E premte, 03.02.2023, 01:29 PM (GMT)

Speciale » Alia

Lutfi Alia: Ne ish maturantët e vitit 1965 dhe pleqëria

E enjte, 29.12.2022, 08:00 PM


NE ISH MATURANTËT E VITIT 1965 DHE PLEQËRIA

Pleqëria është i vetmi mjet, që na bën të jetojmë më gjatë.

(Charles Augustin De Sainte Beuve)

Nga Lutfi ALIA

Nё qershor tё vitit 2023 mbushen 58 vite, kur përfunduam shkollën e mesme dhe morëm dëftesën e pjekurisë, një ndër evenimentet më të rëndësishme të jetës. Kjo ngjarje kujtohet me mall dhe kremtohet me gëzim të veçantë, pasi dëftesa e maturës ishte liçenca që dëshmoi pjekurinë tonë dhe që na i hapi portat pёr tё hyrё nё jetёn e pavarur. Si kudo në botë dhe te ne është traditë përkujtimi dhe kremtimi i përfundimit të studimeve të gjimnazit.

Në qershor të vitit 1990 festuam 25 vjetorin.

U mlodhëm shumica e ishmaturantëve të 1965, tashmë me pjekuri adulte, plot shëndet e me bukuri, shumica me familje, me autoritet, me personalitet, me aktivtete dhe me kontribute dinjitoze në shoqërinë e asaj kohe. Në takimin tonë na nderoi drejtori i gjimnazit, pedagogu ynë i shquar Jovan Beça, i cili me seriozitetin, autoritetin dhe dashamirësinë e tij karakteristike, na përshëndeti me një diskutim të përzemërt, tepër emocinues dhe mbreslënës.

Në qershor të vitit 2015 u mblodhën për të kremtuar 50 vjetorin. Nuk ishim të gjithë. Pak prej nesh nuk mundën të organizoheshin për të përjetuar gëzimin e kësaj feste. Në këtë takim mungonin dhe disa nga shokët dhe shoqet tona, që ishin ndarë parakohe nga jeta. Atë ditë feste të qershorit 2015, të gjithë ishim bashkë, të pranishëm fizikisht dhe virtualisht, me kujtimet, me miqësinë dhe me mallin shoqëror. Pjesmarrësit në këtë takim u nderuan me praninë e pedagoges shumë të respektuar Karmelina Papleka.

Festimi i 50 vjetorit ishte një takim të moshuarish, të gjithë 68 - 70 vjeçar, flokëbardhë, madje dhe gocat dhe pse i kishin lyer flokët, nuk kishin mundur të fshihnin ndonjë tufë vogël të bardhë, që dilte tinëzisht ndërmjet ballukeve. Thinjat nuk fshihen, sepse ato janë bukuri dhe fisnikëri.

Në këtë takim shumica ishin pensionista, por aktiva dhe vital, të “punësuar” në familjet për rritjen dhe edukimin e nipave dhe të mbesave, pak prej nesh ende punonin, por të gjithë dinamikë, gazmorë e hokatar, me kujtime të viteve të gjimnazit, me rrëfime të përvojës për punët që kishin kryer në ato 50 vite dhe me optimizëm për të ardhmen.

Bukuria dhe entusiazmi i këtij takimi, i inkurajoi dhe i nxiti të gjithë të kërkojnë organizmin e takimit dhe në vitin 2020, për të kremtuar 55 vjetorin. Kadri Çopja dhe Paskal Papajani u impenjuan intensivisht për organizimin e këtij takimi shumë të dëshiruar, bënë një program të pasur me aktivitete, na njoftuan të gjithëve dhe ne me padurim prisnim të mblidheshim në Elbasan, në javën e fundit të qershorit të ngrohët e të ndritshëm, por endërrat dhe dëshirat për takimin e 55 vjetorit të maturës, papritur u shembën me shpërthimin e pandemisë të Covid-19. Rrezikshmëria e larte e infektimit me këtë virus agresiv, sëmundjet që shkakton dhe ndërlikimet me pasoja të rënda për shëndetin dhe jetën e të sëmurëve, sidomos rreziku i lartë për të lënduar shëndetin e të moshuarve, ashtu si në vendet e tjera të botës dhe në Elbasan, ndikoi të zbatohet lockdown, për pasojë u anullua dhe ky takim, aq shumë i dëshiruar.

Festa dështoi për vitin 2020, por nuk do të thotë se nuk do të takohemi në të ardhmen. U dëshpruam, por nuk u dekurajuam. Në jetë ndodhin të papritura të padëshirueshme. Kur Pandora hapi kutinë, zbrazi të gjitha të këqiat, por ruajti një, ruajti shpresën. Dhe ne nuk e kemi humbur shpresën. Jam i bindur se do të takohemi përsëri në vitin 2025 për të festuar 60 vjetorin e maturës historike të gjimnazit “Qamil Guranjaku”, madje shpresojmë të arrijmë ta festojmë për të fundit herë dhe 65 vjetorin. Nuk është ëndërr, as fantazi sepse ky takim në dukje i largët, në realitetin e sotëm është afër, madje dhe pse do të jemi të moshuar, me siguri do të mblidhemi përsëri, madje të shoqëruar me nipat e me mbesat.

Tё gjithё ne jemi aktorё nё skenёn e teatrit tё madh të jetës, aty ku luhet dhe drama e pleqёrisё, me fundin fatal. Shkenca, shkolla, mjekësia, puna, pёrvoja e jetёs, e kanё mёsuar njerёzimin si tё plakemi dhe kjo natyrisht ёshtё një ndër kryeveprat e mёnçurisё, por dhe njё nga kapitujt mё tё vёshtirё tё artit tё madh tё jetuarit. Në qershorin e vitit 2023, kolektivi ynë i maturës i vitit 1965 i Shkollës 11 vjeçare “Qamil Guranjaku” – Elbasan, do të jetë më i plakur, me mosha mbi 75 vjeç, ndërsa në takimin shumë të dëshiruar në qershorin e vitit 2025, për të festuar 60 vjetorin e maturës, do të prezantohemi edhe më të plakur, do të jemi mbi 80 vjeçar.

Plakja është epilogu i jetës, është proçes fiziologjik gradual, që vjen në mënyrë natyrale dhe dinamike,

është proçes i pashmangshëm. E shprehur në mënyrë ironike, plakja arrinë pa dëshirën tonë. Të gjithë jemi të bindur se proçesi i plakjes është i pandalshëm, i pariparueshëm, i pakurueshëm, i pakthyeshëm dhe këto proçese arrijnë në mënyrë tinzaare dhe veprojnë aktivisht duke krijuar dramën e pleqërisë.

Plakja nuk dallohet nga fazat e tjera të moshës, megjithatë ne mundohemi ta fshehim, ta largojmë duke tentuar të harrojmë vitet që shtohen gradualisht dhe që rëndojnë, deri sa arrinë ajo që nuk e dëshirojmë, por duke e mohuar fundin fatal, ne jetojmë me idenë e pavdekshmërisë.

Pleqëria është mosha e tretë, janë vitet e argjendëta dhe për modifikimet e funksioneve të organeve dhe për veçoritë e sëmundjeve që prekin pleqtë, trajtohet nga shkenca e gerartrisë, me mjekë specialitë, që përkushtohen trajtimit të kualifikuar të pleqëve e plakave. Geartria është shkenca dhe arti, që ushtrohen me synim për të trajtuar plakjen, për ta bërë sa më të shëndetëshme, më aktive dhe sa më jetëgjatë.

Disa persona e përballojnë pleqërinë mirë, me qetësi, marrin masa parandaluese dhe mbrojtëse, të tjerë e kalojnë me probleme shëndetësore, psikologjike dhe shoqërore.

Në vitet e rinisë, ditët janë të shkurtëra dhe vitet të gjata, ndërsa në pleqëri vitet janë të shkurtëra dhe ditët të gjata, sepse ne pleqtë zgjohemi herët, për t’i jetuar sa më gjatë dhe më aktive ditët e jetës sonë.     Proçesi i plakjes është tepër kompleks, i varur nga faktorët genetikë, konstitucionalë, anatomo-fiziologjikë, varet nga personaliteti dhe karakteri i individit, nga niveli ekonomik dhe kulturor, nga burimet dhe mbështetja sociale, nga prania ose mungesa e sëmundjeve të rënda dhe invalidizuese, nga çrregullimet psikologjike dhe emocionale.

Studimet e vazhdueshme dhe dëshirat për ta zgjatur sa më shumë jetën, për ta larguar në kohë plakjen dhe sidomos vdekjen, ishin, janë dhe do të jenë piksynime të shkencave mjekësore, për ta kthyer në realitet atë që Ciceroni e quante “ëndërr” dhe si shtrohet për zgjidhje nga të gjithë ne.

Plakja varet nga faktorët genetikë, por ndikohet dhe përshpejtohet nga faktorët mjedisor, sidomos nga sëmundjet e shumta si ateroskleroza, diabeti i sheqerit, nga sëmundjet kardiovaskulare dhe ato infektive. Pleqëria ka sëmundjet e veta shoqëruese, në disa me ecuri të lehtë në të tjerët me probleme shëndetësore.

Publio Terenzio Afro ka thënë: “Plakja në vëtvete është sëmundje - Senectus ipsa est morbus”. Nga pleqëria nuk shërohet askush dhe çdo individ plaket në mënyrën e vet. Henri Amiel thotë: “Plakja është kryevepra e mënçurisë, është një ndër kapitujt më të vështirë të artit të jetuarit”. Thuhet se plakja është mosha në perëndim, por ka perëndime dite, kur të gjithë ndalojnë duke kundëruar bukurinë e flakërimit të diellit në horizontin e ngushtë të ditës, kështu është dhe bukuria e pleqërisë.

Plakja është individuale e zhvilluar në dy format:

Plakja natyrale - fiziologjike.

Është epilogu i jetës, është plakja në mënyrë “pozitive”, duke u përshtatur herë pas herë me realitetet e reja të jetës, duke krijuar mirëqenie shëndetësore dhe socialekonomike. Sa më pak sëmundje bashkëshoqëruese dhe invalidizuese, aq më ngadalë plaket njeriu, gëzon jetëgjatësi të pritëshme të gjatë, madje aktualisht me rritjen e mirëqenies ekonomike dhe shoqërore, është shtuar në mënyrë të ndjeshëme numëri i subjekteve mbi 80 vjeçar, ashtu si janë shtuar dhe pleqtë mbi 100 vjeçar.

Askush nga ne nuk dëshiron të plaket, por këtë privilegj na e kanë mohuar ligjet e natyrës. Robert Browning thotё: “Plakja është pjesa e fundit e jetёs, që vjen pasi kalojmë të parёn, atë pjesë të gjatë, aktive, dinamike dhe intensive”. Marcel Proust thotë: “Disa e përballojnë plakjen me indiferencë, jo se kanë kurajo me shumë se të tjerët, por sepse kanë më pak imagjinatë”.

Studimet e shumta shkencore kanë konfirmuar se në kushtet aktuale dhe me progresin ekonomiko shoqëror dhe në subjektet e shëndetshëm, plakja natyrale e njeriut, duhet të arrijë jetëgjatësinë e pritëshme mbi 100 vjeç.

Plakja patologjike.

Është plakje e parakohëshme, e zhvilluar kur shëndeti i individit lëndohet nga sëmundje degjenerative, të cilat e vështirësojnë jetesën, përshtatjen mjedisore dhe shoqërore të individave; përshpejtohet nga disa sëmundje të rënda dhe invalidizuese, si neoplazitë, sëmundjet kardiorespiratore, nga dabeti i sheërit, nga sëmundjet infektive etj.

Sipas Martinez (2018), pleqëria konsiderohet koncept abstrakt, që shpreh fazën e tretë të jetës, ndërsa Maria Del Carmen Amaro (2016) e konsideron formë socioantropologjike e zhvilluar në tre faza  progresive: parapleqëria, pleqëria e vërtetë dhe faza e të moshuarve.

Sejcila nga këto faza pleqërie karakterizohet me veçori fiziko-biologjike dhe psikoemocionale.

- Parapleqëria. Është faza pararendëse e pleqërisë, e cila përfshinë grup moshat 55 – 65 vjeç. Subjektet e kësaj moshe kanë ulje të lehta dhe graduale të funksioneve fiziologjike dhe konjitive, ulet fuqia fizike, megjithatë vazhdojnë të punojnë. Edhe ne maturantët e vitit 1965, në këto mosha ishim në aktivitet të plotë pune, me kontribute në proçeset e zhvillimeve ekonomike dhe social – kulturor të vendit. Ndonëse nuk ndiheshim të plakur, më saktë nuk e pranonim fillimin e pleqërisë, në biseda konfindenciale mes nesh, të gjithë shprehnim shenjat e para të pleqërisë, disa nga ne, sidomos “gocat” ishin shëndoshur, ndonjëra dhe mbipeshë, pasi në këto mosha ulen proçeset metabolike, pakësohen enzimat tretëse, në femrat shfaqet meopauza (klimaksi), që është situatë e shprehur me shtim peshe trupore dhe me shfaqien e çrregullimeve psiko-emotive. Në moshat mbi 55 vjeç flokët fillojnë të thinjen duke e zbukuruar fisnikërisht fizionominë tonë mature.

Subjektet e këtij grup-moshe bëhen nostalgjikë, janë melankonikë për vitet e kaluara, sidomos për vitet e gjimnazit, kështu ndodh dhe me ne kur rastiste të takoheshim, mes nesh fillonin bisedat me kujtime të atyre viteve të shkuara, me bukurinë dhe dinamizmin rinor të gjimnazit.

- Faza e pleqërisë së vërtetë. Shprehet në moshat 66 – 80 vjeç. Është periudha kur ndihet pesha e viteve dhe pleqëria arrinë tinzare dhe e rëndon jetën tonë. Kështu ishim ne maturantët e vitit 1965 në takimin e qershorit 2015, ishim të moshave 69 – 71 vjeçare, shumica pensionista, përjashtuar Vason Agronin dhe mua, që ende vazhdonim punën, me ritëm dhe me regjim të plotë.

Në takimin e 50 vjetorit të maturës mё 14 qershor 2015 njё pjesë e gjeneracionit tonë kishin ndryshuar, ishin shndërruar në “pleq e plaka”. Vitet e shumta i kishin lёnё gjurmёt e moshёs dhe tё mundimeve. Ishim flokёbardhё, tё mpakur fizikisht, ndonjëri i krrusur nga mundimet e me fytyrёn tё pikturuar me rrudha, si dёshmia mё e bukur e pleqërisë.

Pleqёria tek meshkujt shfaqet papritur dhe me probleme shëndetësore, sidomos me shqetësimet e prostatës, që janë ankthi i pleqëve, sepse asnjë burrë në botë nuk i shpëton kësaj të keqe munduese, ashtu si nuk i kishin shpëtuar dhe “djemtë” e klasës time.

Ndryshe kishte ardhur pleqёria te shoqet tona. Ato kanё privilegjin se janë më inteligjente se ne, dinë të kujdesen për shëndetin, dinë t’i fshehin vitet e moshёs, pasi i lyejnё flokёt, bёjnё tualete intensive dhe kёshtu e ruajnё ende bukurinё. Gratё dinё ta fshehin plakjen, pasi kanё bёrё marrëveshje ndёrmjet fytyrёs, qё fillon tё plaket dhe mendjes e zemrёs ende rinore.

Ne të moshuarit e grupmoshave  66 – 80 vjeçe, sidomos në pensionistat, forcohet lidhja afektive mes burrit e gruas. Në pleqëri, dashuria, miqësia dhe kërkesat janë të konsoliduara, nuk ka vend për forma të reja ndjenjash dhe mbi të gjitha forcohet dashuria, si ka thënë Dante Alifhieri: “Dashuria është ndjenja e parë e intelektit, të gjitha të tjerat vijnë pas”. Në pleqëri shtohen ndjenjat e dashurisë, lidhjet afektive dhe dëshira të rrinë sa më gjatë bashkë me bashkëshorten, bëhen të pandashëm, për më tepër se bashkëshortet kujdesen më shumë për burrat e plakur, që bëhen “dembela”.

Kjo lidhje afektuoze shprehet me bashkëpunimin dhe bashkëveprimin në punët e shtëpisë, madje dhe

burrat më namuzli, fillojnë të bëjnë pazaret, të kryejnë ndonjë punë shtëpie dhe nga ato punë që në vitet e shkuara, nuk i kishin kryer kurrë, sepse ishin të “ndaluara” për mentalitetin dhe kulturën tonë gjysëm patriarkale. Unë qesha më shpirt, kur një shok i maturës tonë më tregonte si i lante pjatat, qesha atë çast, por më pas reflektova, madje disa vite më vonë i lava edhe unë. Pleqëria rezervon shumë të papritura.

Grup mosha 66 - 80 vjeç mbizotërohet nga vështirësitë e krijuara nga plakja, nga problemet e lidhur me shëndetin e lënduar nga sëmundjet e pleqërisë, sidomos nga ateroskleroza që intensifikohet në këto mosha, e shprehur me uljen e kujtesës, të aftësive konjitive dhe me çrregullime psiko-emocionale. Një plak aterosklerotik emocionohet shpejt, madje kur sheh filma me tensione psikologjike, apo kur dëgjon një lajm të keq, përlotet menjëherë, nuk arrinë t’i përmbajë emocionet.

Ateroskleroza është sëmundje kronike progresive, që rëndohet me moshën dhe ndikon fuqishëm në plakjen e organizmit. Ateroskleroza fillon që në fëmijëri, rëndohet nga djeta e papërshtatëshme si ajo që kemi ndjekur në vitet e rinisë dhe sidomos në moshat adulte. Në moshat që jemi ne, mund t’i pakësojmë, madje dhe t’i shmangim ndërlikimet e aterosklerozës, në se ndjekim një regjim dietetik të përshtatshëm, të shoqëruar me aktivitet fizik dhe me medikamentet kundër kolesterolit.

Të moshuarit mbi moshën 70 vjeçe, me fëmijët të martuar, që jetojnë me familje të ndarë nga prindërit, vuajnë  nga sindroma e “folesë të zbrazur”, krijuar nga “mungesa” pra nga largimi i fëmijëve, andaj shtëpia iu duket e boshatisur, madje ndjehen të vetmuar dhe të “braktisur”. Këtë vuajtje shpirtërore e kishin ndjerë prindërit tonë, kur ne filluam jetën e pavarur, por kur e provuam vetë, nuk mundëm t’i shmangemi. Kjo situatë, në disa nga ne pleqtë e maturës 1965 kishte krijuar ndjenjën e vetmisë, të mërzisë, sidomos në pensionistët. Për situatën psikologjike të vetmisë Gabriel Garcia Marquez thotë: “Është sekreti i një plakje të mirë dhe një pakt i ndershëm me vetminë”.

Ndonjë prej shokëve dhe shoqeve të maturës, shprehnin probleme me shëndetin, dikush vuante nga hipertensioni arterial, dikush me çrregullime të aparatit të tretjes, ndonjë me probleme kardiorespiratore, sidomos ata që vazhdonin të tymosnin  duhanin, ndonjë kishte ulje dëgjimi, ose ishte operuar për katarakën.

Si kuptohet pas moshës 75 vjeç, të gjithë jemi pacienta gerartrikë, të shprehur me probleme në cilësinë e jetës, më shfaqien e sëmundjeve të “pleqërisë” dhe të vështirësive fizike, madje dhe me pa aftësinë për një jetë autonome. Krahas problemeve fizike, në këtë grup moshe fillon të shfaqet rënia e niveleve konjitive. Ndonëse inteligjenca e kristalizuar manifestohet me maksimumin e kapacitetit, çka shpreh mençurinë e pleqërisë, inteligjenca fluide, e lidhur me shkathtësinë mendore, fillon të pakësojë intensi-tetin dhe rendimentin.

- Faza e tretë, vitet e të moshuarit. Shpreh fazën e fundit e pleqërisë, që fillon nga mosha 81 vjeçe dhe mbyllet me vdekjen. Këtë fazë, çdo individ e shpreh me ndryshime cilësore në nivelet fizike dhe sociopsikologjike.

Ne gjeneracioni i maturës i vitit 1965 kemi përpara dhe 5 vite sa të arrijmë këtë fazë, andaj presim në të ardhmen të ndjehemi më të dobët fizikisht, kockat do të na behen më të brishta, kyçet do të na lodhen më shpejt, do të ecim më pak dhe me vështirësi, do të bëjmë një jetë më të izoluar, do të në kufizohet autonomia, do të flejmë më pak, do të jetojmë të “mbyllur” në rëndesën e pleqërisë. Si kuptohet, jeta e jonë do të ndryshoi, ashtu si do ndryshojmë dhe ne.

Kur të arrijmë moshat mbi 81 vjeç, do të na shtohen problemet shëndetësore, do të behemi më të lëndushëm e më të rrezikuar nga sëmundjet e pleqërisë si nga tumoret, nga sëmundjet kardiorespiratore dhe nga sëmundjet infektive, si p.sh nga virusi Covid-19, që prek në mënyrë mbizotëruese të moshuarit, duke krijuar ndërlikime të rënda dhe me përfundime fatale.

Në këtë fazë të pleqërisë, ne të moshuarit do të vuajmë dhe nga izolimi shoqëror dhe nga vetmia e për të përballuar këto situata këshillohet jeta aktive, shetitjet në mjedis të hapur, leximi i librave, ushtrimet gjimnastikore, kryerja e disa punëve të vogla për të mbajtur tonusin fizik të trupit.

Benjamin Disraeli ka thënë: “Rinia ёshtё një gabim, jeta e adultit ёshte luftё, ndërsa pleqёria bëhet pishman pёr gjithёçka”. Pra, kur të plakemi, do të behemi pishman, që disa aktivitete që nuk i kryenim para pleqërisë, si aktivitetet fizike, shetitjet në mjediset natyrore, djeta e përshtatëshme etj, do të duhet t’i kryejmë tani kur vitet na e kanë renduar jetën dhe organizmi ynë i plakur i përballon më vështirësi.

Ashtu si jetohet aktivisht fëmijëria, jeta rinore dhe jeta adulte plot vitalitet, aktive, dinamike dhe me optimizёm nё familje, nё shkollё, nё punё dhe nё shoqёri, ashtu duhet tё jetohet dhe pleqёria, me qetёsi, me durim nё ngadalёsinё dhe pabesinë e saj dhe me pasojat që krijon në lëndimin e shëndetit, andaj duhet tё jemi pёrherё optimista dhe pse pleqёria ёshtё e pariparueshme, e pakurueshme dhe e pakthyeshme.

Ndёrsa shkruaj pёr pleqёrinё tonё, nuk e fsheh se dhe unë i trembem pleqёrisё tinzare, sidomos vetmisё së mërzitëshme, por duke u plakur s’do te thotё se kam frikё nga vdekja, sepse mendoj si Sokrati i lashtë: “Pёrderisa unё jetoj, nuk ekziston vdekja, kur tё vij vdekja nuk do tё jem unё, pra unё me vdekjen nuk do të takohemi kurrё”.  Karonte do të presi dhe shumë vite atje në terrin e humbëtirës të lumit Akeronte, nuk do t’i shpenzoj dy asprat, për lundrimin e fundit, por do të pi kafè me miqtë e mi.

Fakti se kolektivi ynё dhe pse me mosha mbi 75 vjeç, e ruan në shpirt potencialin dhe dinamizmin rinor, që na nxit dёshirat tona tё jetojmё aktivisht, sa më gjatё dhe me shëndet të fortë, t’i largohemi sa mё shumё finales të pleqёrisё, sepse jemi ende aktiva, dimё tё administrojmё vitet e mbetura, dimë ta mbajmë nën kontroll pleqёrinё.

Nobelistia Rita-Levi Montalcini, duke përshkruar pleqërinë e saj 100 vjeçare shkruan: “Më është ulur shikimi, më është ulur shumë dëgjimi, në konferenca nuk i shoh projektimet e nuk i dëgjoj mirë referuesit, por vazhdoj të mendoj ashtu si dikur 20 vjeçare. Trupi të bëj çfarë të dojë, unë nuk jam trupi, unë jam mendja”.

Ju kujtoj njё fakt shkencor, qё populli ynё e ka ligjёruar në një sentencё profetike, që shpreh mençuri: “Mendon dhe flet si  plak”. Pikërisht ёshtё konfirmuar shkencёrisht, se plakja e trurit nuk shkon paralel me plakjen fizike, pёrkundrazi, truri ёshtё organi qё e ruan vitalitetin dhe aktivitetin, madje truri i pleqëve normalё pothuajse nuk plaket, pavarësisht se vitet e rëndojnë fizikisht trupin.

Homeri në veprën “Odisea”, kur përshkruan mbretin Nestor thotë: “Ekzaltohej për virtytet që e karakterizonin dhe e shihte moshën e tretë të mënçur, të arsyeshme ndonëse në dukje tregohej mburravec”.

Pёrvoja e njerёzve tё shquar, si e piktorëve të mëdhenjë Ticiano, Mikelanxhelo, Pikassò, Fusi etj., krijimet e tyre më të bukura i realizuan në pleqëri, krijuan vepra me vlera të mëdha dhe të pavdekëshme. Edhe shumë shkenctarë si Virhow, Pasteur, Einstein, Tesla etj, zbulimet shkencore më të mëdha, që çuan në progres dhe në modernizimin e shoqërisë, i realizuan në vitet e pleqërisë.

Pleqëria është rezerva potenciale e familjes, e shoqërisë aktuale dhe e të ardhmes.

Kundёrvënia ndaj pleqёrisё, mёnyra pёr t’u plakur ngadalё dhe shёndetshёm, realizohet duke e mbajtur trurin nё aktivitet, mendjen përherë të impenjuar dhe tё vazhdohet tё jetohet jeta çdo ditë, sikur jeta e jonё tё ishte pafund, sepse kështu behet opozitë dhe e mposht pleqërinë.

Lev Tolstoj, kur e ndjeu peshën e viteve tha: “Pleqëria arrinë papritur ndër të gjitha këqijat, që mund t’i ndodhin njeriut”; ndërsa Bob Hope thotë: “E kuptojmë se jemi plakur, kur qirinjtë e tortës, kushtojnë më shumë se torta”.

Të gjithë ne dëshirojmë të jetojmë sa më gjatë, askush nuk e dëshiron plakjen dhe pse e dimë se është

e pashmangëshme, mizore dhe e frikëshme. Kuptimi i frikës ndaj pleqërisë, motivet e lidhura me pasojat e saj dhe fundin fatal, i ka bërë të vetëdijshëm njerëzit të krijojnë dhe të jetojnë një pleqëri të shëndetëshme dhe të gjatë. Ciceroni në veprën “De senectute” thotë: “Pugnandum tamquam contra mortem, sic contra senectutem – duke luftuar kundër vdekjes, kështu veprojmë kundër plakjes”.

Si kuptohet, jeta ka kufijtë e saj kohorë dhe vjen një fund i pashmangshëm, andaj duhet të jetojmë brenda asaj kohe të përcaktuar genetikisht, të jetojmë me guxim aktivisht e intelektualisht brenda jetës, duke krijuar fatin e jetëgjtësië, si thotë Virgjili: “Audentes fortuna iuvat - fati i ndihmon guximtarët”.

Ciceroni, në veprën oratorike “Pleqëria”, duke shprehur raportet ndërmjet gjeneracioneve, prezanton katër akuzat kundër pleqërisë.

1. Pleqëria fazë jete e pashmangëshme.

2. Pleqëria provokon dobësi fizike, por jo shpirtërore.

3. Na privon kënaqësitë.

4. Na e afron me vdekjen.

Pleqëria nuk shmanget, por kjo nuk do të thotë se duhet të bëhemi të vjetër parakohe. Pleqëria është fazë e bukur e jetës, por mëkati i saj është se zgjat pak.

Homeri përdor përcaktimin “ne vdekatarët”, si jemi të gjithë, ose e përmbledhur në paradoks filozofik do të thotë se çdo gjë që nuk vdes, nuk jeton. Cilësimi vdektarë nga Homeri, është më i bukur se një metaforë. Homeri e dinte se ç’është vdekja, ndaj e trajton si gjëmë dhe fatkeqësi e pandreqëshme, pra kishte dhe ka të drejtë, sepse vdekja është e pashmangëshme, është gjëmë individuale, familjare dhe shoqërore.

Shkrimtari Xhiakomo Leopardi, duke komentuar raportet mes plakjes dhe vdekjes shkruan: “Vdekja nuk është e keqe, sepse i çliron njerëzit nga të gjitha të këqiat e jetës e sa bashku me ato dhe nga dëshirat. Pleqëria është e keqia më e madhe, sepse e privon njeriun nga të gjitha kënaqësitë, duke i lënë vetëm oreksin e madh dhe i shton të gjitha dhimbjet. Edhe burrat jo më pak i trembën vdekjes, andaj e dashirojnë pleqërinë”.

Me pleqërinë mund të tregohemi trima, por me vdekjen jo. Kush e përmend vdekjen çdo ditë, vdes gradualisht dhe nga pak çdo ditë, kush e mohon vdekjen, vdes vetëm një herë e në moshën e duhur.

Trimëria ndaj vdekjes është fallsitet, është mburrje pa vlera. Jo çdo lloj krekosje është trimëri, sepse në fakt ka karshillëk, ose qesëndisje të vdekjes vetëm nga frika, çka është një lloj vetënënshtrimi, një lloj frike, e cila në fakt është e natyrëshme është njerëzore.

Të gjithë ne mendojmë se vdekja kërcënon dhe qesh me fundin tonë, duke vepruar në heshtje, tinzare, si opozitë e jetës. Vdekja është mizore, nuk respekton moshat, vret mizorisht dhe pabesisht, vret dhe fëmijët e pafajshëm, andaj Dostojevski me dhimbje thërriste: “O Zot, pse duhet të vdesin fëmijët!”

Pleqërisë dhe vdekjes duhet t’i kundervihemi me shëndet të fortë dhe me mendje të kthjellët.

Dritëro Agolli, në një bashkëbisedim me mikun tonë të përbashkët Moikom Zeqo, shprehu disa mendime praktike dhe filozofike rreth jetës dhe vdekjes.

Dritëroi: Vetë jeta është pafundësisht sfidë ndaj vdekjes. Çdo ngrënie buke në sofër apo tryezë, çdo pirje uji është kundërshtim i vdekjes. Të ushqehesh, do të thotë të sfidosh vdekjen. Në moshë të rritur kur puth për herë të parë, kur bën dashuri dhe e kupton sekretin e seksit, atëhere sfida ndaj vdekjes bëhet e madhe, më e plotfuqishme, shumëplanëshe, është gati një kryengritje. Njeriu kështu ngjiz vetveten te pasardhësi, babai te i biri, i biri te nipi dhe mbesa e më tej te stërnipi dhe stërmbesa. Vdekja kthehet nga një ligj i vrazhdët, në një konvencion, kështu dobësohet fataliteti i vdekjes, pushteti i saj suprem lëkundet. Edhe Arti ka lindur si kundërshtim, si triumf i jetës ndaj vdekjes.

Moikomi: Shqiptarët lindin shumë fëmijë. Kjo është një mënyrë për të fituar betejat me vdekjen.

Dritëroi: Fara e shqiptarit mbars dhe gurin. Në kuptimin e seksit, si rikrijim i vetvehtes dhe i botës, shqiptari është kryemjeshtër, tepër vital, i pamposhtur, është i tmerrshëm! Padyshim fitimtar!

Moikomi: E çuditshme kjo shprehja: “Shqiptari e mbars edhe gurin!”

Dritëroi: Është një metaforë, Moikom!

Moikomi: Metaforë surrealiste. E tejskajëshme.

Dritëroi: Plotësisht e vërtetë.

Moikomi: Për të gëzuar jetën, nuk duhet të humbim shpresën.

Ky dialog filozofik mbyllet me shpresën. Jean Paul ka thënë: “Pleqëria ështe trishtim, jo pse mbarojnë gëzimet, por sepse mbarojnë shpresat”. Pavarësisht nga pakësimi i shpresave, pleqtë nuk duhet të bien në pesimizëm, sepse shpresa vdes e fundit, andaj të insistojnë ta jetojnë jetën aktivisht dhe me optimizëm.

Shumë sociologë, psikologë, antropologë, filozofë dhe shkrimtarë shprehen me humor duke thënë: “Pleqëria dhe martesa janë të ngjashme, sepse i kërkojmë t’i kemi, por kur arrijnë, më pas na trishtojnë”. Megjithë shprehjen me humor, kjo analogji nuk shkon paralel, sepse martesa mund të shmanget, që mos të krijoi trishtim, ndërsa pleqëria është e pashmangëshme dhe në opinionet e dyskajshme, me të mirat dhe të këqiat dhe me humorin dhe sarkazmat, pleqëria mbetet përherë vlerë shoqërore.

Në këtë esse kam shprehur optimizëm për bukurinë e viteve të pleqërisë, duke kërkuar anët më të mira të natyrës njerëzore, sidomos ato që shprehin dinamizmin dhe entusiazmin dhe shpresat, andaj nuk kam mbajtur qëndrimin e gjykatësit dhe as të kritizerit, por jam shprehur si avokati i pleqërisë.

Si epilog të kësaj esse-je, preferova të shpreh një sentencë të Sheila Kaye-Smith: “Jam aq i vjetër, për të parë sa pak kam bërë për atë kohë të gjatë që kam jetuar dhe sa duhet të bëj ende, në këtë pak kohë jete që më ka mbetur”.



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora