Kulturë
Xheladin Mjeku: Shprangosja e ëndrrave përtej grilave të tmerrit
E marte, 01.08.2023, 07:47 PM
SHPRANGOSJA E ËNDRRAVE PËRTEJ GRILAVE TË TMERRIT
Avdush Canaj: ''EDHE ËNDRRAT NË PRANGA'',
(Lirika nga burgu), botoi Sh. B. ''Armagedoni'' - Prishtinë, 2022
Nga Xheladin
MJEKU
1. Veçanti dritësore
Derisa po e lexoja përmbledhjen e lirikave nga burgu ,,Edhe
ëndrrat në pranga” të Avdush Canajt, mu rikujtua poeti, tashmë i ndjerë, Havzi Nela, që kishte
lënë në dorëshkrim lirikat më të veçanta, të krijuara në terrinat e qelive të
burgut, prej nga i nxjerr në dritë me shumë vështirësi. Havzi Nela, për të
cilin më heret kam bërë një shkrim nga mbresëlënja e atyre poezive, mbetet
model i një guximtari, që për asnjë çast, sa ndodhej në burg, nuk ndaloi së
shprehuri revolën e tij përmes vargjeve, për t’i përcjellur pastaj me shumë
peripeti jashtë grilave të burgut. Këtë ,,zeje” kaq të veçantë, bazuar nga
natyra e jetës së kufizuar prapa grilave, do ta pasojnë edhe krijues të tjerë,
që kishin fatin e tij, apo ngjashëm, në përballje me dhunën fiziko-psikike, me
rrezikun e likuidimit, e deri edhe me persekutime të familjeve dhe njerëzve që
do të identifikoheshin si përkrahës të tyre, në çfarëdo mënyre qofshin ata. I
madh është numri i atyre që kishin pësuar burgosje, e persekutime të ndryshme
nga sistemi monist, qoftë nga Shqipëria, Kosova, etj. Të ndjekur në çdo hap, të
burgosur dhe të persekutuar në format më barbare nga regjimi komunist ishin
edhe vëllezërit Alush dhe Avdush Canaj. Derisa Alushit nga torturat sistematike
të pushtetit do t’i shuhet jeta në moshë të re, Avdushi ia del të kaloj
kalvarin e persekutimeve, për të shpëtuar nga kthetrat barbare. S’bashku me
Avdushin do të shpëtojnë edhe shkrime artistike-letrare, dëshmi e kujtime, që
pastaj t’i kemi dëshmi të asaj kohe, për të mësuar se cila ishte rruga që
kishte kaluar autori.
Studiuesi Bujar Leskaj në librin e tij voluminoz ,,Muzat
e qëndresës“, ku trajton jetën dhe veprimatrinë krijuese të të burgosurve politik
të monizmit në Shqipëri, të cilët përveç sakrificave që bën në përballje me
torturat më barbare, ata do të lënë edhe shumë vepra të vlefshme për kohën,
meqë aty shohim jetën dhe veprimtarinë e tyre të krijuar në gjini të ndryshme,
si poezi, prozë, monografi, ditarë, etj. ndër të tjera shkruan: ,,Dëshmitë e
shkruara dhe analizat ndërtekstuale që mund t’i bëjmë njërës apo tjetrës vepër
letrare që konsiderohet si letërsi e burgut, mund të jenë shpeshherë më të
vlefshme se arkivat e zyrtarizuara”, për ta plotësuar mendimin e tij, se ,,Ky
vështrim mendoj se mund të jetë me rëndësi shoqërore e sociale, i vlefshëm, jo
vetëm për një brez që fizikisht e ka jetuar diktaturën komuniste, por edhe për
një brez tjetër të ri që duhet të dijë, duke parë në një këndvështrim realist,
atë të vërtetë historike që mund ta mësojë, jo vetëm nga historia analitike,
por edhe nga romanet dhe librat me kujtime historike”. Në prizmin e kësaj
faktografie e gjejmë edhe jetën dhe veprimtarinë krijuese të Avdush Canajt, i
cili pas një kalvari të gjatë vuajtjesh nëpër kazamatet jugosllave, do t’i
kthehet jetës, për ta mbushur me krijime të reja letrare-artistike për brezat e
rinjë, pa mos e harruar edhe të kaluarën e tij nga burgu, të cilën e pasqyron
përmes vargjeve, si një dëshmi të fuqishme për një kohë të nderë me plot
rreziqe.
2. Artikulimi i lirisë dhe ëndrrave
në vargje
Gjatë leximit të përmbledhjes poetike ,,Edhe ëndrrat
në pranga” nuk do t’i shkoj ,,për tehu” trajtimit të kësaj analize të
shkurtër, pavarësisht se mprehtësia e vargjeve prejnë deri në palcë
shpirtkëqinjtë e një kohe të tmerrshme, që nuk ngopeshin dot, me gjithë dhunën
që ushtronin mbi rininë dhe botën intelektuale, kryesisht, pa mos u ndier keq
duke vënë dorën e krimit edhe mbi të moshuarit, fëmijët, të sëmurët, etj. me
qëllimin e vetëm që të mbanin të tensionuar situatën, e cila gjithnjë e më
shumë po i afrohej një shpërthimi gjithëpopullor. Këtë edhe e dëshironte
pushtuesi, që pastaj të kishte sa më shumë arsyetime para opinionit
ndërkombëtar që të merrej me ,,disiplinimin” e rebeluesve të “mashtruar”.
George Luis Borghes në ligjëratën e tij ,,Enigma e
poezisë” ndër të tjera thotë: ,,Arti ndodh sa herë që lexojmë poezi”. Një
ndodhi të tillë e takojmë që në vargjet e para të këtij libri, anipse aty
gjejmë edhe të frikshmen, tmerrin, dhunën, torturat, por mjeshtria e poetit u
jep shpirtin këtyre vargjeve, duke i mveshur me petkun artistiko-letrar.
Që në hapje të këtij përmbledhjeje peotike shfaqet si
udhërrëfyes njoftimi, se ,,Në një fije letre duhani, në qeli, shkruaj
vjershën për Atdheun”, që vjen edhe si varg, edhe si moto e gjithë asaj
kohe-torturë që takojmë në tërë lëndën poetike. Këtu, kryekëput kemi një
materje tematiko-letrare, e cila rrjedhimisht shtjellon ngjarje të përjetuara,
prej nga tjerren kujtimet përmes ambienteve nebuloze, që pastaj si një tis i
hollë mjegulle shpërfaqen kujdesshëm, si shkëndija qëndrese, duke besuar në
ditën, derisa ,,pranvera nis me Flamur”. Për t’i nisur jashtë burgut
këto kujtime, poetit padyshim i është dashur të kaloj nëpër shumë sakrifica,
meqë kjo punë nuk ka qenë pa rreziqe. Ndonëse ,,Vjershat i shkruaj tinëz,
edhe nën batanije./ Një ditë më zunë/ me pelë për dore”, që do t’i kushtoj
me burg shtesë, derisa ,,Dhelparakut që më spiunoi/ ia hoqën 6 muaj burgim,/
në shpinën time i ngarkuan pa gjyq”. (,,Vjershat i shkruaj tinëz”, fq. 49).
Gjithçka kishte koston e vet këtu, dhe ajo kosto del të jetë rrugëtim i
shtrenjtë, me vështirësi të shumta tehut
të vdekjes a jetës.
Strukturimi në katër cikle që ndërtojnë librin, përfshin
një periudhë të veçantë kohore të trajtimit represiv të personazhit-autor, duke
i vënë në shfrytëzim metodat më çnjerëzore të torturimeve të vazhdueshme te të
gjithë të burgosurit ,,irredentistë”. Ky ndërtim kompakt mes cikleve, ndonëse
me tematikë dhunën, dhimbjet dhe urrejtjen deri në përbuzje, mban në vete edhe
qëndresën dhe guximin e pashembullt të të rinjëve shqiptarë, që po
persekutoheshin nëpër kazamatet e pushtuesit shekullor. Kështu, në ciklin e
parë ,,Syri i ferrit” nuk shpëton asgjë pa u trajtuar në përmasën e
paskrupullt të represaljeve, derisa në një kohë dalin në sipërfaqe qëndrimet e
të burgosurve, të cilët demonstrojnë veprimet e tyre rebeluese, me përplasje të
herëpashershme me personelin e burgut, si reflektim i vetëdijësimit të tyre, për të bërë të
kuptohet se rezistenca e të burgosurve do të shprehet gjithnjë e më hapur në
mbrojtjen e të drejtave të tyre njerëzore. Këto veprime vazhdimisht i takojmë
që nga cikli ,,Kur e përplasin derën e qelisë”. Në realitet kjo shpërfaqje
rebelimi vjen si rezultat i humbjes së durimit të gardianëve kundruallë
veprimeve të të burgosurve, që tashmë kishin krijuar një kompaktësi veprimesh,
të sigurtë se do të triumfojnë mbi këtë të keqe që i kishte katandisur, sepse
ata nuk kishin bërë asnjë vepër të dënueshme, përveçse po kërkonin pranverën e
tyre të lirisë.
Avdush Canaj, mbi
bazën e këtyre situatave, po bindej gjithnjë e më shumë se së shpejti do t’i
kthehet familjes, nënës dhe atdheut. ,,Do të vijë me diellin në duar”shprehet
ai, derisa ende kishte burg për të bërë, por guximi dhe dashuria për njeriun e
tij, për atdheun dhe lirinë ia sforconin besimin tek ajo ditë me diell lirie.
Çka ndodh kur poeti edhe fizikisht do të jetë i lirë, përtej grilave, që aq
gjatë ia ngushtuan frymëmarrjen, ia ndaluan rrezet e diellit dhe ia ndërprenë
këngën e lirisë? Vërtetë, ,,Kur dola nga ferri”, siç shprehet autori,
,,Te dera më priste pëllumbi/ që e ndaja bukën me të përditë,/ nën flatra
kishte fshehur vargjet, poezitë” ( po aty, fq. 84). Me këto vargje poeti,
pastaj do të qeras të gjithë që e deshën dhe e pritën me gëzim kthimin e tij në
vendlindje! Ai do ta stolis lirinë me bukurinë e fjalës dhe vargut që ligjëroi
tërë kohën, derisa po e ëndërronte këtë dalje nga ferri i madh që e kishte mbajtur për vite.
3. Kur fryjnë erërat e rebelizmit
Artikulimi i vargut
në përgjithësi paraqet ngjyrimin kohor, ku ndërlidhen fuqishëm situatat e
jetuara e të mbijetuara, duke ndërtuar kështu një kronologji të ngjarjeve
brenda grilave, të cilat ia shtojnë besimin se vetëm me qëndrimin e paepur
përballë këtyre ngjarjeve mund të dilet fitimtarë. Kështu, cerberëve të
paskrupullt, të cilët kishin shprehur mllefin ndaj tij, veç pse e deshi “Nënën
Iliriane”, do t’iu përgjigjet me një urrejte të sforcuar, gadi rebeluese,
në poezinë ,,Në netët me trishtim”, sepse tashmë i kishte arritur në
maja durimi ndaj tyre:
,,Gjysh e stërgjysh
Luftuan për liri,
Nëna ime, e dini
Ka emrin Arbëri”
(Po aty, fq. 18)
E veçantë është
poezia ,,Letër nënës nga burgu”, për formën e komunikimit dhe guximin e
patundur të saj. Poeti sjell me pak fjalë botën heroike të nënës, sakrificat,
vuajtjet, por edhe qëndrimin burrëror të saj, përballë furtunave që e
përshkojnë situatën. ,,Dashuria jote s’më le të vdes/ dhe s’do të vdes, o
nënë/ s’do të vdes/ pa ia shtypur kokën lubisë” (po aty, fq. 64).
Përkundër të gjitha këtyre ngjarjeve që do ta përcjellin
nga çasti në çastin tjetër, gjithnjë me tortura e shqetësime të ndryshme, një
ditë do t’i kumtohet dënimi ,,Nga gjykata ushtarake në Sarajevë”, me
arsyetimin se e paskan gjetur ,,…fajtor pse ke thënë:/ e dua Lokemadhen,/
Nënëloken/ Është nëna ime.”, për t’ia komunikuar njërën pas tjetrës edhe
“fajet” pse e ka puthur flamurin me shqiponjë, pse ka shkruar poezi dhe ,,…pse
ke kënduar një ditë/ për Shotë Galicën, Bajram Currin,/ pse e ke quajtur
Beogradin/ xhelat./ Ke bërë krim/ prandaj dënohesh me pesë vjet burgim!”
(po aty. fq. 25). Por, barbarët asnjëherë nuk do të mjaftohen me kaq. Ata
gjejnë shkas ta dënojnë përsëri “Edhe një vit burg për ëndërr”. Sa shumë
i frikësohen ëndrrave këta mizor, apo dëshirojnë t’ia shuajnë edhe ëndrrat që
ta humb arsyen për të jetuar? Në çdo takim me të burgosurit, po të njëjtit,
plot urrejte dhe ,,Me sy të çartur”, por ne, siç do të shprehet përmes
vargut të tij, poeti “S’na lëviz qerpiku/ si shqiponjave”. (po aty, fq.
28). Çfarë guximi në mes të këtyre tmerreve që përjetonin në vazhdimësi.
Dënimet nuk ndalojnë edhe atëherë kur ,,Pëllumbi i lirisë” do të ikën që
të mos e shkel çizma e robërisë. Edhe në këtë me rast, autorit do t’i
shqiptohet dënimi ,,të mos më hiqen prangat/ as edhe në gjumë” (po aty,
fq. 34). Aty, gardianët nuk dallojnë shumë nga njëri-tjetri. Ata sikur me ,,pullë”,
njësoj i kryejnë detyrat, me ndonjë ndryshim të vogël në shprehjen e
vrazhdësive të tyre perverse. I tmerrshëm është edhe shikimi i atij me ,,Sytë
prej gjarpri”, i cili hedh vështrimin në çdo skutë, në ecje me hapa të
rëndë si robëria, kërcënon vazhdimisht dhe mezi pret çastin të hedh helmin tek
çdonjëri nga të burgosurit që do ta ketë pikasur ,,në faj”: ,,Kokën poshtë/
Hej, ti, atje!”, duke ia kujtuar edhe dënimin që në fillim: ,,Po të
afrohet fundi,/ edhe pak,/ kur të trokas agimi/ në cilën birucë do të fshihesh.”
(po aty, fq. 37). Por, jo i kësaj përmase të rrezikueshmërisë është ,,Qeni”,
i cili kishte detyrimin që ,,Në orën e shëtisë/ mes muresh deri në qiell/ në
vend të milicit/ na ruan një qen i zi.” duke shprehur besimin se ,,Është i mirë ai,/ s’na urren
si ata”, për të shprehur mirëkuptimin, sikur të ishte qeni i shtëpisë së
tij:
,,Dje ia ledhatova pakëz ballin,
kur u afrua afër meje
i fola:
Ne s’kemi bërë asgjë të keqe
ta dish edhe ti
vetëm pranverën tonë kërkojmë.”
(Po aty, fq. 41)
As ky veprim i të burgosurit, sado që ishte dashamirës,
nuk do të ketë kaluar pa u vërejtur nga syri vrastar i gardianëve, meqë qeni të
nesërmen nuk është dukur askund; as lehjet nuk i janë dëgjuar si çdoherë. ,,Thanë/
e vranë për tradhti”. Kaq ishte i tmerrshëm çdo veprim aty brenda, ku deri
edhe mimika e shtazës do të analizohej deri në imtësira.
Avdush Canaj me eksperiencën e tij prej mjeshtri të fjalës
e sjell të gjallë si në ekran çdo veprim a ngjarje, për të krijuar kështu një
pasqyrë të fiksuar mirë të një kohe tepër të veçantë në çdo aspekt, duke i
rikujtuar ato çaste përmes vargut të tij maestral.
Të panumërta janë mënyrat e persekutimeve, të torturave e
mashtrimeve, në realizimin e qëllimeve
të tyre të planifikuara mirë. Në poezinë ,,Kinse” do ta luajnë
harrestarin, duke inskenuar se nuk e
kanë vërejtur derën t’u ketë mbetur e hapur. Kjo ishte njëra nga shumë kurthet
që kishin instaluar me qëllimin e joshjes së të burgosurve që të provojnë
ikjen, që pastaj të gjejnë arsyetimin për veprimet e tyre. Këto kurthe i kishte
kuptuar me kohë edhe poeti: ,,Kush e di në cilin vend/ kishin zënë pusinë/
të më qëllonin kur të ikja”, që pas
pak çastesh, kur ishte kthyer cerberi për t’ia vënë çelësin derës, do ta zbuloj
përmes ulërimave të tij: ,,Nuk e dashke lirinë!?” (po aty, fq. 48).
Sa vjen e shtohet guximi i të
burgosurve, përkundër aplikimit të masave të rrepta e dënimeve të paskrupullta
për çdonjërin që do të kapet në ,,flagrancë” me veprën. Erërat e një rebelimi
të brendshëm shpirtëror veç kishin zënë fillet tek të burgosurit, që si ,,Vëllezër
të Prometeut”, përkundër torturave ,,Të lidhur durojmë” derisa të
inatosur deri në shpirt barbarët sygjak kërkojnë: ,,Shqiptojeni së paku një
Oh!”, e të burgosurit, si gjithnjë, të pamposhtur: ,,Asnjë klithmë,/
dhëmbët shtrëngojmë./ Njëri bëri me gisht,/ Janë vëllezër të
Prometeut/ Sigurisht.” (Po aty, fq. 67).
Këtu, në fakt synohej prangosja e përjetshme e ëndrrave,
synimeve, dashurisë për atdheun, që në një përmasë të tillë të krijonte frikën
e vazhdueshme te shtresa intelektuale, që kishin filluar të mendonin dhe
vepronin me poaq sa u krijoheshin mundësitë, për daljen nga kthetrat e një
okupimi të heshtur, por zhbirues deri në palcën e intelektit të këtij brezi
liridashës. që po i vinin atdheut, të vetëdijshëm për gjithçka ishte kurdisur
nga okupatori i përbetuar në çrrënjosjen e gjithçkaje që frymon shqip.
4. Aty ku thyhen prangat e barbarisë
Me besimin gjithnjë
e më të sforcuar se afër është koha kur do të kthehet triumfalisht në atdhe,
sepse nuk është e largët dita kur do të thyhen prangat e kësaj barbarie të
tërbuar, që kot orvaten të krijojnë skena frike e veprime tmerri, poeti
shprehet: ,,Kur të kthehem/ nga kjo
shpellë e ujkonjës/ që ma ka mbyllur derën/ do të ta sjell violinën e
pranverës/ e ti do t’i biesh ëmbëlsisht/ me gishtat e tu të trëndafiltë.”,
për ta shprehur fuqishëm edhe më afërsinë e asaj dite kur ,,Unë do të
kthehem/ me violinën e lirisë për ty” (,,Kur të kthehem”, fq. 74). Kjo
ndjenjë e kthimit, shprehet edhe tek poezitë ,,Do të vij me diellin në duar”,
simbolikën e dritës së re të jetës, si fitimtarë, pastaj i gëzohet komunikimit
përmes fantazisë së fëmijës, ndonëse ,,S’më lanë të të prek”, çuçurima e
vajzës do t’i kumboj fuqishëm ,,si pëllumb i paqes, pa frikë:/ Jam mësuar të
shkruaj, baba/ fjalët më të bukura/ LIRI dhe REPUBLIKË”, fjalë këto që i
tmerrojnë policët dhe ujqërinë në parlamentin e cerberëve: ,,Çudi, edhe
fëmija irredent!” (po aty, fq. 80). Poeti, përmes vargjeve, edhepse larg
nga vendlindja, përsëri e përsëri do të takohet me nënën, dhimbjen dhe
dashurinë e përveçme, që e përcjell në
çdo çast.
,,Më vjen buka e nënës
në burg
E shijoj vetëm një thërrime
s’më shkon teposhtë,
Më del nëna përpara
duke ulur brumin
me lotët e zemrës”
(,,Një simite për babanë”, fq.
79
Vërtetë mallëngjyese! Aq më
tepër kur do t’i parafytyrohen ,,Edhe doçkat/ e dallëndysheve të mia/ duke e
përzier miellin:/ Një simite për babanë.”, për ta ngushëlluar veten,
edhepse nuk ka mundësi të ha, por do të hanë shokët bashkëvuajtës dhe e ,,urojnë
nënën për duart e arta/ e simiten e cicërimave”, (po aty, fq. 79). Kjo
ndrydhje shpirtërore nuk ka si të shpërfaqet ndryshe, përveç nga gulshima e
shpirtit që vuan brenda mureve të burgut, me dashurinë për njerëzit e tij, për
atdheun, për nënën; e veçantë për fëmijtë, për lirinë që po i kushton kaq
shtrenjtë.
Pavarësisht këtyre
persekutimeve, poetin në vazhdimësi e mbanë një shpresë e fuqishme se nuk është
larg liria; s’paku ajo liri e daljes nga
prangat, që me përkushtim e shpreh te poezitë: ,,Shqiponja në gjoks”, “Hekura
e hekura”, ,,Një yll”, ,,Te telat me gjemba”, ,,Kaçurrelat
e mia”, ,,Emra lisash”, ,,Me shpirtin tim në dorë”, ,,Në
duart e tij”, ,,Të vritet qielli”, ,,Lapsit ia nxorën zemrën”,
,,E gurta”, ,,Krisma shkronjash”, ,,Flas me lirinë”, ,,Kënga
kërkon zë”, e ndonjë tjetër, që nuk është theksuar këtu, qoftë për
ngjashmërinë e trajtimit tematik, apo për ndonjë arsye tjetër, që të
,,surprizohet” lexuesi i tij i pasionuar.
Dhe ditët kalonin njëra pas
tjetrës, deri në çastet kur edhe poeti do të gjendet jashtë grilave të burgut,
që këtu do ta pasqyron në ciklin “Kur dola nga ferri”, që vërtetë do të
ketë arsye ta konsideronte ferr, sepse vazhdimisht i parafytyroheshin krismat e
armëve barbare, që ,,Më vritnin në mëngjes,/ ngrihesha./ Më vritnin kur vinte dreka,/ ngrihesha./ Edhe
kur binte terri/ zbraznin rafalët,/ prapë në këmbë.” I paepur përballë
këtyre torturave, vazhdonte edhe më tutje të shprehte qëndrimin e tij stoik: ,,Ngrihesha/
sepse/ më priste Nana,/ e forta,/ shamibardha.”, i fortë si vetë qëndresa,
triumfalisht do të shpreh ardhjen e tij, me besimin se në çdo çast nëna po e
priste ardhjen e tij, po e priste atdheu dhe liria, prandaj ,,Dhe erdha/ me
diellin për dore.” (,,Më priste nëna”, fq. 86), ndërsa ,,Ata mbetën në
burg”, sepse atë fat meritonin vazhdimisht cerberët me sygjak. ,,Xhelat,
ti që na dënove/ në emër të popullit tënd/ ku je tash/ ku je?, ia përplasë
parasysh mllefin, por njëkohësisht edhe shpreh qëndrimin prej fitimtari, sepse
tashmë kishte kaluar në anën tjetër të situatës, ku po fillonte një jetë jashtë
grilave, dhe ndihej në vendin e tij shekullor: ,,A e sheh flamurin/ si
valëvitet/ në Dardaninë e Niketë Dardanit?” ishte dëshmia se është në
atdheun e tij.
Për më tepër, tashmë kur ndodhej jashtë prangave, ai do
t’i ironizonte deri në përbuzje, duke ua kujtuar veprimet e tyre të
vazhdueshme, edhepse ,,Dikur këto duar/ me pranga shtrënguar/ Sot përkdhelin
balluket/ e pranverës së ëndërruar”, për t’ua kujtuar gjithnjë e më
bindshëm lidhshmërinë e forcës me frymën qëndrestare të nënës: ,,Nuk dridhen
këto duar/ se puthja e NËNËS i ka bekuar” (,,Duart”, po aty, fq. 93).
5. Në vend të rezymesë
Avdush Canaj me
vargun e tij, sjell për lexuesin një materje poetike të pasur me simbole,
trope, metafora, krahasime, dhe figuracion tjetër, që ndërtojnë vlerat
estetike, ku e karakterizon një rrjedhshmëri gjuhësore dhe komunikuese, përmes
së cilës shpreh emocionet shpirtërore, ndjeshmërinë poetike, drithërimat e një
kohe torturash e vuajtjesh, deri në gjakimin e patjetërsueshëm për lirinë e
atdheut.
Në rrugëtimin e tij poetik asnjëherë nuk mund të ndodhin
mospërfillje, sepse ai çdoherë reflekton pozitivitet koherent, duke i dhënë
forcë parimeve të tij prej krijuesi të dëshmuar në gjetjen dhe trajtimin e
temave dhe ngjarjeve, mbi realitetet dhe specifikat tematike.
Përfundimisht, konsideroj se Avdush Canaj ka ndërtuar një gamë shumëdimensionale të
trajtimit të jetës së njeriut të përvuajtur, por edhe të përpjekjeve të
vazhdueshme për të krijuar qoftë edhe kushtet më elementare, si themele të së
drejtës për të jetuar i lirë. Kompleksiteti i mendimit poetik ka shtrirje
kompakte në tërë lëndën poetike, pa mos u hetuar asnjëherë ,,ngritja e flamurit
të bardhë” kundruall situatave të krijuara, gjithnjë në përpjekje të kapërcimit
të tyre, që për synim kishin lirinë subjektive dhe ruajtjen e frymës atdhetare,
si qështje kruciale të ndërgjegjësimit të brezave.
Nuk mund ta përmendësh emrin e Avdush Canajt e të mos e
përjetosh një puhi pranverore, ku si një lule e stinës, parreshtur lëshon
aromën e dashurisë për të bukurën, për jetën, për lirinë! I tillë është Avdushi në jetë dhe
krijimtari, prandaj vargu i tij të magjeps me frymën dhe mesazhin që përçon,
për të lënë mbresa të pashlyera pas çdo takimi me artin e tij poetik.
Literatura
1. Canaj, Avdush, Edhe ëndrrat në pranga,
(Lirika nga burgu), botoi SHB. Armagedoni - Prishtinë, 2022
2. Leskaj, Bujar, Muzat e qëndresës, (Nëpër libra
të kryqëzuar), botoi Instituti i
studimeve Ismail Qemali Vlora dhe SHB Geer – Tiranë, 2011
3. Borges,Jorge
Luis, Kjo mjeshtëri e poezisë, botoi Cuneus – Prishtinë, 2010
4. Nela, Havzi, Si
shpend i ngujuem, poezi, botoi OMBRA GVG - Tiranë, 2015