Speciale
Jusuf Buxhovi: 'Çlirimi' i Kosovës nga partizanët - Ripushtim sllavo-komunist (1)
E marte, 08.11.2022, 08:58 PM
Rishqyrtim historik
"ÇLIRIMI" I
KOSOVËS NGA PARTIZANËT SHQIPTARË DHE JUGOSLLAVË - RIPUSHTIM SLLAVO-KOMUNIST (1)
Diskursi
i "çlirimit" të Kosovës nga
nazi-fashizmi duhet të rishqyrtohet nga historiografia institucionale në
Tiranë, Prishtinë dhe Shkup. Meqë faktet historike flasin qartë se koniza
globale antifashiste jo vetëm që injoroi realitetet e kohës nga shpërbërja e
Jugosllavisë së Versajes siç ishin ato të çlirimit të një pjese të madhe të
shqiptarëve nga pushtimet serbo-jugosllave (1912-1941), por njëherësh të
drjetën e shqiptarëve për bashkim kombëtar, që u pasqyruan me shtetin e parë shqiptar
nga nëntori i vitit 1943 deri në nëntor të vitit 1994 në përmasat e përafërta
të shtrirjes etnike,në përputhje me vendimet e Kuvendit të Dytë të Lidhjes së
Prizrenit, e anatemoi me hipotekën e "shtetit kuisling". Kjo i hapi rrugën hakmarrjes komuniste në përmasa
tragjike në Kosovë me mbi 50 mijë viktima. Nga këndvështrimi historik, futja e
aradhave partizane shqiptare-jugosllave në Kosovë, anulimi i vendimeve të
Konferencës së Bujanit në Konferencën e Prizrenit në korriku të vitit 1945, duhet të kualifikohen si ripushtim i Kosovës nga Beogradi.
Nga
Jusuf BUXHOVI
Skenari
për t’u ripushtuar Kosova nga forcat jugosllave duhej të fillonte doemos edhe
me “pajtimin” e partizanëve shqiptarë “në kuadër të bashkëveprimit ndërmjet
Ushtrisë së NÇ të Jugosllavisë dhe Ushtrisë NÇ të Shqipërisë për të luftuar së
bashku reaksionin e atjeshëm”.
Sipas
këtij skenari, futja e njësive jugosllave në Kosovë, duhej të bëhej, sipas një
kërkese të ardhur nga UNÇ e Shqipërisë, pasi që atje paraprakisht të jenë futur
njësitë partizane nga Shqipëria, të cilat do t’ua hapnin rrugën atyre. Kjo jo vetëm që do të përjashtonte çfarëdo dyshimi se në
Kosovë partizanët jugosllavë kishin hyrë jashtë vullnetit të Shqiptarëve, por
këtë e kishin bërë bashkërisht me partizanët shqiptarë të Shqipërisë dhe të
Kosovës të bashkuar mbi parimet e vëllazërim-bashkimit.
Ndonëse,
formale, kjo kërkesë kishte rëndësi të veçantë, për t’u arsyetuar dredhitë që
komunistët jugosllavë kishin paraparë ndaj Kosovës dhe Shqipërisë, në mënyrë që
ato të mbeteshin nën tutelën e Beogradit “me dëshirë” dhe në kuadër të luftës
së përbashkët antifashiste si ombrellë. Edhe pse në përvijimet midis aleatëve
rreth ndarjes së sferave të interesit, veçmas midis Britanikëve dhe Sovjetikëve
(në konferencën e Teheranit dhe takime të tjera) mbretëronte qëndrimi se
Jugosllavia duhej të ruante kufijtë e Versajë dhe këtë do ta konfirmojë edhe
Jalta, megjithatë ishte fundi i luftës
si dhe realitetet e krijuara në të, ato që do të përcaktonin pamjen
përfundimtare shtetërore në Ballkan.
Andaj,
pasi që trupat sovjetike në lindje, me hyrjen në hapësirën jugo-sllave, kishin
hapur çështjen e rivalitetit midis Britanikëve dhe Sovjetikëve, që do të mund
të pasqyrohej me ndonjë kompromis në Shqipëri dhe Greqi në dobi të Britanikëve,
të cilët nuk do të pajtoheshin që gjithë hapësirën strategjike të juglindjes ta
mbikëqyrnin sovjetikët, ku sipas Stalinit “sferat e reja të interesit njëherësh
paraqitnin sistemin shoqëror të atij që fiton”.
Pra,
duke i ditur këto, Tito kërkonte që në Kosovë sa më parë të futeshin njësitë
partizane jugosllave në mënyrë që të eliminonte çfarëdo “befasie” të
pazarllëqeve të mundshme midis aleatëve, veçmas pas vendimeve të Bujanit kur
edhe Nacionalçlirimtarja e Kosovës, që rreth çështjes së bashkimit kombëtar
mendonte ndryshe nga komunistët e Enver Hoxhës, kishte nxjerrë rezolutën për të
drejtën e vetëvendosjes së Kosovës që lidhej me të drejtën e Shqiptarëve për
bashkim me Shqipërinë.
Kështu,
“bashkëveprimi”, futja e përbashkët e partizanëve shqiptarë dhe jugosllavë, me
të cilin do t’u ndërpriteshin që të gjitha rrugët “të papriturave” të mundshme
në Kosovë, nga ana e jugosllavëve do të kërkohet qysh në muajin mars 1944.
Komandanti i Korpusit II sulmues, gjeneral-leitnant Peko Dapçeviq, në një letër
të gjatë dërguar Shtabit të Përgjithshëm
Ushtrisë NÇ të Shqipërisë, pos të tjerash qahet sesi “reaksioni prej Shqipërisë
së Veriut, i udhëhequr prej Komitetit Kosovar, u kishte krijuar vështirësi të
mëdha, ku prej më se një gjysmë viti mbahet fronti kundrejt kufirit të ri, të
krijuar prej okupatorit të Shqipërisë së Madhe”.
Me
këtë rast Dapçeviq, thotë se “na marrim çdo gjë nga ana jonë, së bashku me
shokët nga Kosmeti, që të thyejmë atë
bllok, por armiku është i fortë, ngaqë atje ata binden me propagandën se ne
jemi ushtri serbe dhe komunistë që vijnë
si pushtuese...”
Që
të realizohen, si thotë ai, “objektivat për t’u spastruar edhe më tutje kjo
pjesë nga armiqtë dhe bashkëpunëtorët e tyre”, gjenerali Dapçeviq parashtron
tri kërkesa:
-
së pari - futjen e njësive partizane shqiptare në Veri dhe në Kosovë;
-
pastaj - popullit t’i shpjegohen qëllimet e
njëmendta, pra ato çlirimtare, në mënyrë që të shmangët ndërhyrja kundër
partizanëve jugosllavë dhe,
-
së fundi - që njësitë e përbashkëta
partizane të lidhen mirë e mirë
mes veti në një miqësi të përhershme. Kjo mund të arrihej vetëm nëpërmes një
lufte të përbashkët, me çka hapej edhe
çështja e komandës së përbashkët të luftës antifashiste, që duhej të
çonte te projektet për shkrirjen e shtetit shqiptar te ai jugosllav.
Por,
kërkesa e “spastrimit të kësaj pjese nga armiqtë dhe bashkëpunotorët e tyre”,
në të vërtetë, shfaqej si pretekst i pavërejtur dhe me dinakëri për ripushtimin
e Kosovës nga ushtria jugosllave në përputhje me qëndrimet e mëhershëm që organizimi
partiak i Kosovës dhe veprimet tjera në kuadër të Frontit Antifashist që do të
pasonin (ai ushtarak dhe i këshillave nacional-çlirimtare si formë e pushtetit
popullor), ndonëse ajo gjendej në përbërje të shtetit shqiptar, të bëhej nga
komunistët jugosllavë dhe nën drejtimi e tyre në kuadër të skemës organizative
të shtetit të përbashkët jugosllav. Edhe
pse dihej se nga prilli i vitit 1941
Jugosllavia e Versajës nuk ekzistonte
më.
Kështu
dhe në këtë mënyrë, “veprimi i përbashkët” i partizanëve shqiptarë dhe
jugosllavë shfaqej si një mashtrim tepër i përshtatshëm, prapa të cilit,
partizanët shqiptarë nën parullat se “në Kosovë ishin në ndjekje të
gjermanëve”, jo vetëm që mund t’ua
hapnin rrugën partizanëve jugosllavë të
futeshin në Kosovë, por edhe të kryenin veprime të shpejta operative
strategjike në përputhje me planet për ripushtimin e saj të plotë, me të cilin forcave nacionaliste shqiptare do
t’u pamundësohej çfarëdo konsolidimi që ishte i pritshëm të pasonte me rastin
e tërheqjes së forcave gjermane drejt
veriut.
Gjenerali
Dapçeviq, i cili kishte një përvojë të hidhur në luftë me forcat nacionaliste
të Kosovës në pjesën e veriut në
Sanxhak, në Plavë, Guci dhe në veri të Mitrovicës, (i kishte humbur tri prej
tyre radhas gjatë përpjekjeve që të depërtonte në këto vise, ku kishte lënë
shumë të vrarë) , ishte i bindur se me pararojën e aradheve partizane
shqiptare, pasi që Shqiptarët t’i kenë qëruar hesapet mes veti, përballja me
forcat ushtarake të nacionalistëve shqiptarë në veri, e cila ishte e
pashmangshme dhe paraqiste vështirësinë e fundit për t’i arritur qëllimet e
parashtruara, do të ishte shumë më e
lehtë.
Sipas
jugosllavëve, të cilët e dinin mirë rëndësinë e Kosovës si dhe strumbullarit të interesave strategjike që
thyheshin por edhe lidheshin me të dhe për të, veçmas nga Kriza Lindore e
këndej, prej nga çështja shqiptare
përherë mbushej me impulse lëvizëse nga brenda e nga jashtë, në ato rrethana,
që t’i shuheshin ato që kishte lëshuar rezoluta e Bujanit madje nën anatemën se
fjala ishte për “një projekt shqiptaromadh të fashizmit” (ndonëse Enver Hoxha dhe komunistët shqiptarë
menjëherë kishin pranuar kritikat e Titos se fjala ishte “për një vendim të
ngutshëm”, që duhej lënë pasi të përfundojë lufta antifashiste), nevojitej që
të alarmoheshin edhe aleatët anglo-amerikan, që e gjitha të bëhej në atë mënyrë
që mishi të piqej e helli të mos digjej. Prandaj, një valë bombardimesh nga
ajri e Kosovës do të ishte e mirëseardhur dhe në funksion të planeve jugosllave për t’u futur në Kosovë.
Jugosllavët,
pra, në përputhje me këtë strategji, duke pasur njohuri për rrezikun që i vinte
nga Kosova dhe nyja gjermane aty, kishin kërkuar edhe nga aleatët
anglo-amerikanë që në njëfarë mënyre (me bombardime nga ajri), të merrnin pjesë
në pamundësimin e “planeve nazifashiste” në Kosovë, duke zënë në gojë potencialin e madh ushtarak dhe njerëzor “të
reaksionit” dhe “kuislingëve”, në mënyrë që
armatës “F” të Vermahtit, t’i pamundësohej tërheqja e fuqisë së saj
ushtarake drejt veriut.
Aleatët
kishin pranuar kërkesën e partizanëve jugosllavë që të ndërmerren sulme ajrore
ndaj forcave gjermane në Kosovë. Sulmi i parë dhe më i dëmshmi për nga pasojat
që përjetoi popullata shqiptare dhe infrastruktura urbane u bë me bombardimin
ndaj Pejës, më 14 gusht 1944.
Bombardimi
anglo-amerikan nga ajri, që zgjati disa orë, qëlloi infrastrukturën urbane të
Pejës, duke e kthyer pjesën më të madhe të saj në gërmadha. Me këtë rast gjetën
vdekjen 1970 qytetarë të pafajshëm: kryesisht burra, gra dhe fëmijë, të cilët u
gjenden nëpër shtëpitë e tyre, por nuk u dëmtua asgjë nga infrastruktura
ushtarake gjermane, që ishte vendosur në periferi të qytetit. Po ashtu, të
paprekura mbetën edhe njësitë e motorizuara gjermane si dhe pajisjet tjera të
strehuara në Grykën e Rugovës dhe pjesët përreth.
Sulmi
ajror anglo-amerikan ndaj Pejës dhe disa qendrave urbane në Kosovë gjatë
gushtit, që la pas veti shumë viktima të pafajshme nga radhët e popullatës së
pambrojtur dhe rrënoi pjesën më të madhe të shtëpive të tyre, në të vërtetë për
jugosllavët dhe pasuesit e tyre në Shqipëri, ishte një ndihmesë e
dyfishtë: pse rrënoi bazën materiale të
një pjese të madhe të popullatës së Kosovës dhe pse ia kishte dalë që nëpërmes
“vërejtjes së ndëshkimit”, siç ishte ai i gushtit, të shkëpusë lidhjet e
mundshme të popullatës me frontin e rezistencës kombëtare në luftë kundër
forcave partizane jugosllave që mund të hynin pas largimit të atyre gjermane.
Edhe
përkundër bombardimit të Pejës dhe të vendbanimeve të tjera në Dukagjin nga
aeroplanët anglo-amerikanë si dhe involvimit të tyre në një operacion të
përmasave të mëdha kundër ushtrisë gjermane në këto pjesë, partizanët
jugosllavë edhe më tutje i mbetën besnikë ndaj qëndrimit se në Kosovë së pari
duhej të hynin partizanët nga Shqipëria, të cilët do të bashkoheshin me dy-tri
çetat e partizanëve kosovarë të strehuara në Malësi të Gjakovës në mënyrë që
pas tyre të depërtonin aradhet partizane
nga Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia.
Kërkesave
paraprake për “bashkëveprim” luftarak në Kosovë iu bashkëngjit ajo e nivelit më
të lartë nga komandanti i përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare të
Jugosllavisë Tito, e cila Enverit iu bë
nga koloneli V. Stojniç, kryesues i Misioni Ushtarak jugosllav në Shqipëri, në
cilësinë e bashkërenditësit të veprimeve të të dyja palëve, i cili
pasi që të jenë kryer “formalitetet
e kërkesave paraprake” (gjatë majit dhe gushtit), takoi nergut Enver
Hoxhën, me ç’rast Komandës së Përgjithshme të UNÇSH ia përcolli kërkesën e Shtabit Suprem të
UNÇJ.
Sipas
burimeve jugosllave, V. Stojniq kërkoi nga Enver Hoxha që brigadat partizane
shqiptare të futeshin në Kosovë, për të luftuar kundër Gjermanëve. Me këtë rast
nuk do të përmendej çështja “e reaksionit të brendshëm dhe përkrahësve”, që
ishin të shumtë dhe të organizuar mirë në kuadër të formacioneve të Lidhjes së
Dytë të Prizrenit, dhe se, partizanët shqiptarë do të mirëpriteshin nga
popullata shqiptare e Kosovës. Që të mos dukej se fjala mund të ishte për
ndonjë kurdisje kundër Kosovës dhe popullatës së saj e aq më pak që ky veprim
do të pasohej me “ndonjë hakmarrje” ndaj popullatës pse kishte qenë e përfshirë
“në planet e reaksionit fashist”, gjë që kjo mund të nxiste “zbarkimi e forcave
të caktuara anglo-amerikane në këto pjesë për të parandaluar ndonjë konfrontim
të mundshëm nderetnik” për të cilin ishte bërë fjalë në qarqet
perëndimore, Stojniq, në emër të Titos,
kërkoi që partizanët shqiptarë të ndihmonin në luftë kundër gjermanëve edhe në
Mal të Zi dhe në Maqedoni. E gjitha do të ishte në përputhje me frymën e marrëveshjeve
të Frontit të përbashkët Antifashist për luftë të përbashkët kundër forcave
fashiste, kudo qofshin ato, deri në fitoren e plotë.
Që
kërkesa për hyrjen e partizanëve shqiptare të dukej “sa më autentike”, u
plotësua edhe me kërkesën e Shtabit të UNÇJ për Kosovë dhe Rrafshin e
Dukagjinit, e firmosur nga komandanti i këtij shtabi, Fadil Hoxha dhe komisari,
Boshko Çakiq, më 26 gusht 1944.
Pala
shqiptare u tregua e gatshme për këtë veprim dhe më 12 shtator 1944, komandanti
i përgjithshëm i UNÇSH, Enver Hoxha, i dha urdhër Korparmatës I të përgatisë
dhe të nis menjëherë dy brigada për në Kosovë.
Po
në këtë ditë, M. Popoviqi i shkruan L. Gegës se duhej lajmëruar Palokën (Pavle
Joviqeviqin) se dy brigada shqiptare së shpejti do të marrin drejtimin për
Kosovë. Por, kjo duhej të mbetej fshehtësi, veçmas nga Britanikët.
“Të
mos tregohet objektivi i brigadave V dhe III, që do të shkojnë në Kosovë”, porosiste Enveri komandantin e Korparmatës I,
Dali Ndreun.
Kjo
kërkesë, e cila me të shpejt u mor vesh nga Britanikët dhe misioni i tyre në
Veri, u përcoll me dyshimin e hapur të
kurthit nëpër të cilin do të futej Kosova së shpejti. “Është për t’u çuditur
sesi mund të pranohet që forcat jugosllave të kishin nevojë për përforcime nga
UNÇ e Shqipërisë, që ishte shumë më e vogël dhe më e dobët në këtë fazë të
luftës”.
Si
do të shihet, “habia” e misionit
britanik në veri të Shqipërisë, nuk kishte të bënte gjithaq me natyrën
ushtarake të çështjes, ngaqë në Kosovë gjendeshin forca të pakta gjermane, të
cilat edhe ashtu ishin tepër pasive në
tërheqje e sipër. Por ajo kishte të bënte me faktin e pranisë së madhe të
forcave nacionaliste shqiptare. Ato, pas kapitullimit të Italisë në vjeshtën e
vitit 1943 dhe krijimit të Shtetit të Pavarur Shqiptar në nëntor të vitit 1943,
ushtarakisht të konsoliduara, ishin në gjendje të organizonin një rezistencë të fuqishme kundër depërtimit
të aradheve sllavo-komuniste.
Kjo
çështje, si u pa, te Britanikët, por edhe Amerikanët, tashmë kishte filluar të
trajtohej si mundësi e krijimit të një bërthame për zbarkim eventual
anglo-amerikan, po qe se do të ndërlikoheshin raportet me forcat sovjetike në
këtë pjesë.
Mundësinë
e “konsolidimit të forcave të reaksionit shqiptar” si dhe organizimit të një
kryengritje të madhe në Kosovë kundër forcave partizane, Dapçeviq, por edhe
Tempo dhe misionarët e tjerë jugosllavë pranë Everit, e shihnin si rrezik të
madh dhe të dyfishtë si për pengimin e
ripushtimit të Kosovës dhe, për më tepër, për krijimin e një zone për
ndërhyrjen e anglo-amerikanëve, të cilët mund të mos pajtoheshin me një
gjakderdhje të madhe atje që do të shpërthente me rastin e kryengritjes së
Shqiptarëve kundër pushtimit komunist.
Këto
dhe kalkulime të tjera bënë që komunistët shqiptarë dhe ata jugo-sllavë të
pajtoheshin, që të vepronin bashkë në Kosovë “për shpartallimin e armikut dhe
të reaksionit të çdo ngjyre” si dhe “për ngritjen e pushtetit të këshillave
nacionalçlirimtare, për mobilizimin e
popullsisë në luftë dhe formimin e formacioneve të reja e më të mëdha partizane”.
Kështu,
Shtabit i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipëri-së, më 18
shtator 1944, dha urdhrin që Brigada III dhe V shqiptare të hidheshin në
Kosovë. Së pari në Malësinë e Gjakovës, mandej në atë të Pejës dhe prej nga duhej të merrnin kontakt me forcat
nacionalçlirimtare të Jugosllavisë. Sipas urdhër-operacionit, objektivat e të dy brigadave , që do të kishin një shtab
të përbashkët me komandant Shefqet Peçin, ishin:
-
sulmet ndaj forcave gjermane dhe çlirimi i tokave përtej Drinit të Bardhë deri
në Gjakovë e Pejë;
-
shkatërrimi i të gjitha çetave tradhtare, balliste, zogiste e të SS-ve
kosovare;
-
të detyrohet Gani Kryeziu të hidhet me Frontin NÇ. Në rast se ky nuk e pranon
këtë ose provokon, të likuidohet. Të veprohet si me Muharrem Bajraktarin;
-
organizimi i pushtetit nacionalçlirimtar në gjithë krahinat që lirohen, ku do
të bëhet mobilizimi dhe çarmatimi. Mobilizimi i kosovarëve do të bëhet si për
ushtrinë shqiptare, ashtu edhe për ushtrinë e Titos, pa asnjë dallim.
Mundësisë
së pjekjes me forcat partizane jugosllave si dhe bashkëpunimit me to do t’i
gëzohet komandanti i Brigadës V, Shefqet Peçi, i cili në një letër të nisjes, i
shkruante Hysni Kapos se “ne na ngushëllon kjo që do të piqemi me ushtrinë e
Titos dhe ishallah edhe me atë të Baba Stalinit e kjo na kënaq shumë, por të
mos harrojmë që edhe na vjen keq që nuk do të mundemi të shohim me sytë tanë
reaksionarët tash që dorëzohen, vetëm kisha qejf t’u ndriçja dhëmbët njëherë”.
Përleshja
e parë me Gjermanët filloi po atë ditë në Dukagjin, në Jug-perëndim të
Prizrenit. Të ndihmuara edhe nga brigada e parë dhe e katërt e Kosovës, aradhet
partizane nga Shqipëria dhe Kosova, bashkërisht hynë në zonën midis Drinit dhe
Ribnikut. Më 16 tetor partizanët shqiptarë bashkërisht sulmuan Gjermanët në Gjakovë. Përreth
Gjakovës pati luftime për disa ditë me radhë për deri sa më 7 nëntor partizanët
shqiptarë dhe ata nga Kosova hynë në qytet dhe bashkërisht kremtuan fitoren.
Në
Gjakovë partizanët shqiptarë hynë me flamuj kombëtarë shqiptarë dhe pa kurrfarë
paralajmërimesh se pas tyre do të vinin aradhet partizane jugosllave. Pastaj
veprimet e përbashkëta të partizanëve vazhduan në dy drejtime: kah Prizrenit
dhe Peja. Prizrenin e morën me 16 nëntor, ndërsa Pejën një ditë më vonë.
Krahasuar
me Pejën dhe Prizrenin, ku u ndeshën me disa njësi gjermane në tërheqje e
sipër, të cilat të shumtën e mbrojtën me vullnetarët shqiptarë që kishin në
radhët e tyre, partizanëve shqiptarë iu bë një rezistencë e fuqishme në Junik.
Në këtë pjesë, partizanët shqiptarë (Brigada
III e UNÇSH si dhe Brigada I kosovare) sulmuan pas Gjakovën me urdhrin
“e spastrimit nga forcat balliste dhe kuislinge” që mbanin nyjen rrugore
Gjakovë-Pejë. Luftimet e ashpra filluan më 20 tetor. Partizanët me humbje të
mëdha iu afruan Junikut, por nuk ia
dolën ta marrin, ngaqë forcat nacionaliste i sulmonin ato nga të gjitha anët.
Vetëm pas tri ditësh mundën të hynin në Junik, ndërsa më 26 tetor dhe në
Batushë e në Deçan.
Nga
fundi i nëntorit i gjithë rrafshi i Dukagjinit u mor nga forcat partizane, duke
ua zënë vendin atyre gjermane, të cilat filluan tërheqjen në drejtim të Veriut.
Pas
hyrjes së brigadave të Shqipërisë në Kosovë dhe në Dukagjin, nga drejtimi i Podujevës, Shkupit dhe
Gjilanit, në Kosovë filluan të depërtojnë edhe brigadat jugosllave (Divizioni
46-të i Korparmatës XIII serbe) si dhe Armata II bullgare, të cilat u shoqëruan
edhe nga Brigada V kosovare. Partizanët serbë, bullgarë të shoqëruar edhe me
një njësit partizanësh kosovarë hynë në Prishtinë më 19 nëntor 1944.Të njëjtat,
një ditë më vonë hynë në Vuçitërnë prej
nga luftuan në Trepçë dhe Zveçan.
Brigadat
partizane, sikurse në Dukagjin, futeshin me flamurin shqiptar dhe atë jugosllav
me yllin pesëcepësh në mes. Sapo hynin, nëpër sheshe të qyteteve, spikatnin
bashkërisht fotografitë e Titos dhe të Enverit, të shoqëruara me parulla shqip
dhe serbisht për vëllazërim-bashkimin dhe miqësinë shqiptaro-jugosllave të
kalitur në luftën e përbashkët antifashiste.
Nuk
do të vonojë dhe sapo populli të jetë mësuar paksa me atmosferën e
“triumfalizmit çlirimtar”, që sillnin partizanët e përqafuar shqiptarë dhe
jugosllavë gjatë demonstrimeve të përbashkëta, ashtu siç ishte paraparë, në
heshtje dhe pa ndonjë bujë, do të fillojë marrja në mbikëqyrje e pushtetit
vendor, të drejtuar nga këshillat nacionalçlirimtare, kryesisht prej
Shqiptarëve, nga ana e ushtarakëve jugosllavë, të cilët praktikisht filluan
vendosjen e mbikëqyrjes ushtarake, e cila bëhej në emër të vendosjes së
pushtetit të përbashkët popullor në rrethanat e çlirimit.
Shërbimi
informativ ushtarak jugosllav i quajtur OZNA, i cili prej kohësh ishte vendosur
në Shkup dhe kishte filluar përgatitjet për kohën që do të futej në Kosovë,
shpërndau ngado bashkëpunëtorët e vet dhe zuri të xhirojë situatën në kërkim të
intelektualëve, patriotëve dhe gjithë atyre që tashmë ishin futur në defterin e
kolaboracionistëve ose të bashkëpunëtorëve të drejtpërdrejtë të okupatorit, ku
përfshiheshin Balli Kombëtar, Legaliteti dhe forcat e tjera politike, sidomos
ato që ishin të lidhura me Komitetin
Kombëtar Demokratik Shqiptare (i
cili nga prilli i vitit 1945 do të kthehet në Lëvizjen Nacional Demokratike
Shqiptare) dhe frymën e saj që kishte shtrirje të gjerë në Kosovë. Për
Jugosllavët vlente qëndrimi i njohur: kush nuk është me ne është kundër nesh.
(Shkëptje nga "Kosova
1912-1945", faqe 332-337)