Speciale
Dorian Koçi: Imazhi i figurës historike të Gjergj Kastriotit në Pashallëkun e Shkodrës
E shtune, 10.09.2022, 06:56 PM
Imazhi i figurës historike të Gjergj Kastriotit Skënderbeut në Pashallëkun e Shkodrës të udhëhequr nga Kara Mahmud Pashë Bushatlliu
Nga
Dorian Koçi
Lidhjet
e para mes një mundësie të trashëgimisë
së Skënderbeut me Bushatllinjtë përmenden në një relacion diplomatik të
Konsullit rus të Dalmacisë, Antonio Palladhokli drejtuar Këshillit të Punëve të
Jashtme të Rusisë në 14 prill të vitit
1787. Konsulli Palladhokli shkruan në relacionin e tij se në këtë kohë dëgjohet se Pashai i Shkodrës
pret para me emrin e tij, vetëquhet si pasardhës i të famshmit Gjergj Kastriot
, Skënderbeut, përqendron të gjitha forcat e tij me komandand Hasan Oda. Po
cili ishte konteksti historik i kohës dhe përse në këtë kohë Mahmud Bushatlliu
një një përfaqësues i shquar i pushtetit otoman në Shqipëri risjell në vëmendje
figurën e Skënderbeut?
Relacioni
i detajuar vjen një vit pas zhvillimeve politike dhe ushtarake të ethshme në
Pashallëkun e Shkodrës. Mahmud Pashë Bushatlliu në shkurt të vitit 1785 kishte
shkëputur me forcë nga elajeti i Bosnjës, kështjellat e Podgoricës dhe Shpuzës
që kishin ngritur krye në rastin e ekspeditave 1775-1776 dhe kish nënshtruar
katër muaj më vonë Malin e Zi që kish ngritur krye qysh nga lufta e viteve
1768-1774. Pasi mori tributin e prapambetur dhe pengjet e bindjes dhe të
nënshtrimit , në rrugën e kthimit në Shkodër ndërshkoi rëndë krahinën e
Pastroviqit për punë provokimi të armatosur me nxitjen e autoriteteve të
Venedikut. Qëllimi i këtij provokimi kishte qenë shpresa se Porta e Lartë, për
të mos krijuar një skandal politik me Republikën e Shën Markut, do ta hiqte
qafe këtë pasha të pabindur dhe të rrezikshëm si për autoritetin e sulltanit në
Shqipëri, ashtu dhe për sigurinë e zotërimeve venedikase në kufi të Pashallëkut
të Shkodrës dhe për interesat ekonomikë të republikës në këtë trevë.Mirëpo nëse
në politikën e jashtme Mahmud Pashë Bushatlliu kishte arritur disa fitore të
rëndësishme, në planin e brendshëm situata politike nuk ishte fort e mirë në
Pashallëkun e Shkodrës, në thellësi të territoreve shqiptare. Mahmud Pashë Bushatlliu ishte në konflikt të
hapur me pushtetin qendror otoman për
shkak se kishte sulmuar pashallëqet e Elbasanit dhe Beratit.Konflikti i lindur
me Ahmet Kurt Pashën për zotërimin e administrimin e maliqenesë( të ardhurave)
të tokave të Durrësit që i përkisnin Valide Sulltanës dhe që zotërimi i të
cilave nënkuptonte një pushtet më të fortë në terren por edhe simpati nga
Stambolli, kishte filluar për shkak të mbylljes së portit të Durrësit për
tregtarët shkodranë dhe ulqinakë , çka në fakt kishte sjellë dhe rënien e të
ardhura si pronë të maliqenesë së Durrësit. Nënshtrimi i Malit të Zi dhe i
sanxhakut të Elbasanit tërhoqën vëmendjen dhe shkaktuan zemërime në Fuqitë e
Mëdha përkatëse që operonin në rajon. Porta e Lartë dhe Venediku, tregtarët e
të cilit humbinin pozitat favorizuese të akorduara nga Kurt Pasha në maliqenenë
e Durrësit u ndjenë të pakënaqura nga këto zhvillime, kurse Austria dhe Rusia
që kishin interesa të kundërta me Perandorinë Osmane kërkuan të gjenin një
aleat të besueshëm te veprimet ushtarake të Mahmud Pashë Bushatlliut. Porta e
Lartë i konsideroi fushatat kundër Beratit dhe Elbasanit si veprim rebel dhe
sulltani i shpalli dy Bushatllinjtë dhe Ali Pasha Tepelenën si kryengritës dhe
në vjeshtë të vitit 1785 dha urdhër për përgatitjen e një ekspedite
ndërshkimore kundër Shkodrës.[5] Ishin këto masa që e nxitën Bushatlliun që
mosbindjen ta kthente në kryengritje. Ndërkohë në planin ndërkombëtar po
afrohej lufta austro-ruse-osmane dhe elita shqiptare e kësaj kohe e përfaqësuar
nga Bushatlliu po kërkonte të rikonfigurohej në teatrin e ri diplomatik që po
hapej në Çështjen Lindore. Kontakte të ndryshme diplomatike ishin vendosur në
terren nga këto dy fuqi të mëdha ku Pouqeuville, konsulli francez pranë Ali
pashë Tepelenës përmend tentativat e Mahmud Pashë Bushatlliut për të organizuar
një Konfederatë Ilirike në Kuvendin e Podgoricës që do përfshinte Pashallëkun e
Shkodrës, Malin e Zi dhe pjesë nga Bosnja. Në dokumentin e botuar nga studiuesi
Stavri Naçi në librin e vet “Pashallëku i Shkodrës nën sundimin e
Bushatllinjve( 1757-1796)” në raportin e konsullit Jak Suma të Venedikut i
datës 2.4.1786 komfirmohet mbledhja e Podgoricës , ku shprehimisht shkruhet se
...ky i shkëlqyeshmi Mahmut Pasha ka një javë që ka shkuar në qytetin e Podgoricës dhe ka mbledhur njerëz, rreth
pesëqind veë, shkaku nuk dihet se nuk është lehtë të kuptohen qëllimet e tij.
Këtu thuhet se vajtja e tënit Pashë në Podgoricë ka qenë të thërrasë krerët e
Malit të Zi dhe të këshillohet, po përse?[6]
Për
këtë tentativë të Bushatlliut nuk gjejmë të dhëna në dokumentacion por ka
mundësi që Pouqeuville mund ta ketë marrë nga raportet e konsullit frëng në
Dalmaci. Të bie në sy si në raportin e Palladhoklit apo dhe ngjarje që referon
Pouqeuville përmendja e emrit Skënderbeut dhe organizimi si konfederatë ilirike
ka një referencë të së shkuarës së lavdishme të shqiptarëve. Vetshpallja si
pasardhës i Skënderbeut nga ana e Bushatlliut tregon se ai e njihte mirë
traditën e fortë lokale ku emri i Skënderbeut kishte rrënjë të forta pasi
Pashallëku që ai zotëronte përfshinte një pjesë të madhe të zotërimeve të
dikurshme të Skënderbeut por ka të ngjarë të ketë qenë edhe e influencuar nga
kontakti me diplomatët rusë dhe austriakë me të cilët ai po bashkëpunonte
ngushtë në këtë periudhë të rebelimit të tij. Në dokumentacionin rus e publikuar
nga historiani i njohur rus Gregori ARSH , gjendet një letër e një personi të
quajtur Feliks Kastrioti që i drejtohej Ekaterinës II për mbështetje të një
kryengritje në territoret shqiptare. Nuk mund të diskutohet për vërtetësinë e
raportimit apo gabimit në përkthim pasi Konsulli Rus, Antonio Palladhokli që
ishte me origjinë nga ishulli grek Mitilini dhe qe vendosur në Rusi në 1762 si
pedagog në Manastirin Troice-Sergiu e njihte shumë mirë rusishten. Raportimet e
para të tij që ishin dërguar në 1785, janë të shkruara në rusisht, krahasuar me
raportimet e konsujve të tjerë të Rusisë me origjinë ballkanike, raportimet e
të cilëve ishin në frëngjisht dhe italisht.
Po kështu që më herët në shkurt të vitit 1783 kur Antonio Palladhokli
shërbente si përkthyes në Ministrinë e punëve të Jashtme të Rusisë në një
raport që i dërgonte Ekaterinës së II, rreth gjendjes të Sllavëve, Epirotasve,
Shqiptarëve grekë(lexo ortodoksë) dhe turqve(lexo myslimanë) shqiptarë,
nënvizonte faktin se këto popullsi mund të përdoreshin për një kryengritje ndaj
otomanëve duke ndjekur shembullin e Skënderbeut.
Në
të njëjtën kohë edhe emri i Skënderbeut gjallonte fort në Austri që ishte
vazhdimisht në konflikt me Perandorinë Osmane si dhe në fiset shqiptare
katolike, aleatë të Bushatlliut që ishin nën proteksionin fetar e kulturor të
Austrisë. Përmendja vetëm për njëherë e trashëgimisë historike prej
Skënderbeut, vetëm në rebelimin e parë të Mahmud pashë Bushatlliut tregon se
ajo mund të ketë qenë një histori e importuar nga oborri i Austrisë sesa një
vetëdije e brendshme e Mahmud Pashë Bushatlliut dhe bashkë me të e klasës
feudale shqiptare. Vite më vonë këtë fakt historik mesa duket të njohur nga
kleri katolik shqiptar i transmetuar ndoshta në formën e kujtesës kolektive
popullore do ta përdorte dhe Fishta në veprën e tij dramatike të pambaruar
kushtuar rebelimit të Bushatlliut. Në të njëjtën frymë është shkruar dhe “Frati
i Pashallarëve të Shkodrës” nga At Zef Pllumi shumë vite më vonë duke
reflektuar një tendencë sesi do të duhej të kishte qenë historia sesa në të
vërtetë i përgjigjej realitetit.