Mendime
Albert Zholi: Dr. Vladimir Mici - Nafta, është gjaku i ekonomisë
E enjte, 15.09.2022, 07:52 PM
Flet Dr. Vladimir Mici:
- Çmimi i naftës është i
lartë pasi janë politikat qeverisëse, që kanë shkatërruar këtë sektor
-
Ndikimi i çmimit të naftës brut është mjaft i fortë po të kemi parasysh që
nafta brut përbën 80% të kostos së prodhimit të nënprodukteve të saj
-Çdo
rritje çmimi e naftës brut ndikon në rritjen e çmimeve si çeliku, alumini,
energjia elektrike, prodhimi i letrës, produktet me bazë nafte
-
Nafta, është gjaku i ekonomisë, efekti ndryshon nga vëndi në vënd dhe nga
politika, që ndjek një shtet në lidhje me energjinë
Intervistori:
Albert Z. ZHOLI
Rritja e çmimit të naftës në vendin tonë ka
rritur dhe më shumë varfërinë e shqiptarëve. Kjo rritje ndihet dyfish pasi
tashmë ne jemi një vend që vetëm prodhojmë dhe nuk përpunojmë naftë. Sipas Dr.
“Nafta, është gjaku i ekonomisë, efekti ndryshon nga vëndi në vënd dhe nga
politika, që ndjek një shtet në lidhje me energjinë”. Pra cilat janë efektet
negative të rritjes së çmimit të naftës në vendin tonë? Sa ka ndikuar kjo
rritje në çmimet e produkteve të tjera? Këto janë disa pyetje që do t’i gjeni
të zbërthyera në këtë intervistë.
- Në botë çmimet e naftës brut po bien, ndërsa këtu çmimet e
nënprodukteve të saj, benzina dhe gazoili rriten. Si shpjegohet?
- Sigurisht që ka lidhje midis çmimeve të naftës brut dhe
çmimeve të nënprodukteve të saj, por kjo, nuk tregon se duhet patjetër të ulen
çmimet apo të ndjekin menjëhere tendencën e tyre. Nafta e përpunuar nuk
reflekton menjëherë çmimin e naftës brut, për shkak dhe të metodës së
inventarit( metoda fifo ) e përcakton qartë: hyrja e pare ( hyrja më e hershme
del e para, pra sasitë e naftës brut, që hyjnë të parat
ato duhet të dalin të parat dhe pastaj sipas rradhës së hyrjes. Duhet
pasur parasysh një fakt; uzinat e përpunimit kanë kapacitete stokuese të mëdha,
për shkak edhe të procesit të prodhimit. Ato, mund të përpunojnë mbi 10 mijë
tonë naftë bruto në ditë dhe kjo sasi ditore e shumëzuar me 4 muaj punë,
minimum pa ndërprerje të uzinës i detyron ato të kenë gjendje nafte brut
rezervë në uzinë, rezerva në transport, rezerva në port. Se sa duhet të jetë rezerva e naftës brut, kjo rregullohet me ligj. Me
ligjin shqiptar rezerva duhet të jetë baraz me prodhimin e tre muajve. Kështu
që kompanitë blerëse të karburantit reflektojnë atë të tregut ndërkombëtar.
Ndikimi i çmimit të naftës brut është mjaft i fortë po të kemi parasysh që
nafta brut përbën 80% të kostos së prodhimit të nënprodukteve të saj. Vetëm 20%
vijnë në formën e shpenzimeve për energji, paga, ujë etj, etj. Kështu që një
ulje e madhe e çmimit në tregun botëror mund të ndodhë që të shoqërohet me çmim
të ndryshëm të nënprodukteve po në atë për të njëjtën periudhë. Rënia do të
ndihet sapo sasitë e naftës brut me çmime më të ulta do të vihen në përpunim,
duke reflektuar po atë tendencë të naftës brut me një shkëputje kohore 1 deri 3
muaj. Plus kësaj periudhe i përkon edhe kërkesa e shtuar për shkak të
furnizimit me karburante për energji, ngrohje dhe transport për zonat e ftohta,
ku furnizimi për periudhën e dimrit bëhet tani.
- Cili është roli i
mbikqyrjes së çmimit të karburanteve? Sa ndikon në varfërinë shqiptare rritja e
çmimit të naftës, pasi rriten çmimet e të gjithë produkteve?
- Sigurisht çdo rritje çmimi e naftës brut, për pasojë edhe e nënprodukteve
të saj, ndikon në rritjen e çmimeve të të gjitha mallrave të konsumit dhe të
prodhimit. Të gjitha materialet e ndërtimit do të rriten, çeliku, alumini,
energjia elektrike, prodhimi i letrës, produktet me bazë nafte. Po kështu edhe
shërbimet. Nafta, është gjaku i ekonomisë. Efekti ndryshon nga vëndi në vënd
dhe nga politika që ndjek një shtet në lidhje me energjinë. Shtetet prodhuese
të naftës, të cilët kanë edhe kapacitete përpunimi, nuk e ndjejnë atë, por
shtetet, që nuk kanë kapacitete përpunuese siç jemi ne, e ndjejmë dyfish. Pra
nëse SHBA këtë efekt e llogaritin 17%, për nje dyfishim çmimi, tek ne ky, arrin
34%. Efektet edhe në SHBA kanë nevojë për politika të caktuara, sepse kompanitë
e integruara plotësisht, sigurojnë fitime përallore. Krejt e kundërta ndodh me
kompanitë përpunuese, që punojnë me naftë bruto importi. Ato, e ndërtojnë
çmimin me një kosto krejt tjetër duke e vënë veten në pozitat e një kompanie të
falimentuar. Por falimenti i tyre, do të thotë që kërkesat e tregut të mos
përmbushen, dhe këtu shteti vendos super taksa mbi kompaninë, që punon me naftë
vëndi, dhe nga ana tjetër krediton kostot e blerjes së naftës brut nga
kompanitë përpunuese jashtë. Dhe e kundërta kur çmimet e importit janë më të
ulta jashtë se sa prodhimi vëndas, peshorja kalon në anë të kundërt, në mënyrë
që të bëjë të mundur plotësimin e nevojave. Në këtë mënyrë ajo bën një
rishpërndarje për kompanitë përpunuese për të qënë në të njëjtat pozita. Por
rasti shqiptar nuk është tipik amerikan. Ne, jemi një shtet që prodhon naftë
brut, që kemi prishur dhe shkatërruar këto 30 vjet 3 rafineri përpunimi, që nuk
kemi modernizuar asnjë prej tyre. I kemi lënë të vidhen pajisjet ose çuar për
skrap. Nëse do të ishte Kombinati i Ballshit në punë sot, me të gjitha taksat
qeveritare çmimi nuk do të kalonte 160 lekë për litër edhe sikur ajo të blihej
me çmim tregu nga ata që ne shqiptarët i quajmë konçesionarë, që në fakt janë
thjesht menaxhere të një Joint-Venture me kompaninë shtetërore Albpetrol. Por
pushteti i djathtë dhe i majtë nuk kanë interes qytetarinë, sepse interesat e
tyre janë mbi to. Për pasojë jemi në situatën e oligopolit ku çmimi monopol,
siguron fitime maksimale. Pra pjellja e Bordit të Transparencës, nuk është gjë
tjetër, por faqja e zezë e një keqmenaxhimi shtetëror. Ai, është formuar nga
përfaqësuesit e oligopoleve dhe zyrtarëve shtetërorë që “bëjnë noterin” për
çmimet. Kjo është një situatë paradoksale. Eliminimin e këtij monopoli e bënte
dikur kompania shtetërore ARMO, sepse thyente monopolin. Sot, bordi vendos
monopolin dhe e ruan atë me ligj. A ka metoda të tjera ? Sigurisht që ka. Më e
lehta gjë: importi shtetëror, siç bën për energjinë elektrike dhe përmes pikave
të saj, dikton çmimet në treg. Dikush thotë që kthehemi prapa. Sigurisht për
ata që paguhen nga këto oligopole, siç ka shumë televizione dhe gazeta e
analistë, por nëse shohim shportën e popullit, ajo është gjithmonë e më bosh.
Konsumi për shqiptarët njeh ulje, (Nuk duhet të mburremi me turizmin e të
huajve). Na duhet konsumi shqiptar, i cili do të pasohet nga ulje prodhimi dhe
papunësi. Perspektiva është përpunimi i naftës në vënd. Por ka një problem. A do jetë
shtet apo privat?. Nëse do të jetë privat është e njëjta histori. Pra duhet të
jetë shtet. Për të qënë shtet duhen disa investime, relativisht jo të larta, të
cilat i sjellin popullit çmime më të ulta dhe largimin e situatës oligopol në
këtë drejtim. Politika 30 vjeçare objektiv ka pasur rrënimin e industrisë së
përpunimit të naftës vëndase, nihilizmin e çdo gjëje “Made in Albania”.
Pikërisht rënia ekonomike do të sjellë edhe uljen e çmimeve. Përsa kohë vijohet
me turizmin e të huajve, çmimet nuk bien, por në të kundërt rriten. Taktikat
qeveritare për t’u dhënë para shtesë pensionistëve, nuk janë zgjidhje, pasi
indeksi i çmimeve ka tejkaluar rritjen e pensioneve apo dhënien e shtesave 3000
lekëshe. Shtresa e mesme e shoqërisë, është ulur në numër për shkak të mos
rritjes së pagave nominale, për shkak të mosindeksimit të tyre në raport me
inflacionin dhe për pasojë shtresa e mesme marxhinale tashmë është e varfër.
Mallrat e arritshëm dikur kështu mund të thuhet në fillim viti, tashmë janë
mollë e ndaluar për këtë pjesë të shoqërisë, që i shtohet asaj të mëparshme. Më
të dukshme janë pushimet e verës ku shqiptarët nuk gëzonin dot luksin për të
pushuar në Sarandë, Vlorë, Himarë apo Dhërmi. Ekonomia nuk është demagogji. Ulja
e shtresës së mesme do të thotë ulje e të ardhurave në buxhet, ulje e motorit
të ekonomisë së vëndit.
- A mundet shteti shqiptar sot të shtetëzojë naftën, t’ia marrë
konçesionet duke i shpallur pasuri kombëtare? A ka potencial intelektual dhe
teknik për ta shtetëzuar?
- Kontratat për naftën ndahen në dy grupe: Grupi i parë: Kontrata me
ndarje prodhimi në formën e ndërmarrjeve të përbashkëta ose Joint-Venture,
(rasti Bankers) me kompani publike, ku njëra prej të cilave, merr përgjegjësinë
për menaxhimin e operacioneve dhe është karakteristikë për vendburimet e
zbuluara dhe në pronësi të shtetit shqiptar. Pra shteti është pronar i
rezervave të zbuluara të naftës dhe gazit (rezervave gjeologjike të naftës dhe
gazit). Menaxhimi i prodhimit të rezervave të naftës dhe gazit është atribut i
kompanisë, që ofron teknologji, ekspertizë dhe mjete financiare edhe në kushtet
e ndarjes 50/50. Grupi i dytë: Kontratat me ndarje prodhimi për rezervat
potenciale apo të pazbuluara të naftës dhe gazit (rasti SHELL). Në këtë rast,
kompania nuk është në formën e Joint-Venture me shtetin. Ajo, merr përsipër
gjithë riskun në rast dështimi. Në të kundërt, nëse ajo zbulon dhe avancon më
tej për vënien në shfrytëzim të tij, atëhere kompania duhet të rikuperojë
kostot operative dhe kapitale, dhe pjesën tjetër duhet ta ndajë me shtetin në
raportin 50 me 50. Për ta kuptuar me mirë dallimin është se në grupin e parë të
kontratave, kompania e huaj ka tejkaluar riskun e kërkimit dhe të zhvillimit të
vb. Ajo thjesht shfrytëzon zbulimin e kryer nga të tjerët dhe vetëm “injekton”
teknologjinë dhe eksperiencën e përparuar si dhe mjetet financiare për të
sjellë një rritje të prodhimit dhe ndoshta të rezervave të naftës dhe gazit.
Teknologjia synon: Uljen e kostove të prodhimit, rritjen e tempeve të marrjes
dhe rritjen e shkallës së shfrytëzimit të rezervave. Kjo e fundit, nënkupton
shtimin e prodhimit nga rezervat të nxjerrshme me teknologjinë e re. Pra
nëse me teknologjinë ekzistuese ne mund të vjelim 17% të rezervave gjeologjike,
me teknologjinë e re kjo mund të shkoj edhe 34%, gjë që do të thotë dyfishim i
rezervave të nxjershme sepse nga të pamarshme kthehen në një prodhim, pa shtuar
rezervat gjeologjike. Në tipin e dytë të kontratave, rezervat gjeologjike nuk
dihen; ato, do të zbulohen përmes kërkimit të vb, dhe pastaj do të vlerësohen
si rezerva të reja. Kontratat e tipit të dytë ka 30 vjet që operojnë në
Shqipëri dhe mjaft kompani që kanë kërkuar në det dhe në tokë nuk kanë
deklaruar rezerva gjeologjike dhe komerciale. Rasti i parë, në vendin tonë
është Kompania Shell që ka avancuar në fazën e vlerësimit në zbulimet e
Shpiragut. Gjatë 30 viteve të Joint-Venturave shqiptare, është nxjerrë naftë
nga fushat ekzituese, që kanë qenë dhe janë pronë e shtetit shqiptar, i cili ja
ka lënë në administrim kompanisë publike ALBPETROL- sha, e cila nga ana e saj
ka lidhur një kontratë me kompanitë e huaja për të shfrytëzuar fushat që ka në
administrim, në pajtim dhe miratim nga qeveritë dhe shteti shqiptar për të
rritur prodhimin. Kompania e huaj ka detyrimin të sjellë financim, teknologji
dhe ekspertizë për të kthyer shfrytëzimin në lartësinë e niveleve bashkëkohore.
Kontratat, që lidhen me këto kompani janë me të njëjtën vlerë juridike si
Kushtetuta e Shqipërisë për të gjithë firmat që operojnë në territorin shqiptar.
Kompania e huaj, që sjell financim, teknologji dhe ekspertizë të huaj dhe pa
asnjë garanci për investimin e saj nuk vjen. Prandaj kjo kontratë, mund të
goditet për shkeljet e saj, anullimin dhe revokimin e saj në arbitrazhe dhe
gjykata të specializuara ndërkombëtare. Shteti shqiptar, ka pranuar aktet
ligjore ndërkombëtare për mbrojtjen e kapitalit të huaj duke i ratifikuar ato.
Kështu që çdo veprim i njëanshëm ka pasoja financiare të tmerrshme për shtetin
shqiptar dhe përveç kësaj edhe vetë seriozitetin e shtetit. Pra asnjë kontratë
nuk mund të prishet pa u shkelur kontrata nga ana e kompanisë së huaj. Por tej
kësaj, sepse mund të flitet pa fund, e gjej të udhës të them që edhe qeveria
aktuale nuk shikon dhe nuk projekton që këto fusha nafte, të jenë kombëtare në
kuptimin që të administrohen dhe shfrytëzohen nga kompania publike. Ajo, me fakte ka treguar se edhe Ballshin, Cakranin,
Mollajn, Gorisht-Koculin dhe Delvinën i mori dhe i dha përsëri. Po kështu,
shtyu kohën e kontratës së Bankers. Pra qeveria aktuale është njëlloj në mos më
keq se parardhëset e saj.
-A janë rezervat e naftës
pronë e shtetit shqiptar?
Po! Të gjitha rezervat e naftës të zbuluara
dhe ato të pazbuluara në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, janë
pronë e shtetit Shqiptar. Detyrimi i qeverive shqiptare është të
kompensojë me naftën apo gazin që ato nxjerrin, shpenzimet e tyre në formën e
shpenzimeve kapitale sipas një skedule të mirëpërcaktuar dhe shpenzimet
operative të vitit duke njohur edhe një fitim. Pjesa tjetër e tepricës në
varësi të tipit të kontratës ndahet 50 me 50. Dallim në këtë rast bën kontrata
e shërbimit, ku kontraktorit i njihet vetëm fitimi dhe jo ndarja e tepricës.
Duhet të theksoj se lloji i kontratave është shumë i madh dhe i larmishëm,
ndonjëhere edhe të tipit ekzotike, por në esencë ka një ndarje të projektuar që
në fillim. Çdo devijim domethënës është një vjedhje e hapur dhe për këtë arsye
gjatë jetës së zbatimit të marrëveshjes bëhen auditime për të parë se si është
respektuar formula e ndarjes se naftës apo gazit të prodhuar dhe se si
përcaktohen masat që të ndreqet kjo mospërputhje. Në fund të fundit, ndarja e
prodhimit e projektuar është detyrim ligjor që duhet të zbatohet. Pra nëse nga
këto rezerva shteti (ose dhe plus kompania Albpetrol) është projekuar të marrë
40% dhe kompania për kostot dhe fitimet 60%, kjo ndarje në fund duhet të jetë e
tillë me tolerancë minimale (+)ose (-)1%. Po flasim jo për vlerë të rezervave
të nxjerrshme, por për sasinë e tyre fizike. Pra në 1,000,000 tonë të nxjerrë
nëse projekti parashikon 400,000 tonë, kaq duhet të jetë në fund të jetës.
Amplitudat e lëvizjeve nga viti në vit, do të jenë në këto nivele, sepse çdo
ton naftë e nxjerë duhet të shpërndahet që në momentin që del. Nqs sasia nuk
arrihet atëhere përgjegjësia është e kompanisë menaxhuese, dhe ajo duhet të
mbart edhe kostot për këtë. Kompanitë e huaja spekulojnë edhe me vlerën e
rezervave të naftës apo gazit nën tokë. Në bilancin e shoqërisë publike
“Albpetrol sha”, vlera e rezervave të naftës apo gazit të zbuluara nuk
pasqyrohet, që e përkthyer në gjuhë të kuptueshme për të gjithë lexuesit, nuk
ekziston në aktivet e shoqërisë (pasurisë). Në të kundërt të kësaj, ekzistojnë
vetëm vlera neto e aktiveve që shoqëria “Albpetrol sha” ka (puse, ndërtesa
etj). Vlera e rezervave të saj, pasqyrohet në anekse jashtë bilancit, por jo në
vlerë të bilancit. Krejt ndryshe ndodh me kompanitë e huaja dhe ndërkombëtare.
Vlera e rezervave, është pjesa kryesore e pasurisë e cila për vit shterohet me
masën e prodhimit të nxjerrë. Ajo pasqyrohet me vlerën e projektuar të
nxjerrshme të rezervave gjeologjike. Çdo vit, ato testohen dhe provohen për dy
aspekte: Aspekti i parë, të rezervave fizike, që mund të ndryshojnë nga një
vlerësim i shfrytëzimit të vb (analiza e shfrytëzimit të vb), dhe aspekti i
dytë i vlerës së këtyre rezervave. Në aspektin e parë, ata që janë marrë me
shfrytëzimin e naftës, verifikojnë përmes rregjimit të shfrytëzimit lëvizjet e
katit naftë mbajtës dhe mbi këtë bazë bëjnë korigjimin e rezervave të nxjershme.
Krahasimi me prodhimin e nxjerrë vërteton ose kërkon saktësimin e rezervave të
tjera të mbetura. Aspekti i dytë, lidhet me vlerën e rezervave. Vlera e
rezervave në praktikë i nënshtrohet testit tavan, që nënkupton, që vlera e
rezervave në nëntokë lidhet me çmimin e naftës brut në treg. Testi tavan
përcakton që çmimi i një barele të rezervave duhet të jetë jo më pak se 10% e
çmimit të naftës brut në treg. Kur ky çmim lëviz më shumë se 10% atëhere
përfshihet testi tavan për të ndryshuar vlerën e rezervave. Pra vlera tregëtare
e rezervave është e barabartë me çmimin minimal të rezervave shumëzuar me
vlerën e rezervave industriale gjëndje në nëntokë me teknologjinë ekzituese.
Formimi i kësaj vlere, lidhet me vlerën e kërkimit të rezervave, por jo se
duhet ti përgjigjet saktësisht asaj . Kështu rezervat e shoqërisë “Albpetrol
sha”, të cilat raportohen nga viti 1990, nuk përkojnë me rezervat që raportojnë
shoqëritë e huaja dhe kjo bëhet qëllimisht për të fshehur atë që shteti
shqiptar fal. Kompanitë e huaja për të fituar vlerë në bursa duhet të kenë
aktive (pasuri), sepse ajo justifikon vlerën e aksioneve të shoqërisë. Sa më e
madhe vlera e rezervave që raportojnë aq më e madhe është vlera e shoqërisë në
treg. Për ta kuptuar për lexuesit jo ekspertë, po marr për shëmbull si rezervë
nafte një apartament. Çdo individ e blen apartamentin duke vendosur një sasi
parash vetë dhe një sasi borxh, përshëmbull 50/50. Nëse do ta shesë sa e ka
blerë 50%, do të shkojë për të shlyer borxhin, dhe 50% do t’i ngelet, Në
kushtet kur çmimi i apartamentit rritet apo kur ai zgjerohet (pra rezervat
shtohen) borxhi nuk ndryshon. Ai që ndryshon është rritja e pasurisë së
pronarit. Kjo rritje, reflektohet në rritjen e çmimit të aksioneve. Tashmë një
kompani që operon në Shqipëri pa u kontrolluar, ‘ raporton sikur rezervat janë
pronë e saj. Pra kemi dy palë, njëra pronare legjitime dhe që përfaqësohet nga
shteti dhe administrohet nga Albpetrol dhe tjetra nga kompania private, që për
qëllimet e veta e përdor rezervën si pasuri të vetën. Fakti që kompania
shtetërore nuk e pasqyron bilancin e rezervave, kemi shkelje të Kushtetutës së
Republikës së Shqipërisë dhe dhurim të rezervave (pasurisë së vendit) kompanisë
së huaj në këmbim të rentës minerare. Përsa i përket potencialit intelektual
besoj se kjo është një pyetje pa kuptim në sensin se kontratat përmbajnë një
kusht që përcakton se 95% e stafit drejtues duhet të jetë staf lokal. Për të
arritur në këto nivele, është detyrimi i kompanive për të trajnuar jo vetem
këtë 95% por edhe gjithë stafin e fushës dhe punonjësit e përfshirë
drejtëpërdrejtë në operacione, për t’u kualifikuar. Këto shpenzime janë të mirë
përcaktuara në kontratë dhe që paraqiten rregullisht si shpenzime operative.
Ajo që përbën 5% nuk është gjë tjetër por një staf që shquhet se paguhet me mbi
50,000 euro në muaj dhe ky përbën një difekt të kontratave që ne kemi me
kompanitë e huaja. Në një kapitull më vehte, kontratat përmbajnë shpenzimet
operative, klasifikimin dhe mënyrën e përcaktimit të tyre si dhe limitet e
tyre. Për sa i përket nivelevet të pagave për punonjësit direkt vëndas
dhe të huaj kjo është kompetencë e kompanisë. Aspekti më diskriminues dhe
vjedhës, janë mënyrat e tenderimit të blerjes së mallrave dhe shërbimeve si dhe
shpenzimet e administrimit dhe të përgjithshme të kompanisë. Ky zë, asnjëherë
nuk shihet nën syrin e uljes apo reflektimit kritik. Thjesht merret një
përqindje fikse e cila në vetvete nuk kërkon të jepet llogari se si shpenzohet.
Duke qënë një kontratë në natyrë, përsa i përket ndarjes, është e përcaktuar
përqindja që do të zënë kostot administrative zakonissht 5% e naftës së
nxjerrë janë kosto administrative dhe të përgjithshme edhe pse çmimi i
naftës mund të shkojë 200$/ bareli, nga 25$ bareli i supozuar në llogaritje.
Pra duke konkluduar këtu, nuk shtrohet më ekuacioni a ka staf apo nuk ka staf.
Pyetja shtrohet a kemi politikë apo nuk kemi politikë kombëtare nga qeveria?
Cili është problemi më i
madh i industrisë së naftës shqiptare sot?
Një pyetje që meriton një përgjigje të gjatë dhe që praktikisht nuk mund të trajtohet këtu, por për hir të nevojës për një përfundim të kësaj interviste, po trajtoj veç disa prej problemeve në industrinë e naftës. Së pari, mungesa e një strategjie, që përfshin në rradhë të parë industrializimin e vendit, si një nga mundësitë e mëdha që siguron zhvillimin ekonomiko-shoqëror të vendit dhe rritjen e vazhdueshme të mirëqenies. Nuk është fjala për industrinë e rëndë, por atë pjesë të saj, që përfshin zbulimin nxjerrjen dhe përpunimin e pasurive të nëntokës tonë, midis tyre, të naftës, gazit, bitumit dhe rërave bituminoze. Vendi ynë, dallohet për perspektivën e lartë të naftës dhe të gazit në krahasim me vendet tona fqinjë, por edhe për shumicën e vendeve evropiane. Dhe nuk është fjala vetëm për sigurimin e karburanteve që është vetëm një nga favoret e të pasurit të kësaj pasurie, por se të pasurit e saj i hapet rruga sigurimit të energjisë elektrike, bujqësisë intensive dhe ekstensive, sidomos me prodhimin e plehrave dhe shumë lëndëve të tjera të domosdoshme, që kanë të bëjnë me industrinë e lehtë dhe ushqimore, sigurimin e mbrojtjes ajrore, detare, madje edhe prodhimit të lëndëve plasëse. Janë këto përdorime të shumta që historikisht për shekuj, kjo bashkësi lëndësh minerale është konsideruar si “Ari i Zi” dhe për këtë fakt, përdoret me sukses edhe politikisht, deri edhe si shkak për shpërthim luftrash midis vendeve të zhvilluara. Vendi ynë, është bërë i njohur pikërisht kur u vërtetua naftëmbajtja në Drashovicë në dy dhjetëvjeçarët e parë të shekullit të 20, burim që përballi interesat e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe për nevojën e furnizimit me karburante të flotave të tyre në Mesdhe. Në Luftën e parë Botërore, në vendin tonë, luftuan gjashtë ushtri pushtuese, luftë që përfundoi me përballjen e Austro-Hungarisë me Italinë fqinjë. Ishte ky shkaku, bashkë me mineralet e tjera të ngurta të vendit tonë që nxitën pushtimin italian të Luftës së dytë Botërore. Edhe sot e kësaj dite, nuk mungojnë shfaqjet e interesave pushtuese nga vendet fqinjë nga Veriu dhe Jugu i vendit tonë. Sot, nuk gjen vend në tërë globin që të shpërfillë kaq hapur, ashtu si ka vepruar vendi ynë në këta 32 vite dhe për fat të keq, duket sikur ka një marrëveshje të tillë nga tërë grupimet qeverisëse. Për venien në efiçiencë të kësaj lënde të domosdoshme, sot, luftojnë vetëm pensionistët e asaj industrie, të cilët jo vetëm e kanë zbuluar dhe shfrytëzuar atë pasuri, por prej saj kanë prodhuar mbi 25 produkte karburante, vajra, benzole, benzinë, vajguri, gazoil për aviona, dhe reagentë kimikë për nevojat e industrisë së vendit, por edhe për eksport. Problemi më i madh i naftës shqiptare është mbrojtja dhe shtimi i rezervave të saj dhe përdorimi i tyre me efektivitetin maksimal për të përmirësuar mirëqënien e shqiptarëve. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e cila në nenin 59 germa –dh- e detyron shtetin shqiptar dhe çdo organizatë, pushtet, individ për përdorimin efikas të burimeve natyrore. Përdorim efikas është ai që e shfrytëzon këtë pasuri me efiçensën maksimale, pra të nxjerrë nga ajo pasuri maksimizimin e vlerës për të përmirësuar jetën e qytetarëve të vet. Ne paguajmë karburantet e huaja, punën dhe fitimin e shteteve të tjera, të cilat punojnë me naftën tonë. Pra na është mohuar dhe hequr e drejta për t’u punësuar dhe përpunuar këtë pasuri. Në vënd të shtimit të kësaj pasurie nga të huajt ajo po pakësohet me shfrytëzimin e pasurive egzistuese. Që nga viti 1990, Shqipëria nuk ka shtuar rezerva kombëtare gjeologjike dhe asnjë institucion shqiptar nuk ka ligjëruar apo pranuar rezultatet e rezervave të kompanive të huaja. Dikush mund të thotë për zbulimin e Shpiragut, por vetë kompania Shell ende nuk është e bindur se ky vb është ekonomikisht i shfrytëzueshëm. Sepse ajo kërkon rikuperimin e kostove që lidhen me kërkimin, zhvillimin dhe nxjerrjen e rezervave të naftës. Kjo ende është një mister. Dhe më shumë akoma se sa shteti shqiptar nga kjo marëveshje do të marrë vetëm rentën minerare apo diçka më shumë. Kjo mbetet për tu parë. Shpim-kërkimet për naftë dhe gaz, kanë siguruar punësimin dhe kulturën e punës në gjithë territoret rurale. Grupimet qeverisëse këto 32 vite as nuk e kanë në programet e tyre zhvillimin e industrisë së naftës, madje me emërimet e papërshtatshme të administratorëve të kompanisë së vetme shqiptare të naftës “Albpetrol sh.a”, jashtë specialitetit kanë vërtetuar se e shohin si mundësi tenderimesh të shpeshta për shitjen e asaj nafte të pakët që i ka mbetur, e për të përfituar prej tyre. Këto grupime, në dukje vendosin ligje për mbështetjen naftës por nuk i zbatojnë ato. Së dyti, Për industrinë e naftës, ka pasur një hierarki drejtimi të studjuar e që lejonte përdorimin me efektivitet të burimeve financiare dhe investimeve për të, mbështetjen me aparatura dhe mjete laboratorike, me një shërbim shkencor të shquar për kërkim-zbulimin e naftës dhe gazit, një shërbim shkencor të shpimeve dhe të nxjerrjes, që zbuluan rreth 400 milionë tonë naftë rezervë, shpuan me mijëra puse të thellë duke arritur në afër 6700 metër thellësi, dhe u prodhuan rreth 60 milion ton naftë dhe mbi 10 miliardë metër kub gaz të pastër. U përgatitën për ato shërbime shumë specialistë nafte, u hap shkollë e mesme për naftën, dhe në vitin 1957, përherë të parë u përgatitën inxhinierët e parë të naftës në vendin tonë, në vitin 1962, nisur nga rezultatet e zbulimeve të para, në vitin 1962 u hap Fakulteti i Gjeologjisë dhe Minierave dhe u shtua mjaft numri i studentëve dhe inxhinierëve të diplomuar. Me programet mësimore të kësaj shkolle, inxhinieri i naftës ishte i gatshëm që me t’u punësuar, të merrte përsipër detyrat më të vështira. Këto programe, u vlerësuan mjaft të mira edhe nga institucione arsimore të huaja e me përvojë të gjatë. Viti 1995, i dha fund kësaj praktike të suksesshme të formimit të inxhinierëve të naftës, gjeologë, të shpimit dhe të prodhimit: U thjeshtuan programet duke i përgjithësuar drejt një inxhinieri të përgjithshëm. U pakësua praktika mësimore dhe profesionale e domosdoshme për të formuar një inxhinier. Laboratorët e domosdoshëm për të mbështetur përgatitjen mbetën pa financime dhe pa ripërtritje, për t’u përputhur me ndryshimin e madh të teknologjive nga ato të vendeve lindore në ato perëndimore që mbizotërojnë sot në praktikën e punës. Biblioteka Shkencore e Fakultetit të Gjeologjisë pjesën dërrmuese të literaturës e ka në gjuhët lindore dhe pak literaturë perëndimore bashkëkohore për mungesë financimesh.
Së treti. Një shkollë profesionale, që
përgatit inxhinierë vlerësohet nga disa parametra:
Numri i studentëve, që diplomohen dhe
përparimi i tyre në mësime.
Shkalla e punësimit të të diplomuarve.
Ndikimi i këtij kontigjenti inxhinierësh të
përgatitur në këtë shkollë në zhvillimin dhe suksesin e shënuar të kësaj industrie.
Stimujt për t’i detyruar të rinjtë t’i
drejtohen kësaj fushe.
Megjithëse numri i studentëve në vitin e parë
të shkollës së lartë është i mjaftueshëm, përgatitja e tyre, lë për të
dëshiruar. Mesataret e provimeve janë të ulëta. Janë shumë të pakët ata që
përfundojnë dhe diplomohen. Shkalla e punësimit është e ulët në raport me ata
që përfundojnë të diplomohen. Nuk ndihet rezultati i punës së të punësuarve të
pakët në industrinë e naftës. Reformat në arsim dhe ligjet e arsimit të lartë
të formuluar në çdo 5 vjet nuk i përgjigjen situatave. Së katërti: Që nga viti
1989, në kërkime, u përfshinë kompanitë e huaja në det dhe më vonë edhe në
tokë, dhe në vitin 1994, ato, u përfshinë edhe në prodhimin e naftës dhe gazit.
Në kërkime, përjashto shënjat dhe prurjet fillestare të naftës dhe të gazit në
strukturën e Shpiragut, për gjatë këtyre viteve, nuk ka asnjë zbulim të ri. Në
prodhime, rezultate u morën nëpërmjet një teknologjie të re, por me pasoja në
mjedisin rrethues, nga viti 2008, e në vazhdim. Dëmin më të madh e bëri
Marrëveshja Hidrokarbure, që e anashkaloi krejt përvojën pozitive të
specialistëve tanë shqiptarë, dhe si rezultat që prej 18 vitesh shteti shqiptar
fiton vetëm 2-3% të të ardhurave nga shfrytëziomi intensiv i Patos-Marinzës. Me
një vendim të Këshillit të ministrave të vitit 2006, u mbyll Instituti i Naftës
dhe Gazit që projektonte dhe monitoronte gjithë veprimtarinë. Me ligjin
26/2017, u shënua ringritja e një Instituti Hidrokarburësh, por është më lehtë
të prishësh se të ngresh. Por ky vendim që detyron avarinë nuk është zbatuar.
Por edhe tej masës së moszbatimit të vendimit, që për nga rëndësia është e
fundit, ngritja e Insitutit nuk është një godinë dhe disa mjete laboratorike
apo pajise dhe orendi. Janë dy problem madhore. Problemi i parë është
konceptimi i funskionimit të tij, roli dhe deryrat që ai duhet të kryhej dhe
cili është objektivi strategjik i qeverisë në fushën e gjelogjisë dhe prodhimit
të naftës dhe gazit. Problem i dytë janë specialistët e mirëfilltë, si gjeolog,
paleontolog,Sizmicien,paleograf, hidrogjeologji nafte, specialistë për
projektimin dhe zbatimin e shpimit, specialistë për përdorimin e lëngjeve
larës, specialistë për rezervuarin, specialistë për përdorimin e metodave të
dyta e të treta të shfrytëzimit. Shumica e tyre dikur janë dërguar nga shteti
shqiptar jashtë shtetit , pasi kanë qënë diplomuar gjeolog , inxhinier shpimi
për naftë apo inxhinier prodhimi për naftë dhe fizikantë dhe pasi kanë marrë
përvojë gjeologjike, janë larguar për trajnime të specializuar nga 1 deri 5
vjet e më shumë. Sot mungojnë, specialistët. Sipas po të njëjtit ligj duhej të
ngrihej një Agjensi Shtetërore e posaçme për hidrokarburët dhe nuk është
zbatuar. Për t’i vënë kryq Industrisë së naftës, Ministria që mbulonte këtë
veprimtari e ka rrudhur njësinë përkatëse, madje tashmë quhet Ministria e
Infrastrukturës dhe punon për t’i shërbyer strategjisë së Turizmit në vend të
parë duke lënë në rënie të lirë efektivitetin e kësaj pasurie si “Ari i Zi”.