Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Strategjia e serbëve është e qartë
E marte, 31.01.2023, 07:58 PM
Prof. Blerim Latifi:
Strategjia
e serbëve është e qartë: të shmangin statusin e pakicës brenda Kosovës. Meqë
aktualisht Kosovën nuk munden ta kthejnë në Serbi, kanë zgjedhur ta krijojnë
një Serbi të tyre brenda Kosovës. Për fatin tonë të keq miqtë tanë perëndimorë
duket se janë pro kësaj ideje. Për të na qetësuar, na thonë se Asociacioni do
të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, por njëjtë na thoshin edhe për
Gjykatën Speciale se nuk ka të bëj me UÇK-në, por veç me individët. Tani po
shihet se nuk është ashtu. Edhe nesër kur do të na dalin probleme sovraniteti
me Asociacionin, do të na thonë se "ju e keni krijuar vetë, prandaj duhet
ta respektoni".
A
do të mundemi ta ndalim Asociacionin?
Kur
e shohim presionin për të, vështirë të thuhet po. Presioni për Asociacionin
është po aq i madh sa ishte edhe presioni për Gjykatën Speciale. Mbase edhe më
i madh. Dhe në krye të presionit përsëri janë ShBA-të, shteti tek i cili i kemi
të varura të gjitha shpresat tona gjeopolitike. Kjo është duke na traumatizuar
dhe, rrjedhimisht, edhe duke na e paralizuar aftësinë për të menduar me mendje
të kthjelltë dhe pastaj edhe për të vepruar racionalisht.
Bëjeni
Gjykatën Speciale ose e bën Rusia në OKB!- na frikësonin dje.
Bëjeni
Asociacionin ose do t'iu izolojmë dhe do t'iu braktisim!- na frikësojnë tash.
Kjo politikë frikësimi një ditë ka me e traumatizu kët' shtet dhe kët' shoqni
dhe atëherë gjithçkaje do t'i humbet kuptimi.
Pse
erdhëm në këtë ditë?
Përgjigja
në kët' pyetje nuk mund të jipet me pak fjalë. As me anë të një teksti të
shkurtër.
_________
Viti
1990. Kosova ndodhet nën terrorin shtetëror serb. Qindra shqiptarë vriten e
plagosen gjatë demonstratave të dimrit. Autonomia është hequr me dhunë policore.
Krejt institucionet janë vënë nën kontrollin e Beogradit. Republikat tjera
jugosllave bëjnë sikur nuk ka ndodhur ndonjë gjë e madhe. Edhe bota nuk i merr
fort seriozisht lajmet nga Kosova. Me përjashtim të një rasti: në gusht një
delegacion i Senatit Amerikan vjen në Kosovë për të parë gjendjen në Kosovë.
Ajo vizitë përjetohet si një dritë shprese për Kosovën e vetmuar përballë
agresionit serb. Gjashtë muaj më vonë fillon Lufta e Gjirit Persik midis SHBA's
dhe Irakut të Sadam Hyseinit. Nëpër çajtoret e Kosovës shpërthen solidariteti
me Irakun. Shqiptarët kokëshkretë duan që Sadami ta fitojë luftën. I tmerruar
nga ky budallallëk masiv, Ibrahim Rugova e fillon politikën e amerikanizimit të
mendjeve e shpirtrave në një shoqëri jugosllavo-anadollake.
Kam
menduar se ky lloj budallallëku antiamerikan ka marrë fund përgjithmonë në
vitin 1999. Tani nuk jam i sigurtë se kam pasur të drejtë.
_________
Kur
Shqipëria përfundimisht ra nën sundimin otoman dhe lidhjet e saj ne Europën
pothuajse u prenë krejtësisht, kujtimi dhe imazhi i saj në Europë ruhej përmes
historisë së Skënderbeut.
Kur
gjatë shekullit XX, për fajin e vetë shqiptarëve, u krijua një izolim tjetër i
Shqipërisë nga Europa, imazhi pozitiv i saj në Europë mbahej gjallë përmes
librave të Ismail Kadaresë.
Duke
e glorifikuar Shqipërinë paraotomane dhe Shqipërinë antiotomane në veprat e
tij, Kadare donte të mbante gjallë ëndrrën e një kombi për të gjetur rrugën e
rikthimit në Qytetërimin europian. Kështu letërsia e tij mbetet brenda
programit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Natyrisht, e veçanta e saj qëndron
tek niveli i lartë estetik, falë të cilit sot Kadare me të drejtë radhitet në
listën e shkrimtarëve më të mëdhenj botërorë.