Editorial » Mehmetaj
Gani Mehmetaj: Vrasja e Enver Malokut - fillimi i vrasjeve politike
E merkure, 11.01.2023, 07:58 PM
VRASJA E ENVER MALOKUT – FILLIMI I VRASJEVE POLITIKE
SHKRUAN
GANI MEHMETAJ
11
janar 1998
-E
vranë Enver Malokun! – ma kumtoi lajmin e kobshëm me telefon njëri nga anëtarët
e Qendrës Informative të Kosovës(QIK). Enver Maloku, ish-gazetar i TV
Prishtinës, ishte përgjegjës i Qendrës Informative të Kosovës. Kumti më ra si
goditje e çekanit, s’ dija ç’t’i thosha. Ku? Si? Kush? M’u vijëzuan pyetjet, që
nuk arrita t’i artikuloja. Por ai më shpëtoi nga situata: kumtesën do ta japim
pas pak, më tha po aq i tronditur sa edhe unë.
U
solla vërdallë. Nuk më kujtohej e lëshova receptorin në vendin e vet, apo jo.
Nuk m’u kujtua fare kush qe në linjë, megjithëse të njëjtin zë e dëgjoja çdo
ditë, kur interesohesha për lajmet e QIK-ut. Përpiqesha të sillja pamjet e
vrasjes. Më dolën parasysh pamjet e përpjekjes së parë për ta vrarë, ashtu
sikurse më tregoi para disa kohësh Enveri. Një njeri në shkallët e apartamentit
shkrepi plumbin, i cili bie rikoshet në rrethojën e shkallës. Habia e Malokut:
çka po bën, more burrë! Dhe largimi i befasishëm i atentatorit. Kështu
afërsisht më kishte rrëfyer Enver Maloku për atentatin e parë. E plagosën edhe
Sabri Hamitin, i cili shpëtoi.
Më
vonë çdo gjë kaloi në heshtje, ose ngjarjet tjera dinamike të dhunës serbe e
qitën në harresë atentatorin shqiptar. Por ata që tentuan t’ia shuajnë jetën
herën e parë, nuk e lanë në harresë. E përgatitën atentatin e dytë, që
fatkeqësisht nuk u dështoi. Ishin shqiptarë, sipas të gjitha gjasave. Kështu
nisi lufta e brendshme, e tipit të atentateve, si në kohën e komunistëve.
Mora
frymë thellë para se t’ua kumtoja lajmin anëtarëve të redaksisë në Cyrih, që e
përgatisnim gazetën për shtyp. Ua thashë me dy–tri fjalë. Avni Bulliqi kërkoi
më shumë sqarime, Skënderi heshti. “Do ta dërgojnë kumtesën pas pak”, ua plotësova
informacionin. “Zoti i vraftë!” se kush e tha me mllef. “Pak po na vrasin
serbët, po edhe këta po u ndihmojnë!”, vazhdoi ai. Pa ua thënë e dinin se këtë
krim e bënë shqiptarët e jo serbët. Ato ditë nisi acarimi i grupeve që thoshin
se dolën në mal për të dëbuar okupatorin, ndërsa kërcënonin nëpër qytete ata që
nuk pajtoheshin me ideologjinë e frymën e tyre.
Athua
cili qe motivi i vrasjes, më dukej sikur qarkullonte pyetja nëpër zyrën e madhe
të faqosjes, ku e përgatisnim Rilindjen. Atë përpiqesha ta gjeja edhe unë në
mendjen time.
Enver
Maloku disa kohë më parë nisi një seri shkrimesh, duke i vënë në teh të
kritikës ata që e luftonin opsionin e pavarësisë. Në veçanti kritikonte Adem
Demaçin me konceptet e tij që ndryshonin sipas stinës, herë i shpallte serbët
vëllezër, herë e shpallte shtetin e Ballkanisë, ku i përshinte Kosovën e
Shqipërinë, sipas projektit të vjetër të Dimitrovit të Kominternes. Më vonë
dilte me 100 opsionet për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. I fyente e përpiqej
t’i denigronte të gjithë ata që nuk pajtoheshin me të.
Enver
Maloku ishte kritik edhe ndaj atyre që e shkrepnin një plumb në mal, ia
mbathnin me të katrat dhe pastaj me kumtesa të numëruara nisnin e i ndanin
shqiptarët në patriotë e tradhtarë. Sikur nuk mjaftonte dhuna e Serbisë kundër
shqiptarëve, dolën grupet që kërcënonin e manifestonin dhunë. Ato ditë ai doli
publikisht me një dokumentacion për Gjyqin e Hagës që denonconin krimet serbe…
Ato krime të dokumentuara me fotografi e filmime i paraqiti në një konferencë
shtypi në Prishtinë.
Ashtu
sikurse Maloku, me A. Demaçin pata fërkime në gazetën “Bujku”. Në një
intervistë të Demaçit, dhënë gazetës ku punoja, Zenun Çelaj, gazetar i vjetër
që e intervistoi, me pyetje të imponuara, ia hodhi topin: Çka mendoni për
shkrimin kritik të Gani Mehmetajt në gazetën “Bujku”? Ndërkaq, Adem Demaçi,
sipas përgjigjes që e transmeton Z. Çelaj pa një pa dy thotë: Do të vijë dita
kur autori i shkrimit, Gani Mehmetaj dhe kryeredaktori i gazetës, Avni Spahiu,
do ta kërkojnë ta hanë tërë tirazhin e gazetës, por nuk do t’u jap mundësi.
Përgjigje më të dhunshme, më monstruoze e më staliniste në gazetarinë e Evropës
Lindore nuk ishte dhënë. Një egërsi që nuk ishte parë e dëgjuar: intervistuesi
Z.Ç. me zemërligësi e nxiste, kurse i intervistuari e paraqiste vizionin e
botës së tij me heqje kokash e me kërcënime. Mjerë populli që do ta prisnin
pushtetin e tij! Nesër kur do të fitonte, bënte me dije ai, do t’i detyronte
kundërshtarët e tij të hanë gazeta e të vjellin fjalët e tyre. Serbia ende nuk
na detyroi të hanim gazeta, megjithëse s’la torturë tjetër pa përdorur kundër
gazetarëve e shqiptarëve në përgjithësi.
Z.
Çelaj, në ballafaqim me arrogancë, më thotë: “Ani çka, ti e ke kritikuar, ai
t’u përgjigj”. “Por ti ia vë në gojë fjalët aq të dhunshme, ku është etika e
morali i gazetarit?! përpiqesha ta prekja në sedër. Ndërkaq, ai pa asnjë pendim
ma ktheu: “Kur kritikon, priti pasojat!” Nuk e vazhdova më. Me këtë gazetar
kurrë s’pata ndonjë dialog, i shmangesha. Kur erdha gazetar fillestar në
redaksi, më thanë t’i ruhesha, më thanë edhe fjalë të tjera që më rrëqethën,
kështu që i përfilla këshillat dashamirëse të kolegëve të rubrikës së kulturës.
Të
nesërmen Demaçit, që me kërcënonte me detyrim ngrënien e tërë tirazhit të
gazetës, ia ktheva, duke e quajtur çapaçuli stalinist. Për Çelajn, s’kisha
fjalë, ai ishte edhe në kreun e Shoqatës për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive
të Njeriut, ndërsa nxiste dhunë të paparë kundër kolegëve. Me të pata konflikte
edhe më herët. Më 1985 në Kolegjiumin e Rilindjes propozoi të më dënonin, sepse
në raportin nga Festivali i Filmit në Pulë të Kroacisë shkrova për ndërhyrjet e
Komitetit Krahinor në filmin “Njeriu prej dheu” të Kosovafilmit, në regji të
Agim Sopit. E parodizova Komitetin Krahinor për traktorin socialist, gjë që Z.
Çelaj e vlerësoi blasfemi kundër komitetit, kështu që propozoi të merreshin
masa ndëshkuese. Kryeredaktori Maksut Shehu e zbuti dënimin, duke e shndërruar
në dënim në të holla sa për ta hequr qafe Çelajn e komitetin.Ndërkaq Enver
Maloku vazhdonte ta mbante në thumb të kritikës A.D. në “Gazetën e mbrëmjes”,
që dilte atëkohë në Prishtinë, duke mos i kursyer as gazetarët, shërbëtorë të
të gjitha regjimeve.
Unë
shkova në Zvicër. “Me le vetëm!”, më pati thënë në një rast. Rrudha supet,
sepse s’kisha përgjigje, nuk ia thashë hallin tim pse s’po rrija në Prishtinë.
Për
Krishtlindje erdha në shtëpi. Në nesërmen e takova Malokun. Biseduam për të
rejat në politikë e në kulturë, e bëmë një marrëveshje, sipas së cilës
“Rilindja” në Perëndim e paguante “Informatorin”, që e shfrytëzonim në gazetë.
Informatat e QIK-ut i shfrytëzonin të gjithë, shpesh duke mos e cituar. Isha i
vetmi që i paguaja shërbimet e QIK-ut.
Ndërkohë
që i mendoja të gjitha këto peripeci, na erdhi kumtesa, në të cilën thuhej se
Enver Maloku u vra nga persona të panjohur, disa hapa para banesë së tij në
Kodrën e Diellit. Dha shpirt në përqafimin e së bijës. Vrasësit ikën në drejtim
të panjohur, thuhej në kumtesë. Të tjerat u morën vesh në ditët në vazhdim.
Vrasja
e tij qe paralajmërim ogurzi për të tjerët që shkruanin në mënyrë kritike për
grupet e paidentifikuara, apo për rrënojat e politikës, të cilat po tërhiqnin
prapa vetes viktima. Grupet ilegale, në vend se të merreshin me makinerinë
serbe të dhunës, merreshin me shqiptarë, duke i vrarë e kërcënuar. Si t’i
kishin shikuar filmat partizanë të Enver Hoxhës. Mjerë populli që i polli këta
aventurierë që gjithë ditën rrinin me telefona në dorë, dërgonin kumtesa të
shpifura e kërcënime të vazhdueshme.
Fatkeqësia
më e madhe ishte se ne për ato që botonim në gazetë apo që shkruanim
përgjithësisht nëpër gazeta, dënoheshim nga regjimi serb me rrahje, tortura e
vrasje, ndërsa të njëjtën gjë po e bënin shqiptarët e fshehur prapa çorapeve të
grave në fytyrë. Asnjëherë nuk e dije kush qëndronte prapa një kërcënimi, pas
një rrahjeje deri në alivani, apo pas një vrasjeje. Bëja punën time e rrudheshe
nga të gjitha anët. Sikur të gjithë ishin marrë vesh të punonin kundër
shqiptarëve.
Nisi
shpërfytyrimi i raporteve shqiptare, dikush përpiqej të nxiste vëllavrasjen,
ashtu sikurse ishte nxitur me 1943-45 nga komunist shqiptarë.
Nga libri i kujtimeve: “Ëndrra e madhe”.
dardaniapress.com