Kulturë
Timo Mërkuri: Dhimbja që ka emrin Petrit Ruka
E diele, 06.08.2023, 07:55 PM
DHIMBJA QË KA EMRIN PETRIT RUKA
Nga
Timo Mërkuri
I-Odise Kote në
krijimtarinë letrare të krijon përshtyjen e një njeriu të “sertë”, imazh që të
krijohet kryesisht nga tonaliteti i “rëndë” i fjalës dhe vargut të tij poetik,
por duke qënë se poezitë e tij në tërësi shfaqin imazhin e monumenteve, ku
dominojnë ato prej guri, pa përjashtuar dhe ato prej bronxi apo të lara me
flori, ku mjafton të vendosësh veshin në
vargje , si te monumenti, do të ndjesh se pas metaforave, si pas brinjëve, rreh
një zemër e madhe, e dhimshur, të cilën ai më kot përpiqet ta fshehë.
Odise Kote e krijon
poezinë e tij me metafora, si kollonat antike prej mer-meri të gdhëndur, jo si mure me gurë të skalitur, por një poezi, vetëm një poezi e ka ngritur pa
metafora, por me drithërima dhe rrahje zemre. Vetëm një poezi ai e ka gdhendur
brenda zemrës me fjalë të thjeshta e të dhimshura, fjalë që i shpreh vetëm një
dashuri vëllazërore, një poezi që mund ta quajmë “ e vërteta ulëritëse për Petrit
Rukën”, ku thjeshtësia e saj tejkalon bukurinë, forcën dhe vizionin poetik të
dhjetra metaforave. Poezi të tilla si kjo me titullin e thjeshtrë “Poeti”
kushtuar Petrit Rukës, me vargje të qarta e të kristalta si loti, drithëruese
si vajtime nënash në mort i krijojnë vetëm poetët e mëdhenj. Të shkruash për
këtë poezi do të thotë të shkruash për vetë shpirtin kur dhemb, për fjalën kur
ulërin në heshtje, për dritën e diellit të ëndërruar në thellësi të tuneleve,
ku bllokohen minatorët nga shembjet.
II-“Poeti blen
duhan rruge, të lirë, të hapur /dhe pi cigarë të dredhur…” na jep Kote imazhin në lëvizje të poetit
Petrit Ruka, me fjalë të thjeshta që
rrëshqasin në varg si uji i shiut nëpër
xhamin e dritares. Ne e ndjejmë se kjo lagështirë nuk është ndonjë shi (jemi në
një korrik të thatë sivjet, dhe do e dëshironim një shi) por një lagështirë në
sytë e poetit tek shkruan pas reve të dendura të kujtimit të mikut të tij. Këtë
lagështirë në sytë e Kotes do ta ndjejmë në gjithë poezinë, por ai dëshiron ta
fshehë nga lexuesi, do ti krijojë atij mendimin se gjoja këtë ja shkakton tymi
i duhanit të fortë të Petrit Rukës dhe se ja mjegullon pakëz shikimin.
Përpjekje e kotë gjithsesi: Petrit Ruka vërtet pinte duhan të dredhur, por
gjithmon ishte i kujdeshëm që tymi i duhanit të tij të mos bezdiste miqtëdhe
shokët e pranishëm. Kot e ka Odisea që
“dredhon”, Petrit Rukën nuk e ka përballë, sado që do e dëshironte këtë, Petrit
Rukën ai e ka brenda tij, në zemër dhe në kujesë dhe ky tym duhani vjen nga
brenda shpirtit e zemrës së tij, i njom pakëz sytë dhe rrëshqet nëpër vargje,
dhe mqse me këto vargje ai e mbyll
poezinë, vargjet voziten si varka mbi liqen. Është i kripur shumë ky liqen
lotësh ndaj në brigjet e tij nuk kanë mbirë metafora.
Sikur të mos
mjaftonte kjo, Kote e vazhdon vargun me fjalët: ”e kollitet rëndë” fjalë
që na godasin si grushta të fortë dhe na palosin mendimin si në një
nokaut. Ata që kanë pirë duhan e dinë se çfarë është ajo “kollë e rëndë”,
por e dimë më mirë ne që kemi qënë e mbetem miq të Petrit Rukës, ne që: (“me
cabrioleta të pastër/(nuk) Hyjnë në ministri, dikastere e kuvend”).
III-“Poeti gjithë
ditën pi veç një kafe të zezë” shkruan Kote dhe mua mu shfaq imazhi i
poezisë “Baladë pensionistësh” të
Petrit Rukës me vargjet: “Në
lagjen tjetër, një kafe e hidhur,/Kushton dhjetë lekë më pak” me atë
mbylljen e saj si një këmbanë morti: “Po Atdheu, atdheu, ku është që s`e
shoh,/Do jetë shkrehur në vaj”? Ky imazh varfërie i Petrit Rukës më kujtoi
përgjigjen e atij mini-strit francez të kulturës që, kur e pyetën gazetarët e
huaj se: pse e kishin lënë në varfëri të skajëshme poetin e shquar (Alfred de
Musse, nqse nuk gaboj) ai qetësisht u përgjegj: “Varfëria e poetit është
pasuria e Francës”. Sado cinike që tingëllon
kjo përgjigje e ministrit francez, në qasje me Petrit Rukën është fatkeqësisht
e saktë: varfëria e Petrit Rukës është vërtet pasuria e Shqipërisë. Ajo varfëri
e shkaktuar nga pesëmbëdhjet vjet papunësi, ai tension për mbijetesë i dha
impuls krijimtarisë së tij poetike falë të cilit krijoi ato perla aq të dashura
dhe të kërkuara nga lexuesit. Unë do
them se më shumë se sa poezitë perla, Petrit Ruka është prurësi i baladave
shqiptare nga mugëtira e shekujve, të cilat si kështjella të të restauruara dhe
pastruara nga myshku e pluhuri i kohërave, i vuri në rrugëkalimet kyçe të
letërsisë shqipe, në mbrojtje të identitetit të kombit. Për të restauruar një
pikturë apo mur bedene shteti paguan jo pak, po për të restauruar një
kështjellë arti gojor, sa do ti kushtonte vallë?
IV-“Poeti thur
baladat, si në balada tretet” rrënkon në vargje poeti Kote, dhe mua më
përshkroi një mornicë si një rrymë trefazore, pse mu kujtua se pikërisht
shprehjen “tretem mbi baladë” ma pati thënë dikur vetë Petrit Ruka. Në
një bashkëbisedim telefonik me atë para se të shkruante baladën “Kostandini dhe Jurentina”, i thashë: Erdhi
koha të mirresh me Kostandinin dhe besën e tij, Petrit. Vetëm ti mund ta
risjellësh mes nesh këtë baladë, ndaj leri fare baladat e tjera. Të gjitha ato
bashkë nuk kanë peshën dhe vlerën e saj.
–E di mu përgjegj ai, por po të them se kam plot pesë vjet që po lodhem,
stërlodhem e tretem mbi atë baladë, por të “jap besën” se do ta
përfundoj së shpejti. Kjo “së shpejti”
ishte vërtet “shpejt”, pse ai e publikoi baladën e tij brenda dy muajsh.
U drodha kur e lexova
këtë frazë te Odise Kote. Ku e dinte Odiseja këtë
thënie të sivëllait
Ruka, se unë askujt nuk ja kam thënë gjer më sot. Në fakt nuk duhet të habitem
shumë, miqësia mes poetëve krijon mes tyre diçka të ngjashme me vëllezërit
siamezë, me ndryshimin se mes tyre nuk trasmento-het gjaku, por ndjenjat e
mendimet. Kështu shpjegohet që Odise Kote në vargun e tij ka cituar fjalën e
Petrit Rukës. Sikur të mos mjaftonte kjo, Odise Kote na
sjell vargun: “si një shenjt po vdes pak e pak”. Në fakt ky varg nuk më
tronditi shumë sepse atë: “vd..s pak e pak” e kisha ndjerë qysh te ajo
“tretja” e tij mbi baladë, por ajo që më hutoi ishte krahasimi ”si
një shenjt”, prej nga mua mu shfaq imazhi i Shën Jeronimit, ashtu i dobët
nga të pangrënët, ose më saktë nga mospasja kohë për të ngrënë sepse po
përkthente Biblën. Dhe Petriti nxitonte të shkruante ndaj s’kishte kohë as për
të ngrënë, tretej mbi vargje, e largonte gjumin me vargje…
Unë ju them se Petrit
Ruka është vërtet një shenjtor i letërsisë shqipe, ai besonte dhe ishte vënë në
shërbim të Perëndisë Art dhe Odise Kote është i pari që e shprehu këtë të
vërtetë. Ne duhet vetëm ta besojmë Odisenë dhe ta lexojmë Biblën poetike të
Petrit Rukës.
Thamë më sipër se: Për të restauruar një pikturë apo mur bedene shteti paguan jo pak, po për
të restauruar një kështjellë arti gojor, sa do ti kushtonte shtetit vallë?
Petrit Ruka jo vetëm që nuk u pagua për
kështjellat -balada që ripruri në kohën tonë, në ruajtje të gjuhës dhe identitetit
kombëtar, por edhe ato pak kursime që kishte i shpenzoi për shkrime e botime
dhe kur erdhi koha, ai : “për seanca me rreze kobalti s’ka lekë”. Një
ngulç të mblidhet në shpirt, gati për të shpërthyer në ulërimë, por na ngec në fyt kur shohim se: “Miq të
dikurshëm, që i vjedhin idetë,/ vargjet e tij recitojnë në parlament”. Dreq o punë kjo: po ku dinë deputetët të
lexojnë poezi? Po të dinin të lexonin, eh po të dinin të lexonin, së paku të
lexonin poezitë e Petrit Rukës, sa mirë do qe, sa punë të mira dhe të bukura do
bënin: s’do mërgonte rinia duke plakur vendin, s’do “qante atdheu” ditë
e natë. Ja që deputetët, miq të dikurshëm të poetit dinë vetëm “t’i vjedhin
idetë’, ato ide që shfaqin vizione për rrugët e së ardhmes, ata i përddorin
për asfaltimin e rrugëve të së shkuarës. Të vjen të shkosh para parlamentit kur
hyjnë apo dalin ata dhe tu ulërish para fytyrës, por çfarë do fitonte Petrit
nga kjo? Ne se ndihmuam dot kur pati nevojë, ndaj ndjehemi fajtorë për ikjen e tij. Ndjehmei fajtor që
nuk u bë ndonjeri nga ne ministër apo drejtor dikasteri, të bënte një tender
koruptiv, sa për ti paguar poetit shepnzimet e seancave me rreze kobalti,
sigurisht pa i treguar gjë atij, të mirit, të ndershmit, të tepelentit të madh
Petrit Ruka. Sepse nuk e ndihmuan as ata: “Miq të dikurshëm, që
e lanë të papunë,/ (që
për vete) ngrejnë grataçiela dhe kulla binjake”.
V-“Poeti hyn në
tekste librash, mediume,vetmitar..” shkruan Kote. Sigurisht që Poeti do
hyjë nëpër tekste librash, ngarkuar me baladat e poezitë e tij, siç hynte në
portën e shtëpisë prindi ditën e rrogës ngarkuar me ushqimet e porsablera të
familjes për muajin dhe fëmijët vrapojnë e i mblidhen rreth për ëmbëlsirat e
mundëshme që ka prurë.
Veçse Petrit Rukës
nuk i mblidhen rreth baladave vetëm fëmijët, por edhe pleqtë e moshuar i
dëgjojnë me ëndje dhe i japin uratën aty ku ka rënë në gjumin e gjatë. Madje
dhe Atdheu i dëgjon baladat e tij, përlotet dhe e shtrëngon lehtë në gjoksin e
tij me dashuri e ëmbëlsi nëne, e përkëdhel lehtë lehtë dhe përpiqet ta mbajë sa
më gjatë ashtu të bukur. Atdheu nuk e ka plagë në zemër Petrit Rukën, Atdheu e
ka këngë në zemër Poetin.
Vetëm “Miq të
dikurshëm, kanë gati fjalimet /Për mëshirë një titull dhe një dekorate”, do
mblidhen nëpër salla nëpër përvjetorët e ikjes së tij, do flasin me pasion për madhështinë e (pakuptueshme
prej tyre) të tij, do citojnë vargje e libra të poetit, do…, por unë nuk do jem
aty. Unë nuk do jem në asnjë përvjetor të ikjes së poetit sepse unë, diku,
vetmitar, në përvjetorët e botimeve të poetit do çfletoj librat e tij.
Sigurisht që do vijë dhe Petrit Ruka e do flasim për poezinë shqipe, të sotme e të djeshme, do përmendim poetët e
mëdhenj (si ai) të shpërfillur nga institucionet, pavarësisht dashurisë,
bukurisë, finesës dhe forcës metaforike të vargut të tyre. Do këmbngul në
bisedë për baladat që ai i ripruri në kohën tone, si një flamur që shpalosej në
sulmin mbi hordhitë që synonin kështjellat tona. Sigurisht që do të flasism për
poetin Odise Kote dhe monumentet e tij
poetike, dhe si rastësisht unë duke nxjerr ndezur celularin do ti them: Shih si
shkruan Odise Kote te poezia “Poeti” për ty.. Shih sa bukur të ka shpirtëruar
në vargje!
Sarandë,
më gusht 2023
POETI
-
Petrit Rukës
Poeti blen duhan
rruge, të lirë, të hapur,
dhe pi cigarë të
dredhur e kollitet rëndë.
Miq të dikurshëm, me
cabrioleta të pastër,
Hyjnë në ministri,
dikastere e kuvend.
Poeti gjithë ditën pi
veç një kafe të zezë,
për seanca me rreze
kobalti s’ka lekë.
Miq të dikurshëm, që
i vjedhin idetë,
vargjet e tij
recitojnë në parlament.
Poeti thur baladat,
si në balada tretet,
nuk ka kura speciale,
s’blen dot as ilaçe.
Miq të dikurshëm, që
e lanë të papunë,
ngrejnë grataçiela
dhe kulla binjake.
Poeti hyn në tekste
librash, mediume,
vetmitar, si një
shenjt po vdes pak e pak.
Miq të dikurshëm,
kanë gati fjalimet,
Për mëshirë një
titull dhe një dekoratë.
Poeti blen duhan
rruge, të lirë e të hapur,
dhe pi cigarë të
dredhur e kollitet rëndë.
Miq të dikurshëm, me
cabrioleta të pastër,
Hyjnë në ministri,
dikastere e kuvend.
6
korrik 2023