Kulturë
Dorian Koçi: Arkeologu i dijes filozofike
E enjte, 15.06.2023, 07:58 PM
Arkeologu i dijes filozofike
Nga
Dorian Koçi
Sa
jetonin centaurët e pyeta një ditë Prof Moikomin ndërsa flisnim për librin e
tij të fundit “Centauri i Dritës”. Buzëqeshi dhe pa u bezdisur që e kisha ndërprerë
(ky ishte gjithmonë stili ynë i i bisedës) më tha se centaurët janë krijesat që
mësuan Akilin. Imagjino më tha me stilin e tij lakonik-kur u mësuan sekretin e
përjetësisë Akilit, (sepse jam fort i sigurtë se nuk e kishte fituar atë duke u
zhytur në lumin Stiks nga e ëma), sa duhet të jetonin vetë? Jam i bindur se
sikur te rrëfenja e njohur e Saadi-ut ku mësuesi mëson 99 hile te sporti i
mundjes nxënësit të vet dhe një e mban për vete kur ai do ta sfidojë, ashtu dhe
centaurët i mësuan Akilit përjetësinë por me një cen të vogël, që ai mund të
vritej në thembër. Nuk mund të thosha më asnjë fjalë pas këtij pasazhi që bënte
bashkë dijen e lashtë antike me misticizmin e lindjes dhe e konsiderova veten
me fat që kisha mundësi të bisedoja me këtë njeri që ishte një Sokrat i kohës
sonë. Nuk bëja gabimin që ta quaja Platon, pasi në republikën e së ardhmes ,
Platoni i kishte përjashtuar poetët dhe Moikom Z, Siç nënshkruante në librat e
vet i kishte bezdi njerëzit që nuk respektonin poetët.
Pjesëza
e mësipërme është nga momentet e shumta që kaloja në takimet tona ku
dashamirësia dhe interesi i tij jo vetëm për Muzeun Historik Kombëtar por për
të gjitha fushat e dijes ishte i jashtëzakonshëm. Është vështirë që të gjesh të
mishëruar në një njeri disa disiplina të dijes dhe për më tepër të gjitha ato
të veshur me dëshirën për të prodhuar një kod të ri leximi, deshifrimi e
intepretimi. Moikom Z e njihje që fëmijë me “Kalorësit Dardanë” dhe Heroin e
tokës Nanas, për ta ritakuar sërish me poezinë e tij simbolike e jo të zakonshme
në adoleshencë, e në moshën e rritur në esetë e tipit borhesian gjithë
kabalizëm, teozofi e misticizëm. Portretet monografike të tij kushtuar figurave
të mëdha të kombit si Naim Frashërit, Onufrit, Migjenit, De Radës, Lasgush
Poradecit e së fundmi Skënderbeut kanë krijuar arketipe idesh sesi mund ti
njohësh këto figura e ti ballafaqosh me kulturën mesdhetare e europiane. Moikom
Z më pat rrëfyer se në të ri të tij kish dashur të shkruante me një alfabet të
përbërë prej numrash ku çdo gërmë do shkruhej me numrin përkatës që zinte në
alfabetin prej 36 shkronjash të gjuhës shqipe. Nuk e di nëse ia arriti
ndonjëherë apo nëse la ndonjë tekst të tillë por vepra e tij sa do që shpesh
duket se ka një kaos të jashtëm në vetvete është e përpiktë si një ekuacion
matematikor. Parimi i rrathëve koncektrikë në veprën e tij dekunstroktohet pasi
historia e filozofia në mënyrë ciklike duket se përsërisin njëra-tjetrën dhe
shpesh lindin dhe njëra-tjetrën.
Në
fillim të shekullit XX Fishta do ta përcaktonte Konicën si një enciklopedi
ambulante të kulturës shqiptare. Njëqind vjet më vonë ishim me fat që kishim
mes nesh një enciklopedi lëvizëse që gjallonte në shqip mes formulave të lashta
të kabalës, misticizmit dhe traditës. Moikom Zeqo krijoi një shkollë të vërtetë
poetike kur ringjalli antikitetin në një tokë djerrë si askush në letërsinë
shqipe e mitologjia u bë pjesë e diskursit të përditshëm.Idolet e tij poetikë
si Pindari, De Rada e Witmani i veshën një mantel prej të cilit ai sendërtoi
konstelacionin e tij poetik. “Tërë poetika ime rikonstrukton të Shkuarën si një
makinë për të Ardhmen” do shkruante vet në parathënien e vëllimit të XII me
poezi “Miscellanea” duke na dhënë vet kodin e leximit të poetikës së tij.
Çmund
të themi më tepër kur për një njeri që sfidon sëmundjen dhe me një ankth
sifizian vazhdon të luftojë për të vëretetat e tij që janë dhe të vërtetat e
jetës. Intelektual që në mesin e kohës lukuni kurr rrëzonin buste nga
pidestale, ndryshonin data nga historia me një kurajo civile shpërthente mes
parlamentit shqiptar se 29 nëntori nuk është një datë apokaliptike, nuk është e
shpikur, po realitet i patjetërsueshëm. Mohimi saj të çon te satanizmi i
demokracisë. Ajo është një datë e madhe uniteti dhe jo shpërbërjeje, e
mirëkuptimit dhe jo e shkombëtarizimit..
Kultura
jonë humbi një njeri diturak që nuk bënte pakt për të heshtur. Mes librave,
tablove, vizatimeve e melodisë tënde të preferuar do të gjëmojnë sentencat e
tua në latinisht " Plaudite, amici, comedia finita est "
(Duartrokisni miq! Komedia mbaroi!). Komedi e trishtuar humbja jote miky ynë ,
një komedi që na kujton se duhet ti duam të gjallët pa vdekur ende. Moikom Z iu
përvoll së përditshmes dhe u tret në eterin e përjetshëm të kulturës dhe gjuhës
shqipe. Prej andej ku i dihet, si mendimi pitagorian që e citoje shpesh do
ringjallesh në formën e Makabe Zaharias, personazhit tënd të dashur për të na
rikujtuar se qytetërimi botëror është një Ars Combinatoria... Deri atëherë
lamtumirë Mjeshtër!