Kulturë
Anton Nikë Berisha: Ndriçim i veprimtarisë shumëfish të rëndësishme të abatit Prend Doçit
E enjte, 15.06.2023, 07:55 PM
NDRIÇIM
I VEPRIMTARISË SHUMËFISH TË RËNDËSISHME TË ABATIT PREND DOÇIT
Rreth librit të Zef Përgegës “Abat Doçi nji
djalë Shqypnije”. Publicistikë. Albanian American Institute. Tiranë 2022
“Çdo
ndërtese i vihen themelet në dhé. Edhe në vorr, prandaj në hijshëm duhet të
jemi gurët e themelit të njasaj binaje të cilën sot e quejmë Shqipní”.
Atë Anton Harapi
Nga
Anton Nikë Berisha
Vijimësi e traditës
Veprimtaria
e prelatit të lartë mirditas, abatit Prend Doçit (1846 – 1917), është vijimësi
shekullore e punës shumëfish me vlerë të barinjve shpirtërorë arbërorë –
shqiptarë, të cilët në veprimin e tyre e patën bazë binomin “Fe e Atdhe”. Kjo
veprimtari duhet t’i ketë rrënjët qysh në fillesë të lindjes së krishterimit në
trojet e paraardhësve të tyre, ku kaloi Shën Pali, dishepulli i Krishtit, i
cili në Letrën dërguar romakëve, shkruan: “[...] që prej Jerusalemit e për
qark në Iliri e kam përhapur Ungjillin e Krishtit” (Rom 15, 19) dhe se në
qytetin e Filipit, apostulli e themeloi Bashkësinë
e parë të krishterë në Evropë. Atë Anton Harapi “Nji ndër njerez mâ të kulturuem të Shqipnís” (sipas Koliqit)
thoshte “Edhe atdhetarizmi është një ndër idealet e krishterimit […]
Atdhetarizmi në kuptimin e krishterë është një virtyt i shenjtë si drejtësia
dhe dashuria”[1].
Barinjtë
tanë shpirtërorë përmes punës dhe flijimit të tyre e përhapën midis njerëzve
frymën biblike, që sublimohet në dy degë të të njëjtin trung: Duaje
Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemër (Mt 22, 37) dhe Duaje të afërmin tënd
porsi vetveten (Mt 22, 39).
Kjo
gjë dëshmohet që në librin e parë në gjuhën tonë, të njohur deri më sot –
“Mesharin” e Gjon Bdek Buzukut, të botuar më 1555[2],
përkatësisht në psalmet – poezitë që i hartoi. Buzuku
shkruan se ato ua kushtonte Hyjit[3]
dhe njerëzve të gjuhës e të gjakut të tij: e për gjithë njerëzit të m? ?
gjakut sim[4].
Ngjashëm vepruan dhe dy shkrimtarët e tjerë të
shquar, pasardhës të Buzukut, Pjetër Budi dhe Pjetër Bogdani. I pari shkruan se
poezitë që i kishte hartuar dhe i botonte në veprat “Doktrina e krishterë”
(1618), “Pasqyra e të rrëfyemit” (1621) dhe “Rituali roman” (1621), ua kushtonte popullit të tij (priftërinjve dhe besimtarëve
të Arbënit), në mënyrë që t’i shfrytëzojnë dhe t’i bëjnë të vetat për shpëtimin
e shpirtit dhe fitimin e parajsës qiellore: “[...]
ishnë për të madhe ndihmë e frujt të shp?rtit t at? populli e aqë m? tepërë të disa priftëne, qi dëshërojnë me i
pasunë[5]”,
prandaj vendos që librat nga qyteti i Romës
Nd’ Arbënë me ua dërguom, / Për
kishë e për munësht?r[6]
/ Pak ndë mend me i trazuom[7],
dhe për “[...] të madhe ndihmë e të
nçelët s?të[8]”.
Për
të njëjtin qëllim edhe Pjetër Bogdani e shkroi veprën e famshme “Çeta e
profetëve” (1685), të cilën, kur do ta sjellë atë në atdhe, në Arbëri (meqenëse
libri botohej në Itali), do të jetë një qiri për ta ndriçuar atdheun e varfër
të Arbrit: “[...] ashtu qi kur të kthenje
prej dheut sinë të keshe nji qirí ndezunë ndorë, për të ndritunë atë të vobek
dh? t’ Arbënit e të Shërbísë, i silli e madhe pjesë flet arbënisht [...][9]”.
Gjithë
puna e mirditasit, abat Prend Doçit, qoftë ajo e bërë në atdhe (veçmas në
Shkodër e në Mirditë), qoftë në Kanada, Amerikë dhe në Indi (si sekretar apostolik), ndërlidhet ngushtë me
traditën që u përmend. Ta ndriçosh këtë traditë, brenda saj dhe figurën e
abatit Prend Doçit, siç dëshmohet me veprën e Zef Përgegës, do të thotë të bësh
një punë shumëfish të rëndësishme. Rreth kësaj Gadamer shkruante: “Tradita nuk është vetëm një shumë mendimesh
e gjykimesh të njëpasnjëshme, po një e treta organike e potenciale, e cila
aktualizohet e riaktualizohet në mënyrë të domosdoshme në çdo gjykim të ri[10]”
ose, siç theksonte Tomazeo (Tommaseo), “Një
popull që nuk e njeh kohën e kaluar është fëmijë ose i pamend. Një popull që e
përbuz është i bjerrë[11]”.
Kërkimi
dhe zbulimi i fakteve dhe i të dhënave të së kaluarës është një domosdoshmëri
për arsye se sa më shumë që ta njohim të kaluarën aq më mirëfilli do të dimë ta
çmojmë dhe ta vlerësojmë të tashmen.
Nga
27 tetor i vitit 1888, kur papa e caktoi si abat të Mirditës, Prend Doçi nuk
reshti të punojë për të mirën e njerëzve dhe botës sonë, po dhe të njeriut –
besimtarit kudo që u ndodh dhe veproi. Puna shumëfish e rëndësishme e këtij
intelektuali të shquar u la në errësirë për gjithë kohën sa zgjati sistemi
komunist në botën shqiptare. Për këtë Shahin Kolonja pati thënë: “shumë i përmendur, por pak i njohur”. Vetëm pas rënies së
sundimit të murtajës së kuqe, siç cilësohej shpesh, filloi të ndriçohet figura
e tij. Disa studime monografike e punime që u botuan në dhjetëvjetëshat e
fundit, hodhën dritë në veprimtarinë e gjerë dhe cilësore të këtij prelati të
lartë, atdhetari e veprimtari të shquar të kulturës, të arsimit, letrar e
diplomat. Për ta dëshmuar këtë po i sjell vetëm vlerësimet e Fishtës dhe të Edit Durham, ku shprehen
në mënyrë sublime disa nga vlerat dhe veçantitë e abatit, Prend Doçit: “[...] Mundet me u thânë për sigurí se nuk âsht kund nji skaj
Shqipnijet, ku burrat e mendshëm e të kalemit mos ta kênë ndie e përmend kêt
emën. Kudo ndrit duka e tij, a ndër Parí Kishe, a ndër Krên të vendit, ase ndër
njerëz të diplomacís, gjithkund i la ndér vedit e nam kombit të vet…” (atë
Gjergj Fishta) dhe “Prend
Doçi fliste me një mençuri të rrallë, ndoshta ishte ndër më largpamësit
nacionalist shqiptar […] është një nga apostujt më me vlerë të fesë së
shqiptarizmës. Abati di shumë gjëra ndër të tjera ka ditur të ngrejë selinë e
tij në një nga vendet më të bukura në Evropë […] qe truri i Mirditës, ndoshta
personaliteti më i fortë në të gjithë Shqipërinë e Veriut. Kur pritet të ndodhë
diçka me rëndësi, një nga pyetjet e para që bën kushdo, qoftë ky prift, njeri
dosido, apo edhe konsull i cilitdo vend është: Po Abati ç’mendon për këtë? Po
këtë s’e di asnjëherë askush”. (Edit Durham)
Autori,
Zef Përgega, na bën të ditur që në fillim se për ç’arsye e hartoi librin Abat Doçi nji djalë Shqypnije: “Nuk
pretendoj të sjell akte shkencore, por një rrëfim shpirtëror të veprimtarisë së
gjithanshme të Abatit, pa e shqepur nga Shqipëria dhe rrëfimet e thella që kanë
bërë miqtë tanë mirditorë si Ndue Dedaj, historianët: P. Doçi, Luigj Martini,
Gjergj Marku etj. dhe për çfarë është shkruar në Amerikë e në Kanada. Synova të
kthjellë dritën e syve të mjegullt të diasporës shqiptare në Amerikë për këtë
personalitet dhe assesi për studiuesit, që kanë bërë e po bëjnë për këtë
Rilindës të madh!”
Krahas
ndriçimit të disa fakteve për jetën dhe veprimin e abatit Doçi në atdhe, të
vjela nga burime të ndryshme të botuara, por dhe disa të dhëna të panjohura të
vjela nga subjekte të ndryshëm, Zef Përgega në këtë libër është marrë me dukuri
të ndryshme, me veprimtarinë e abat Doçi nga
çasti kur detyrohet ta braktisë, atdheun, Shqipërinë dhe sidomos qëndrimin në
Kanada dhe në Amerikë. Së këndejmi, në bazë të fakteve që sjell, mund të them
se asnjë vepër më parë nuk e ka ndriçuar punën dhe personalitetin e abatit
jashtë atdheut sesa Zef Përgega. Pikërisht në Kanada, në Amerikë dhe në Indi,
po dhe pas kthimit në atdhe, abati e përligji në mënyra të ndryshme e vijimisht
atë që pati thënë me një rast: “Forca lëvizëse e çdo shqiptari, qoftë mysliman
apo i krishterë, është dashuria për atdhe dhe ndjenja e ruajtjes së kombësisë
së vet dhe e gjuhës së vet”. Pra, dashuria ndaj atdheut, siç thoshte papa Pali
VI, me thellësinë dhe madhështinë e saj, shndërrohet në bukuri[12] ose siç dëshmohet dhe nga ky mendim: “Çdo gjë
që është e përshkuar nga dashuria, bëhet (është) e pavdekshme” (në rastin
konkret nga dashuria për atdheun).
Arsyeja
pse autori Përgega u mor aq me përkushtim për ndriçimin sa më të gjerë e të
thellë të figurës së abatit Doçi jashtë Arbërisë, del në mënyrë të qartë nga
këto fjalë të tij: “Prend Doçi e mbolli farën e shenjtë në kopshte të vështira
në Newfoundland (në Veriperëndim të
Kanadasë), Newbrunswick e Nova Scotia, sa ajo mbiu e ujitur nga dora e Zotit në
ata shkëmbinj me fare pak tokë. Me këto fakte modeste që kam gjetur, duke
gjurmuar hapat e tij, jam munduar ta paraqes Abatin tokësor, ashtu siç e kanë
paraqitur shumë të tjerë, sidomos Át Gjergj Fishta, Át Pashko Bardhi, Dom Ndoc
Nikaj, Dom Prend Suli e plot intelektualë të djeshëm dhe të sotëm. Çfarëdolloj
fare, edhe ajo që merret prej qiellit, nëse nuk mbillet në tokë e në shpirtra,
nuk zhvillohet. Ndërkohë që Abat Doçi ishte vreshtari më i bekuar i farës njerëzore
në Fé - Atdhe - Liri dhe Kulturë kombëtare shqiptare! Abati ishte agu i
qytetarisë së kombit tonë në bregun perëndimor!”
Ky
hulumtim i rëndësishëm i Zef Përgegës lidhet me faktin se dukuritë dhe të
kaluarën nuk duhet ndriçuar vetëm nga rrafshi shkencor, por edhe nga ai letrar
poetik dhe publicistik nga se ato e plotësojnë njëra – tjetrën; ajo që nuk
është në natyrën e shkencës e të argumentit shkencor, thuhet përmes stilit të
rëndomtë, rrëfimeve e ngjarjeve, që kanë “notuar” nëpër kohë, janë përcjellë prej
një brezi në tjetrin ose prej një individi tek tjetri. Të dhënat e tilla bëhen
të rëndësishme veçmas për imtësitë dhe “vogëlsirat”, që nuk mund të sigurohen
dhe vështrohen, fjala vjen, përmes argumentimit shkencor.
Fakte dhe të dhëna të
shumta nga jeta e abatit në Kanada
Vlera
kryesore e librit të Zef Përgegës përligjet, siç u tha, nga faktet dhe të
dhënat e vjela nga tri burime të rëndësishme për veprimtarinë e abatit sidomos
në Kanada. I pari: nga libra dhe gazeta të kohës, që bëjnë fjalë edhe për abat
Doçin; i dyti: nga dokumente në dorëshkrim: letra, tekste të bisedave,
predikime e shkresa që rëndom ruhen nëpër arkivat e kishave dhe manastireve dhe
i treti: dëshmitë gojore të barinjve shpirtërorë që e kanë njohur, kanë punuar
me të ose e kanë takuar abat Doçin në rrethana të ndryshme, pastaj të
besimtarëve dhe të individëve që kanë ruajtur kujtime për të.
Duke
i mbledhur të dhënat e shumta nga këto tri burime, Përgega ia ka dalë të
ndriçojë e të ndërtojë, në pika të rëndësishme, rrjedhën e veprimtarisë së
këtij prelati të lartë shqiptar jashtë atdheut, ku ai qëndroi disa vjet. Për
t’i gjetur këto të dhëna është dashur jo vetëm këmbëngulje e veçantë, por edhe
flijim. Natyrisht, flijimet e tilla me shkas dhe kuptimplote e përcaktojnë
rrafshin e vlerave, bëhen pjesë e ndërgjegjes për të tashmen dhe për të
ardhmen; forcohet dhe lartësohet fakti se fati i individit është i njësuar me
fatin e atdheut dhe si i tillë shndërrohet në shenjtëri.
Të
dhënat janë siguruar nga vendet e mjediset ku abati ka kryer detyrën e
misionarit të përvuajtur e të përkushtuar, predikuesit të denjë dhe përhapësit
të palodhur të Fjalës së Hyjit, të besimit në Krishtin. Krahas kësaj, të dhënat
dëshmojnë dhe për dashurinë e madhe të abatit për secilin njeri, pa marrë
parasysh përkatësinë dhe ngjyrën. Me një fjalë, edhe në vendet ku punoi dhe e
përhapi Fjalën hyjnore, ai mbeti bari shpirtëror me cilësi e virtytet të larta,
sikur e përcaktonte Atë Justin Rrota “Meriton çmimin e lavdisë së përjetshme”.
Meqenëse
Përgega ka mbledhur një numër të madh të dhënash që dëshmojnë veprimtarinë dhe
tiparet e personalitetit të abat Doçit në Kanada, për të konkretizuar vetëm një
pjesë të tyre do të duhej shumë vend. Për këtë arsye po sjell vetëm dy.
Mons.
White, e cilëson abat Doçin revolucionar të eukaristisë për faktin se ai
mendonte e vepronte për një kishë në
lëvizje; një trokitje në derën e tjetrit është një dëshmi e fesë.
Eukaristia është përkujtim në të cilën tregohen histori të frymëzuara të së
kaluarës e, Doçi ishte pjesë e ngjizur shpirtërisht në të.
Përgega
e sjell këtë të dhënë: “Pas shumë telefonatave në Universitetin New-Brunswick
më lidhen me znj. Lia në një universitet që ishte më i madhi në atë zonë: “University of Fredericton Neë Brunsëick”. Ajo mori përsipër të
hulumtonte e të gjente disa gazeta të vjetra, ku ishte shkruar për abat Preng
Doçin. Mirëpo, nga biseda me sekretarinë e katedrales St. John’s Newfoundland mësova, se në shoqatën “Shën Jozefit”, të themeluar nga Doçi, funksiononin katër grupe
me nga 10-12 të rinj e të reja. Grupi i parë kishte detyrë të merrej me
propagandën fetare dhe fjalën e lirë, i dyti,- me problemet e marrëdhënieve në
familje, i treti,- me çështjet dhe fenomenet negative, si droga e alkooli dhe i
fundit,- me çështjet shoqërore, aktivitetet artistike e sportive, të cilat i
kishin dhënë një gjallëri të veçantë jetës në këtë famulli. Ata kishin
themeluar edhe Buletinin, të cilin abat Doçi e
kishte pagëzuar shqip “Liria”. (f. 67).
Nga
këto dy dëshmi, që po i sjell në vijim, përligjen shumë cilësi dhe virtyte të
jetës baritore e intelektuale të Prend Doçit.
Me
rastin e mbajtjes se meshës së fundit të abatit, Prend Doçit në Newfoundland,
arqipeshkvi
John, shkruan:
Ishte mesha e fundit. Kisha ishte mbushur
plot. Kishin ardhur nga të gjitha anët. “Sot nuk janë Krishtlindjet, por
Krishtlindje na e bëri jetën në fé Atë Doçi. Ne nuk po ndahemi me Atë Doçin, se ai,
si meshtar e si njeri, si poet dhe punëtor i veprave të mrekullueshme, në
njeriun e në shpirtin e shenjtë ka lënë emrin tek çdo besimtar. Këtë e tregojnë
edhe lotët e disa të rinjve të shoqatës “Shën Jozefi” dhe të tjerëve të
moshuar, që morën Krishtin në zemër nga Atë Prime Doçi. Siç ka emrin, i pari ai
është dhe do të jetë i pari në misionin që i ka ngarkuar Shëlbuesi dhe shëlbim
e pastë jetën. Mos na harro në letra!”.
Abat
Doçi ishte munduar t’i puthte dorën dhe të përkulej. “Jo biri im. Ne
duhet ta puthim dorën dhe mendjen e trupi yt duhet të jetë gjithmonë i drejtë,
vetëm në rast kur biem në gjunjë para Jezu Krishtit për të marrë gjunjë e
forcë. Ti ke bërë atë që ne nuk mundemi ta bëjmë, por në shembullin e dritës së
syve të tujë, do të udhëhiqemi që atje ku është më e vështira, është më e
bukura në fe” (f. 70);
Kryetari
i shoqatës “Shën Jozefi”, Rober Coleman, me rastin e largimit të abat Doçit nga
Newfoundland, i tha këto fjalë: “[…] Ne anëtarët e
shoqatës “St. Jozef”, ndjejmë sot një keqardhje për madhështinë e personit tuaj
si drejtor i këtij grupimi kishtar, katolik dhe human, që po largoheni nga
vendi ynë. Në një kohë nuk mund të rrimë pa bërë vlerësimin e përkushtimit të
punës tuaj tepër bujare në mesin tonë. Kur ju jeni thirrur të kryeni detyrën e
vështirë të përhapjes së fjalës së Krishtit në viset tona të thyera, ju kurrë
nuk jeni tërhequr, por keni shfaqur devocion, zemrën e mirë dhe të bardhë si
bora e Newfoulandit në ripërtëritjen njerëzore. Ne jemi ndjerë shumë mirë me ju
dhe këshillat e ëmbla të dala prej gojës tënde kanë qenë për ne të vlefshme dhe
inkurajuese. Me këtë rast, pranoni një kujtim simbolik nga shoqata që ju e
udhëhoqët bashkë me ne, si shenjë e mos harresës dhe kujtesës reciproke. Ne i
lutemi Zotit, që Ai t’ju ketë në përkujdesje të vazhdueshme që edhe në të
ardhmen të bësh vepra të frytshme, siç i keni bërë ato në mesin tonë”. (f. 41).
Duhet
thënë se gjithë veprimtaria e abat Doçit jashtë atdhe është vazhdimësi e asaj
që kishte filluar në qendra të ndryshme të Shqipërisë, sidomos në Mirditë, që
vazhdon edhe më me përkushtim kur kthehet në atdhe nga mërgimi.
Në
libër Zef Përgega i kushtoi kujdes dhe e vështroi punën e abat Doçit dhe në
fushën e kulturës , të arsimit e sidomos të letërsisë. Ai jep të dhëna me vlerë
për punën e abatit si themelues i shoqërisë “Bashkimi” (më 1899); ndihmesën e
tij për caktimin e alfabetit të shqipes, vendosur në Manastir më 1908, për
botimin e librave shkollorë dhe të tjerë. Më gjerësisht Përgega merret me
tekstin e disa poezive të hartuara nga abat Doçi: “Një kushtrim Shqyptarëve” të
skkruar më 1870, “Shqypnija në robní”, “Një trim asht bâ për të Gjergj
Kastria”, “Zânit i kasnecave”, ku ndriçon përmasën atdhetare të teksteve, që në
qenësi lidhen me idealin kombëtar të rilindësve tanë. Përmendet edhe teksti i
dramës “Jezusi në mesin tonë”, të cilën e shfaqi shoqata “Shën Jozefi”.
Pjesë të teksteve me
ngjyrim letrar poetik
Në
këtë vepër të Zef Përgegës herë – herë ngjarjet rrëfehen me një stil letrar, që
e bën atë tërheqës për lexuesit e shtresave të
ndryshme dhe që përkon me natyrën e llojit të librit.
Po
i sjell vetëm tre shembuj për ta dëshmuar këtë:
²
Gjatë kohës që isha
student në shkollën e mesme teknike në Tiranë, trashëguar nga Fullsi amerikan,
pushimet verore i kaloja i punësuar në Uzinën e Bakrit në Rubik, përballë
shkëmbit të bardhë, ku është ngritur kisha e Rubikut në vitin 1272, aq sa të
duket sikur Zoti themelet dhe kryqin e saj i mban në prehër dhe i bekon
përditë. Një ditë të nxehtë gushti, në repartin e tunxhit, erdhën disa kamionë
të mëdhenj dhe të mbyllur. Pasi i paketuam fletët e gjata të tunxhit në arka
druri dhe me letër të hollë e të bardhë, i mbështollëm si të ishin fëmijë
djepi, u nisën drejt Anglisë. Në fakt, ishte sekret i madh të merrje vesh një
gjë të tillë, kur thuhej se Shqipëria nuk kishte lidhje politike e ekonomike me
vendet perëndimore.
²
[...] Natë e zezë në
Orosh. Lehje e qenve të qelës mbi hije të rënda ujkonjash, që i silleshin
sofrës së kryqit si bolla e zezë vezëve të breshkave. Ulërima e tyre dëgjohej
larg në pyjet e Oroshit të Mirditës, ku qe projektuar ligësia e krimit në teh
të shpatës. Hije të kobshme, që zvarriteshin në barin gjysmë të tharë të
livadheve si oaze në sy të qiellit. Bolla e zezë orientale po përpiqej të
krijonte me çdo kusht një tymnajë dhe, më pas, të vinte pa bujë ekzekutimi i
priftit të ri, që sapo ishte kthyer nga Vatikani, me frymën e parë të
shenjtërimit dhe përkushtimit për trojet e të parëve dhe për fenë e tyre, të
mbërthyer pas rrënjëve të pemës nëntë shekullore Uldi, të mbjellë nga
misionarët benediktinë.
²
Ajo ishte e vogël. Mosha
e qumështit dhe e belbëzimit e mbanin të shumtën e kohës në shpërgënj leshi të
ngrohtë. Ende kërthinjomë lazdrimesh. Më kujtohet edhe sot djepi i saj. Ishte
fëmija i fundit. Nuk e di nëse dhe ne fëmijët e tjerë ishim përkundur në
lëvozhgën e këtij djepi, prodhuar me dru mani të butë. Ishte fort i lëmuar, i
zdrukthuar dhe të kuqërreme e pati ngjyrën. Mjeshtri me zdrukthin e tij dhe
daltën e imtë e kishte rrugëzuar me kallëza gruri dhe rreze dielli. Më kishte
rënë radha të kujdesesha për të, për motrën time Vitore të pafat.
[…] Fytyra e saj e bardhë si një engjëll deti, me qerpikë të
mëndafshtë, mbështillej nga drita e syve blu si një valëmirë që shpërthente nën
harkun e vetullave të holla si një tel lahute.
Në
fund po them se vepra “Abat Doçi nji djalë Shqypnije” hedh dritë për një varg
dukurish e përbërësish të rëndësishëm të rrjedhës së jetës dhe të veprimtarisë
së këtij bariu shpirtëror dhe atdhetari të madh.
Prishtinë, fillim qershori 2023
[1] Shih Atë
Anton Harapi, Njisimi kombtár dhe ideali
kombtár. Zgjodhi dhe
përgatiti për shtyp Anton N. Berisha, Kuvendi françeskan i Gjakovës, Gjakovë
1977, f. 280.
[2] Shih për
këtë “Meshari” i Gjon Buzukut (1555). Botim kritik. Punuar nga Eqrem Çabej.
Pjesa e parë. Hyrje dhe transliterim. Universiteti shtetëror i Tiranës.
Instituti i historisë dhe i gjuhësisë. Tiranë 1968.
[3] Shih
studimin tim Gjon Buzuku poeti ynë i parë. Studim. Faik Konica, Prishtinë 2016. Botimi i dytë Pellegrini Editore, Cosenza 2016.
[4] Shih
studimin tim “Meshari” – vepër e hartuar nga Gjon
Buzuku. Fondazione Universitaria “Francesco Solano”. Comet
Editore Press. Cosenza 2014. Botimi i
dytë “Faik Konica”, Prishtinë 2014.
[5] Pjetër
Budi, Parathënia. Në Sporg Og
Mennesker 9. Pjetër Budi, Dottrina cristiana (1618). Text.
Gunnar Svane (ED.) 1985, f. 2.
[6] Manastir.
[7] Shih Pjetër
Budi, Poezi (1618?1621), Parathënia, tejshkrimi, komentet: Rexhep
Ismajli, “Rilindja”, Prishtinë 1986, f. 277; shih dhe studimin tim Pjetër Budi poet dhe prozator. Studim. Luigi Pellegrini Editore. Cosenza
2015. Botimi i dytë “Faik Konica”, Prishtinë 2015.
[8] Pjetër
Budi, Parathënia. Në Sporg Og
Mennesker 11. Pjetër Budi, Speculum confessionis (1621). Text.
Gunnar Svane (ED.) 1986 , f. 6.
[9] Po aty, f.
XVIII.
[10]Shih Aurel
Plasari, Për një histori kritike të
letërsisë shqipe. Në “Hylli i Dritës”, n. 5 – 6, Tiranë
[11]Shih Prof.
Dr. Simon Pepa, Atë Donat Kurti – dijetar i martirizuar. Në 18 –
vjetorin e vdekjes. Në “Phoenix”. E përkohshme kulture. Viti i pestë. Nr. 1 –
3, Shkodër
[12] Papa Pali
VI, Lumturimi i martirëve të Koresë, (6
tetor 1968).