Mendime » Çeliku
Kalosh Çeliku: Unë sot nuk i besoj as këmishës time
E hene, 23.01.2023, 07:57 PM
UNË SOT NUK I BESOJ AS KËMISHËS TIME
NGA
KALOSH ҪELIKU
Këmishë e imja dua të jesh: PËRJETË
që të të veshi përditë, përnatë!
E thonë: „Nuk i besoj as këmishës time„.
Megjithatë, nuk dua të jesh këmishë
Se, duhet të të shpie në pastrim kimik.
E kam frikë grisesh, bëhesh arnë...
E ka thënë,
Populli Shqiptar: Nuk e them Unë, si shkrimtar. Shkaku, se: Ende i besoj
Popullit Shqiptar. Jo, Partive Politike me hebet plotë krunde nëpër këmbë e
varë përqafe, në grazhd të Qeverive të “vëllazërim – bashkimit”. Nateditë, duke
u turr pas pasurisë dhe posteve politike. I besoj, realitetit shqiptar: që,
Sot: falë, Partive Politike “kuqezi” në Shkup, Prishtinë e Tiranë, ende shesin
mallëra “bio” politike me një afat të skadur përdorimi, në “Bti-Pazar”.
E pabesueshme,
gjithë këto “burra kuqezi mejdani” shqiptar, Partitë Politike në pushtet, e
opozitë, Sot t’i kenë në Ballë si heronjë trima pas lufte për Liri?! Qeveri,
kokë më kokë. Edhe atë, Zjarr kur na digjet mbi krye: Shqipëri, Kosovë.
Maqedoni e Veriut, Mal i Zi. Dhe, Çamëri.
Historikisht,
populli shqiptar ka bërë luftë me armik e për armik. Megjithatë, populli
Shqiptar: Edhe, Sotekësajdite ka qenë në Ballë për një Shtet Etnik Shqiptar.
Realitet, që e ka dëshmuar edhe Koha e
Sotshme. Punë tjetër, Sot: është, ajo e partive politike shqiptare, që ende
jemi nëpër këmbët e “Shejtanit” me Dy
brinja në kokë. “Din e Iman.”
Merreni me mend:
Sot, Popullit Shqiptar i prijnë në ballë Dudumët me këmbët dhe trutë në legen.
“Kryengritësit”, që gërhasin për Liri. E, ndonjëra nga mediat e “pavarura”, që
nuk është në Grazhd të “Kalit Shemës”,
po Livadheve të Babait, ende kullotë bar shkurreve. Grazhd të Gomarit. Duarve,
u bijnë shuplakë: Jemi popull i lumtur, këndojmë këngë patriotike dhe heqim
valle me shami pas brezi në verandë. Ekraneve televizive para kamerave. I lajmë
duart me sapun. Dy metra larg distancë edhe me gruan besnike. I respektojmë
masat policore të Qeverisë: pa maska, nuk dalim në rrugë, katër ditënetë rrimë
në karantinë.
Përinat, Sot dal
kaçak te “Parku i Grave”. Nuk, mbyllem në Kopësht Zoologjik. Nuk bëj politikë
“madhore” në Lëmën me kashtë të “Kalit Shemës”. Nuk dua president shqiptar. As
kryeministër shqiptar, në Maqedoninë e Veriut. Mjaftë i kam deputetët dhe
ministrat shqiptar. E kënaqën Presidentët dhe Kryeminstrat e Shqipërisë dhe të
Kosovës. Tashti, radha u ka mbetur ta kënaqin edhe këto të arratisurit e
Maqedonisë Veriut. PDSH -ja e Menduh Thaçit, na doli më modeste me kërkesa
politike: Publikisht, e kërkoi postin e zv/ kryeministrit! Post politik, të
cilin momentalisht e ka BDI -ja e Ali Ahmetit. Pavetëdije, haptas dalin me
kërkesa partiake, edhe në këto zgjedhje parlamentare (2020)?! Nuk e kanë “gajlen”
e popullit shqiptar, po të pasurive tyre marramendëse dhe posteve politike.
“Shpëtimtari” i shqiptarëve, nga karantina e improvizuar u përgjigjet, se:
Koalicion do të bëjë me atë Parti Politike Shqiptare, që e pranon Programin e
LSDM -së, dhe jo me fituesin e zgjedhjeve. Lëvizja “Besa”, pjesë e koalicionit
të LSDM -ës, në këto zgjedhje parlamentare, çon krye argati: Kryeministrin do
ta “fitojë”, ajo parti politike që do t’i ketë 61 deputetë. U turret pas me të
katra herdheve të Dashit, mos i bien udhës përtej Gardhi.
Lufta e ashpër mes
partive politike, dhe fushata parazgjedhore vazhdon e dhe në këtë situatë
Pandemie. Vatra e infektimit, shpallet Komuna e “Çairit” të Shkupit me 168 të
prekur nga Koronavirusi. “Qendër” 64, “Butel” 63, “Gazi Babë” 58, “Aeurodrom”
57, “Saraj” 55, “Karposh’ 45, “Kisella Vodë” 35. Ndërsa, Haraçina si komunë e
LSDM -ës me 23 të infektuar. Pastaj, Kumanova, Tetova dhe Gostivari. Qeveria,
ngutet t’u dalë ndihmë me katër ditë (80 orë) karantinë. Arrestime dhe dënime
për mosrespektimin e masave të Qeverisë. Politikanët, nuk kanë kohë të merren
me Pandeminë, po turren pas “fitoreve” partiake: Pasurisë dhe posteve politike.
Mendja, ma thotë, se: Politikanët tanë, janë në rrezik jete, i ka prekur Koronavirusi.
Karaxhovski: “Rasti
me korona janë rezultat i tubimeve për Ramazan dhe Bajram. Kryetari i
komisioneve të sëmundjeve Infektive dhe epidologu Zharko Karaxhovski theksoi
sot (08.06.220), se numri më i madh i infekrimeve me Koronavirus në Maqedoninë
e Veriut ka ndodhur përgjatë muajit “Ramazan” dhe festës të “Bajramit”. Na u
kthyen si boomerang tubimet përgjatë “iftareve” në muajin e “Ramazanit” dhe
përgjatë “Bajramit”.
Rrezik, Sot është
edhe të shtrohesh në spital nga ndonjë sëmundje tjetër e papritur nga partitë
politike për shërim, shkaku se: Maqedonia e Veriut me vite është e politizuar
deri në palcë. Nesër, mund të të shpallin në mjetet e informacionit, se: Vdiq
nga COVID -19. Partitë Politike merren me “shërimin” e të sëmurve nga
Koronavirusi?! Edhe, atë: Në prag të zgjedhjeve parlamentare. Pse, e them këtë?
E them, se: Gati të gjithë përgjegjësit nëpër institucionet e shtetit
“përbashkët” i emërojnë partitë politike. Punë tjetër, është ajo, se:
Partizanët partiak me brekët nëpër këmb, sa janë profesionistë në vendin e
punës?! Një Zot e di, siç thonë dhe i luten vetë ato si besimtarë, sesi do të
dalin nga Gremina politike, ku kanë rënë brenda bythekrye.
Ministri i
Shëndetësisë Venko Filipçe në Maqedoninë e Veriut shkon edhe më larg:
“Klasterët janë të njohura dhe vijnë nga festime dhe grumbullimet që kanë bërë
këta persona më 25, 26, 27 maj.” Nuk e përmend “Ramazanin” dhe “Bajramin”. Aq
më pak, Manifestimin ortodoks në Strugë, që shkeli masat e izolimit të
Qeverisë. Manifestim i “Shën Gjergjit” në rrugët e qytetit të Strugës nga
klerikë të Kishës ortodokse maqedonase, që u shoqërua nga qindra besmitarë që
kanë shkelur në këtë mënyrë masat e izolimit ndaj COVID -19, dhe ka nxitur
mjaftë reagime në Shkup. E, as Kreun e BFI Sulejman Rexhepin, që në festën e “Fitër
Bajramit” para kamerave televizive tha, se: “Koronavirusi ka vdekur”.
Padashur, bie në
sy, se: Numri më i madh i të infektuarëve nga Koronavirusi janë në komunat
shqiptare. Vendbanime, të varfëra dhe lënë pas dore, që edhe ndëshkohen me masa
qeveritare: karantinë, arrestime dhe dënime materiale e me burg. E, nga ana
tjetër, e bombardojnë pamëshirë në mjetet e infomacionit me Koronavirus: Rrini
në shtëpi! Lani duart me sapun! Distancë, dy metra larg edhe me gruan besnike!
Hani ushqim të shëndtshëm! Jo rastësisht, edhe në mjetet sociale Facebook,
akademikja Katica Qulavkova fajin ua hudhë shqiptarëve: “Çmimin e bashkëjetesës
e paguajmë me jetën”. Shkak, që: Komiteti i Helsinkit ka ngritur kallëzim penal
kundër akademikes Katica Qulavkova, për publikimin e saj në rrjetet sociale, me
të cilën thonë se nxit padurueshmëri mes bashkësive etnike.
Herët, dal te
“Parku i Grave”. Këmbëkryq, ulem nën Rrap. I them kamarierit: Ara e Babait, nuk
lërohet me një ka, m’i sjellë Dy qe nën zgjedhë, njërin në vijë, e tjetrin në
lëndinë! Dhe, një kalë me shalë me një pasqyrë në ballë! Sot, kam vendosur ta
lëroj Arën e Babait ugar mes sorrave, rrëzë Çuke me dy qe nën zgjedhë. Dhe, një kalë me shalë
në ballë!
Arratisem te
“Parku i Grave”. Dëllinjave të dikurshme, kur isha strukur si nxënës me cuca
azgane, që sot janë rritur pisha me kokat në Qiell. Përmendoreve, nëpër park:
Gruaja Engjëll me fletë mbi pisha. Pjetër Bogdani me gjithë mjekër mes tyre si
misionar. Përballë Kuvendit, një Kalorës me kalë shale - roje.
Hip - zbres këmbë
shkallëve të “Qendrës Tregtare” Ditës Sotshme. Jo, atyre lëvizëse elektrike.
Sytë i hudhë vitrinave të shitoreve me lloj-lloj mallërash. Në një restorant,
me shumicë dhe pakicë me afate të skaduara përdorimi parazgjedhjeve parlamentare,
shiten edhe politikanë: Deputetë të popullit, minsistra, zv/ ministra,
drejtorë, zv/ drejtor… Mes tyre, edhe një kryeministër shqiptar. Hë për hë,
vetëm si reklamë politike, ende nuk kishte dalë në treg për shitje, edhe një
president shqiptar. Thash, me vete: Presidentin, me siguri e kanë lënë partitë
politike shqiptare për ditën e Nesërme, fushatën e ardhshme parazgjedhore
presidentciale. Ose, ende nuk e shohin të arsyeshëm presidentin në Maqedoninë e
Veriut, kur dihet se në sistemin komunist jugosllav, pas vdekjes të shokut Tito
e patën president Sinan Hasanin të gjashtë republikave dhe dy krahinave të
Jugosllavisë.
Dikur e kaloj Urën
e Gurit. Mezi i kalova dy rojet e urës mbi Vardar: Goce Dellçevin dhe Dame
Gruevin. Poshtë Urës, në breg të Vardarit Karposhi zbathur e shalonte një kalë
pa shalë. Matanë Urës, në pritë Mitropilitët e Beogradit: Shën Kirili dhe Shën
Metodi me Shën Klimentin dhe Shën Naumin e Ohërit. Përballë, më doli para
Olimbia me fëmijë në bark, gji dhe prehër. Pak më tutje, Filipi i Maqedonisë me
grushtin lartë te koka si Xhaxhi Enver. Hipa - zbrita shkallëve të betonit pa
asnjë copë gjelbërim, ose peme “Sheshin e Madh të Shkupit “Skënderbeu”. Në fund
të shkallëve, më ndali Skënderbeu me shpatën në brez, që dje ishte me fytyrë
nga Lindja, e sot e kishin kthyer nga Perëndimi në mesin e varrezave të
makinave. Nga të ecësh e kthehesh, përmendore nëpër rrugë e parqe më këmbë e
kuaj me armë e thika.
Hasan Prishtina,
pak më larg “Sheshit më të madh” të Shkupit ”Skënderbeu”, preheshte në dy metra
park në “liri”. Vendtakimi i partizanëve të partive politike para fushatave
parazgjedhore, ku fotografoheshin para kamerave televizive me kurora të luleve
te këmbët.
Përinat të
Koronavirusit politik, u ula nën Rrap. Dhe, e porosita kamarierin: Sot, në vend
të dy qeve të Babait dhe kalit me shalë, ma sjell një gomar me samarë!...
Nga libri: JETA ËSHTË LUFTË (publicistikë
letrare), Shkup, 2023.