E premte, 26.04.2024, 07:52 AM (GMT+1)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Barbarët e dalë nga mesi jonë

E premte, 21.07.2023, 08:42 PM


Prof. Blerim Latifi:

T’u shkimtë drita ty, o mori hanë,

qe s’ma çove at’ natë nji fjalë,

n’Lugje t’Verdha, shpejt me dalë

bashkë me hy në nji vorr me djalë!…

Në eposin shqiptar dhe jo vetëm, këto janë vargjet ma tragjike që kanë mundur të këndohen. Ato shprehin dhimbjen e pafundme të një nane për humbjen e djalit të saj. Ato shprehin pafuqinë e saj për të vazhduar jetën pa djalin e saj. Ato shprehin thelbin universal të dhimbjes.

Këto vargje janë pjesë e Ciklit të Kreshnikëve, rrënjët e të cilit shtrihen thellë në terrin e historisë.

Por, në kohën tonë ne e kishim një nanë të tillë, tragjedia e të cilës është mishërim i plotë i dhimbjes së Ajkunës mitike. Ajo ishte PASHKE KRASNIQI MARKU, një nanë të cilës kur iu kthyen eshtrat e djemëve të vrarë nga serbët, e nisi gjamën si të Ajkunës dhe, por si ajo, nuk mundi të jetojë më dhe i dha fund jetës, në një arë të Korenicës, në rrethin e Gjakovës.

Në vendin e vetëflijimit të saj u ngrit një obelisk prej guri për ta përkujtuar këtë tragjedi dhe përmes saj edhe vetë thelbin e tragjedisë së një populli të tërë.

Asnjë teatër tragjik i botës nuk mund të matet me peshën tragjike të asaj are dhe atij obelisku. Por, dje, mediat na treguan se pronari i arës e kishte marrë buldozerin dhe e kishte larguar obeliskun. Njeriu duhet të jetë barbar për ta bërë një veprim të tillë. Dhe çdo justifikim i këtij akti barbar, është po aq barbar.

Dikur shenjat e vuajtjeve tona, na i hiqnin pushtuesit, ndërsa sot barbarinë e tyre e kanë zëvendësuar barbarët e dalë nga mesi jonë. Këta, nga dita në ditë, po shtohen dhe nëse nuk gjejmë rrugë për t’i ndalur të jemi të sigurtë se fatin e obeliskut të Nënë Pashkës, nesër do ta kenë edhe obelisket tjerë, monumentet, shtatoret dhe varret e dëshmorëve e të martirëve.

Është pikërisht kjo gjë të cilën e ëndërrojnë ata që dje e lanë në gjak gjithë Kosovën e i veshën në zi mijëra e mijëra nana. Mijëra ajkuna e pashke.

Shkatërrimi i një populli fillon me shkatërrimin e kujtesës së tij, e shkatërrimi i kujtesës fillon me rrënimin e vendeve dhe shenjave me të cilat është e lidhur kujtesa. Serbët e dinë këtë më mirë se ne, prandaj edhe nuk duan të heqin dorë nga Kosova. Prandaj jetojnë e punojnë për ditën kur do të kthehen përsëri në vendin e krimit. E që ky kthim të jetë më i lehtë, duan që paraprakisht gjurmët e krimit të tyre të zhduken e të harrohen.



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora