E marte, 08.10.2024, 06:43 AM (GMT+1)

Kulturë » Mërkuri

Timo Mërkuri: Libri ‘Vogëlushi Je dhe plaku Ta’ si një konvergjencë urtësie

E diele, 30.07.2023, 07:45 PM


LIBRI "VOGËLUSHI JE DHE PLAKU TA' SI KONVERGJENCË URTËSIE

Nga Timo Mërkuri

I- Bukuria dhe natyrshmëria e veprës është e varur nga çiltërsia e autorit dhe kjo është më e dukëshme te letërsia për fëmijë, ku brishtësia e saj, si një xham i hollë, është në rrezik të thyhet edhe nga çikja shkarazi e një fjale e jo më nga “goditja” e një vargu apo fraze të gabuar. Të shkruash për fëmijë është shumë e vështirë sepse veç talentit, autori duhet të hyjë në botën e tyre dhe dihet që bota e fëmijëve është një pyll i dendur ëndrrash e dëshirash, e pasur me ngjyra, tinguj e fjalë. Në botën e tyre fluturojnë zogj,  rriten lule e rendin duke lozur qingja nëpër re, ngjyrat shfaqen me nuancat më të padukshme për të rriturit. Ata nuk i “dëgjojnë” këshillat standarde të të rriturve, pranojnë vetëm këshillat që i përshtaten botës së ëndrrave dhe dëshirave të tyre. Fëmijët edhe lojën e përjetojnë si jetë pse jetën e konceptojnë si një lojë, nuk përdorin fjalë fyese dhe nuk bëjnë “të këqija”, pasi fjalët fyese dhe “e keqja” nuk janë pjesë e jetës së tyre dhe në këtë mënyrë, ata nuk e konceptojnë që ato ekzistojnë.

Krijuesit që shkruajnë për fëmijët shpesh janë ndër më të talentuarit e brezit të tyre, ndonëse jo gjithmonë të vlerësuar si duhet. Duhet të pranojmë se janë pikërisht këta autorë promethenjtë që çojnë zjarrin e ndezin talentin te fëmijët dhe për pasojë emri dhe krijimet e tyre jetojnë jo vetëm në fëmijërinë e lexuesve por gjatë gjithë jetës së tyre. Këta autorë duhet të jenë në rradhën e parë të nderimit dhe vlerësimit institucional të shtetit dhe shoqërisë.

II-Një krijuese e tillë është edhe poetja e shkrimtarja e njohur Albina Idrizi, e cila vjen pranë nesh me librin “Vogëlushi Je dhe plaku Ta”, i cili ka disa veçori stilistikore e strukturore, qoftë me librin e saj të parë “Ëndrra me ylberë” (2007), ashtu dhe me gjithë librat për fëmijë që kemi lexuar deri më sot. Qysh në leximin e parë të librit të Albina Idrizit bie në sy se ky nuk është nje libër i zakonshëm për fëmijë, pasi nuk është një poemë për fëmijë dhe as ka poezi që të pasqyrojnë botën fëminore me kafshë, shpendë, pemë, lule, etj.

Në aspektin strukturor libri është një dialog mes vogëlushit Je dhe plakut Ta, (që të dy bashkë bëjnë jetën, JE+TA), por ndryshe nga sa jemi mësuar të dëgjojmë plakun t’u tregojë fëmijëve përvojën e t'u japë këshilla, këtu është plaku Ta ai që pyet dhe dëshiron të mësojë nga fëmija Je sepse, siç shprehet plaku: “Rruga e gjatë/ më bëri të harroj/ma kujto mik i vogël”.

Sigurisht që plaku bën pyetje të thjeshta që i përkasinë botës fëminore, por duke i parë me kujdes sheh se pyetjet janë për thelbin dhe marrëdhëniet e kësaj jete, që në fakt përjetohet çdo ditë nga fëmijët, ndonëse nuk shpjegohet. Duhet të kuptojmë se një grup fëmijësh që lozin një lojë të re është historia e zhvillimit njerëzor. Shkaku pse plaku bën pyetje mund të jetë se ai ka kaluar një fëmijëri jo të gëzueshme, në varfëri dhe mungesa të mëdha dhe tani i bën përshtypje fëmijëria e sotme plot zhurmë, lodra, të qeshura e miqësish vogëlushësh të pastër e të bukur, të çiltër e të dashur mes tyre. Ndoshta plaku është kureshtar të mësojë nga fëmijët e sotëm ato që ai nuk i përjetoi në fëmijërinë e tij, apo ndoshta ai do të rikujtojë si e përjetojnë fëmijët këtë gazmend të moshës, mësimeve e lodrave.

Mendojmë se arsyeja e këtij ndërrimi, të roleve në librin "Vogëlushi Je dhe plaku Ta" mund të jetë për të shprehur një ide ose mesazh më të thellë rreth dijes dhe përvojës së jetës dhe kryesisht mënyrës së re të jetesës, pse dihet që poetët japin mesazhe me poezinë e tyre, janë kronikanët ata që shkruajnë për ngjarjet. Në këtë mënyrë poetja do të tregojë se dija dhe përvoja nuk varen vetëm nga mosha. Ndërsa është e zakonshme që fëmijët të jenë ata që bëjnë pyetje dhe kërkojnë përgjigje për të mësuar nga të rriturit, ky libër tregon se edhe të moshuarit, me të gjithë përvojën e tyre, kanë nevojë për dije të reja.

Një aspekt tjetër i këtij ndërrimi është rëndësia e shkëmbimit të dijes dhe përvojave midis brezave. Fëmijët kanë një imagjinatë të pasur dhe kuriozitet të pafund, çka bën që ata ti kapin më shpejt dhe më thjeshtë dukuritë e reja të progresit shoqëror dhe teknik, ndërkohë që të moshuarit janë të pajisur me një pasuri të urtësive të jetës. Duke “shkëmbyer” rolet, poetja dëshiron të tregojë se harmonia midis brezave dhe ndërthurja e dijes së re me atë të jetës sjell fryte të mrekullueshme për shoqërinë dhe për individët.

III- Sigurisht që poetja ka gjetur mënyrën më elegante për të “folur” në libër me fjalët dhe mendimet e vogëlushit Je. Mishërimi i saj në personazhin e  vogëlushit “Je” për autoren ka qënë i thjeshtë, sepse:  periudha katër vjeçare e mësuesisë në shkollë e ka ndihmuar ta njohë botën e fëmijëve, qenia e saj si një poete dhe shkrimtare e talentuar ka qënë farishtja ku fara e njohjes u hodh në shtratin e një vepre të bukur letrare, fëminia e saj mes librash e ndihmoi të mbante ngrohtë farën gjer në çeljen e filizit, pasioni i saj e rriti filizin si një fidan me gjethet e para të porsaçelura. A e kini vënë re, fëmijët lozin e përkëdhelin fidanët e vegjël dhe jo pemët e mëdha shekullore?

Shoqërimi i  librit me vizatime të stilit fëminor, e plotësojnë më së miri këtë kuadër dhe ndonëse fjalët  përgjigje kanë një filozofi dhe urtësi jete, kjo është “fshehur” pas naivitetit fëminor, duke e bërë të natyrshme në çdo aspekt. Kjo pse shpesh herë fëmijët nuk mund të na e thonë me fjalë atë që duan, dijnë apo mësojnë, por nëse i shohim me vëmendje, atëherë kuptojmë se ata na “flasin” e na thonë shumë me atë që bëjnë. Fjala, dëshira dhe mendimi i fëmijëve shpesh janë veprimet e tyre.

IV- Pse është bota e fëmijëve kaq e dashur, kaq e ëmbël, kaq e qetë dhe e përkorë në paqen e vet, kaq e pasur dhe e përmbushur? Ku është sekreti i saj? Këtë e mësojmë nga vogëlushi Je. Gjithsesi përgjigjet e fëmijës në libër janë tepër befasuese për plakun, pse ato nuk përmbajnë vetëm përvojën (e pakët) fëminore , përgjigjet e vogëlushit përmbajnë së pari sinqeritetin fëminor plot dashuri dhe ëmbëlsi, duke të habitur me dimensionin e saj, që shtrihet mbi veprimet dhe nevojat e tij. “Ti ke shumë shokë  tha plaku Je/Më folë për miqësinë”. “Me sytë e mi/Përcjell dritën e dashurisë te tjetri/Dhe prej andej/Shoh më mirë vetën time. /Sa më shumë jemi/Aq më shumë dritë kemi/Unë jam /Dhe ai që troket në derë / Dhë ai që hap derën/Askush tjetër nuk vjen te ty/Veç atij që të ngjan, atij që je”.

Shumë vargje përgjigjesh ngjajnë si sentenca filozofike për nga forma , ndërsa nga përmbajtja ngjajnë si përvojë jetësore, ndonëse të shprehura me fjalë fëminore. Praninë e poetes te fëmija e shohim te përgjigjet e pyetjeve të plakut ku ato janë hartuar më së shumti poetikisht: ”Askund më bukur se në sytë e të bukurit/Nuk shihet bukuria/Askund më mirë se në  zemrën e të merit/Nuk shihet mirësia/Fjala ime është pragu/Nëpër të cilën kaloj andej tjetrit/ Dhe del po në mua, prapë./Është ura pas së cilës/Gjej një botë të re brenda vetes sime” apo te vargjet: “Fjalë e zemrës/Në gjuhën e lules është aromë/Në gjuhën e lumit është gurgullimë/Në gjuhën e diellit është dritë/ Çdo natë ve nën jastëkun e ëndrrave/Farat e dëshirave/Me të cilat dua të zgjohem në mëngjes”. Si poete dhe shkrimtare, madje dhe si mësuese Albina Idrizi ka të drejtë që: “për të krijuar art, të djegë e të shkatërrojë koncepte të zakonëshme, duke i zvëndësuar me të vërteta të reja që zbresin nga mendja e dalin nga zemra” (Charles Bukovski).

Albina Idrizi do bëhet një poete dhe shkrimtare më e suksesshme se deri tani, por duke lexuar këtë libër ndjejmë se ajo do të bëhet dhe një gjyshe e mirë dhe e dashur për nipërit e mbesat, do tu mësojë atyre shumë gjëra nga jeta e dijet e kultivuara dhe ajo që ka më shumë rëndësi është se do t'ua mësojë me dashuri e përdëllimë gjysheje, duke vaditur filizat e fantazisë së tyre me shpërthimin  e saj poetik si te vargjet:” Në një gjeth të vetëm/Dëgjoj si fëshfërin mali/Në një pikë të vetme/Ndjej si ushton oqeani/ Në një yll të vetëm/Ndjej si merr frymë qielli/Çasti bëhet i pafundmë/Kur unë gëzoj praninë time”. Unë nuk do habitesha në qoftë se këtë tekst do ta dëgjoja të kënduar nga një grup fëmijësh ndonjë ditë.

V-Poema “Vogëlushi Je dhe plaku Ta” ka një strukturë të rregullt me vargje të shkurtra dhe ngjarje të vazhdueshme që zbulojnë më shumë për jetën dhe emocionet e personazheve. Metaforat dhe imazhet e përdorura në poezi e ndihmojnë lexuesin të kuptojë më mirë thelbin e mesazheve. Në këtë poezi, vogëlushi Je simbolizon të renë, dijen, frymëzimin, progresin shoqëror etj., ndërsa plaku Ta, të djeshmen, mungesat, lakminë, ngutinë, etj. Jo më kot autorja u ka vënë emrat, vogëlushi “Je” që përfaqson nisjen e jetës ndëkohë që tingulli i emrit të plakut “Ta” tingëllon si një bori makine të vjetër por që të dy janë pjesë të domosdoshme për të bërë “Jetën”.

Poema "Vogëlushi Je dhe plaku Ta" është një shembull i shkëlqyer i poezisë për fëmijë, por që ka një thelb dhe një mesazh që prek të gjitha grupmoshat. Përdorimi i gjuhës së thjeshtë dhe figurave letrare të kuptueshme e bën atë të përshtatshme për fëmijët, ndërsa thelbi i mesazheve të frymëzueshme dhe të mësuara ndihmon edhe të rriturit të reflektojnë mbi jetën dhe vlerat e saj.

Për fëmijët, poema "Vogëlushi Je dhe plaku Ta" mund të jetë një burim frymëzimi dhe emocioni. Nëpërmjet imazheve të bukura dhe metaforave të kuptueshme ata do kuptojnë vlerën e miqësisë, lumturisë dhe ndjenjave të thjeshta. Poema  i inkurajon fëmijët të jenë kurreshtarë, të shijojnë momentet e veçanta të jetës dhe të mësojnë nga njerëzit e tjerë rreth tyre. Gjithashtu, kjo poemë përmban mësime të rëndësishme filozofike dhe morale, të cilat janë të përshtatshme për fëmijët dhe i ndihmojnë ato të kuptojnë dhe të përqëndro-hen në aspektet e rëndësishme të jetës. Fëmijët mund të kuptojnë rëndësinë e të qenit vetvetja, të shijojnë momentet e lumtura të lojës dhe imagjinatës, dhe të jenë të kurreshtarë për të mësuar dhe kuptuar më shumë për botën që i rrethon.

Me këtë libër autorja Albina Idrizi ka krijuar një vepër të veçantë me një strukturë të bukur dhe mesazhe të thella. Poema ka një progresion gradual të bisedës midis vogëlushit Je dhe plakut Ta, duke përfshirë një varg figurash letrare që e bëjnë atë tërheqëse për lexuesit.

VI- Poema "Vogëlushi Je dhe plaku Ta" e Albina Idrizit ka një strukturë të përshtatshme për të shprehur mesazhet dhe mësimet e saj. Struktura e poezisë është e ndarë në 38 vargje, të cilat formojnë një dialog midis dy personazheve, plakut Ta dhe vogëlushit Je, dialog që krijon një ndjenjë teatrale dhe intime, duke bërë poezinë shumë më atraktive dhe përfshirëse për lexuesin.

Disa elemente të strukturës së poezisë janë si vijon:

Njësi vargore: Poezia përbëhet nga vargje të shkurtëra, me numër të caktuar fjalësh në secilin varg, që e bëjnë atë të lehtë për t'u lexuar dhe kuptuar. Vargjet e shkurtëra përdoren për të shprehur mendimet dhe ndjenjat e personazheve në një mënyrë thelbësore.

Ndërtimi i dialogut: Poema ka një strukturë dialoguese, ku një personazh pyet dhe tjetri përgjigjet. Kjo krijon një lloj bisede midis personazheve, si një diskutim të thellë filozofik, duke i lejuar lexuesit të ndjehet pjesë e saj.

Tematika dhe temat kryesore: Struktura e poemës përqëndrohet kryesisht në tematikën e lumturisë, miqësisë, kuptimit të jetës dhe mësimet që vijnë nga përvoja, që zhvillohen gradualisht dhe krijohen një mënyrë e natyrshme, duke formuar një ngjarje rreth temës së lumturisë dhe vlerave të jetës.

Elemente muzikore dhe ritmi: Struktura e poezisë përdor elemente muzikore dhe ritmike që i japin një ndjenjë të veçantë poezisë. Përdorimi i vargjeve të shkurtra dhe fjalive me këndvështrim të veçantë krijon një ritëm që e bën poezinë më melodike.

Përdorimi i krahasimeve dhe simboleve: Poema përdor krahasime dhe simbole për të shprehur më qartë mësimet e saj. Për shembull, vargu "Ti ke veshur një këmishë të bukur, Edhe stofi më i vjetër/ Bëhet këmishë me vlerë dhe e bukur" përdor krahasimin e këmishës me vlerë për të paraqitur rëndësinë e qasjes dhe sjelljes ndaj jetës, vetes dhe shoqërisë.

Në përgjithësi, struktura e poezisë "Vogëlushi Je dhe plaku Ta" është e përshtatshme për të shprehur mësimet dhe filozofinë e jetës në një mënyrë të thellë dhe të ndjeshme. Ndërveprimi i dy personazheve dhe përdorimi i elementeve muzikore krijojnë një poezi të fuqishme dhe të frymëzueshme për lexuesin.

Poema e Albina Idrizit përmban figura letrare që e bëjnë më të pasuruar dhe të ngazëllyer. Psh. metafora: "Plaku Ta pyeti vogëlushin Je, Çfarë të bën ty kaq të lumtur? Gjithçka që më duhet Është në mua" ku vogëlushi Je personifikohet si një person që ka zemër të madhe, të thjeshtë dhe të kënaqur. Metafora "Gjithçka që më duhet Është në mua" paraqet mënyrën se si vogëlushi gjen lumturinë dhe kënaqësinë brenda vetes, jo duke pritur nga jashtë, por duke zbuluar vlerat e brendshme.

Po kështu me metaforën: "Mund të kënaqem me çkado që kam Top, kukull, laps apo biçikletë" paraqet se çfarë është e rëndësishme për vogëlushin Je në kënaqësi. Përdorimi i këtyre simboleve si "top", "kukull", "laps" dhe "biçikletë" tregon se për të kënaqësia gjendet në gjërat e vogla dhe të përditshme.

Simbolika: "Në një gjeth të vetëm Dëgjoj si fëshfërin mali Në një pikë të vetme Ndjej si ushton oqeani Në një yll të vetëm shoh si merr frymë qielli" ku, gjethja, pika dhe ylli janë simbole të fuqishme që përfaqësojnë përmasat e vogla dhe të thjeshta të jetës, por që janë të ndjeshme dhe të rëndësishme dhe tregojnë se vogëlushi ka një lidhje të fortë me natyrën dhe ndjesi të mëdha për gjërat e vogla.

Është i bukur imazhi: "Përcjell dritën e dashurisë te tjetri Dhe prej andej Shoh më mirë vetën time" që shfaq se si vogëlushi sheh veten e tij më mirë duke përcjellë dritën e dashurisë te të tjerët. Ky imazh tregon se miqësia dhe dashuria janë të rëndësishme për të kuptuar vlerën e vetes dhe të tjerëve. Po ashtu imazhi "farave të dëshirave” te ("Farat e dëshirave Me të cilat dua të zgjohem në mëngjes") shfaq shpresën dhe ëndrrat e vogëlushit për të ardhmen. Kjo tregon se ai është i mbushur me synime dhe synon gjëra të mëdha dhe të bukura.

Figurat letrare të përdorura në poemën "Vogëlushi Je dhe plaku Ta" ndihmojnë në krijimin e një përvoje të pasur letrare dhe filozofike për lexuesin. Përdorimi i metaforave, simbolikave dhe imazheve të pasura tregon se poema ka një kuptim të thellë dhe universal, që e bën tërheqëse për fëmijët.

Fakti që poetja përdor edhe figura artistike të tjera, si: personifikimi -"Frikën nuk e njoh Nuk egziston Ajo bëhet e gjallë dhe rritet Vetëm kur e kujton", similituda: "Librat - Urtësi e palosur fletë fletë Që dritë e diturisë E shtuar të jetë", eufemizma: "Kur jam larg me mendime",kontrasti: "Unë jam Dhe ai që troket në derë Dhë ai që hap derën Askush tjetër nuk vjen te ty Veç atij që të ngjan, atij që je, Gëzimi i tjetrit Është lumturia ime, Lëndimi i tjetrit Është edhe dhimbja ime", simboli: "Fjalë e zemrës Në gjuhën e lules është aromë, Në gjuhën e lumit është gurgullimë, Në gjuhën e diellit është dritë" tregon se autorja nuk ka patur si objektiv të saj krijimin e një kënaqësie të çastit  me vargje për fëmijët, por duke dhënë një vepër ndryshe ajo ka patur për synim, ndriçimin dhe sensin e kuptimit të thellë filozofik.

VII-Vargjet e poezisë janë të shkurtra, të përshtatshme dhe me rima, duke krijuar një efekt të ritmit dhe harmonisë. Përdorimi i vargjeve të shkurtra shpesh krijon një ndjenjë lehtësie dhe fluiditeti në lexim. Poetja ka zgjedhur të paraqesë një dialog midis dy personazheve, dhe vargjet e shkurtra ndihmojnë që dialogu të jetë i kuptueshëm dhe i thjeshtë.

Albina Idrizi përdor fjalë dhe shprehje të qarta dhe të kuptueshme për të komunikuar mësimet dhe idenë e poezisë. Gjuha e poezisë është poetike, jo e komplikuar, e cila e bën të qasshme për një publik të gjerë.

Fjala është e përzgjedhur me kujdes dhe e pasuruar me kuptim thelbësor. Poetja përdor fjalë të fuqishme dhe imazhe të ndjeshme në vargje të shkurtëra për të përshkruar mendimet, emocionet dhe filozofinë e jetës që shpalosin personazhet e poezisë.

Poezia "Vogëlushi Je dhe plaku Ta" e Albina Idrizit është një poezi e bukur dhe frymëzuese për të gjithë, pavarësisht moshës. Kjo poezi ka një mesazh thelbësor për jetën, lumturinë, miqësinë dhe vlerat e thjeshta të jetës, të cilat janë tema që mund të jenë tërheqëse dhe të rëndësishme për të gjithë, përfshirë dhe për femijët.

Për femijët, kjo poezi ka vlera të veçanta:

Thjeshtësia e gjuhës dhe fjalëve e bën të lehtë për t'u kuptuar dhe përjetuar. Fjalët e zgjedhura me kujdes dhe vargjet e shkurtra e bëjnë poezinë më pranueshme për fëmijët dhe i ndihmojnë ata të lidhen me kuptimet dhe imazhet e shprehura.

Mesazhi pozitiv dhe frymëzues i poezisë përshkruan vlerat e lumturisë, miqësisë dhe dashurisë, të cilat janë ideale për fëmijët që po zhvillojnë veten dhe identitetin e tyre. Kjo poezi i inkurajon ata të kënaqen me gjërat e thjeshta dhe të krijojnë lidhje të mira me miqtë dhe të tjerët rreth tyre.

Përdorimi i personazheve të karaktereve të thjeshta, siç janë Vogëlushi Je dhe plaku Ta, krijojnë një lidhje emocionale me lexuesin, duke i bërë fëmijët të ndiejnë një ndërveprim dhe aventurë emocionuese me ta.

Poema është e përshtatshme dhe e vlerësuar për fëmijët për shkak të mesazhit të saj të dashurisë, miqësisë dhe vlerave të thjeshta të jetës. Ajo i frymëzon ata të shohin lumturinë në gjërat e thjeshta dhe të zhvillojnë ndjenjën e ndërgjegjshme të identitetit të tyre. E parë në këtë këndvështrim ky libër për fëmijë është një vepër e arirë e Albina Idrizit që dëshmon për talentin dhe botën e pasur shpirtërore të saj, bazë për vepra cilësore në të ardhmen.

Sarandë, më korrik 2023



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora