E shtune, 20.04.2024, 12:07 AM (GMT+1)

Speciale » Alia

Lutfi Alia: Shqiponja në stemat heraldike të familjeve dinastike arbërore (II)

E merkure, 16.08.2023, 09:00 PM


SHQIPONJA NË STEMAT HERALDIKE TË FAMILJEVE DINASTIKE ARBËRORE

(PJESA II)

Nga Lutfi ALIA, Siena – Itali

Flamuri i Kastriotëve në hartat portolane në shekujt XIV – XV.

Si rezulton në kronikat dhe dokumentat e shekujve XIV – XV, Kastriotët, ashtu si gjithë fisnikët e kohës, kishin stemën heraldike (mburoja me shqiponjën dykrenore me kurorat mbi kokat dhe me yllin gjashtëcepash); si referon Barleci kishin flamurin e kuq me shqiponjën e zezë dykrerëshe, që shpalosej mbi bedenat e kështjellave dhe në krye të repartëve të arbërorëve në betejat kundër hordhive të Perandorisë Osmane. Përgjithësisht, flamujt e reparteve të ushtrisë arbërore, ishin pasqyrim i heraldikës të principatavë të origjinës, pra repartet e Arianitëve kishin flamurin e tyre, Balshajt flamur tjetër, Muzakët flamur të ngjashëm me Kastriotët, Topiat në flamur kishin luanin etj.

Marin Barleci, në veprën “Historia de Vita et Gestis Scanderbegi Epirotarvm Principis ... faqe 15”, thekson se Gjergj Kastrioti kishte flamurin e kuq me shqiponjë të zezë dykrerëshe “Rubea vexilla nigris et bicipitibus distancta aquilis gerebat Scanderbegus“. [Marinii Barletii Scodrensis. Historia de Vita et Gestis Scanderbegi Epirotarvm Principis..., Impressum Rome per Bernardino de Vitali, s.d. (Maggio 1522), fol. XV, CLIX c].

Po kështu shkruan dhe J. Lavardin, në veprën e tij dedikuar Skenderbeut, por e bazuar në veprën e Barlecit. [Lavardin Jacques, Histoire de Georges Castriota, surnommé Scanderbeg, Roy d’Albanies. A Franche-Ville, pour Iean Arnavld. Paris 1597, 1604]

Biemmi (1708 – 1784), në vepran dedikuar Gjergj Kastriotit, të cilën e hartoi bazuar në shkrimet e Dhimiter Frangut, thekson: “L’insegna di Skanderbegh era un’aquila negra distinta in due teste sopra campo rosso - Flamuri i Skënderbeut ishte me shqiponjë të zezë me dy krerë në shesh të kuq”. [Giammaria Biemmi. Istoria di Giorgio Castriota detto Scander-begh, Brescia, 5 marzo 1756, pp. 12]

Në shekujt XIII – XV, heraldika e mbreterive, principatave dhe e fisnikëve europianë pasqyrohej edhe në hartat e kohës, ndër ato dhe në hartat portolane, manuale të bregdetit të vendeve, që përcaktonin topografinë e porteve dhe drejtimet e lundrimit të anijeve, të hartuara fillimisht në Itali e më pas në Spanjë. Në këto harta pasqyrohet bregdeti i Arbërisë dhe krahas qyteteve bregdetare është Kruja (Croya). [Heinrich Winter: Catalan Portolan Maps and their place in the total view of cartographic development, Petrus Roselli1447-1468; Berlin. 1958. Vol.11, p. 1 - 12]

Njoftimin e parë të pasqyrimit të Arbërisë në hartat portolane e dha Prof. Shyqyri Nimani, i cili botoi hartën Portolane të Mesdheut të vitit 1456, me autor Petrus Roselli, ku pasqyrohet flamuri i Kastriotëve me fushën të verdhë, me shqiponjën dykrenore të kuqërremtë, pa yllin me gjashtëcepa, me shtizën të vendosur në Krujë.     Prof. Shyqri Nimani shkruan: “Në vitin 1980, vizitova ekspozitën Art & Cartography në Çikago, të organizuar nga The Art Institute of Chicago dhe biblioteka The Newberry Library, ku ishin ekspozuar hartat unikale nga mbarë bota. Aty ishte dhe një hartë portolane, që më tërhoqi vëmendjen: Harta portolane e Mesdheut, e vitit 1456, e pikturuar me ngjyra në pergamen, e katologuar në bibliotekën The Newberry Library në Çikago. Harta ishte pronë e koleksionit te Edward E. Ayerit, (Manuscriptus Map. Nr. 3) dhe mbante shënimin: “Petrus Roselli compossuit hanc cartam in civitate Maioricarum anno domini MCCCCLVI  - Petrus Roselli e vizatoi hartën në qytetin Majorka në vitin 1456”. Kjo hartë portolane, tipike e pikturuara me dorë në pergamenë, u shërbente navigatorëve në shekullin XV dhe prezanton Detin Mesdhe, Detin e Zi, bregdetin europian nga Danimarka, në ujëdhesat Britanike e Skoceze, bregun Veriperëndimor të Afrikës, ujëdhesat Kanare, Medeirën dhe ujëdhesat Azure në Oqeanin Atlantik. [Shyqyri Nimani Harta portolane e Mesdheut. Gazeta ZËRI-t, 8. II. 1992]

Me rëndësi në këtë hartë është fakti se ndër 41 flamujtë me ngjyra, është flamuri i Kastriotëve, me shtizë të ngulitur në Krujë (Croya), për të treguar se ky flamur i përket zotërimeve të Kastriotëve. Flamuri ka sfond të verdhë (i artë) me shqiponjën dykrerëshe të kuqe të vendosur në qendër. Kuadrati i flamurit të verdhë, ka thekë anësore dhe dy vijëzime horizontale të holla ngjyrë të zezë, njëra mbi dhe tjetra nën shqiponjën. Pra flamuri ka tri ngjyra – fusha e verdhë (e artë), ka vetëm një figurë (simbol) – shqiponjën dykrerëshe ngjyrë të kuqe dhe kornizën me thëkët ngjyrë të zezë.

Në hartën e Roselli të vitit 1456, shqiponja e kuqe dykrerëshe në flamurin me sfond të verdhë, ka ngjashmëri me shqiponjën e afreskut në Kishën e Shën Antoni në Kepin e Rodonit, çka na nxit të hamendesojmë, se është vepër e atyre viteve, pasi dihet se kjo kishë e lashtë ishte rindërtuar nga Gjergj Kastrioti.  Shqiponja në absiden e kishës së Shën Antonit nuk është rastësisht e kuqe, sepse askush nuk do ta ndryshonte ngjyrën e shqiponjës nga ç’ishte ngjyra e vërtetë, sepse kishte të bënte me autoritetin shtetëror të Gjergj Kastriotit, asi kohe Zot i Albanisë (Dominus Albaniae). Në se Barleci, Lavardin, Biemmi, Padiglioni etj, thonë se Kastriotët kishin flamurin me fushë të kuqe dhe shqiponjën me ngjyrë të zezë, kuptohet se flamuri i verdhë, me shqiponjën dykrerëshe ngjyrë të kuqe, i vizatuar në hartat e Petrus Roselli, ishte flamuri i anijeve të dinastisë Kastrioti.

Nga verifikimi i hartave portolane, rezulton se së paku nga shekulli XIV, kur sundimtar i principatës të Arbërit ishte princi Gjon Kastrioti, flamuri i Kastriotëve me sfondin e verdhë dhe shqiponjën e kuqe është pasqyruar në Mapa Mundi e vitit 1339 me autor Angelino Dulcert me origjinë gjenoveze, i cili ka punuar në Palma Majorka. Kjo hartë me përmasa 75 x 102 cm ndodhet në Bibliothèque Nationale de France, Paris. Kartografit Angelino Dulcert, i dedikohen dy harta portolane, njera e vitit 1325 (ruhet në Koleksionin Korsini - Firence), e konsideruar ekzemplari i parë i “Shkollës Majorka” dhe harta e vitit 1339, me flamurin me sfond të verdhë, me në qendër shqiponjën dykrerëshe ngjyrë të kuqe, me shtizën të ngulitur në Krujë (Croya). [Julio Rey Pastor e E. G. Camareiro. La Cartografia Mallorquina. Madrid 1960].

Në muzeumin “Maritimo” ne Barcelona, ruhet një hartë portolane manuskrit në pergamenë, e vitit 1439 me

autor kartografin Gabriel di Vallseka i “Shkollës Majorka” dhe dy harta po të Valleska njëra e vitit 1440 dhe një e vitit 1447, të ruajtura në Bibliotekën Nacionale Paris. Në të tre këto harta, Valleska ka vizatuar flamurin e Kastriotëve me sfond të verdhë, me shqiponjën dykrenore me ngjyrë te kuqe, me shtizën të ngulur në Krujë.

Në vitin 1447, Gabriel de Valeska e riprodhoi duke e pasuruar me elemente maritime dhe përsëri e vizatoi flamurin e Kastriotëve, me sfond të verdhë dhe shqiponjë të kuqe. Një kopje e kësaj harte është në Bibliotekën Nacionale Franceze në Paris. Një hartë të vitit 1447, e vizatuar nga Gabriel de Valseka, ishte në pronësi të nje marinari nga Piza dhe në vitin 1480 e kishte blerë Amerigo Vespuçi, duke paguar 130 dukate. [Gerald Roe Crone, Origin of Early Marine Charts, in The Geographical Journal, vol. 128, nº 1, 1962, p. 114]. [Sabrina Muzi, Amerigo Vesspucci. Esploratore colto 2018].

Ekzistenca e hartave portolane të vitit 1339 me autor Angelino Dulkert dhe tre hartat e viteve 1439, 1440 dhe 1447 të Gabriel di Vallseka, dëshmojnë se anijet e princit Gjon Kastrioti mbanin flamurin e verdhë me shqiponjën e kuqe, madje këtë flamur e përdorën dhe anijet e Gjergj Kastriotit pas vitit 1444.

Hartat preçedente të Angelino Dulkert dhe tre hartat e Gabriel de Valeska, kanë shtruar pyetjen: Mos vallë Petrus Roselli kartograf i shkollës Majorka, e ka kopjuar nga Angelino Dulkert dhe Gabriel de Valeska ??

Petrus Roselli ishte me origjine italiane, i emigruar në Majorka - Spanjë, ku zhvilloi aktivitetin si kartograf, duke krijuar gjashtë harta portolane të viteve 1449, 1456, 1462, 1464, 1465 (në British Library) dhe 1466 (University of Minnesota, Twin Cities. James Ford Bell Library). Në hartën e vitit 1449, ndërmjet 36 flamujve, Roselli ka vizatuar flamurin e Kastriotëve, të shpalosur djathtas, me sfond të verdhë në të hirtë, me shqiponjën dykrerëshe të kuqe, me shtizën të vendosur në Krujë (Croya).

Në vitet 1456 - 1468, Roselli realizon harta më cilësore, me topografi më të saktë, madje shumë prej tyre jane kopjuar nga kartografë të tjerë dhe janë perdorur në lundrim nga marinarët edhe në shkullin XVI. Krahas këtyre vlerave, hartat e Angelino Dulkert, të Gabriel de Valeska dhe të Petrus Roselli janë me rëndësi për historinë e vendit tonë, pasi të gjitha kanë flamurin e Kastriotëve, i prezantuar me të njejtat karakteristika, sfond i verdhë, shqiponja dykrerëshe e kuqe.

Flamuri i dinastisë patronomike Kastrioti, ashtu si flamujt e mbretërive, principatave dhe republikave mejetare europiane, i prezantuar në këto 10 harta portolane, ka vlera juridike dhe historike ndërkombëtare.

Moikom Zeqo, studiuesi kompetent dhe i apasionuar i historisë tonë kombëtare dhe i Kastriotëve, shtron pyetjen: “Pse në kohën kur ishte në jetë Skënderbeu, flamuri i tij i njohur ndërkombëtarisht jepet në një fushë të verdhë (të artë) dhe me shqiponjë të kuqe dykrerëshe?” Ne vazhdim Moikomi, si çdo studiues serioz, shpreh një pikëpyetje, që kërkon një përgjigje të vërtetë dhe të argumentuar. Aq më tepër që substanca e kësaj pyetjeje bëhet më e fortë, kur dimë tashmë se në absidën e Kishës së Shën Andonit, në Kepin e Rodonit, ku ka qenë rezidenca dhe kështjella e Gjergj Kastriotit, është zbuluar pikërisht një shqiponjë dykrerëshe e kuqe. Kjo shqiponjë nuk është bërë rastësisht e kuqe, por është bërë si ishte në flamurin e verdhë të Kastriotëve. Moikom Zeqo me shumë të drejtë thekson: “Flamuri i Kastriotëve është me sfond të verdhë e me shqiponjë dy krerëshe ngjyrë të kuqe. Duke thënë këtë, nuk behet blasfemi, por një saktësim historik”. [Moikom Zeqo.  Harta e 1456, e vërteta për flamurin e Skënderbeut, Dita, 12 mars 2018].

Nga këto të dhën mund të sugjerojmë disa konkluzione të bazuara në kritere shkencore:

1. Faktet historikisht autentike, që në të gjallë të Skënderbeut, ekzistonin 10 harta portolane me flamurin me sfond të verdhe, me shqiponjën dykrereshe me ngjyre t e kuqe, ashtu si është fakt i pakontestushëm dhe afresku me shqiponjën dykrerëshe me ngjyrë të kuqe në Kishën e Shën Antonit në kepin e Rodonit.

2. Në veprën e Barlecit, përsëritur nga historianë të tjerë të më vonshem, flitet për flamurin me sfond të kuq e me shqiponjën e zezë dy krenore, që iu printe arbërorëve në beteja, pra ky ishte flamuri i ushtrisë të Lidhjes së Arbërit.

3. Moikom Zeqo thote: “Barleci nuk është dëshmitari okular, por dëshmi e metamorfizuar, gati gjysëm shekull më vonë pas vdekjes të Skenderbeut, andaj Barleci duhet shikuar me rezervë, jo me absolutizem”. Studiuesit nuk mund të marrin dëshmi të vona dhe të transformuara, por duhet të bazohen në dokumentat e kohës, andaj është i besushëm flamuri me sfond të verdhe dhe me shqiponjë dykrerëshe të kuqe, sepse dokumentohet në harta portolane, të kartografëve të Shkollës së Marinës në Majorka të Spanjës.

Çështja e flamurit të Kastriotëve bëhet më intriguese, nga përshkrimet që bën Karlo Padiglione në veprën “Di Giorgio Castriota Scanderbech e de’ suoi discendenti – narrazione. Napoli 1879, Stabilimento Tipografico del Cav. Francesco Giannini, Via Cisterna dell’Olio, 6”.

Skenderbeut i janë dedikuar shumë vepra, një ndër ato është dhe kjo e Karlo Padiglione, i cili pasi trajton dallimet ndërmjet pasardhësve të Gjergj Kastriotit dhe të pasardhësve të Vrana Kontit (Vrana Granai Kastrioti), përshkruan edhe stemat heraldike dhe sidomos flamurin e Gjergj Kastriotit, duke prezantuar të dhëna historike dhe dokumentare të shumë autorëve të mesjetës. Madje kjo vepër ka shumë surpriza, që do t’i prezantoj në shkrimin e ardhshëm.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora