Udhëpërshkrim
Syrja Etemi: Pështera dhe Meli - dy vendbanime që janë e s'janë
E marte, 21.02.2023, 08:16 PM
PËSHTERA DHE MELI – DY VENDBANIME QË JANË E S’JANË
Shkruan
Syrja ETEMI
Në
ditën e shtunë të këtij vikendi, vendosa të “pushtoj” dy vendbanime të harlisur
që, i kam hasur vetëm në disa dokumente të shkruara, por edhe në shumë
gojëdhëna të banorëve të zonës që i takoj (fshatra të komunës së Tearcës). Këto
vende janë Pështera dhe Meli, që ndodhen mbi fshatin Përshevcë e Tearcë,
përkatësisht: Otushishtë – më saktë: në anën e majtë të Lumbardhit – lumi që
ndan këto dy vendbanime fqinjë. Si nëpër legjenda shumë-shumë të lashta më
vijnë vërdallë thëniet e rrëfimet për këto vendbanime tanimë të përhumbur nëpër
rrathët e kohëve hutaqe. Në rrugëtim për të akceptuar më për së afërmi këto
lokalitete të harruara edhe nga “bijtë” e vet – gjeta ngenë për të pikasur
thesaret e heshtura të Sharrit. U nisa këmbë udhës gjarpërore në anën e kundërt
të rrjedhës së Lumbardhit, i cili në ngjitje përpjetë kodrinave të Sharrit, më
vinte në anën e majtë. Menjëherë në krye të fshatit Përshevcë, ku në të djathtë
të çon udha për në Jelloshnik, mora trajektoren drejt bjeshkës, udhë kjo që
është e hapur për nevojat e tre minihidrocentraleve në luginën e lumit që
përmendëm më lartë.
Në
kurreshtjen time për të evidentuar çdo vendemërtim, bashkudhëtari im, SADAT
AMETI, mundohet të më sqarojë për çdo imtësi: “... Ja tani jemi në vendin që i
themi: Taum’ e Çaukës, sepse edhe vet vendi është kështu si ngrehinë apo “taum”
– më thotë ai.
Udha
është e shtruar me zhavor dhe, nuk i është nënshtruar ndonjë kushti apo
standardi ndërtimor nga ana e autoriteteve të cilët janë kontraktuar (nëse
është bërë një procedurë e tillë). Si do që të jetë, ne në ngjitje terma,
vazhdojmë të kalamendemi e të hidhemi njëherë majtas e njëherë djathtas, të cilat
nuk janë pakëz. Në anën e majtë, andej lumit, nga distanca jo fort e largët
duken shpatijet që ngriten butësisht përpjetë mbi lagjen Përveshe të Tearcës
apo Otushishtës. Meqë jemi në stinën e hershme të pranverës, kur natyra ende
nuk ka mugulluar, nga këtu duket se këto hapësira janë të dendura me dru
gështenje, që në stinën e vjeshtës këtu gëlon nga vizitorë të ndryshëm, ku
secili ka destinacionin dhe qëllimin e vet të caktuar, e, këndej kah lëvizim,
kodrinat janë të veshura me dru dushku, blini e lajthie. Jo mëkot këtij vendi
këtu i thonë: Te Lipa. Në anën e majtë të udhës, në vazhdim e sipër të
dëshirojnë “mirë se ardhje” Arat e Esatit, këto toka shumë pjellore e të
punueshme, ku të parët e kësaj familje, në këtë vend, me shekuj kanë
shfrytëzuar këtë vend për ruajtjen e bagëtisë.
Në
ngjitje e sipër përmes udhës, i afrohemi Karaxhinës (Xhindet e Zeza), ku na
pret Ledina për pak relaks. Karaxhina lidhet me Arat e Esatit, e, disa hapa më
përpjetë të del para beftas një shkëmb gjigant që quhet Strugja e Vogël dhe të
duket se të zë pritën në rrugëtim. Por kur këtë e “pushton”, të shfaqen
përballë bjeshkët hijerënda të Sharrit... Rruga gjithnjë e më tepër po fut
kryen në Dushkallajk , i cili në vitet 80-ta, e përpin një zjarr i fuqishëm dhe
jo vetëm që i shëmton këto pllaja, por edhe shkakton një katastrofë të paparë
ekologjike, me ç’rast ka ndryshuar në tërësi edhe sistemin bimësor të florës,
ku ka dominuar druri i dushkut dhe lisit. Kështu, përderisa shprehim një
keqardhje të thellë për këtë katrahurë të ndodhur dikur, sërish “na zë rrugën”
një shkëmb tjetër akoma më i madh se i pari. Këtu është Strugja e Madhe. Pasi
kalojmë këtë dhe të mbërrijmë te Kep’i Çatit, më së pari të kalojmë Çeshmën e
Refetit”.
Dhe,
kështu, në këtë rrugëtim epik, kalojmë Livadhet e Gjata, ku nga thellësia e një
lugine të afërt, vazhdimisht të përcjell simfonia gurgulluese e Lumbardhit, e,
diku-diku edhe gurgullima të valëzuara të përrockave të shumta që derdhen në
luginën e këtij uji të cemtë, siç është në këtë rast Reka që vjen nga bjeshka e
Karaxhinës.
Dhe
udhëtimi ynë nuk ndalet këtu. Kapërcejmë Livadhet e Gjata, për pak kohë
“prekim” Pështerën “tonë”, ku pas një eksplorimi të shkurtër, vërejtëm shumë
isharete të një vendbanimi të hershëm: mure të degdisur me gurëz të zënë myshk,
muranë, drunj të rrëzuar, therra e kërrupulla. Nga drurësia, më tepër dallohen
lajthitë, kumbullat e molla të egra. Këtë lokalitet të lashtë, e përshkon Udha
e Këmës, e cila lidhet edhe me Udhën që vjen nga Jelloshniku drejt
Breznës.Kalojmë këtë dhe, për nja dy orë në këmbë, pikasim edhe lokalitetin
tjetër tani të braktisur, që emrin e ka: Meli.
Pasi
arritëm në këtë destinacion, unë këtu nuk do të zgjërohem shumë në atë që pash,
por në do të shpalosi ato pak dëshmi të shkruara, të cilët i kam në dispozicion.
Kësaj radhe me kaq do t’i vë pikë këtij reportazhi, për t’i çelë shtegun
shkrimit të radhës.
PËSHTERA NË DRITËHIJET E
DOKUMENTEVE TË QËMTUARA
Në
gamën e shumë pyetjeve dhe “xiglimeve” të mbarsura me kurreshtje të hazdisura,
për shumë kohë - janë hamendjet prafulluese që kanë të bëjnë me çështjen e
vendbanimeve të zhdukura në Pollog e Sharr (ku ka gëluar edhe elementi
arbëror), duke ezauruar shkrimet dhe dokumentet ekzistuese si dhe punën në
terren.
Në
këtë rast do t’i referohem një punimi hulumtues të autorëve: Ilija Petrushevski
dhe Nikolina Petrushevska të vitit 1999: “Përmbledhje të vendemërtimeve të anës
verilindore të Pollogut”, që në faqen 86 të librit për Pështerën potencohet
kështu:
“Peshtera
– vend rrafshinor me rrënoja të vendbanimit të shpërngulur dhe gërmadha të
kishës dedikuar Shën Jovanit, gjendet në atarin e fshatit Otushishtë, në
shpatijet e Malit Sharr. Banorët e këtij vendbanimi tregojnë se fshati i tyre
dikur ka qenë pikërisht në këtë vend. Kjo gojëdhënë ende nuk mund të
vërtetohet, sepse në regjistrimet turke të vitit 1468 dhe 1568 përmenden dy
fshatra Peshtera, njëri me 4 familje, kurse tjetri me 57 familje, ndërsa
Otushishta në tre vende me gjithsejt 112 familje. Vendi i parë: Peshterë me 4
familje mund të locohet në Zheden, si vend skajshmërisht pasiv në atarin e
fshatit Jegunovcë në lokalitetin e quajtur Peshterë, (i cili më vonë edhe
shpërngulet, S.E.). Fshati i dytë Peshterë, sipas dokumenteve osmane të vitit
1568, identifikohet me 57 familje...”
Sido
që të shkruhet e interpretohet, kësaj vërtetësie shkencore, nga ana e
institucioneve tona “të vakta” kërkohet mjaft impenjim dhe këmbëmbëngulësi në
ndriçimin e fakteve “të heshtura” që presin “shpëtimtarët” pasionatë e
profesionalë. E, në këtë zonë e trajektore pak më lartë nga Pështera, bën
gjumin e thellë të shekujve edhe një vendbanim tjetër shumë indikativ. Është ky
MELI (në dokumente të vjetra) e, Mell(ova) si ojkonim i shtrembëruar.
MELI
Edhe
ky vendbanim po dergjet nëpër shumë dokumente e shkrime të vjetra, që pret të
sheh dritën. Unë në këtë rast do t’i referohem disa shkrimeve kishtare
bizantine që burojnë nga mesjeta. Pikërisht në këtë dimension do të mundohem që
sado pak të hedh dritë në tërë këtë “skëterrë” të pllakosur, sidomos kur bëhet
fjalë për të kaluarën e Pollogut - këtë mjedis ku kanë ndërvepruar e
bashkëjetuar shumë bashkësi etnike e fetare, ku secili ka mëtuar e po pretendon
të favorizojë “të vetin” e, secili të kundërshtojë e t’i dumatet tjetrit. Për
këtë “eklipsim” jo të beftë, fillimisht u përcaktova t’u referohem atyre pak
dokumenteve të shkruara të kohës, por - në veçanti - disa shkrimeve të autorëve
apo hartuesve të monografisë: “Tetovo i tetovsko niz istorijata” (Tetova me
rrethinë nëpër histori), Tetovë, 1982, me pretendimin për t’ iu shmangur
interpretimeve paushalle apo diletanteske.
Kur
flitet për Melin, kuptohet se ky vendbanim mesjetar ka qenë i lidhur me pronat
kishtare të Manastirit të Tetovës, i cili ka qenë nën juridiksionin e
Peshkopatës së Prizrenit, që ka patur prona të konsiderueshme edhe në Pollog.
Kjo dëshmon për interesimin e madh për “vendet kishtare” të këtushme. Në këtë
përfundim indicon diskursi i peshkopit me seli në manastirin Shën Arangell
(Shqip: Engjëllkraharti, S.E.) – të Prizrenit, Gjergj Markushi. Kleriku në
fjalë, në një rast para këshillit të bujarëve dhe popullit të Pollogut është
shprehur: “Unë jam “Zot zotëri” i kishës dhe mund të marr toka kishtare sido që
të jetë e mundur, kudo që të gjejë e, sido që të jetë...” Nga këto fjalë
elokuente, nuk mund të kuptohet se çfarë autorizuesi ishte dhe çfarë ishin të
drejtat e peshkopit të Prizrenit në Pollog. Por një gjë është e sigurt se,
Pollogu deri në mesin e shek. XIV nuk ka patur peshkop.
Siç
cekëm më lartë, Manastiri ka zotëruar apo poseduar edhe “të ardhura për altar”,
fshatra dhe vendbanime, shumë ara e livadhe dhe shumë objekte të ndryshme
ekonomike. Ky, patjetër se ka patur edhe bagëti, pasi që i janë dhuruar edhe
bjeshkë me kullota e zabele. Janë të njohura edhe emrat e fshatrave që i
posedonte manastiri, edhe atë: Htetova, Hrashtani, Gari (me siguri: Gajra,
S.E.), Mllaçica, Leskovjani, Shtençe, Krpena (Neproshteni i sotëm), Zhelina e
Moçme (Staro Zhelino), madje një të katërtën e fshatit Sallarevë (Sedllarevo)
dhe një të shtatën e fshatit Falishtë (Hvalishte), si dhe fshatin Brod.
Në
gramotat e pronave janë të shënuar, përveç tjerash edhe objekte tjera ekonomike
shoqëruese, si dhe të ardhura tjera që i kishte ekonomia kishtare. Pikërisht,
manastiri ka poseduar edhe mullinj në Htetovë, Hrashtan, Mllaçicë (Mllaçice),
Kërpenë (Krpena), Zhelinë (Zhelino) dhe në Vrutok, si dhe mullinin e Dhimitër
Çalapisë ( Dimitar Çalapija), pronari feudal i Melit (që me siguri duhet të
jetë vendbanimi tani i braktisur: Mell (ovë), mbi fshatrat Tearcë – Otushishtë
dhe Përshevcë-Gllogjë, në anën e majtë të lumit Lumbardh (Bistrica), S. E.).
Pra,
siç shihet, në Pollog e Sharr kanë qenë të përhapur edhe të ashtuquajturat
prona të feudalëve shenjtorë, që dispononin me fshatra, kisha, bjeshkë, zabele,
kodrina, pyje dhe ara, madje edhe toka për mbjellje si dhe bagëti. Ata nga
pronat ekzistuese ndanin objekte për dhurim feudalëve shpirtërorë dhe
shenjtërorë. Në mes atyre që pranuan dhuratë nga zotëruesit kanë qenë manastiri
Hyjëlindësja e Tetovës (Sv. Bogorodica Htetovska) dhe Dhimitër Çalapia (Dimitar
Çalapija), zotëri feudal i f.Mel. Feudali i përmendur rrjedh nga rendi i
zotërinjve në shoqërinë feudale, përkatësisht nga radhët e fisnikëve pollogasë.
Ja,
kështu shkruhet për Melin në këto shkrime mesjetare. Por të shfletojmë pak edhe
dokumentet osmane që flasin për këtë vendbanim.
MELI
sipas Dokumenteve Turke,më 1468 ka ekzistuar vendbanim i quajtur Mel – me 52
familje. Meli në këto dokumente është i shënuar edhe si: Mil dhe, tani ky fshat
nuk ekziston. Sipas të dhënave të disa autorëve dhe indikatorëve suplementarë,
ky vendbanim ka qenë diku afër Tetovës, edhe atë: 50 familje; të pamartuar 2,
gjithsejt 52. Kurse për të ardhurat vjetore gjendja paraqitet e këtillë: Grurë,
barrë 82 ..........1640, Elb etj., barrë 80 ...........1200 Ushur për vreshtat
...............1600, Tatim për dasma dhe niabeti……..200, Ispenxhe
..............1300. Të ardhura: 5940 “aspra”.
Këto
shënime e, shumë e shumë të dhëna gojore tjera nga banorët autoktonë të
vendbanimeve përreth Pështerës dhe Melit, përveç që mund të cilësohen si argument
e fakte kokëforta që dëshmojnë për të kaluarën dhe lidhjen iliro-arbërore të
këtyre trojeve, por njëkohësisht janë edhe copëza historie, të cilat duhet
shpaluar përpara gjeneratave të reja për të njohur vetveten. Prandaj filozofët
e vjetër kanë thënë: “Njih vetveten për të njohur të tjerët”.