E premte, 25.07.2025, 08:44 AM (GMT+1)

Faleminderit

Faruk Tasholli: Me tetovarët në Gjermani - Udhë e gjatë e mëkëmbjes familjare

E hene, 23.11.2009, 12:28 PM


FARUK TASHOLLI

ME TETOVARËT NË GJERMANI

UDHË E GJATË E MËKËMBJES FAMILJARE

Rexhep Ibishi del të shëtisë rrugës qendrore të Stolbergut.  Zakonisht kthehet në dy nga kafenetë e qytetit duke thënë, nëse e thërret ndokush, te italiani. Por njëra kafene është te salla e shfaqjeve të qyteti, ndërsa tjetra më poshtë. Atë më poshtë ai e quan te italiani i vogël. Kështu më tha ditën kur u takova duke më njohtuar se bashkëvendësit e tij ishin atje. Rexhepi ka kaluar një kohë 35-vjeçare në mërgim. Por para tij kanë ardhur dy vëllezërit e tij më të vjetër, Nexhmiu e Ibrahimi. I pari ka dalë në pension, ndërsa tjetri është afër. Që të tre pjesën më të madhe të jetës e kanë kaluar në Stolberg, ku kanë krijuar familjen e gjerë, që tash ka dhjetëra anëtarë. Janë mësuar me mërgimin, por edhe me   Tetovën, për pushime.
Për ardhjen e tij në Gjermani, Rexhep Ibishi rrëfen:
Ishte një kushëri yni që një vit më parë kishte qenë në Gjermani, pasi këtu i punonte vëllai. Ai po bëhej gati që sërish të vinte këndej. Edhe unë isha i interesuar të vija. Isha i ri, 22 vjeçar, pas mbarimit të shërbimit ushtarak. I thashë babës se do shkoj t’i vizitoj vëllezërit në Gjermani bashkë me atë kushëririn. Kushëriri im u zotua se e dinte rrugën dhe din të shkojë sërish pa pengesa. Unë po vija si turist, duke i thënë babës se kur të vijnë vëllezërit për dimër, kthehem me ta. Dolëm në Shkup me atë kushëririn dhe morëm trenin Akropolis që mbante vijën Athinë-Shkup-Fushë-Kosovë- Beograd- Mynih. Ai kushëriri në Shkup e vuri plisin e bardhë  dhe gjatë gjithë rrugës nuk e hoqi nga koka. Kur erdhëm në Këln duhej ndërruar trenin për në Ahen. Por ai kushëriri i kishte nxjerrë biletat deri në Dyren. Më tha se deri  aty ka shtatë stacione. Hipëm në tren, ndërsa unë po rrija në dritare duke i numëruar stacionet  që përshkonte treni. Një, dy, tre...  dhe kur u bë i shtati, i thashë atij kushëririt: Jahi, ja Dyreni! Ani, ma ktheu, merre çantën dhe zbrit. Unë e kapa çantën me nxitim dhe derisa konduktori i ra pipëzes për t’i dhënë shenjë shoferit, treni u nis. Unë kërceva duke menduar se trenat nisen ngadalë si në Maqedoni, por kur rashë në tokë, e rroka çantën përpara dhe nja njëzet hapa me gjunj mbi të rrëshqita zhagas nga inercioni. Për fat, pak isha përgjakur gjunjve, se më pantallonat dhe çanta më ishin shqyer krejt. Dolën personeli i stacionit dhe më futën brenda. Më pyetën si jam a pse jam këtu dhe kështu, por unë as “A” as “B” gjermanisht. E nxora vetëm një copëz letër,  ku kisha të shkruar adresën e vëllait, pra të Ibrahimit dhe ua tregova. Ata e lexuan. Kokorilstrase 148 në Stolberg. Mos u brengos, sikur i kuptova që më thanë. Treni  tjetër për Stolberg vjen në orën tetë e njëzet minuta. I kisha njëqind marka në pasaportë dhe ma nxorën biletën, ndërsa mbetjen e parave ma kthyen. Pasi u ngroha pak dhe koha po afrohej, shefi i stacionit më bëri me dije se treni vonohet për dy minuta. Dhe ashtu u bë. Kur erdhi treni, i thanë një konduktereje, femër ishte pra, merre këtë njeri dhe tregoji të zbresë në Stolberg. Edhe pse nuk e dija asnjë fjalë, kështu e kuptoja bisedën e tyre. Unë në të vërtetë do të dija të shkoja, po ai kushëriri ma pështolli punën, duke mos qenë i sigurt. Dhe kur zbrita në Stolberg, në vend se të kaloja nëpër nënkalimin e hekurudhës, ia futa mbi binarë, sikur të isha në hekurudhën e Tetovës. Fati që nuk qëlloi ndonjë tren. Iu afrova një taksisti dhe po ia jipja letrën, ku shënonte adresa e vëllezërve. Nuk vonoi e vetura u ndal para derës ku shënonte adresa. Unë zbrita e taksisti iku me nxitim pasi ia pagova shërbimin. Po shikoja në derë, asnjë emër shqiptari, as i ndonjërit nga vëllezërit e mi. Mbeta i hutuar dhe kujtoja, ose nuk ma kanë dhëne mirë adresën, ose unë nuk e kisha shënuar si duhet. Ishte ditë e shtunë. Asnjë fabrikë nuk dukej të punonte. Rashë në hall. Çka të bëja. Iu afrova një njeriut që punonte aty afër te një firmë dhe po e shikoja me sy. Ai më kuptoi se po kërkoja ndihmë: Më tha: Espaniollo, Italiano, Greko!…, por unë mohova me kokë. Kur më tha: Jugoslaven?, -pohova me kokë. Atëherë e thirri një njeri aty afër dhe ai m’u afrua duke më folur sllavisht: Hë vendës, kë kërkon? Kur më foli ai në gjuhën që e kuptoja m’u bë si të më pritte Ibrahimi. Pasi i tregova, eja më tha pas meje dhe, ngarendëm nja treqind metra. Aty në një punishte ishin vëllezërit me disa nga vendësit e mi. Sapo kishin mbaruar pauzën dhe ishin krejt të ndotur, sidomos nga ndryshku i hekurit. Po edhe unë isha krejt i shqyer. Vëllai im, pra Ibrahimi (është i ulur me ne dhe qesh kur i kujtohet ajo ditë), e la punën dhe më çoi në një shitore rrobash. Më bleu teshat nga më të shtrenjtat dhe që të hënën, unë fillova punën, ashtu në të zezë sa për fillim. Pas tre muajsh, mlodha paratë e mia dhe të vëllezërve dhe u nisa për në shtëpi. Me vete kisha 32 mijë marka. Pas disa muajsh, pra derisa hyri pranvera tjetër, erdha sërish në Gjermani dhe mbeta përgjithmonë.
Si tha Rexhepi, ndërhyn vëllai më i vjetër, Ibrahimi, ne ishim zyrtarisht të paraqitur në banesën e shefit. Por ai na e kishte adaptuar një banesë në stacionin e vjetër të trenit, ku nuk paguanim asnjë metelik. Kjo na ndihmonte shumë të mblidhnim paratë e fituara dhe t’i dërgonim për në vendlindje, në familje që nga dita në ditë i shtoheshin kërkesat. Fitonim nga 3-4 mijë marka në muaj. Pas tetë muaj  pune, në shtëpi  kthehesha me 24 mijë marka. Vetëm për një vit, zbritëm nga Bozofca në Gajre, ku blemë shtëpinë ne të tre vëllezërit. Ende i kemi ato troje, edhe në Bozovcë si trashëgimi prindore, edhe në Gajre ku i kemi blerë, ndërsa vend kemi bërë edhe në Tetovë. Familja është zgjeruar dhe unë, tash kur jam para pensionit, këtu në Gjermani jam bërë vetë i njëzeti. Shpesh qeshin me ne që kemi ardhur moti këtu: Ja këta të Tetovës së vogël! Dhe dalëngadalë këtu e bëmë një pjesë Tetovë.
Kujtimet e Ibrahimit lidhen edhe me punën në Maqedoni. Ai qëkur i ka thënë lamtumirë fëmijërisë, nuk e ka lëshuar punën nga dora, ani që tash i është afruar pensionit. Kur fillova të punoj në ngarkim-shkarkime, thotë ai, isha fare i ri. Merre me mend, punën e fillova rastësisht, duke e zëvendësuar vëllain e madh, Nexhmiun. Ai kishte një punë rreth shtëpisë dhe duhej të mungonte një javë. Unë shkova në vend të tij. I kisha krejt 49 kilogramë peshë, ndërsa thasët që shkarkoja, peshonin 50 kilogramë. Pas një jave, edhe pse erdhi vëllai, punën e vazhdova tutje dhe që atëherë e sot nuk e kam ndërprerë. Vëllai im i madh erdhi nga të parët në Gjermani, këtu në Stolberg. Pas gjurmëve të tij edhe unë. Tash jemi zgjeruar edhe në Gjermani edhe në Tetovë. Disa nga fëmijët tanë janë kthyer andej nga ne kemi ardhur, disa kanë kryer shkolla profesionale dhe të integruar në jetën gjermane, tash punojnë me sukses. Dua të shtoj edhe një gjë: fëmijët tanë, pra e kam fjalën për ne punëtorët e vjetër nga Tetova, edhe pse jemi më gjatë këtu, kanë lidhur martesa dhe kanë krijuar familje vetëm brenda kombit, ani që ka ndonjë që është lidhur me të huaj, por fare pak. Ky është një sukses yni, përkrah sukseseve në jetën ekonomike, që e kemi avancuar në familje dhe në rrethin ku kemi qarkulluar. Secili nga ne ka bërë shtëpi në Tetovë, e disa, sidomos brezi pas nesh, kanë blerë shtëpi edhe në Gjermani.
Pas punës disavjeçare në hekurishtë, ku të gjithë tetovarët kanë kujtime të mira, Ibrahim Ibishi, pjesën më të madhe të punës e ka bërë atje kah brigjet, ku shtrihen katundet e Stolbergut. Te rrëzat e maleve, si te rrëzat e Sharrit, ka bërë punën e sharraxhiut, por jo të atij sharraxhiut “me sharrë në krah”, si do të thoshte poeti ynë Esad Mekuli, apo si këndon dhembshëm edhe poeti tetovar Murat Isaku për sharraxhinjtë e vet, për vëllezërit e vet që shkojnë derë më derë për ta fituar bukën e gojës. Ibrahim Ibishi ishte sharraxhi modern, ku punoi në një sharrë për fabrikimin gjysmëfinal të drurit, në shtetin po ashtu modern, në Gjermani. Puna e tij dhe e bashkëvendësve të tij, bëri që të zvogëlohet ai numri i sharraxhinjve me sharrë në krah, që braktisnin Tetovën dhe  mësynin Shkupin, Nishin, Beogradin, vetëm për një copë bukë. Se qytetet ku punonin këta sharraxhinj, nga byrotë shtetërore, bënin që shqiptarët të mbesnin vetëm sharraxhinj. Ata vërtet hoqën shumë, por bënë shumë për ardhmërinë e vet dhe të familjes.
Tash shkojnë në Tetovë e kthehen me mjetet më të mira të udhëtimit.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx