Kulturë
Xheladin Mjeku: Bioletra e Fatmir Terziut
E enjte, 17.08.2023, 07:40 PM
BIOLETRA E FATMIR TERZIUT
Përsiatje
për librin ''Dhoksologjia e atdheut'' ose ''Diskursi kohor i Fatmir Terziut”,
nga Timo Mërkuri
Nga
Xheladin Mjeku
1. Abstrakt
Takimi
me Fatmir Terziun, dhe në rastin konkret edhe me Timo Mërkurin, që të dy emra
të dëshmuar në letrat tona, ku për aq kohë sa mbesim në shoqërim me
krijimtarinë e tyre kemi ndiesinë e të ndodhurit në një festë arti dhe kulture
nga më të vlerësuarat. E them këtë për shumë arsye, ndër të cilat do të veçoja
përkushtimin e tyre të pasosur në ndërtimin e opusit të veçantë krijues në
akcilën nga zhanret që krijojnë, pa mos e harruar asnjëherë edhe kontributin e
madh në fushën e studimeve nga letërsia, krijimtaria gojore dhe fenomene e
sentenca të shumta gjuhësore, teorike dhe kulturore, në përgjithësi.
Në
librin ,,Dhoskologjia e atdheut ose ,,Diskursi kohor” i Fatmitr Terziut” Timo
Mërkuri ka përfshirë pothuajse të gjitha gjinitë letrare që krijon Fatmir
Terziu, që e bëjnë më të dëshiruar këtë
lloj monografie letrare, ngase si vlerë e ka vendin meritor në dy relacione;
edhe si dokumentim i studimit të krijimtarisë letrare, edhe si ndërlidhje
kohore e zhvillimit kronologjik të krijimtarisë shkencore dhe veprimtarive
tjera, si shënime ngjarjesh kulturore-artistike, kritika, ese e studime
autorësh dhe veprash të shumta; trajtesa të shumta nga zhvillime të
aktiviteteve kulturore, etj. që në parim mund të kuptohet edhe jetë-rrugëtimi i
tij nëpër ngjarje e kohë, si një dëshmi biografike, e pasqyruar përmes
motivacioneve të trajtuara dhe shtrirjeve kohore, si dëshmi e patjetërsueshme e
jetës së njeriut tonë në trojet etnike, prej nga burojnë pothuajse të gjitha
frymëzimet dhe provokimet e muzës, anipse krijuesi prej dekadash jeton e vepron
në mërgim.
2. Hyrje, apo
kronologjia e trajtimit të krijimtarisë së Fatmir Terziu
Një
analizë sintezë për krijimtarinë letrare, shkencore dhe veprimtaritë tjera të
shumta të kësaj natyre me një përkushtim të madh e ka bërë Timo Mërkuri, i cili
në përgjithësi ka trajtuar vepra e studime të shumta nga veprimtaria krijuese e
Fatmir Terziut, që sipas një kronologjie të përfshirjes në këtë libër do të
konceptoheshin në atë poetike, ku dominojnë trajtesa të poezive, për të cilat
veç e veç ndanë mendimet e tij, pastaj libra poetik, që e karakterizojnë opusin
krijues të bollshëm prej mbi njëmijë faqe poezi, të përmbledhura në më shumë se
dhjetë tituj. Nuk do të ishte e kompletuar një analizë gjithëpërfshirëse e
krijimtarisë letrare pa mos e prekur edhe prozën, që te Terziu e gjejmë edhe
prozën e shkurtër tregimtare, edhe atë romanore. Padyshim se ai shquhet edhe si njohës i mirë
i fushëveprimtarive të krijuesve individual, por edhe të aktiviteteve grupore, që me një maturi dhe përkujdesje të
vazhdueshme do t’i ketë përfshirë në fushëveprimtarinë e tij studiuese, duke u
dhënë vend meritor, për vlerat, arritjet estetike-letrare dhe për mesazhin që
transmetojnë. Timo Mërkuri, del të jetë shoqërues i kujdesshëm në çdo hap të
krijimtarisë dhe aktiviteteve tjera të Fatmir Terziut dhe për Fatmir Terziun,
kudo që ndodhin ato. I vetëdijshëm se
gjithë kjo veprimtari krijuese dhe shkencore ka edhe vlerat dhe vlerësimet e
saj, ai do të sjell shkrime të shumta për këto aktivitete, që e potencojnë
punën e vlefshme të Terziut, duke qenë edhe vetë pjesëmarrës në ceremoni të
organizuara për nder të tij.
3. Poezia- kryetema e
krijimtarisë letrare
Nuk
janë pak dhjetë tituj me përmbledhje poezish, që kapin mbi njëmijë faqe libri,
ku Fatmir Terziu ka trajtuar tema e motive nga më të ndryshmet, për të sjellur
kështu një botë përplot ngjarje, imazheve, figuracion, vlera estetiko-letrare,
prej nga është vjelur ai potencial krijues në periudha të ndryshme kohore dhe
shtrirjeve gjeografike, për ta përjetësuar përmes fjalëve dhe vargjeve më të
zgjedhura me ngjyrime të atdheut dhe njeriut të tij të dashur, të dhimbsur dhe
të sakrificave.
Ndonëse
në këtë libër radhitja e shkrimeve nuk ka ndonjë sistemim, zgjodha formën
kronologjike të trajtimit sipas gjinive, që pastaj të kemi një pasqyrë sa më të
kapshme të kësaj krijimtarie, që si tërësi e përbëjnë bashkëdyzimin krijimtari
letrare - jetë, për t’ia mundësuar lexuesit ta kuptoj rrugëtimin e tij paralel
me aktivitetet letrare dhe veprimtaritë tjera jetësore. Lehtë mund të kuptohet
se këtu poezia është vetë kryetema e trajtuar nga Mërkuri, pa mos e anashkaluar
edhe pjesën tjetër të krijimtarisë së Fatmir Terziut.
Kryesisht,
poezitë që analizohen në këtë libër Mërkuri i gjen në portalin ,,Fjala e Lirë”,
ku herë pas herë përzgjedh ndonjërën që shquhet për veçoritë letrare dhe
mesazhin që përçon, për ta zbërthyer pastaj me kënaqësinë e interpretimit, me
kujdesin sikur hap petalet e luleve, për t’ua shijuar aromën e tyre.
Poeti
është sikur bleta. Ngado që shkon, miklon një lule, shpalos një petale dhe
thithë pika nektari; merr frymë hapësire dhe shkëlqim drite nga gjeografia e
vendit për të krijuar pastaj një buqetë të madhe ngjyrash prej vargjeve e
motiveve të ndryshme, në kujtim të ngjarjeve që percepton intuita e tij
krijuese. Të tillë e gjejmë kurdoherë Fatmir Terziun, vargu i të cilit frymon
në çdo kohë dhe hapësirë, ngado që eksploron ngjarje e tematika të reja. ,,Shpërthimi poetik i Fatmir Terziut” do të
evoluoj vazhdimisht, e këto ,,fryte të reja” i kap me fiksionin prej analisti
të përkushtuar Timo Mërkuri, duke i zbërthyer me ,,dashamirësi” profesionale.
Ai do të ndaloj në çdo ,,stacion” të ri poetik, kurdo që takon, për t’ia
shijuar vlerat dhe për ta personifikuar mesazhin që transmeton ajo poezi, pa
mos e harruar edhe ngjyrën poetike dhe tematikën që trajton. E filluar me ,,Të
lexosh një poezi ….”, ku bën një ,,Përsiatje mbi poezinë “Iso-ja e detit” e
Fatmir Terziut”, Timo Mërkuri prek ndjeshmërinë e vargut me aromë joni që do ta
ketë provokuar unin poetik të Fatrmir Terziut, ku shpreh mendimin e tij: ,,Të
lexosh e të jetosh te këto vargje një deklaratë dashurie dhe të mendosh se kjo
pëshpërimë e shpirtit, që poeti e dëgjon në Londër është zhaurima e valëve të
Jonit, më e pakta që mund të bësh është të admirosh këtë dashuri të madhe
tejkontinentale.”. Fuqia e këtij vargu shtrinë perimetrin e rrezatimit deri në
atdheun e largët, duke kaluar edhe kontinente. Ndërlidhje të përhershme me
atdheun takojmë pothuajse në të gjitha poezitë
që janë trajtuar nga Timoja, sepse poeti në vazhdimësi ruan lidhjet e
tij me vendlindjen, me gjakun dhe ushqen dashurinë e përjetshme për truallin e
tij stërgjyshor. Të tilla janë edhe poezitë tjera, si ,,Jelimo Kaone”, ,,Pa
titull”, etj.
Një
shkrim mjaft interesant dhe të studiuar mirë, të paisur me një faktologji
bindëse është ,,Dhoksologjia e Atdheut ose “Pedalimi kohor” i Fatmir Terziut”,
sipas të cilit merr titullin edhe libri, sepse vetë Dhoksologjia është lutje
hyjnore, poaq sa e sheh edhe poezinë e Fatmir Terziut studiuesi Mërkuri. ,,Nuk
e di në se Fatmir Terziu ishte apo jo i ndërgjegjshëm për gjetjen e stilit të
këtij shkrimi dhe qasjen me hymnet kishtare, por në fakt ai është i pari që
krijon një poezi (pavarësisht se në prozë) të denjë për tu kënduar si Hymn,
Lavd apo Psalm kishtar për Atdheun. Të shkruash një Hymn për Atdheun dhe
sidomos një Hymn që ti qaset tekstit (të mundshëm) për një dhoksologji
kishtare, duhet ta duash Atdheun në gjithë qënien tënde, ashtu si Apostujt
deshën Zotin, birin dhe shpirtin e shenjtë. Kush i ka ndjekur në vijimësi
shkrimet e Fatmir Terziut e ndjen se ky shkrim nuk është një rastësi,
pavarësisht në se ai është i ndërgje-gjshëm për vlerën e krijimit të tij.”
Supozimin rreth kësaj teme e shpjegon
saktë ky citim nga po i njëjti vështrim. Në poezinë e Fatmir Terziut studiuesi
gjen edhe ,,Ngjitje në poezinë moderne”, si në poezinë ,,Viktima numër një”,
pastaj ,,Pandofla ime”, ,,Bulkthi”, ,,Dashuria”, ,,Milingonat”, "Për rënien në mëkatin e pikturës",
“Thjeshtësia e një kishe”, etj.
Gjithësesi
duhet veçuar edhe shkrimi ,,Moderniteti i një melodie pagane”, ku, siç shpreh
mendimin e tij analisti: ,,Është interesante poezia "Pagane" e poetit
Fatmir Terziu pse përtej dukjes, ka tipare dhe karakteristika të ndryshme që e
bëjnë të vështirë të klasifikohet në një kategori të vetme, këtë e themi se ajo
përmban elemente të poezisë filozofike, psikologjike, mistike dhe realiste.”
E
tillë është poezia e Fatmir Terziut. Ajo të pehatë shtigjeve të jetës dhe të
frymëzon për jetën, duke i dhënë koloritin e atdheut dhe dashurinë për njeriun
e tij të dashur, elemente të cilat i takojmë jo vetëm në poezitë e trajtuara
këtu, po në përgjithësi, në opusin e tij krijues poetik.
Edhe
në vështrimet letrare për dy librat me poezi “Dashuri Jugu” dhe “At…një ëndërr
e gjatë”, kemi një analizë transparente, ku me pedantërinë e tij, prej
vrojtuesi të spikatur, Timo Mërkuri do të pasqyroj gamën e gjërë të shtrirjes
poetike të Terziut në sfera e labirinthe të shumta, ku nuk i ikën as edhe
imtësirat mbresëlënëse, apo provokimet e çastit të ngjarjeve a pamjeve të
ndryshme ku rastisë të ndodhet për ndonjë çast. Sidomos, në vështrimin për
librin “At…një ëndërr e gjatë”, që e përbëjnë poezi të shkruara kronologjikisht
,,si një ditar mbi situatën e rrënduar shëndetësore të të atit, ecurinë e
sëmundjes, dhimbjen e birit, mendimet e meditimet e tij, dhe së fundi…ikjen e
atit”, nuk mund ta kuptojmë veç një përfaqësim i këtyre elementeve, por aty
gjemë një shtjellim shumë më të thellë
të ngjarjeve e temave të asaj natyre, ku për temë kryesore kanë dhimbjen dhe
krenarinë për babain e tij.
Ndërkaq,
për krijimtarinë në prozë, autori do të ndaloj veç te romani ,,Kojrilat”, si kryeproza
e tij, ku shquhet për shtrirjen tematike që trajton dhe rëndësinë historike të
prekur këtu. Fatmir Terziu ka një vistër romanesh e libra me tregime, ku
trajton tema e ngjarje mjaft interesante dhe të vlefshme për lexuesin, meqë ua
rikthen kujtesën në të kaluarën, me njohuritë e shumta interesante nga
historia, dhe për vetitë dhe karakteristikat e asa kohe, ku njeriu paraqitet i
portretizuar me vrazhdësinë e kohës që jetoi, me vuajtjet, përballjen me të
keqen, por edhe me krenarinë dhe besimin
për një jetë ndryshe, për një ardhmëri të lumtur të brezave të rinj.
4. Kurorëzimi i vlerave
provokon muzën
Bioletra
e Fatmir Terziut, si një biografi jetësore-krijuese shtrinë krahët në të gjitha
pikat e burimeve letrare që ia ofron lexuesit, duke shpalosur në një, apo
mënyrën tjetër, vlerat, synimet dhe mesazhet që sjell fjala dhe mendimi i tij
prej krijuesi shumëdimensional. Derisa kaluam nëpër trajtesat dhe eset për
poezinë dhe librat poetik, për të ardhur edhe te proza e tij, që këtu vjen si
refleksion i një krijimtarie të bujshme, ku temat dhe ngjarjet kanë rëndësi të
veçantë, falë shtrirjes së gjërë gjeografiko-tematike të ngjarjeve, nuk
mungojnë edhe shkrime e trajtesa për veçanti krijuese, si për “Artin Jonian”
dhe për librin “Joni Poetik 2”, ku është vlerësuar lartë aktiviteti i krijuesve
jonian nëpër vite. Fatmir Terziu çdoherë ka treguar interesim të jap
kontributin e tij në aktivitete e manifestime nga kultura, letërsia, etj. Atë e
takojmë edhe në manifestimin poetik “Trirema Joniane”, me fjalën e tij
përshëndetëse, që këtij manifestimi ia shton vlerën dhe shpërfaq rëndësinë e
aktivitetit letrar që vazhdon të funksionoj për dekada, ku mbledh krijues nga
vende të ndryshme të botës, që në një mënyrë mund të konsiderohet si urë
lidhëse e kulturave dhe krijuesve të shumtë me Shqipërinë dhe krijuesit e saj.
Timo
Mërkuri nuk e fsheh gëzimin për këto arritje të Fatmir Terziut. Ai këtë gëzim e
shpreh vazhdimisht, e veçanërisht në ditën kur Presidenti i Republikës i
dorëzoi dekoratën e lartë ,,Mjeshtër i Madh”, për kontributin e tij me veprat
dhe vlerat e arritura në shkencë e krijimtari. ,,Unë duartrokita i pari” e
titullon shkrimin e tij, si një shprehje gëzimi, që ia dedikon atij në vend të
një urimi. Nuk gjen fjalët më të përsosura ta shpreh urimin e përzemërt atë
ditë kur po mbahej ceremonia e zyrtare e dekorimit. Megjithatë shprehet me një
fjali që instinktivisht do t’i buron nga shpirti: ,,Krijimtaria e tij në fushat
e fjalës është sa e gjërë aq dhe cilësore, sa e thellë aq dhe vizionare. Jo
vetëm kaqë, kontributi i tij është pjesë e pandarë e arritjeve të një gjenerate
të tërë krijuesish të cilët kanë bashkëpunuar dhe bashkëpunojnë me Fjalën e
Lirë dhe Fatmir Terziun. Prandaj e ndjejmë tonin gëzimin e këtij vlerësimi të
Fatmir Terziut”, do ta përkufizonte fjalën e tij përshëndetëse plot emocione.
Sa e gjithanshme është puna, aktivitetet, krijimtaria dhe vlerësimet për punën e
tij mjafton ta kemi veç këtë urim zemre nga Timo Mërkuri.
Produktiviteti
i krijimtarisë së përgjithshme të Fatmir Terziut për asnjë çast nuk ndalon.
Shumëllojshmëria e gjinive dhe zhanreve të kultivuara; pastaj aktivitete e
studime të shumta, e bëjnë të qëndrueshme dhe të pritshme në vazhdimësi, meqë
kurorëzimi i gjithë kësaj krijimtarie të deritashme, nuk ka si të mos e
provokoj muzën e tij krijuese edhe për shumë vepra të ndryshme në të gjitha
fushat e veprimtarive letraro-shkencore, dhe më gjerë.
Këto
që thamë në këtë vështrim i sforcon dukshëm ky libër me trajtesa, ese dhe
analiza të shumta nga Timo Mërkuri dhe, padyshim, na bëjnë kurreshtar prurjet e
reja nga Fatmir Terziu.
14.08.2023