E premte, 19.04.2024, 07:30 PM (GMT+1)

Speciale » Alia

Lutfi Alia: Dinastia Muzaka në Albania dhe në Itali (2)

E enjte, 29.06.2023, 09:00 PM


DINASTIA MUZAKA NË ALBANIA DHE NË ITALI

(PJESA II)

Nga Lutfi ALIA, Siena - Itali

Fitoret e Andrea II Muzakës kundër bullgarëve dhe dyndjeve serbe, e entuziasmuan Perandorin e Bizantit, i cili krahas titullit sevastokrator i njohu të drejtën të përdori në stemën e Muzakëve, stemën perandorake me shqiponjën dykrenore me krahët e hapura, me kurorat mbi kokat dhe yllin gjashtëcepa në sfond blu mbi kokat e shqiponjës. Për këto merita dhe forcimin e pozicionit politik dhe ushtarak të Andrea II Muzaka, perandori i dha titullin Dhespot i Epirit dhe i njohu privilegjin të përdori vulën e artë me stemë perandorake, si dhe i dhuroi një fron dhespotal, që kishte në pjesën e sipërme të shpinores shqiponjën dykrenore të qendisur me perla. Në një nga stemat e Muzakëve, në gjoksin e shqiponjës janë tre gjethe dushku, simbol hyjnor i lidhur me tempullin e Dodona. Gjon Muzaka në kujtimet e tij, tregon se krahas shqiponjës dykrenore, Perandori i Bizantit iu kishte dhënë të drejtën të vendosnin në stemën e tyre “Burimin e jetës”. [Giovanni Musachi, Breve memorie, p. 282]. Sipas Rosario Jurlario, kjo e drejtë lidhet me raportet e bashkëpunimit të Muzakëve me familjet perandorake. Për Muzakët është karakteristike ruajtja e stemës heraldike me shqiponjën dykrenare, në ndryshim nga Kastriotët, Granai, Bua etj, të cilët e ndryshuan stemën në vartësi të meritave dhe të titujve që iu njohën nga Venediku, nga Aragonezët dhe nga Anzhuinët. [Rosario Jurlario, I Musachi despoti d’Epiro, Bari Santo Spirito, 1970, p. 8] [Giancarlo Vallone. Pirro Granai Castriota educato a Copertino. Intervento di Il Bardo Anno I, Nr. 1, Settembre 1991].

Stema heraldike e Muzakëve ruhet ende në fasadat e disa pallateve dhe të disa kishave të komunës Mesagne, ku u vendos fillimisht Gjon Muzka me familjen e tij. [Profilo Antonio, Vie piazze, vichi e corti di Mesagne, Schena Editore, 1993 p. 229 - 249]. Në pjesën e mbetur nga kisha Shen Maria Mëshirëmadhe, në paretin anësor janë katër bazorilieve, njëri prej tyre prezanton një kombinim të stemës të Muzakëve me shqiponjën dy krenore me kurorat dhe me yllin gjashtëcepash, me gjysmën e djathtë me luanin në këmbë, me shpatë drejtuar zambakut (Fior de Lise), që ishte pjesë e stemës të familjes të Gjon Granai Kastrioti. Lidhur me këtë kombinim të stemave të dy familjeve, historianët Rosario Jurlaro dhe Anselmo Leopardi theksojnë se ky bazoriliev është element i varrit të Gjon Granai Kastriotit (nipi i Vrana Kontit), i cili vdiq në Mesagne më 2 gusht 1514 dhe e varrosën në kishën Shen Maria Mëshirëmadhe, kishë e ndërtuar në shekullin XVI me kuntributet bujare të familjeve Granai dhe Muzaka. [Rosario Jurlario, I Musachi despoti d’Epiro, Bari Santo Spirito, 1970, p. 8] [Anselmo C. Leopardi, Mesagne: città dalle 50 chiese; Santuario della Misericordia; Barocco Pugliese, La chiesa della Misericordia, Radici-online.com. 28 febbraio 2020].

Për meritat ushtarake dhe forcimin e pozicionit politik të princit të Muzakisë, sebastokratorit Andrea II Muzaka, Perandori i Bizantit Androniku II Paleologu e emëroi Dhespot i Epirit. Emërimi dhespot i fisnikëve në Perandorinë Bizantine, bëhej me ceremoni, si përshkruhet në “Cronaca di Carlo Tocca”, gjatë emërimit të Karlit dhespot nga Michele VIII Paleologo (1223-1282). Ceremonia zhvillohej në oborrin perandorak, ku mblidheshin komandantët e ushtrisë dhe njëri nga dinjitarët lexonte vendimin, që theksonte meritat dhe sukseset në detyrat e ngarkuara nga Perandori, ndërsa kryekomandanti i ushtrisë shpallte emërimin Dhespot personin direkt, ose ambasadorin e dërguar prej tij. Në shekullin XIII – XIV, prijësit e Muzakisë kishin titujt sebastonkreator dhe protosebast, ndërsa Andrea II Muzakën e emëruan Dhespot i Epirit dhe i Muzakisë, madje ishte i katërti në rradhë ndër dhespotët e emëruar nga Perandori i Bizantit. [Davide Shamà, I di Tocco Principi di Montemiletto e duchi di Leucade. Studio storicogenealogico. 2009] [Walter Haberstumpf, I Tocco, duchi di Leucade, e il principato d’Acaia (secoli XIV-XVI), in Venezia e le Isole Ionie, Venezia 2005, p. 59] [G. Musachi, breve memorie, pp. 294]

Stema heraldike e familjes Muzaka

Nga martesa e Andrea II Muzaka me Eftiminë lindën pesë fëmijë, tre djemë: Gjini II, Teodori, Stoja dhe dy vajza Komita e Kirana. Andrea II Muzaka vdiq në vitin 1372 dhe e varrosën në Kishën e shen Antonio në Durrës. [G. Musachi p. 282]

Në gjysmën e dytë të shekullit XIV, nga konflikti i Paleologut me Kantakuzenin, Perandoria Bizantine rrezikohej të shpërbëhej. Paleologu për të thyer Kanatakuzenin kërkoi ndihmën e Sullta Muratit I, i cili duke filluar nga viti 1363 sulmoi shtetet Ballkanike. Ushtria turke pasi pushtoi Dhespotatet e Artës dhe të Janinës, sulmoi trojet e Muzakëve. Princat arbëror me në krye Balshën II, me Muzakët, Gropa, Topia etj, më 18 shtator 1385 e pritën ushtrinë turke në Savër të Myzeqesë dhe pas një beteje të ashpër, forcat e koalicionit arbëror u thyen dhe princat arbëror u detyruan të bëhen vasalë të Perandorisë Osmane.

Sukseset e ushtrisë Osmane, e shtuan oreksin e Sulltan Muratit I, i cili avancoi në veri. Dhespoti i Serbisë Lazari, mbreti i Bullgarisë Marko dhe Dhespoti i Epirit Teodori I Muzaka, së bashku me prijësat e tjerë arbëror Gjergji II Balsha, Pal Kastrioti, Dhimitër Joanima, Andrea Gropa etj, i bashkuan ushtritë kundër ushtrisë turke të Muratit I. Më 28 qershorë 1389, në Fushë Kosovë u zhvillua një betejë e ashpër, ku mbeti i vrarë prijësi i Teodori I Muzaka (djali i Gjonit II Muzaka) dhe dhespotti i Serbisë Lazari. Nga viti 1394 e në vazhdim, shteti i Muzakëve u sulmua nga ushtria dhe nga flota turke.

Fillimisht, Muzakët i rezistuan dhe i zbrapsën sulmet turke, por më pas, në saj të superioritetit numerik dhe armatimeve të ushtrisë turke, u detyruan të tërhiqen e të njohin sovranitetin e sulltanit, por ruajtën një pozicion diplomatik, si ndërmjetës mes Perandorisë Osmane, me republikat e Venecias dhe të Raguzës. Athanas Gegaj shkruan: “Prijësi i Muzakëve, në vitet e para të shekullit XV, priti ambasadorin e Republikës së Raguzës Mikele de Resti, të cilit i kërkoi të ndërmjetësonte te turqit, që të lironin princin Nikita Topia të Krujës, që e kishin arrestuar dhe burgosur. [Athanas Gegaj, L’Albanie et invasion turque au XV-e siècle, Paris 1937, p. 26].

Pas vdekjes më 1389 të Gjinit II dhe Teodorit I, në krye të zotërimeve të Muzakëve ishte Andrea III Muzaka, i ati i Gjinit III Muzaka dhe gjyshi i Gjon Muzaka, autori i kujtimeve të familjes Muzaka.

Gjini III u martua me Kirana, mbesa e sevastokratorit Pal Matranga i Gorës dhe kishin tetë fëmijë, dy djemë e gjashtë vajza. Gjini III Muzaka, ishte prijësi i fundit që ruajti sovranitetin e shtetit të Muzakisë. Gjini III Muzaka vdiq në Sereizabunga në verën e vitit 1417, para se Berati të pushtohej nga Turqit. Gjinin III e varrosën në kishën e Shen Maria në Bunga, madje në këtë kishë varrosën dhe Kiranën gruan e tij (nëna e Gjon Muzakës) [G. Musachi, breve memorie, pp. 275, 282, 283, 293 - 300]

Në verën e vitit 1417, hordhitë osmane pushtuan Beratin, me trevat dhe fshatrat në vartësi të Muzakëve dhe ngrijtën administratën turke në Berat dhe në të gjitha trevat që ishin në zotërim të Muzakëve. Në vitet 1432 dhe 1436, prijësi i muzakëve Teodori III Muzaka u bashkua me Gjergj Arianitin, kunatin e tij në kryengritjen kundër pushtuesve turq dhe i thyen hordhita turke. Të drejtat që fituan Muzakët, e preokupuan sulltanin, i cili dërgoi ushtrinë e komanduar nga Turhan Pasha, që e rrethoi Beratin. Arbërorët rezistuan gjatë sulmeve turke. Në vitin 1443, të mbështetur dhe nga forcat e Gjergj Arianitit, ushtria turke u detyrua  të tërhiqet dhe Muzakët rimorën Beratin dhe trojet e tyre. [Marinesco C, Alphonse V, roi d’Aragon et d’Naples et d’Albanie de Scanderbeg, Parigi, 1923, p. 16].

Me kthimin e Gjergj Kastriotit në Arbëri, filloi periudha e re historike, rezistenca heroike kundër sulmeve të vazhdueshme të ushtrisë turke. Më 2 mars 1444, në Lezhë, që ishte në zotërim të Venedikut, Gjergj Kastrioti mblodhi në kuvend princat arbëror Arianiti, Teodori III Muzaka, Dukagjini, Topia, Zakaria, Spani, Balsha, Dushmani, Cernovi?i i Malit të Zi etj, etj, ku krijuan Beslidhjen e Lezhës, aleanca e princave për mbrojtjen e trojeve arbërore nga sulmet e ushtrisë të Perandorisë Osmane. Gjergj Kastrioti, u zgjodh kryekomandanti i ushtrisë arbërore. [Barletius M, Historia de vita et gestis Scanderbeg, Epirotum principis. Roma 1522]. [G. Musachi, breve memorie, pp. 274- 275]

Muzakët ishin aleatët besnikë të Kastriotit, madje Gjergji Kastrioti dërgoi Gjinin III Muzaka, t’i kërkonte Gjergj Arianitit fejesën me Andronikën. Në kujtimet e tij Gjon Muzaka shkruan: “Scanderbegho... lo mandò a consultare con lo signor Ginno mio padre, che il detto signor Aryaniti era cognato a mio padre, përchè ebbe per moglie la Signora Maria Musachi, sorella del mio padre... Signor Scanderbego Castriota fu Signor de Dibra, de Mati e de Croya insino alla marina, e Deberina, cioè Randesio, e la paese de Guonimi - Kastrioti ishte zot i Dibrës, i Matit i Krujës deri në det ku përfshihej Kepi i Rodonit dhe ne veri trojet e Jonimëve. [G. Musachi, breve memorie, pp. 275, 284] [L. Alia, Andronika dhe Gjoni II Kastrioti, Tiranë 2023, f. 26]

Muzakët e mbështetën Gjergj Kastriotin në të gjitha betejat kundër ekspeditave të vazhdueshme të ushtrisë osmane. Në luftimet kundër turqëve mbeti i vrarë Teodori III Muzaka, i cili nuk ka lënë trashëgimtarë. Bazuar në gadishmërinë dhe besnikërinë e Muzakëve, Gjergj Kastrioti iu besoi misione të rëndësishme diplomatike, si rasti i Martin Muzaka të cilin në qershor 1460 e dërgoi në Vatikan, t’i dorëzonte një letër konfidenciale Papës Piu II dhe mbretit Ferrante II Anzhuin. [Arch. Status Venet., Sen. Mar R° 6 c. 183 (182) rt, d. 16. VI. 1460].

Në betejën e Vajkalit në Bulqizë në vitin 1465, kapedanët Moisi Golemi, Gjin Muzaka (i biri i Matrenga Muzakës), Vladan Gjurica, Muzaka i Angjelinës, Gjin Manësi, Gjon Perlati, Nikolla Erizi, Gjergj Kuka, u kapën rob nga turqit e Ballaban Pashës, pasi u tradhëtuan nga çermenikasit Gjoni dhe Isufi, të cilët Sulltani i shpërbleu duke iu dhënë timaret e fshatrave Gradec, Lunik, Neshta e Kostenja, troje që ishin në pronësi të Muzakës të Angjelinës. [Arkivi i Institutit të Historisë. Defteri i vilajeteve të Dibrës, Dulgobërdës, Rjiekës dhe ?ermenikës. 1467 (viti 871 i Hixhrit), f 69]. Gjin Muzaka së bashku me shtatë kapedanat e tjerë u dërguan në Stamboll dhe me gjithë kërkesat e insistuese të Gjergj Kastriotit, që t’i lironin kundrejt pagesës dhe shkëmbimit me robërit turqë, Sulltani nuk pranoi dhe urdhëroi dënimin me vdekje, duke i rjepur të gjallë në sheshin qendror të Stambollit.

Vdekja e papritur e Gjergj Kastriotit më 17 janar 1468, e tronditi Arbërinë, Andronikën me djalin, të afërmit, fisnikërinë arbërore dhe popullin arbëror, ashtu si preokupoi mbretërinë e Napolit, Vatikanin dhe Venedikun, të cilët pas rënies së barrierës arbërore, u ndjen të kërcënuar nga Perandoria Osmane dhe krishtërimi i rrezikuar nga islamzimi i detyrushëm i popullatës. Pas vdekjes të Gjergj Kastriotit, në mars të vitit 1468 Andronika me Gjonin II dhe shumë familje fisnike arbërore emigruan në Mbretërinë e Napolit. Gjon Muzaka në kujtimet e tij shkruan: “Bashkë me Andronikën emigruan dy motrat e mia Maria (e martuar me Muzak Komnenin) me vajzën Porfida dhe Helena (martuar me zotin Gjergj Karli i Dibrës) me vajzën Vojsava, të cilët u mirëpritën në oborrin e mbretit Ferrante. [G. Musachi, breve memorie, pp. 275 -276]

Gjon Muzaka dhe prijësat e tjerë arbëror Arianiti, Dukagjini, Spani, Balsha vazhduan t’i rezistojnë  sulmeve të ushtrisë turke, deri në rënien e Shkodrës dhe me aktin e pushtimit të trojeve arbërore nga Perandoria Osmane, të firmosur në Stamboll nga ambasadori i Venedikut dhe Sulltan Mehmeti II – Fatihu. Në kujtimet e tij, Gjon Muzaka tregon se gjatë viteve që ndodhej në Arbëri, i ruajti lidhjet dhe e mbështeti proveditorin e Venedikut në Durrës, madje kur Frederiku Aragon, shkoi me ushtrinë e të atit Ferrante II për të marrë Durrësin, Gjon Muzaka në krye të reparteve të kalorësisë dhe të këmbësorëve, shkoi në ndihmë të Venedikut për të mbrojtur Durrësin nga princi Federik. Por ky kontribut nuk u shpërblye nga Venediku, sepse kur firmosi aktin e paqës me mbretërinë e Naapolit, jo vetëm nuk e ftoi Gjon Muzakën, por dhe e braktisën. Këto qëndrime pabesie të Venedikut e kishin provuar dhe princa të tjerë arbëror. [G. Musachi, breve memorie, pp. 275 -276]

Pas vdekjes të Gjergj Kastriotit, Sulltan Mehmeti II i propozoi Gjon Muzakës, në se do të bashkohej me turqit dhe të konvertohej në fenë islame, do t’i njihte të drejtat e pronësisë të trojeve të Muzakisë. Rreth këtij propozimi të Sulltanit, Gjon Muzaka në kujtimet e tij shkruan: “Mehmeti disa herë më dërgoi letra, duke me shkruar se në se do të dëshiroja të shkoja te Ai së bashku me ju bijt e mi dhe të ndërroja fenë, më betohej se do të më lejonte të qeverisja të gjitha trojet tona, por unë nuk pranova të braktis fenë time të shenjtë ..... pra e ruajta nderin e shtëpisë tonë. Në këtë kohë disa miqë të mirë nga Durrësi, më informuan se duhej të largohesha, pasi më rrezikohej jeta. Kështu u detyrova të ndryshoj veshjen dhe një natë të vitit 1476 hypa në një varkë, bashkë me të tjerë, të cilët nuk dinin cili isha dhe kështu i shpëtova turqëve. Pas këtij viti gjithëçka shkoi së prapthi në trojet tona Atë kohë, bashkëshortja ime, nëna e juaj Maria Dukagjini, që ishte shtatëzënë me Andriano, shkoi në Durrës dhe u strehua në shtëpinë e miqëve tanë fisnikë, ku dhe e lindi Andrianon, të cilin e çuan në kishë dhe e pagëzuan pa e dijtur i biri i kujt ishte. Ndërkohë, Teodori dhe Helena ishin strehuar në shtëpitë e fisnikëve të tjerë durrsakë. Një ditë kur turqit u vunë në kërkim të nënës tuaj dhe të ju fëmijëve tanë, Maria u fsheh brenda një dysheku me pupla, kështu me ndihmën e zotit mëshirmadh nuk e zbuluan, miqtë tanë i mbrojtën nënën tuaj edhe ju, kështu shpëtuat mizorisë të turqëve. Një ditë, miqtë tonë fisnikë, e ndihmuan nënë tuaj, së bashku me ju të tre fëmijët tanë dhe iu hypën në një anije, që iu zbriti në brigjet e Pulias”. [G. Musachi, breve memorie, pp. 275 -276]

Gjon Muzaka dhe Maria Dukagjini kishin pesë fëmijë:

- Teodori i lindur në vitin 1474 në Berat – Albania, ishte dy vjeç kur arrijti në Itali.

- Elena e lindur në vitin 1475 në Berat – Albania. Ishte një vjeçe kur arrijti në Itali .

- Andriano, i lindur në Durrës më 1476. Ishte më moshë 90 ditësh kur lundroi me anije për në Pulja. Pas shërbimit në ushtrinë e mbretit të Napolit Andriano shkoi komandant i kavalerisë në shërbim të mbretit të Francës. Vdiq i helmuar në Francë më 10 maj 1526. [G. Musachi, breve memorie, pp 273-277-282-314]

- Kostantini, lindi në Napoli në vitin 1478. U martua me Lucrezia Egidio. Jetoi në Napoli. Ishte komandanti

i një reparti kavalerie, në rradhët e ushtrisë të Gjonit II Kastrioti në luftimet kundër turqëve në Otranto [G.

Musachi, Breve memorie, pp 273-282]

- Porfida. Lindi në Napoli. U martua me Pietro Roka dhe me rekomandimin e Andronika Kastriotit shërbeu damë shoqëruese e mbretëreshës Xhiovana III e Napolit. [G. Musachi, Breve memorie, pp 282-532]

Pasi zbarkoi në Pulja, Gjon Muzaka i deklaruar i çfronësuar nga titulli Dhespoti i Epirit dhe kushëriri i Gjergj Kastriotit, u vendos në qytetin Mesagne (Mezanje) në trojet e Otrantos e më pas kaloi në Provincën e Brindizit. [Rosario Jurlario, I Musachi despoti d’Epiro, Bari Santo Spirito, 1970, p. 16]

Pas vdekjes të Gjergj Kastriotit dhe shuarjes të rezistencës antiturke në vitin 1478, nga fundi i shekullit XV deri në shekullin XVIII, emigruan shumë familje fisnike arbërore, të shoqëruar nga masa të gjera popullore, të organizuar në tetë eksode masive, që çuan në largimin e mbi 300 000 arbërorëve, që u vendosën në Pulja, Kalabri, Siçili, Napoli, Venecia, Roma, Toskana dhe në veri të Italisë, ku u formuan komunitetet e shumta albanezo-italiane, të mirënjohurit arbereshët. Në historinë e komuniteteve arbërore në Itali, krahas Kastriotëve, Arianiti, Balsha, Granai, shquhen dhe Muzakët me vend nderi, madje pasardhësit e tyre u vendosën në shumë komuna dhe qytete të Mbretërisë së Napolit, madje dhe në veri të Italisë, si dëshmon F. Paci, i cili tregon për praninë e fisnikëve Muzaka në qytetin e Parmës. [F. Paci. Teatro della Nobiltà d’Europa, p. 139]

Praninë e familjes Muzaka në Pulja, konfirmohet dhe nga nja letër e vitit 1517 e mbretëreshës Xhiovana III dërguar Bashkësisë të Mesagno, ku përmend fisnikët Muzaka, si dhe nga ekzistenca në fasadat e disa pallateve dhe të disa kishave të kësaj komune, të stemës heraldike të Muzakëve. [Profilo Antonio, Vie piazze, vichi e corti di Mesagne, Schena Editore, 1993 p. 229 - 249].

Ndërsa Gjon Muzaka me familjen e tij emigroi në Mbretërinë e Napolit, Muzakët e tjerë që mbetën në Arbëri u konvertuan në fenë islame, kaluan në shërbim të Perandorisë Osmane, ku arrijtën të fitonin tituj dhe detyra të rëndësishme në adminsitratën turke. Megjithatë, vlen të theksohet se një pjesë e tyre u martuan me vajza të krishtera brenda fisit të Muzakëve, por fëmijët e tyre morën emëra myslymanë.

Gjon Muzaka, në kujtimet e tij tregon dhe për pjestarë të familjeve Muzaka që u islamizuan.

- Gjini, i biri i Bogdan Muzakës përqafoi fenë islame dhe i biri i tij Sinanbeu u martua me Yela Arianiti e bija e Suina dhe Muzak Arianiti Komnena. Yela ishte e martuar me Nikolla Dukagjinin dhe pasi i vdiq burri, u martua me Sinanbeun, që ishte i biri i Bogdan Muzakës, i konvertuar në fenë islame.

- Andrea, i biri i Gjini II Muzaka (i dënuar me vdekje nga Sulltan Mehmeti II) u islamizua dhe si shpërblim e emëruan Zoti i Gorës.

- Kirana e bija e Andrea Muzaka (i verbëri), u martua me Hajdarbeun, Sanxhakbeu i Smirna dhe kishin një djalë i quajtur Kazanbeu.

- I biri i Pietro Bogdan Muzakës u islamizua me emërin Hasan dhe e emëruan Pasha në Rumani. Hasan Pasha vdiq gjatë luftimeve kundër Sufistëve në Persi në vitin 1514.

- Vëllai i Pal Muzakës, i quajtur Karagunsbegla kishte dy djem Kazanbegu dhe Abarbeu, të cilët shkuan të jetonin në Turqi.

- Gjon Muzaka thekson se gjyshi im Andrea kishte dy motra Helena dhe Kondisa. Helena ishte martuar me Aidin Klopes zoti i Vresda dhe kishin dy djemë Agibeun dhe Kasanbeun dhe një vajzë Despina e martuar me turkun Alibeu, që ishte sanxhakbeu i Ciorno. Agibeu kishte djalë Aidin dhe një djalë të jashtligjshëm Agubeu.

Kazanbeu kishte katër djemë Andribeu, Klerbeu, Alibeu dhe Muratbeu. [G. Musachi, breve memorie, pp 273-

277-282-314]

Vijon ...



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora