| E hene, 10.07.2023, 06:57 PM |
Prof. Blerim Latifi:
E
vërteta dhe politika- kjo marrëdhënie e komplekse që ka përplasur filozofët që
nga koha e demokracisë antike.
A
duhet ta thonë të vërtetën politikanët?
Filozofët
moralistë thonë: po. E vërteta është vlerë supreme. Le të përmbyset bota, nëse
duhet që e vërteta të thuhet.
Filozofët
realistë kundërshtojnë: politika nuk është forum ku luftohet për të vërtetën,
por për interesat; interesat, deshëm s'deshëm, gjithmonë i mbivendosen të
vërtetës. Ose: e vërteta thuhet për aq sa përputhet me interesat. Nëse nuk
përputhet, ajo ose mënjanohet ose falsifikohet.
Një
shkollë tjetër, filozofët konstruktivistë, thonë se nuk ekziston diçka e tillë
si vërteta objektive. Të vërtetat janë thjesht konstruksione diskursive në
komunikimin tonë.
Ngjitur
me ta, niçeanët, shkojnë edhe më tutje: s'ka të vërteta hiç; ka vetëm shumësi
interpretimesh.
Të
tjerë pyesin: kjo deklaratë a është e vërtetë apo veç interpretim?
Debati
vazhdon pafund.
Mësimi
themelor që duhet ta marrim prej tij është se para se të ngulim këmbë me
fanatizëm mbi një të vërtetë, duhet ta kemi të qartë, deri diku, se sa
problematik dhe kokëçarës është vetë koncepti i të vërtetës. Sidomos në fushën
më problematike të ekizistencës njerëzore: në politikë.
Të
vetëdijshëm për këtë gjë, prej kohësh, në debatet e forumet e demokracive të
avancuara perëndimore, njerëzit preferojnë të shërbehen me termin
"opinion" dhe jo më termin "e vërteta".
__________
E
lexova në një raport ndërkombëtar: rreth 22 milionë njerëz gjenden të strehuar
në Bashkimin Europian, pasi kanë ikur nga vendet e tyre qoftë për shkakun e
dhunës, qoftë për shkakun e kushteve mizore të jetës.
Duke
ikur nga tigrat realë prej mishi e gjaku, dhe me fytyra njerëzore, të vendeve
të tyre, të shkretit kanë gjetur strehë tek tigri prej letre.
__________
Plot
100 vjet më parë pesë katunde rebele, Prekazi, Galica, Luboveci, Mikushnica dhe
Duboci, do të provonin diçka që dukej një ëndërr me sy çelë: shpalljen e
pavarësisë nga Serbia. Do t'ia vinin emrin "Shqipnia e Vogël". Për
një vit rresht asnjë këmbë xhandari, ushtari e tagrambledhësi serb nuk do të
shkelte në kët' zonë. Pastaj erdhën ushtritë nga Nishi, Shkupi e Prishtina dhe
çdo gjë e kthyen në tokë të djegun. Kryengritja u shua, por ëndrra e çlirimit
nga Serbia mbijetoi.
Sot,
kjo pllakë, që më mirë se Rruga "Arbëria e Vogël" do të duhej të
quhej Rruga "Shqipnia e Vogël", qëndron pikërisht në vendin ku siç
tregohet ishte vendosur topi i madh që e bombardonte Galicën. Po të mos kaloja
atypari, vështirë se do të më kujtohej se pikërisht kët' verë bëhen plot një
shekull nga ajo kohë kur të parët tanë, edhe pse të shtypur mizorisht dhe të
harruar nga bota, guxuan të ëndërronin për lirinë.