhembje në trup, sërish na kthen në Gjermani, për të na pasur më afër vetes, të kujdeset për ne, por edhe ta zbusë mërzinë e vet. Kur u rikthyem në fillim, si thashë, ne e kishim harruar gjuhën gjermane, ndërsa në shkollë, drejtoritë e shkollave, neve fëmijëve donin të na kthenin një klasë prapa. Por babai nuk pranoi që nuk pranoi. Iu tha drejtorive të shkollave se nëse fëmijët e mi nuk arrijnë që brenda një viti shkollor ta përvetësojnë gjuhën dhe t’i marrin mësimet sipas planprogrameve të klasave përkatëse, atëherë le të ngelin e jo tash. Për fat, në fund të vitit, që të gjithë i kaluam klasat. Babi u ndie dyfish më mirë por edhe ne ishim të gëzuar. Jeta bashkë me babain na bënte më të fortë e më të lumtur. Ai kujdesej në çdo hap që ne të shënojmë suksese në shkollë. Kur motra, Vasfija, mbaroi shkollën e mesme, nuk priti fare dhe e dërgoi në Prishtinë. Ajo atje regjistroi studimet në Degën e Gjuhës Angleze,  ku edhe arriti të absolvojë. Por, pas vitit 1981, kur ishte bërë vështirë që nga Tetova të jesh student në Prishtinë, për shkak të demonstratave të rinisë studentore që u bënë atje, motra e lë zvarrë diplomimin. Krijon familjen e vet dhe sërish kthehet në Gjermani. Kështu bëjmë edhe ne djemtë. Njëri pas tjetrit krijojmë familjet tona dhe trungu ynë familjar zgjerohet. Sot Arifi ka tre djem: Urimin, Valonin dhe Myqeremin, trashëgimtarin e emrit të babait. Unë kam vajzat Florinën dhe Albinën dhe djalin Fatosin, ndërsa Sevriu ka dy djem, Blertonin dhe Leonin. Që të gjithë i kemi nuset nga Tetova, ashtu si ka pasur dëshirë babai. Unë dhe motra kemi bërë shtëpitë tona në Gjermani. Vëllezërit tanë Arifi dhe Sevriu janë afruar të xhaxhai Lazimi dhe punojnë në ndërmarrjet e tij. Jetojmë të lumtur në një rreth familjar të lidhur ngusht. Kontaktet me shqiptarët e mërguar janë të pashkëputshme. Ata kontakte kanë bërë që ne të jemi kështu si jemi, pa u dalluar nga shqiptarët në Tetovë. Kështu këto kontakte i trashëgojmë edhe për fëmijët që i kemi, ta ruajmë qenësinë tonë sa më pastër. Por babai ynë vdiq herët. Ndoshta  dashuria e madhe për Tetovën, atë e shpuri atje. Në vitin 1998 ishte në  pushim vjetor dhe shtatë javë pasi i kaloi në shtëpi dhe dy ditë para se ta mbaronte pushimin dhe të nisej për në Gjermani, në Muajin e Bekuar të Ramazanit, pasi hëngri syfyr dhe sërish e mori gjumi, mbylli sytë përjetësisht. Ai jeton në kujtimet e familjes dhe të shokëve të punës e të mërgimit.
Por në Stolberg jetojnë edhe dhjetëra familje shqiptare nga Malësia e Sharrit. Si rrëfen Lirimi, pas insistimit tonë, fëmijët e punëtorëve të ardhur në vitet gjashtëdhjetë, pothuajse të gjithë janë martuar me  shqiptarë. Po ashtu secili prej tyre ka bërë shtëpi në Tetovë. Kështu edhe babai ynë, Myqeremi, bëri shtëpi në Tetovë, që ne fëmijët, kudo që të shkojmë nëpër botë, sërish ta kemi vatrën prindore. Tash e kemi shtëpinë trekatëshe në Tetovë, aty në Reçicën e Vogël dhe secili nga vëllezërit kemi nga një kat. Sa herë shkojmë në Tetovë, kemi ku të shkojmë, kemi me kë të takohemi, aty ku tymon oxhaku i dashur, dhe ku freskohet kujtimi për babain që nuk është më. Porosia e tij ishte: shko ku të duash, puno ku të duash, por në Tetovë të kesh shtëpi!
 Ashtu bëmë edhe ne.


(Vota: 39 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora