Faleminderit
Dhurata Hamzai: Plotësohet amaneti, eshtrat e Selman Rizës shkojnë në Gjakovë
E shtune, 21.11.2009, 10:57 PM

Plotësohet amaneti, eshtrat e Selman Rizës shkojnë në Gjakovë
Nga Dhurata Hamzai
-Në 100 vjetorin e lindjes së njërit prej gjuhëtarëve më të njohur shqiptarë, Selman Riza, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës organizoi dje një konferencë për median kushtuar jetës dhe veprës së tij. Njëkohësisht një tjetër konferencë do të zhvillohet sot paradite në Akademinë e Shkencave në Tiranë për të nderuar figurën e gjuhëtarit të shquar, me rastin e largimit dhe rivarrimit të eshtrave të tij në Gjakovë
Amaneti i gjuhëtarit Selman Riza do të përmbushet pikërisht në 100 vjetorin e lindjes së tij. Para se të vdiste ai kishte lënë dy amanete, njëri prej të cilëve tashmë është përmbushur e tjetri pritet të përmbushet të enjten që vjen. Më 24 nëntor do të bëhet sjellja e eshtrave të Selman Rizës nga Tirana në Gjakovë. Më 25 nëntor do të organizohet pritja solemne në një aktivitet akademik në sallën e kuqe të Pallatit të Rinisë, në Prishtinë, ndërsa më 26 nëntor do të zhvillohet ceremonia e rivarrimit në varrezat e Gjakovës. Amaneti i parë i tij ka qenë që eshtrat e tij të rivarrosen në Kosovë dhe amaneti tjetër ka qenë që shkrimet e tij t’i besohen për trajtim akademik Rexhep Ismajlit dhe ky amanet është përmbushur, sepse R.Ismajli i ka mbledhur dorëshkrimet e tij dhe i ka botuar në vëllimin e pestë të veprës së plotë të Selman Rizës. Plotësimin e njërit prej amaneteve e ka pohuar dje në një konferencë të posaçme për median edhe kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akademik Besim Bokshi. Ai ka pohuar se: “që në prill të këtij muaji është formuar një këshill organizues për manifestimin e 100 vjetorit të lindjes së Selman Rizës, në të cilin synojmë të jenë të përmbushura dy amanete që ka lënë. Amaneti i parë ka qenë që eshtrat e tij të rivarrosen, siç thotë ai, në Kosovën shqiptare. Kjo s’ka dyshim që kupton se ai shkoi me shpresën e pashuar se Kosova dikur do të jetë e lirë. Dhe ja zhvillimet në botën shqiptare ndodhën të atilla që të mund të realizohet ky amanet i tij”, tha Bokshi, duke shtuar se “Amaneti i tij i dytë ka qenë që dorëshkrimet e tij, t’i besohen për trajtim Akademik Rexhep Ismajlit, dhe ne konsiderojmë se ai nuk ka pasur mundësi të gjejë person më të përshtatshëm, për të kryer me përkushtim këtë punë shumë të rëndë, sepse është dashur të lexohen e në disa raste edhe të deshifrohen dorëshkrimet e tij. Kështu që Akademik Rexhep Ismajli i ka mbledhur ato dorëshkrime në vëllimin e pestë të botimeve të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës”. Aktivitetet gjatë këtyre ditëve në Kosovë do të bëhen nën përkujdesjen e Presidentit të Republikës, Fatmir Sejdiu. Ndërkaq, Akademik Rexhep Ismajli, i cili është edhe Kryetar i Këshillit Organizativ të Manifestimit, në përbërje të të cilit janë edhe Akademik Besim Bokshi, Akademik Idriz Ajeti, Akademik Mehmet Kraja, Ibrahim Berisha, këshilltar i Presidentit Sejdiu, Agim Hyseni, zëvendësministër në Ministrinë e Arsimit, Lirie Kajtazi, zëvendësministre në Ministrinë e Kulturës si dhe Pal Lekaj, kryetar i Gjakovës, ka thënë se fillimisht do të bëhet sjellja e eshtrave të Selman Rizës nga Tirana në Gjakovë. Ai shtoi se ky komision ka bërë një program të përshtatur sipas nevojave dhe synimeve. “Presidenti i Republikës së Kosovës Fatmir Sejdiu ka vendosur që me këtë rast ta dekorojë prof. Selman Rizën më njërën prej dekoratave më të larta që ka, Dekoratën për Liri, dhe i gjithë manifestimi në Prishtinë dhe Gjakovë do të mbahet nën patronazhin e Presidentit Sejdiu”, ka thënë Ismajli. Gjatë këtij manifestimi do të prezantohen edhe botimet e veprave që Akademia e Shkencave dhe Artit të Kosovës, që nga 1996-a deri në vitin 2004 ka botuar katër vëllime të veprave të prof. Selman Rizës. Ismajli shtoi se “Selman Riza ka qenë një dijetar me fat shumë të keq, i përndjekur politikisht edhe në kohën e Italisë dhe po ashtu edhe në kohën e ish Jugosllavisë si dhe në Shqipërinë Komuniste. Prandaj ka qenë e vështirë që të gjitha dorëshkrimet e tij të botoheshin. Kur përfunduam vëllimin e katërt dhe thamë që ishte kryer puna e veprës së Selman Rizës, ndërkohë na doli mundësia që të shohim dhe dorëshkrime të tjera. Edhe pse ishte një punë e vështirë për ne, bëmë disa përpjekje dhe vëllimit të katërt i shtuam vëllimin e pestë të veprave këtu në Akademi me 572 faqe ku përfshihen edhe dorëshkrime tjera”, tha Ismajli, i cili para pak kohësh ka botuar librin me titull “Pasionet dhe pësimet e Selman Rizës”. Me përjashtim të një dorëshkrimi të Selman Rizës që deri më sot e ka poseduar Akademia e Beogradit në Serbi dhe disa dorëshkrime të tjera, “Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, i ka përmbledhur dorëshkrimet e një dijetari të thellë por të neglizhuar dhe më në fund dorëshkrimet e tij po i kemi të plota”, ka pohuar Ismajli për median, duke shtuar se ky vëllim ka vlera të rëndësishme. Në Kosovë, që në vitin 1979, është botuar nga “Rilindja” në Prishtinë, vepra e Prof. Selman Rizës me titull “Studime albanistike” (Pjesa e Parë). Kjo vepër shkencore është vepër përmendore, sepse në historinë e albanologjisë zë një vend të rëndësishëm. Në gjithë veprimtarinë shkencore Selman Riza është shquar edhe si gjuhëtar kritik. Shkolla shqiptare e kritikës shkencore, po të flitet për një të tillë te ne, pa dyshim fillon me Selman Rizën si themelues i saj. Ai kritikon me ashpërsi të pashembullt diletantizmin, mediokritetin, përshkrimin e thjeshtë e të pathelluar, konformizmin, vetëkënaqësinë e tepruar e të pambështetur në studimet për gjuhën shqipe. Në themel të kritikës së tij gjuhësore qëndron zbulimi i së vërtetës shkencore. Një vend të rëndësishëm në veprimtarinë shkencore të Selman Rizës zë edhe studimi i gjuhës së shkrimtarëve tanë të vjetër shqiptarë dhe arbëreshë: Gj. Buzukut, P. Budit, F. Bardhit, P. Bogdanit, L. Matrëngës.
Kalavari heroik i Rizës
Selman Riza u lind më 21 dhjetor 1909 në Gjakovë, ku i kreu mësimet fillestare në mejtepin e xhamisë së “Haxhi Ymerit” dhe më pas i vazhdoi në mejtepin “Ruzhdie”. Dëshira për t’u shkolluar në gjuhën shqipe e detyroi të largohet nga Gjakova, nga Kosova, qysh në moshën 13-të vjeçare. Në vitin 1922 erdhi në Tiranë, ku menjëherë u regjistrua në shkollën “Naim Frashëri” dhe në vitin 1925, ai u shpall nxënësi më i mirë në shkollë. Në vitin 1925, Selman Riza i vazhdon mësimet në Liceun e Korçës, që asaj kohe ishte shkolla më me emër në Shqipëri. Edhe në Korçë, ashtu si në Tiranë, Selman Riza ishte nxënësi më i dalluar, me rezultate të shkëlqyera. Pedagogët e Liceut, francezë e shqiptarë, të gjithë flisnin me admirim për Selman Rizën, nxënësin gjakovar. Leon Perre, Drejtor Teknik i Liceut të Korçës, do t’i shkruante një shkresë Ministrit të Arsimin në Tiranë, me këto fjalë: “Selman Riza është një i ri tepër i talentuar, shumë serioz, i cili do të mundë me të njëjtën lehtësi të kryej çdo degë të studimeve universitare, dhe unë nuk dyshoj që të mos i bëjë më vonë nder atdheut me emrin e tij”. Në vitin 1932, Ministria e Arsimit i dha një bursë Selman Rizës për të ndjekur studimet në Universitetin e Tuluzës në Francë. Në Universitetin e Tuluzës në Francë, Selman Riza brenda tri vjetësh kreu dy fakultete! Gjatë viteve 1932-1935 mbaroi Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Franceze dhe Fakultetin e Drejtësisë. Me dy diploma në xhep, të Letërsisë dhe Drejtësisë, Selman Riza u kthye menjëherë në Atdhe, për t’i shërbyer Shqipërisë. Ministria e Arsimit e caktoi si pedagog në Liceun e Korçës për të punuar, aty ku edhe vetë para disa vjetësh kishte mësuar. Që nga 7 Prilli 1939, dita kur Italia Fashiste e pushtoi Shqipërinë, Prof. Selman Riza doli hapur kundër pushtimit prej fashistëve të Musolinit. Më 28 Nëntor 1939, në demonstratën madhështore të organizuar në Korçë, në Ditën e Flamurit, Ditën e Pavarësisë, Selman Riza u arrestua, u burgos, sepse ishte kundër pushtimit të Italisë. Internohet prej policisë fashiste si “element i rrezikshëm dhe si kundërshtar i vendosur kundër politikës italiane” dhe dërgohet në Ventotone të Italisë. Internimi në Ventotone të Italisë nuk e dobësoi, nuk e frikësoi as nuk e dorëzoi Selman Rizën, përndryshe e forcoi...! Edhe kur u lirua nga internimi, në tetor 1941, edhe pse pushtuesi nuk e la me punue në profesionin e tij, Selman Riza vazhdoi të vepronte si një atdhetar nacionalist, kundër pushtuesit italian, fashist... Në korrik të vitit 1942 kthehet në Kosovë, ku jetoi e veproi në Prizren e Gjakovë. Përveç veprimtarisë shkencore, në studimet albanistike, Selman Riza në Kosovë, gjatë viteve 1942-1944, merret edhe me veprimtari politike. Veprimtaria politike e Selman Rizës synonte që përmes Lëvizjes Irrendentiste Antifashiste, të cilën e kryesonte, të bëhej bashkimi i Kosovës, bashkimi i trojeve shqiptare në Maqedoni, me Shqipërinë. Këto synime pasqyrohen, argumentohen dhe propagandohen në traktatin programatik me titull: “Manifesti i Irredentizmit Antifashist”, të cilin Selman Riza e botoi në Tiranë, në dhjetor të vitit 1943. Piter Kemp, një nga përfqësuesit të Misionit Anglez në Shqipëri, gjatë Luftës së Dytë Botërore, për Selman Rizën, raportonte: “Ai është truri i Partisë së irredentistëve...” Por mjerisht, kjo Lëvizje Irredentiste, e udhëhequr nga Selman Riza, nuk e kishte përkrahjen e Forcave Aleate, të cilat përkrahën komunistët e Enverit në Shqipëri dhe të Titos në Jugosllavi... Kur forcat partizane-komuniste-çetnike e morën pushtetin në Jugosllavi, për t’i shpëtuar arrestimit, Selman Riza u largua nga Gjakova, Kosova, dhe shkoi në Shqipëri. Vetëm disa ditë pas kthimit në Shqipëri, arrestohet e burgoset në Tiranë! Me kërkesën e Jugosllavisë, tre muej pas qëndrimit në burgun e Tiranës, Selman Riza transferohet në burgun e Prishtinës, për t’u dënuar e gjykuar si “kosovar anti-jugosllav”. Prof. Selman Riza qëndroi në burgjet jugosllave mbi tre vjet e gjysmë, nga korriku i vitit 1948 deri në gusht të vitit 1951, ku lirohet sepse ishte i sëmurë rëndë, por nuk lejohet të kthehet në Kosovë, ndërsa u lejua që të jetojë në Sarajevë, nën mbikqyrje të vazhdueshme. Në Sarajevë qëndroi si në internim, vazhdimisht në mbikqyrje, survejim, prej vitit 1951 deri në vitin 1955, ku s’kishte mundësi të merrej me veprimtari politike-shoqërore, por u morr me veprimtari kërkimore, studimore, shkencore. Në muajin dhjetor të vitit 1955, zyrtarët komunistë jugosllavë, me premtime, me kërcënime, i ofrojnë për të marrë nënshtetësinë jugosllave, por Prof. Selman Riza kurrsesi nuk e pranoi dhe rikthehet sërish në Tiranë! Në Tiranë, meqë Tirana tashmë ishte prishur me Beogradin, Prof. Selman Riza menjëherë pranohet në punë si punonjës shkencor në Institutin e Historisë dhe Gjuhësisë, por edhe si pedagog i jashtëm jepte mësim në lëndën “Historia e gjuhës së shkruar shqipe”. Periudha prej vitit 1956-1967 është periudha më frytëdhënëse në veprimtarinë shkencore të Prof. Selman Rizës. Janë rreth 11 vjet që ai dha aq shumë për shkencën shqiptare. Vepra shkencore e Prof. Selam Rizës shtrihet në shumë fusha, siç janë gramatika, tekstologjia, terminologjia, kritika gjuhësore, historia e gjuhës, gjuhësia e përgjithshme, gjuha letrare etj. Puna, veprimtaria e tij shkencore u ndërpre nga rrethanat politike shoqërore. Në periudhën e “Revolucionit Kulturor”, që u zhvillua nën diktaturën komuniste, edhe Prof. Selman Rizën e largojnë nga Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, si “mbeturinë borgjeze” dhe e çojnë si ciceron në Muzeun e Beratit e prej Muzeut e çojnë në Bibliotekën e Qytetit, po në Berat dhe në vitin 1970 e largojnë përfundimisht, duke e nxjerrë në pension të parakohshëm. Në pension të parakohshëm Prof. Selam Riza jetoi në Tiranë, por nën mbikqyrje të Sigurimit të Shtetit, ku ju ndalua veprimtaria shkencore dhe as të merrte libra në bibliotekë nuk e lejonin. Nuk iu lejua as që t’i mbahej një fjalim në ditën e varrosjes, me 16 shkurt 1988. Por këtë urdhër, në çastin e fundit e theu, Prof. Aleks Buda, Kryetari i Akademisë. Pas tij foli edhe dr. Behxhet Reso, i cili ishte i revoltuar nga heshtja zyrtare dhe tha: “Ç’po ndodh kështu?! Kë po varrosim?! Nuk mund të ndahemi kështu nga Selman Riza. Ai nuk është vetëm një gjuhëtar në zë, por, në radhë të parë një patriot i shquar, idealet e të cilit janë edhe sot flamur i shqiptarizmit në Kosovë”.
Komentoni
Artikuj te tjere
Ukshin Zajmi: Evgjeni Thanasi- aktore e (pa)njohur shqiptare
Eduard M. Dilo: Margarit dhe Qirjako Dilo, dy vëllezër, dy shtylla të nacionalizmit...
Mexhid Yvejsi: Naim Frashëri (1846-1900)
Zef Ndrecaj: Mësuesi i Popullit Ndrecë Ndue Gjoka
Dibran Demaku: Si e njoha Rifat Kukajn?
Murat Gecaj: Prof. Bedri Dedja: krijues, studiues e botues shumëplanësh, autor i shquar i shekullit XX
Murat Gecaj: A e njihni Dr. Safete Juka, ''Dora D'Istria e dytë shqiptare''
Safet Hyseni: Mefail Shehu (Zajazi) alias Mefaili i Madh, një strateg ushtarak
Eduard M. Dilo: Kolë Tromara dhe Bahri Omari, dy figurave të mëdha patriotike
Halit Bogaj: Dritëro Agolli
Faruk Tasholli: Me tetovarët në Gjermani - Në Malësi udhë e pa udhë
Mexhid Yvejsi: Myderriz Haki Sermaxhaj
Viti i Nënës Terezë
Baki Ymeri: Gostivarliu që e pa mbretin dhe mbretëreshën
Faruk Tasholli: Me tetovarët në Gjermani - Në Tetovë të kesh shtëpi
Eduard M. Dilo: Prof. Dr. Safete S. Juka , figurë e madhe kombëtare...
Arsim Halili: Plejadë pavdekësie
Ferit Ramadani: Tribunit të Lirisë
Mexhid Yvejsi: Mulla Iljaz Spahia
Lekë Dukagjini, cili ishte njeriu i Kanunit?