E merkure, 08.02.2023, 11:35 AM (GMT)

Intervista

Vahit Nasufi: Intervistë ekskluzive me këngëtaren e mirënjohur Lumturie Axhami - Sejdini

E premte, 25.11.2022, 08:00 PM


KËNDOI PARA SE FILLOJË TË FLASË

EKSKLUZIVE NGA VAHIT NASUFI

Për Kërçovën, sa do që të flitet apo shkruhet është pak. Kërçova e sotme, (Uskana e lashtë), është një qytet sa me histori, aq dhe me bukuri të rralla natyrore. Këtë qytet, mund ta quajmë edhe kanion i këngës, i cili si me magji tërhjek artdashësit. Po ta vizitosh Kërçovën, përveç se merr dashuri të madhe që ta japin kërçovarët, me dialektin e tyre karakteristik, që pa dyshim është pasuri kombëtare, dashurohesh edhe në këngën e saj polifonike shumë të vjetër.

Kjo trevë meriton vëmendje të veçantë, pasi njihet si një tempull qëndrese, diturie, bujarije… që trashëgohet ndër breza, e cila në arkivat e saj, ruan edhe shumë gjëra retrospektive.

Artit këçovar i cili është shumë i pasur, me këngëtarë, valltarë, humoristë aktorë, por, jo vetëm, i bashkohet edhe një artiste e madhe, e cila nga Shkupi vjen në Kërçovë, për të hjekur duvakun e nusërisë, ajo është këngëtarja shumë e famshme dhe e dashur për publikun - Lumturie Axhami - Sejdini.

Për të zhvilluar këtë intervistë, ne shkuam në shtëpinë e saj, e cila na priti si një nikoqire e vërtëtë, duke na dëshiruar mirëseardhje dhe akomodim si në shtëpinë tone. Një tavolinë e stërmbushur me lloj - lloj pijesh të freskëta dhe me frytore të ndryshme.

VAHIT NASUFI: Z. Axhami, faleminderit shumë që pranuat ftesën tonë dhe që gjetët kohë të jeni bashkëbiseduesja jonë, kërkojmë falje për shqetësimin, por, me që jeni një këngëtare e mrekullueshme, e pamë të arsyeshme të zhvillojmë një intervistë rreth karrierës suaj të begatshme.

LUMTURIE AXHAMI - SEJDINI: Me shumë kënaqësi. Sinqerisht ua them, se nuk më keni shqetësuar fare, përkundrazi, u falënderoj nga zemra, që më keni zgjedhur mua të jem bashkëbiseduasja juaj dhe ndjehem shumë e priviligjuar të intervistohem nga Zemra Shqiptare, pasi jam lexuese e rregullt e saj. Ndërgjegjja nuk më lejon të mos përshëndes stafin realizues, bashkëpuntorët dhe lexuesit e saj. Kurse juve z. Nasufi, u përgëzoj për punën e palodhëshme që jeni duke bërë për të mirën e artit, por, jo vetëm. Unë kam lexuar shumë poezi, ese dhe intervista me shumë vlerë, që i ka shkruar dora dhe penda juaj e artë.

VN: Faleminderit shumë. Edhe pse Ju jeni një këngëtare shumë e njohur për publikun shqiptar, por, megjithëate ne do të donim që për lexuesit e Zemrës Shqiptare, shkurtimisht të na thoni diçka rreth biografisë suaj.

LA: Patjetër, pse jo? Unë jam e lindur më 17 nëntor 1969, në Han të Elezit. Jam fëmiu i dytë i prindërve të mi, të babait Xhavitit dhe nënës Xhevrijes. Ne jemi tri motëra dhe një vëlla. Rrjedh nga një familje shumë bujare dhe atrdashëse. Që kur isha 12 vjeçare, familja jonë shpërngulet nga vendlindja dhe vendoset në Shkup. Pastaj prej Shkupi, fati deshti të martohem në Kërçovë, për çka e falënderoj Zotin që më solli këtu ku jam sot. Jam nënë e dy fëmijëve, të vajzës Aidanës dhe djalit Engjëllit.

VN: Të fillojmë nga vitet e para të jetës, si ishte fëmijërija juaj?

LA: Fëmijëria ime ishte shumë e bukur, që nuk e harroj kurrë. Kam qenë një fëmijë shumë i lumtur, një vajzë pak çapkëne, por, jo dhe problematike. Isha shumë e shoqërueshme, komunitative dhe e dashur në rrethin shoqëror. Nga fëmijëria ime unë me nostalgji ruaj shumë kujtime të bukura .

VN: Karriera e këngëtarëve fillon që në vietet e adoleshencës, po Ju z. Axhami, sa vjeçare ishit, kur u ngjitët në skenë për herë të parë para publikut?

LA: (Qesh), Unë karrierën time e kam filluar që në moshën tetëvjeçare, pasi në atë moshë unë kam inçizuar këngën e parë në Radio -Televizion, pa e ditur fare se ç`do

të ndodhë me mua në të ardhmen, pasi kënga për mua ka qenë vetëm një pasion. As që kam menduar se një ditë unë do të bëhem këngëtare e famshme, se qyteti do të stoliset me fptografitë e mia, se do të mbushen sallat plot, aty ku do të këndoja unë!

VN: Z. Axhami, Ju këngën e keni trashëguar, apo shfrytëzoni zërin e bukur  melankolik që ua ka falë Perëndia?

LA: Edhe pse unë rrjedh prej një familje artistësh, unë prapëseprapë kisha thënë se zërin që e kam, e kam dhuratë nga Perëndia, për të cilin jam munduar që ta shfrytëzoj maksimalisht, dhe besoj se ia kam arritë qëllimit, pasi në fushën e muzikës kam korrë suksese të një pas njëshme.

VN: Në disa familje ndodh që këngëtarët apo këngëtaret të tashëgohen, ka gjasa që edhe Ju në cilësinë e këngëtares të trashëgoheni?

LA: Shiqoni, të dy fëmijët e mi si vajza ashtu dhe djali, i kanë zërat shumë të bukur, të kristaltë, unë jam munduar që t`i edukoj në një frymë muzikore, por, nuk kam dashur që me çdo kusht të ua imponoj skenën, pasi skena nuk donë imponim, por, i kam lënë që të bëjnë vetë zgjedhjet e tyre dhe ashtu ndodhi. Vajza zgjodhi juridikun dhe u bë juriste, kurse djali u përcaktua për ekonomikun dhe u bë ekonomist.

VN: Shumë këngëtarë apo këngëtare, disa tekste të këngëve tyre i shkruajnë vetë, po Ju z. Axhami, jeni autore e ndonjë teksti të këngëve tua?

LA: Po, po, unë përveç se jam këngëtare, jam edhe kantautore. Pasi vargjet janë të shenjtë, unë shumë tekste të këngëve që unë i kam kënduar, i kam shkruar vetë, por, kam edhe shumë këngë që i kanë shkruar kompozitorë të ndryshëm.

VN: Nga një karrierë dyzetvjeçare, kuptohet qartë, se sa shumë i jeni përkushtuar këngës, por, na thoni se çka u dha kënga juve?

LA: Shumëçka. Në radhë të parë falë këngës un kam krijuar shumë miq, shumë shokë, kam njohur personalitete të njohur të sferave të ndryshme, kuptohet të dy gjinive. Gëzoj respekt prej qytetarëve, që për mua këto që përmenda janë shumë të vlefshme.

VN: Na thuani diçka rreth veprës së madhe artistike, sa albume keni edituar deri tash?

LA: Unë deri tash kam edituar tetë albume, por, kam edhe shumë këngë që i kam kënduar nëpër koncerte, festivale apo ahengje të ndryshëm, pasi në kohën që jetojmë aktualisht, çdo këngë publikohet nëpër rrjetet sociale, po t`i kisha edituar në albume, numri tyre sigurisht s do të ishte shumë më i lartë.

VN: Ai që punon edhe gabon! Shumë këngëtarëve u ka ndodhour që duke kënduar të ngatrrojë tekstin e këngës, kjo z. Axhami, u ka ndodhë juve ndonjëherë?

LA: (I shkoi buza në gaz, është shumë e sinqertë). Po, po, më ka ndodhur edhe mua diçka e tillë, por, me që jam një këngëtare me përvojë shumëvjeçare, ia kam dalë që të shkatërroj ngatrresën pa e hetuar publiku fare, as që jam hamendur, por, kam vazhduar të këndoj thuaj se nuk ka ndodhur asgjë!

VN: Z. Axhami, na thuani si ia arritët që kënga juaj të hapi kufinjtë shqiptaro - shqiptar dhe të jehojë aq fuqishëm mbi trojet shqiptare?

LA: Me punë dhe vetëm me punë, me profesionalizëm. Jam munduar që këngët e mia të dëgjohen dhe të pëlqehen kudo në botën shqiptare, por, këtë më së miri e dëshmon dhe e vlerëson publiku.

VN: Gjatë karrierës suaj shumë të suksesshme, keni mbushur një thesar me vapra madhështore, jemi të bindur se keni marrë çmime dhe shpërblime, cilat janë ata?

LA: Shiqoni, unë kam marrë shumë çmime, shpërblime dhe shumë mirënjohje nga juri të ndryshme, që pa dyshim i vlerësoj jashtë mase, ja ku i kam këtu në rekuizitën time muzikore, mund t`i shihni edhe vetë, por, unë do të veçoj një çmim apo shpërblim madhështor që e kam gjithmonë me vete, kush tjetër, përveç duartrokitjet frenetike të publikut, që më ka dhuruar në çdo paraqitje përpara tij, kur e kam mbaruar këngën, me brohoritje më kanë këthyer disa herë në skenë, që unë e kam bërë dhe e bëj me shumë kënaqësi pasi pa adhuruesit e mi nuk do të isha kjo që jam sot: Unë i falënderoj nga zemra dhe jam shumë mirënjohëse ndaj tyre.

VN: Me të vërtetë qenkan shumë çmime, shpërblime dhe mirënjohje, keni plotësisht të drejtë! Z. Axhami, këngët tua pa dyshim janë të gjitha shumë të bukura, por, cilat janë ato që juve u flejnë në shpirtë më së shumti nga repertori juaj?

LA: Kjo pytje është e njejtë sikur të pyesni një nënë, se cilin nga fëmijët e doni më shumë? Unë të gjitha këngët e mia i dua dhe i vlerësoj shumë dhe nuk mund të them se kjo është e mirë, apo kjo duhet të ishte pak më ndryshe, ose kështu diçka të ngjajshme.

VN: Sa përgjigje e bukur, kjo është sublim i kësaj interviste! Z. Axhami, si ia dilni që me orë të tëra të këndoni drejtpërdrejtë nëpër dasma, apo ahengje të ndryshëm, pasi lodhja te Ju nuk vërehet fare?

LA: Kur dikush të ka zgjedhur dhe të ka besuar një ditë të shenjtë të jetës së tij, si këngëtare e preferuar të dasmës, atëhere ke një përgjegjësi shumë të madhe, që t`ia plotësosh dëshirën, që dasmorët të ndahen të kënaqur. Unë kur pranoj diçka të tillë, përveç përgjegjësisë, kam edhe vullnet shum të madh, që të argëtoj dasmorët dhe kujdesem që atmosfera të jetë impozante,

VN: Kuptohet se janë shumë, por na thuani disa këngëtarë apo këngëtare që Ju i keni adhuruar dhe dëgjuar më së shumti?

LA: (Është shumë modeste). Estrada shqiptare, ka pasë, ka dhe do të ketë këngëtarë dhe këngëtare shumë të mirë. Unë i kam adhuruar dhe i kam dëgjuar të gjithë këngëtarët e mëdhenj, që kanë prodhuar art të mirëfilltë. Nuk do të përmendi emra pasi janë shumë, ndodh që të mos ia them emrin dikujt, që nuk është aspak e pëlqyeshme.

VN: Ju si një artiste e madhe, a ka diçka që u lëndon në fushën e muzikës?

LA: Po ç`të them tani, më vjen shumë keq që festivalet dhe koncertet e dikurshëm nuk mbahen më, me atë intenzitet, siç organizoheshin më parë. Është zvogluar ndjeshëm numri i shoqërive kulturo - artistike, aty ku, zbulohen dhe zhvillohen talentë të rinj. Më së shumti më lëndon bastardimi i shumë këngëve tradicionale, por, jo vetëm, nuk më pëlqen fare as plagjiatura autoriale, që fatkeqësisht ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë akoma!

VN: Shumë këngëtarë përveç se këndojnë, kanë prirje edhe për humor, JU z. Axhami, e keni këtë prirje?

LA: Unë humorin e dua shumë, humori është pjesë e jetës sonë pa dyshim, i cili për një kohë të caktuar të largon nga brengat apo stresi që të kaplon, por, unë nuk e kam këtë prirje që t`i bëj tjerit të qeshin!

VN: Ju këtë vit organizuat një event jubilar për karrierën tuaj 45 -së vjeçare shumë të suksesshme, na thoni diçka rreth këtij eventi.

LA: Një karrierë 45 -së vjeçare, është një ndjenjë dhe një emocion i pa përshkruar, një rrugëtim kaq të gjatë ta kurorëzoj me një mbrëmje festive, të cilën ka kohë që e pregadis, pasi kisha dëshirë që këtë emocion ta ndaj sëbashku me miqt dhe dashamirët e këngës sime. Vendosa që ta bëj këtu në Kërçovë pasi plot tridhjetë vite jetoj në këtë qytet, i cili është një burim këngësh i pashtershëm. Një koncert madhështor, besoj të shumëpritur nga të gjithë, pasi një karrieë kaq e gjatë, sigurisht se në vete bart shumë momente sfiduese, duke pasur para syshë se vitet e para të punës si artiste, kanë qenë shumë të vështira.

VN: Cila është këshilla juaj për aspiruesit e këngës, që të arrijnë në nivel ndërkombëtar?

LA: Unë si një këngëtare me një karrierë bukur të gjatë, të gjithë këngëtarët e rinj, që kanë zgjedhur këtë rrugë, ta dinë se nuk është fare e lehtë, të punojnë me shumë sinqeritet, me një përkushtim maksimal, t`i ofrojnë publikut më të mirën, por, kurrë mos ta lënë anësh rrugën e dijes, të mësojnë sa më shumë. Populli nuk thotë kot, se arma më e fortë për njeriun është dija!

VN: Z. Axhami, një karrierë gati gjysëm shekullore, është e pa mundur të përfshihet vetëm me një intervistë, sigurisht që ka mbet edhe shumëçka pa u thënë, keni diçka të shtoni që ne nuk u pyetëm?

LA: Kuptohet, se ka edhe shumëçka për të thënë, por, besoj se edhe kjo që u tha në këtë intervistë nuk është pak. Unë kam dhënë shumë intervista nëpër portale dhe Radio - Televizione të ndryshëm, kështuqë rreth karrierës sime dhe  jetës individuale, të interesuarit kanë pasë mundësi të dijnë shumëçka rreth karrierës dhe jetës sime.

VN: Zakonisht ëmbëlsira është e fundit, që i bie të dëgjojmë një këngë prej teje, drejtëpërsëdrejti.

LA: Patjetër, me shumë kënaqsi do t`ua plotësoj dëshirën dhe ate jo vetëm me një këngë. Unë kam dëshirë qe edhe Ju të ndaheni të kënaqur, me përgjigjet e mia, shumë të sinqerta, kurse këngët ua dhuroj shpirtërisht, pasi jam e bindur se jeni njëri ndër adhuruesit e mi që kur u bëra e famshme.

VN: Është e vërtetë. Lumturia për dëshirën tonë i këndoi tri këngë shumë të bukura për çka e falenderojmë nga zemra. Z. Lumturie, faleminderit shumë, për mikpritjen e ngrohtë shqiptare, tipike kërçovare.

LA: Shumë faleminderit edhe prej jush, ishte një kënaqsi e veçantë, ua them të drejtën u ndjeva shumë mirë, pasi biseduam edhe shumëçka jashtë intervistës. Gëzoni respekt pa fund nga ana ime.

VN: Faleminderit shumë, respekti është reciprok. U dëshiroj punë të mbarë dhe shumë suksese në projektet e radhës në fushën artistike dhe në jetën private.

Kërçovë, nëntor 2022



(Vota: 16 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me studiuesin dhe publicistin Fahri Xharra Aleks Kapllaj: Intervistë me "muzën" e poetit, Arilda Lleshi Aleks Kapllaj: Intervistë me shkrimtarin Gjergj Jozef Kola, fitues i çmimit At Gjergj Fishta, me romanin "Marije Tuçi" Vahit Nasufi: Intervistë ekskluzive me Prof. Dr. Milaim Fejziun Entela Binjaku: Intervistë me "Mjeshtrin e Madh" Faik Xhani Entela Binjaku: Rigerta Loku Tushaj - Dilni e votoni një alternativë të re politike! Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Prof. Dr. Sami Repishtin, ish i burgosur politik (III) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Prof. Dr. Sami Repishtin, ish i burgosur politik (II) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Prof. Dr. Sami Repishtin, ish i burgosur politik (I) Aleks Kapllaj: Intervistë me sopranon Donika Mataj Vilma Zonja: Intervistë me notaren olimpiste Nikol Merizaj Entela Binjaku: Intervistë me politologun Kristjan Dukaj Entela Binjaku: Intervistë me publicistin dhe studiuesin Tomë Mrijaj Entela Binjaku: Daniela Stoica, një profesioniste për drejtimin e Departamentit të Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Korçës Entela Binjaku: Regjizorja shqiptare rrëmben zemrat e artdashësve në Rumani, trumfon me çmimin e madh Elvi Sidheri: Intervistë ekskluzive me gazetaren dhe shkrimtaren Vera Pelaj Entela Binjaku: Ari Rex - E mrekullueshmja botë e yjeve në sytë e fotografit shqiptar Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me artistin shumë-dimensional Frederik Ndoci Entela Binjaku: Intervistë me akademikun Kopi Kyçyku Entela Binjaku: Carrie Hooper - E dua Shqipërinë, gjuhën shqipe dhe shqiptarët me gjithë shpirtin tim!

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora