E diele, 28.04.2024, 11:25 PM (GMT+1)

Kulturë

Fatmir Musai: Në djepin e legjendës

E premte, 13.11.2009, 07:12 PM


FATMIR MUSAI

NË  DJEPIN  E  LEGJENDËS

Tregim

Si nuk bëre një fotografi me të, o trap, i tha vetes! Pikërisht në atë vend simbol. Dhe ishte një rast i vetëm që nuk përsëritet kurrë më! Ashtu siç do të të mbetet peng i përjetshëm ai mosfiksim në celuloid.
Gjithçka kishte ndodhur para disa ditësh. Mos pyesni qysh e tek, nga, si e kur e njohu Poetin. Rëndësi ka që me të, prej kohësh kishte krijuar një lidhje të veçantë shpirtërore. Dhe si gjithçka shpirtërore, kontaktet ishin të rralla. Ai vetëm në pak raste i kishte shkuar në shtëpi, sikundër dhe tjetri, vetëm para disa ditësh i kish trokitur në derë. Jo se nuk dëshironte t’i shpeshtonte vizitat e tij, po druhej se do të hynte në aradhën e bezdisësve megallomanë që edhe një foto me Poetin e madh (ai nuk ia mohonte kujt daljen në fotografi) e tundnin si pasaportë të personalitetit të tyre të shquar.
Shkurt, pas ceremonisë standarte të mikpritjes në sallonin e vizitave, kur mësoi se i ati i tij po ziente rakinë në oborrin e shtëpisë, ai kërkoi që pikërisht atje të bëhej dhe qerasja. Dhe ulën kokat e hynë brenda një tende të improvizuar me llamarina, mbështetur tek muret e lashtë të kalasë së qytetit, pikërisht në të vetmen pjesë që, sepse kishte mbetur e lagësht dimër-verë, aq sa gurët e rëndë mesjetarë mezi dukeshin mes lëmyshkut të dendur.
- Kështu të lagur e mbaj mend gjithmonë këtë vend. – i tha i ati Poetit, ndërsa i mbushte gotën e rakisë drejtpërdrejtë nga currili tepër i hollë i fyellit prej bakri. – Legjenda thotë se pikon e rrjedh qumështi i asaj nuses së muruar, ja, pikërisht atje lart, tek ajo kamarja ku unë kam vënë fenerin.
Poeti heshti për disa çaste me vështrimin sa tek gurët e veshur me pushin e gjelbër, sa tek currili i rakisë, që në fundin e tij, sikur t’i shteronin fuqitë, shndërrohej në një zinxhir pikëzash imcake. Ai e shikonte portretin e njohur të Poetit dhe, si gjithnjë kur ishte pranë tij, i dukej vetja sikur ishte pranë një patriarku. Mbase këtë ndjesi ia jepnin flokët e gjatë e të thinjur, mbase kapërcimi i pragut dhe hyrja e tij në moshën e thyer, mbase tërë ajo mençuri e urtësi që i buronte nga sytë. Sigurisht, ai ishte mjaft popullor dhe mjaft bëma të tij edhe jashtë artit, ishin bërë proverbiale e tregoheshin kudo. Unë jam Askushi dhe ai është Gjithkushi, mendoi ai me keqardhje dhe krenari njëkohësisht.
- Sa vështirë është të lindet legjenda…! – tha Poeti i gjallëruar, sikur porsa të kishte zbuluar një sekret fondamental. – Është një teknologji e gjatë dhe fine. Tepër e gjatë, që kërkon shekuj të përfundojë. Ja, si teknologjia e rakisë. Ne këtu jemi bash midis dy rrëkezave. Ajo e legjendës, tamli që rrjedh në këtë mur kështjelle dhe kjo rrëkeza tjetër këtu, - zgjati ai gotën dhe e mbushi vetë në zinxhirin e rakisë – e cila është çelësi për të kuptuar të parën.
Ku do të dalë, mendonte ai me vete. Ç’të përbashkët kishte mënyra e lindjes së një legjende me teknologjinë e zjerjes së rakisë? Sigurisht, tashti do të dëgjonte një paralelizëm të gjatë figurativ dhe vërtetë, sikur ta kishte nuhatur pyetjen, ai vazhdoi:
- Legjenda është si kjo rakia e fortë që fle e përgjumur në hapësirat pa anë të vreshtave. Janë mijëra këngë, valle, përralla, është folklori i tërë i një populli që transmetohet brez pas brezi dhe në tërë këtë univers, idetë më të mëdha, ato të ekzistencës së tij, krijojnë galaktikat, legjendat. Ja, ideja e vetësakrifikimit për hir të një ekzistence shumë më të madhe, do të lindte  legjendën e murimit. Dhe vilen pjergullat dhe koshat me rrush zbrazen në butet e mëdha.
Miliona vargje, lëvizje vallesh, personazhe përrallash, halle njerëzore, thithen nga ndërgjegjja e kombit, ashtu turbull-turbull, si mjegull malesh, vazhdoi ai shoqërimin e ideve të Poetit. Hambarët e kombit kanë ndryrë në vetvete tharmin e legjendave, si butet e mëdha që kanë burgosur rakinë.
- Dhe duhet të kalojnë ditë dhe net që mushti të ziejë me tërbim. Gjithshka brenda tyre bluhet e trazohet, që vetëm palca të rrjedhë për rakinë… - ndërhyri ai me një ndrojtje të lehtë, se mos nuk ishte sinkron me analogjinë e tjetrit.
Poeti e gjeti me vend këtë zhvillim të paralelizmit dhe, i kënaqur, e ktheu gotën e radhës me fund. Dinte ta pinte rakinë, madje atij iu duk se më tepër se të, ai pinte mushtin e legjendës. E pinte si lëng jetëdhënës, siç pinin perënditë e lashta greke elsirin e tyre. Dhe në ato çaste, Patriarku i poezisë iu duk si emblema e dy kohëve, i pavdekshëm si E vërteta.
- Po me kaq legjenda s’ka lindur. Edhe pse kanë kaluar qindra vjet, me kaq legjenda veten s’e zbulon! – u hodh sërish Poeti, sikur nxitonte të mos i ikte filli i mendimit që sapo i kishte shkrepur në tru. – Duhet Zjarri i Madh i Provës që vetëm palcën kurrizore kërkon! Ky Zjarr mund të jetë një luftë e madhe, një pushtim i gjatë, ndonjë hata e natyrës…
Ai ndjeu një turbullirë të lehtë e të ëmbël. Sigurisht që alkooli po fillon të veprojë, i tha vetes. Ja edhe tek Poeti ndjehej ai shpërqendrim i lehtë i lëvizjeve të duarve. Sikur e muruara e legjendës, së bashku me pikat e tamlit, po i përkundte në djepin e legjendës. Po i përkundte me këmbën e saj që duhet ta kishte lënë jashtë atyre blloqeve gurësh tërë myshk. Ja dhe syri i saj që i vështronte nga ai fener i ndezur lart në kamare. I mëkonte, i përkundte dhe i vështronte. Tamam si në legjendë! Pse, kush më mirë se Poeti duhej të ishte fëmija-stërnip i nuses së muruar?!
Ai e pyeti se kur do të lindej legjenda dhe tjetri improvizoi ngadalë:
            -    Dhe ndizen zjarret nën kazanë
        E rakia e fortë zë e rrjedh,
        Kujdes, se flaka e madhe të verbon
        E pikën e parë mirë nuk e zgjedh!
Më pas, pasi e mbushi gotën, e ngriti lart si për ilustrim dhe sërish improvizoi:
            
        -    Kështu, Legjenda tashmë ka lindur…!
        Por fama e saj rrugën s’ka marrë,
        Duhen vite e vite të tëra
        Që fama me durim të shtohet në qilar…!
- Dhe pastaj vihet etiketa “Raki Skrapari”. – i tha i ati duke buzëqeshur, sepse vargjet e sajuara i kishte kuptuar fare mirë.
- Raki Skrapari do të zjehet për çdo vit, - tha Poeti me një ton keqardhës – por legjenda nuk do të lindin më kurrë! Ato janë mbyllur nëpër shpella, bashkë me kreshnikët. Që kur doli shkrimi, se shkrimi ishte ilaçi i ngrirjes, i balsamosjes së tyre. Tashmë ato janë ngurtësuar, janë kthyer në mumie. Por ne na magjepsin me bukurinë e tyre, si kjo nusja e bukur këtu mbi kokat tona që vazhdon ta pikojë prej shekujsh për ne qumështin e gjirit të saj!
… Më mirë që nuk bëra fotografi, mendoi ai pas disa ditësh. Sikur të ishte kujtuar e të tentonte të shkrepte aparatin, kishte të ngjarë që Poeti t’i thoshte: Ç’bën?! Kurrkush s’ka mundur të fotografojë legjendat! E ç’legjenda do të kishim atëherë…?!


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora