E premte, 02.05.2025, 08:18 AM (GMT+1)

Faleminderit

Murat Gecaj: A e njihni Dr. Safete Juka, ''Dora D'Istria e dytë shqiptare''

E merkure, 18.11.2009, 10:41 PM


Dr.Safete Juka
Dr.Safete Juka
A E NJIHNI Dr. SAFETE  JUKA, “DORA D’ISTRIA E DYTË SHQIPTARE”

(Në  4-vjetorin e vdekjes, kujtime të pabotuara të saj për të jatin )

Përgatitur nga: Prof. as. Dr. MURAT  GECAJ
publicist e studiues-Tiranë

-Cila ishte Dr. Safete Juka dhe botimet e saj
-Përse u mblodhën në Egjipt, më 1950, ish-krerët e partive politike shqiptare në emigracion?
-Kujtimet e Dr. Safete Jukës, për të jatin, ministrin e Shtetit  Musa Juka.
- Çfarë ka shkruar për  Musa Jukën, Dr. Rexhep Krasniqi?
-Roli i Musa Jukës, si kryetar Bashkie, për hyrjen në Shkodër të Qeverisë Shqiptare, në vitin 1920 dhe marrëdhëniet e mira të tij me gjeneralin francez, Bardi de Fortou.

Pak nga jeta e Dr. Safete Juka  
 
Lindi në qytetin e Shkodrës, nga prindërit Musa dhe Sofie Juka (zakonisht, në mes të emrit e mbiemrit, ka vënë shkronjën e parë të emrit të nënës, “S”). I jati ka qenë kryetar Bashkie në Shkodër, në vitet 1916-1925 dhe ministër i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, në vitet 1925-1939.
Me vendosjen e familjes në Tiranë, Safetja  mori mësimet e para në Shkollën "Nëna Mbretëreshë". Në moshën 13-vjeçare, prindërit e dërguan për studime  në Vjenë të Austrisë. Më pas, ajo shkoi në Paris, ku studioi për arkeologji, histori arti e letërsi. Në vitin 1950, u diplomua  për filozofi dhe mori “Licence et Lettres”, në Universitetin e Sorbonës.
         
Dr.Safete Juka në shtëpinë e saj, Nju Jork, mars, 1994 (Foto nga: Murat Gecaj)
Dr.Safete Juka në shtëpinë e saj, Nju Jork, mars, 1994 (Foto nga: Murat Gecaj)
Meqenëse familja e Safetes ndodhej në emigracionj, në Egjipt, shkoi pranë tyre. Në Aleksandri dha disa vjet mësime historie në Liceun Francez. Në vitin 1956  u vendos  në Nju Jork të SHBA-ve. Aty, për afër dy dhjetëvjeçarë, dha mësime gjuhe, gjermanisht e frëngjisht, në “Fieldstone School”. Më 1970 u emërua profesoreshë në “Lehigh University”, të Pensilvanisë, ku dha letërsinë franceze të shekujve 19-të e 20-të.

Krahas detyrës si mësimdhënëse, u mor me studime e botime të ndryshme. Artikujt dhe esetë e saj janë botuar në disa revista te njohura shkencore: Réalités ("G. Rouault peintre des âmes"), Ecrits de Paris ("Le mythe de l'âge d'ore et le mythe de mémorie chez Mircea Eliade"), South Asian Revieë ("The 'self' in Marcel Proust's Remembrance of things Past"), Les Letters Romanes (Christianisme et sentiment de la nature chez André Suarès et chez Georges Rouault").

Dr. Safete Juka ka dhënë ndihmesën e saj të çmuar për përkthimin e artikujve nga shqipja në anglisht dhe frëngjisht. Një botim i saj me interes është libri “Golgota shqiptare”. Ndërsa në vitin 1984, u botua në Nju Jork,  në gjuhën angleze, eseja e saj "Kosova, The Albanians in Yugoslavia in Light of Historical Documents"(“Kosova shqiptare…,nën  dritën e dokumenteve historike”). Ka përkthyer nga anglishtja librin e autorit austriak, Leo Aleksandër Freundlih, “Golgotta shqiptare”. Aty flitet me fakte për barabarizmat  serbe mbi shqiptarët e Kosovës.
Dr. Safete Juka ndërroi jetë në moshën 80-vjeçare, në Nju Jork të SHBA-ve, në nëntor të vitit 2005. Trupi i saj prehet në varrezat e Shkodrës, pranë prindërve dhe vëllait, Fiqretit.
Opinioni publik, në Shqipëri dhe më gjerë, është njohur në qershor të këtij viti me një letër të Lume Jukës, banuese në Nju Jork, dërguar Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Ajo fliste për amanetin e dhuratën e paçmuar të Dr. Safete Jukës, shumën prej 40 mijë dollarë amerikanë, për pasurimin e fondeve të saj.
Siç tregon e motra, Lumja, në një intervistë, ajo thoshte: "Unë kam shumë besim në popullin tim dhe mbaj në vetëvete një shpresë të thellë, se të rinjtë e sotëm shqiptarë, djem e vajza, kanë me pasë mundësira të krijojnë e të prodhojën dhe,  kur të rriten, do të kenë çfarë të tregojnë  për jetën dhe krijimtarirë e tyre, gjëra më të vlefshme, se kam unë sot".
Për veprimtarinë e shumanshme dhe atdhetarizmin e saj, me të drejtë, Dr. Safete Jukën e kanë quajtur, “Dora D’Istria e dytë shqiptare”

Kopertina e librit për Kosovën
Kopertina e librit për Kosovën
Si u njoha unë, me Dr. Safete Jukën


Vetëm pas ardhjes së Demokracisë në Shqipëri, u bë e mundur lëvizja e lirë e shqiptarëve jashtë vendit tonë. Kështu, në vitet 1993 e 1994, pata dhe unë rastin të shkoja e të qëndroja në Nju Jork, për disa muaj. Ndër të tjera, m’u krijua mundësia të vizitoja shtetet e ndryshme të këtij qyteti gjigand dhe udhëtova deri afër Bostonit. Më ka mbetur në mendje fakti se emigrantët shqiptarë ishin mjaft të përmalluar e të etur për të mësuar  çdo gjë për Atedhun, nga ishin larguar në kohë të ndryshme dhe, gjithashtu, për arsye të ndryshme. Por dihet se rregjimi i diktaturës komuniste ua kishte ndaluar me ligjë këtë të drejtë njerëzore e parësore.
U njoha, takova e bisedova me shumë emigrantë shqiptarë, të vjetër e të rinj, pra të periudhave të ndryshme kohore. Gjithashtu, mora pjesë në veprimtari të ndryshme, familjare e shoqërore. Por ruaj kujtimet më të mira dhe për një intelektuale të shquar, për atdhetaren e studiuesen e palodhur, Safete  Juka, e cila kishte fituar grandën “Doktore e Shkencave”. Së bashku, kemi qenë në një veprimtari  pranë selisë së  Republikës së Shqipërisë në OKB. Kemi vizituar bashkë  dhe ekspozitën e piktorit Zoi Shyti, ku Dr. Safetja më njohu me pedagogun shqiptar
                       
David Abdyli. Më vonë, ky intelektual erdhi në Shqipëri për disa vjet, me detyrën drejtor i Fondacionit të njohur “Soros”. Gjithashtu, aty takova dhe disa studentë shqiptarë në “Pesë University”, të cilët ishin ta shkëlqyer. Ndër ta, ishte dhe Mid’hat Gashi, nga Kukësi.
Por më e paharruara për mua gjatë asaj kohe, ishte vizita në shtëpinë e thjeshtë të Dr. Safete Juka. Përveç pritjes bujare në atë banesë me qera, ajo më  foli për prindërit e saj, për punën e përkushtuar në studimet  për Shqipërinë dhe sidomos për Kosovën. Për këtë, ajo më dhuroi dhe një libër të saj anglisht. Synimi i saj kryesor kishte qenë që ta bënte sa më të njohur problemin e Kosovës ndër  studiuesit e lexuesit e huaj.
Pa kthimit tim në Shqipëri, kam shkruar në shtyp për Dr. Safete Jukën. Por kam pasur kënaqësinë që të mbajmë letërkëmbim dhe të takohemi në Tiranë, kur ajo bëri këtu një vizitë të shkurtër.
Dr. Safete Juka ndërroi jetë në Nju Jork, në nëntor 2005. Në plotësim të amanetit , që kishte lënë, u bë e mundur që ajo të varrosej në qytetin e saj të dashur, në Shkodër, ku prehen eshtrat e saj.
Pa u zgjatur, dëshiroj të tregoj se, një ndër shkrimet e Dr. Safete Jukës, që më ka dhënë në atë kohë në Nju Jork,  janë kujtimet e saj, me sa di unë  të pabotuara deri sot, kushtuar të jatit, Musa Juka, ish-ministër  në kohën e  A.Zogut.
Më poshtë po e paraqes në gjuhën letrare kujtimin e saj, pasi ajo e kishte shkruar në gegërisht.

“KUJTIME  PËR  BABAIN  TIM,  MUSA JUKA”

Dr. SAFETE  S. JUKA
Nju Jork, mars 1994

Musa Juka, ish-ministër i Brendshëm në Qeverinë e A.Zogut
Musa Juka, ish-ministër i Brendshëm në Qeverinë e A.Zogut
Mbas Luftës së Dytë Botërore, familja ime u vendos në Aleksandri të Egjiptit. Aty ishin vendosur familje të njohura europiane, gjithashtu edhe disa monarkë. Të tillë ishin: Umbertoja i Italisë, Simeoni I Bullgarisë dhe e ëma, Mbrëtëresha Xhovana.

Në Aleksandri u vendos edhe Mbreti Zog, që u prit me nderime të posaçme nga Mbreti i Egjiptit, i cili, siç dihet, ka qenë me origjinë shqiptare.
Rreth vitit 1950, erdhën në Egjipt disa personalitete të shquara shqiptare, si përfaqësues partishë të ndryshme politike. Ndër ta, ishin Ernest Koliqi, Koço Muka, M.Merlika-Kruja e të tjerë.  Erdhën që të takoheshin me Mbretin Zog, me qëllim që të bashkonin partitë politike.  Ata patën biseduar edhe me tim atë. Ata treguan interesim të madh për disa ngjarje të së kaluarës. Ngulmuan shumë që babai t’i shkruante kujtimet e tij. Më vonë ngulmova edhe unë. Babai, atëherë, filloi që të m’i diktonte këto kujtime. Mjerisht, shëndeti i tij, i cili ishte i mirë atëherë, u keqësua dhe ai ndëërroi jetë, më 1955, pa mundur ta mbaronte diktimin, që kishte filluar.
Sa e sa herë kam ndie keqardhje, që mbetën të palpotësuara tregimet e sa e sa ngjarjeve, të lidhura me karrierën e tij të gjatë, jo vetëm si Ministër Shteti, por dhe si kryetar Bashkie në Shkodër. Kështu, po përmend vetëm një rast.

Më 1980, Dr.R. Krasniqi botoi në gazetën “Shqiptari  i Lirë” një artikull të gjatë, me kujtime nga fëmijëria, artikull që kishte të bënte me gjendjen e vështirë të Shqipërisë gjatë Luftës së Parë Botërore dhe deri nga fundi i vitit 1920. Dr. Krasniqi theksonte faktin se Shqipëria e vërtetë u krijua më 1913, por se shpejt mbas krijimit të saj, plasi Lufta e Parë Botërore. Qeveria e formuar në Vlorë nga I.Qemali dhe ajo e Princ Vidit në Durrës, u shpërndanë. Duke qenë pa qeveri, Shqipëria nuk mund ta deklaronte veten, me një anë të konfliktit ose me një tjetër. Kështu, ajo u shkel nga ushtri të ndryshme. Në Shqipëri hynë, si hyhet në një shtëpi pa zot: italianët, sërbët, malazezët, austriakët, francezët, grekët.  Gjithësecili nga këto pushtete kërkonte të grabiste diçka, në mënyrë që Shqipërisë vetë të mos i mbetej më asnjë send.  Për këtë qëllim, ata bënin çmos për të shti grindje në mes të shqiptarëve e për t’i përçarë. Kjo situatë e vështirë vazhdoi mbas  luftës.
Në këto rrethana shumë të vështira, disa personalitete shqiptarë u mblodhën në Lushnje, në shkurt 1920, në një Kuvend, që mori formën e një Kongresi Kushtetues Kombëtar. Ky Kongres hapi rrugën për bashkimin e riorganizimin e Shtetit Shqiptar. Si rrjedhim i këtij Kongresi, u formua Qeveria Legale Shqiptare, me Sulejman Delvinën si Kryeministër e A.Zogun si ministër i Brendshëm.  Qendër e kësaj Qeverie u bë Tirana.
Pastaj, Dr. Krasniqi vinte në dukje se ngjarja më e rëndësishme, përsa i përket pastrimit e bashkimit të Shqipërisë, ka qenë ardhja në Shkdoër, më 21 mars 1921, e dërgatës së Qeverisë Legale, dërgatë që kryesohej nga Zogu.
Aso kohe, Dr. Krasniqi, siç shkruan vetë, ishte 12 vjeç. Më 1980-gati  60 vjet më vonë- atij vazhdon t’i kujtohet me një qartësi që e habit lexuesin, pritja madhështore, që i kishte përgatitë kësaj përfaqësie qyteti i Shkodrës, i udhëhequr nga kryetari i Bashkisë, Musa Juka. Ai e përshkruan me hollësi këtë pritje, që e pa me sytë e vet dhe ai ve në dukje faktin se, falë kësaj pritjeje madhështore, Qeveria Legale mundi të marrë në dorëzim Shkodrën-gjë që i hapi rrugën marrjes në dorëzim të gjithë qyteteve të Shqipërisë.
Në fakt, po të kishte dështuar ardhja e dërgatës qeveritare në Shkodër, pasojat do të ishin tejet të rrezikshme për Shqipërinë. Fatbardhësisht, ardhja e saj qe një fitore e pabesueshme.
Në lidhje me këtë pritje, për të cilën Dr. Krasniqi flet me aq admirim, po rrëfej një tregim të atit tim.
Babai ka qenë zgjedhë me vota të lira si kryetar Bashkie në Shkdoër, më 1916. Në atë kohë, në Shkodër ishin austriakët. Por këta e humbën luftën e, mbas  këtyre, u vendosën në Shkodër ushtrira ndërkombëtare, nën drejtimin e gjeneralit francez, Bardi de Fortou. Siç dihet, ky general është sjellë në një mënyrë shumë korrekte ndaj  popullit shqiptar, megjithëse lidhjet ndërmjet francezëve e serbëve kanë qenë, siç dihet, të ngushta.
Në atë kohë, në Shkodër nuk kishte shumë njerëz, që dinin gjuhë të huaja. Babai, që e fliste shumë mirë frëngjishten, mundi kështu të krijonte një farë miqësie me Bardi de Fortou-n. Ky fakt e ndihmoi shumë babain.

Dr.Safete Juka dhe studenti shqiptar Mid’hat Gashi. para një kopozimi për Nënë Terezën, të piktorit Zoi Shyti, në ekspozitën e çelur në mjediset e “Pese University”, të Nju Jorkut, mars,1994 (Foto nga: Murat Gecaj)
Dr.Safete Juka dhe studenti shqiptar Mid’hat Gashi. para një kopozimi për Nënë Terezën, të piktorit Zoi Shyti, në ekspozitën e çelur në mjediset e “Pese University”, të Nju Jorkut, mars,1994 (Foto nga: Murat Gecaj)
Një ditë, kur Bardi de Fortou u largua nga Shkodra, serbët shfrytëzuan rastin për ta rrethuar Bashkinë, ku ndodhej babai e i thanë ta ngrinte lart flamurin serb. Babai, që kundërshtoi, mbeti i kyçur në Bashki.  Për fat, mbas disa kohësh, ushtria ndërkombëtare kishte pas nevojë për ushqim dhe Bardi de Fortou i dërgoi fjalë babait që të jepte urdhërat e duhura për përgatitjen e ushqimit.  Babai e lajmëroi se në çfarë gjendjeje ishte dhe se nuk kishte mundësi. Kur e mori vesh këtë lajm, gjenerali francez Bardi de Fortou nuk vonoi që të kthehej në Shkodër. Kur mbërriti aty, i detyroi serbët ta hiqnin rrethimin e Bashkisë.

Siç dihet, Shkodra ka qenë dhe është qendra e katolicizmit. Por ajo ka qenë, njëkohësisht, edhe qendër e fanatizmit mysliman.  E, myslimanët, të keqtrajtuar sa herë nga pushtetet e mëdha, e kishin humbur besimin në ardhshmërinë e shtetit shqiptar. Nuk ka dyshim se incidenti, që tregova, ia çoi shumë  autoritetin atit tim. Njëkohësisht, ai  frymëzoi besimin në popullatën e Shkdorës për sa i përket bshkimit kombëtar e shtetin shqiptar.
E, qe ky besim i popullit të Shkodrës te kryetari i Bashkisë, pra Musa Juka, që  bëri të mundur organizimin e kësaj pritjeje madhështore për dërgatën e Qeverisë Legale  Shqiptare, në një kohë tejet kritike për vendin tonë, pritje që e mundësoi Dërgatën të marrë në dorëzim Shkodrën. Marrja e Shkodrës i hapi rrugën Qeverisë Lagale për të marrë në dorëzim, më vonë, një nga një, të gjitha qytetet tjerë të Shqipërisë.
Kur u bënë zgjedhjet për kryetar, babai fitoi me një shumicë dërmuese votash, duke u bërë kështu për hërë të dytë kryetar i Bashkisë së Shkodrës.  Po shtoj këtu se babai im nuk e njihte, para ardhjes së tij në Shkdër, kryetarin e dërgatës së Qeverisë Legale, që më vonë do të bëhej President e më  pas Mbret i Shqipërisë dhe me të cilin do të bashkëpunonte në Tiranë, si ministër  Shteti, deri më 1939.
Po shënoj, gjithashtu, se më 1926, Franca i dha atit tim dekoratën “La Legion d’ honneur”, me rendin “commandeur”, që është një nga rendet më të larta. Kjo dekoratë iu dha për hirë të lidhjeve miqësore, që kishte me Francën, kur ishte kryetar Bashkie në Shkodër, lidhje që i vazhdoi mbasi u bë pjesëtar i Qeverisë në Tiranë.
Lidhur me incidentin me serbët, për të cilin fola më lart, por edhe të Luftës së Koplikut, ku babai si kryetar Bashkie i Shkodrës luajti rol tejet të rëndësishëm, unë i kam kushtuar atit tim një libër të vogël, që kam pas botuar më 1984 për Kosovën (“Kosova, the Albanians in Yugoslavia in Light of Historical Dokuments”). Ky kushtim, ka qenë, gjithashtu, si shenjë respekti për virtytet e cilësirat, që e dallonin atë: zotësinë, vullnetin, ndershmërinë, respektin ndaj të tjerëve dhe horizontin e tij të gjerë, mendor e shpirtëror.



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx