Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Pse ky obsesion medial, në dukje i çmendur, me Vuçiqin?
E shtune, 26.11.2022, 08:59 PM
Prof. Blerim Latifi:
Na
zë gjumi duke parë e lexuar deklaratat e Vuçiqit në ballinat e portaleve tona.
Dhe kur zgjohemi në mëngjes dhe i shikojmë ato, sërish aty e gjejmë surratin e
tij. Edhe gjatë ditës, sa herë duam të lexojmë lajmet e reja, i njëjti surrat
na del përpara. “Vuçiqi deklaroi…”. Vuçiqi ka thirrur takimin e Këshillit të
Sigurisë së Serbisë…”. “Në takimin
me…Vuçiqi tha se…”. Janë të pafundëm titujt si këta.
Kam
përshtypjen se as në Serbi nuk janë më shumë të informuar mbi agjendën e
Vuçiqit, se ne në Kosovë.
Pse
ky obsesion medial, në dukje i çmendur, me Vuçiqin?
Një
hipotezë e imja : Sepse krejt problemet e shtetit të Kosovës janë margjinalizu
nga çështja e dialogut me Serbinë. Dialogu është bërë alfa dhe omega e të
menduarit tonë politik. Edhe fjalori
politik na është reduktu në një grumbull frazash për dialogun.
Dhe
kjo, në thelbin e saj, përbën simptomën kryesore të një katastrofe diplomatike,
e cila krejt pa u hetuar na ka ndodhur gjatë gjithë këtyre viteve: politika
jonë e jashtme është errësu nga politika e dialogut.
Nëse
kërkojmë njohje të reja, na e vënë përpara dialogun me Serbinë.
Nëse
kërkojmë të anëtarësohemi në organizata ndërkombëtare, përsëri na e tundin para
syve dialogun me Serbinë.
Tash
racistët e Bashkimit Evropian edhe liberalizimin e vizave po e trajtojnë si
çështje të lidhur me dialogun, e ka shumë rrezik që edhe anëtarësimi në
Këshillin e Evropës mund të bjerë viktimë e kësaj.
Prandaj,
që të mos vazhdojmë të fundosemi edhe më shumë në devalvimin e pavarësisë së
Kosovës, duhet të marrim një vendim : Ose marrëveshje finale brenda një kohe të
afatizuar qartë, ose stop këtij formati të dialogut të pakufizuar në kohë.
___________
Në
tekstin e tij të famshëm "Mbi
konceptin e historisë" mendimtari gjermano-hebre, Walter Benjamin,
shkruan se " nuk ka dokument të civilizimit i cili të mos jetë
njëkohësisht edhe dokument i barbarizmit".
Sot
ne mahnitemi me madhështinë e piramidave të Egjiptit, i dimë edhe emrat e
faraonëve që urdhëruan ndërtimin e tyre, por nuk ndjejmë asgjë për faktin se
ngritja e tyre u ka kushtuar jetën qindra-mijëra skllevërve. Kënaqësia jonë
estetike nuk do t'ia dijë për vuajtjet e tyre.
Njëjtë
na ndodhë kur jemi përballë Koloseumit në Romë, ose ndonjë vepre tjetër të
ngjashme të civilizimit. Miliona jetë njerëzish të skllavëruar janë humbur për
t'i ngritur stukturat arkitektonike të tij. Emrat e tyre janë zhdukur në
harresën e kohëve, ndërsa ne sot kujtojmë vetëm emrat e atyre që, duke i
skllavëruar, i çuan drejt vdekjes mizore, për të kënaqur "dëshirat e tyre
civilizuese".
Për
një kohë të gjatë kemi menduar se koha jonë e ka lënë prapa këtë bashkëveprim
midis civilizimit dhe barbarizmit. Por ja që kemi gabuar në kët' gjykim, sepse
këto ditë ne po e jetojmë një përsëritje të këtij bashkëveprimi.
Kur
e gjithë bota i ka sytë të kampionati botëror i futbollit që po zhvillohet në
Katar, askush nuk mërzitet që ndërtimi i rrufeshëm i stadiumeve, siç kanë
raportuar mediat, u ka marrë jetën mijërave punëtorëve të rekrutuar nga vendet
e varfëra afrikane e aziatike. Vetëm nga Nepali qenkan 3000 viktima.
Mijëra
skllevër modernë kanë humbur jetën që ne të tjerët të kënaqemi me emocionet e
ndeshjeve futbollistike, biznesi t'i nxjerr fitimet e tij, bashkë me FIFA-n e
kalbur nga korrupsioni. Krejt njësoj siç bënin në Egjipt, Romë, ose gjetiu, në
kohët e kaluara.
Thirrjet
frenetike të shikuesve në stadiumet e Katarit kanë diçka esencialisht të
përbashkët me thirrjet frenetike të shikuesve të para 2000 viteve në Koloseumin
e Romës: gjakun e skllevërve në themelet e tribunave.