E marte, 23.04.2024, 08:49 AM (GMT+1)

Kulturë

Meti Rexhepi: Lura

E diele, 20.08.2023, 07:49 PM


L U R A*

        

Nga Meti Rexhepi

ishte Lura

me pajën e qëndisur të floçkave

me perin e avujve

flokë-blerta deri tek e kristalta

atje kriheshin me krehër mjegullash        

në sytë e çelur të malit

ishin floçkat cilave u rridhnin lotët e galdimit

ballit shkëmborë

nga njëri sy katarakteve shkallareve tjetrit

tatëpjetës liqeni-liqenit

qerpikët lisa të nën-ylbereve

si vëllezër shtat-hedhur bredha pishnaja boriga

përbri me zili u hapnin liqeve ombrella

maja gjembore të mos i përpijë

ndonjë përbindësh përralle

përbindëshit nuk do t`i kesh parë  

ata të përrallave faniten të gjallë

shajni  pleksur në pilulë

pilula do t`i shkrijë vetëm me një gllënjkë ujë

por shtohen natën e zbardhuar me sëpata qindra somnambulë

*

doza më e lehtë pirje kokrrash për fshirje  fajësie

mbushur kokrra-lakmie dollapë e sirtarë porse mëkati diku i shpie

thjesht në trajtën e dykëmbëshave të rëndomtë

mos lypen trupa shumë-krerësh në plimëra mizërie

veçse nga një kokë dhe sëpatë lis-prerje

e duken  si vezullojnë ndër trungje qerpikësh

të prerë e të hedhur gjithkah

u grabiten trofe sytë zgorre vetullat në gropa

të dashurave floçka magjiplota

fotosintezën ia përzunë Lurës

nuk i qepet asnjë kostum joshje

i vardisen pigmente me ngjyrën e dunave

lot të rralluar rrokullisen vertikales

bie shi i gurëzuari shi

sot e njëqind vjet tabloja nuk qëndiset

        prej dorës së loçkës është këputur peri magjik

       dhe perin e kapin gishtërinj zjarr-vënës e tragjik

       nuk depërton dot shkëmbin e tablosë

përbindësh dykëmbësh me sëpata

Lurës i cunguan dhuntitë treten floçkat flokë-gjata

*

dhe shikojeni secilin në ballë

pamje cungash kanë marrë

*

ishte Lura

është Cungaja

faqe-shqyerës mbi ferra

nuk ia vesh duvakun pranvera

*Poezi nga vëllimi më i ri “URTIANA”, Prishtinë, 2023



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora