Mendime
Eshref Ymeri: Rusia e burgut të popujve dhe e frymëve të vdekura
E hene, 12.09.2022, 07:59 PM
Rusia e burgut të popujve dhe e frymëve të vdekura
Nga
Eshref Ymeri
Gjatë shekujve, në
formimin psikologjik të popullit rus, janë rrënjosur dy ide të kundërta: ideja
e “madhështisë” së Rusisë dhe ideja e përulësisë para pushtetit, para atij që
është në krye, para të madhit, para carit. Kjo ideja e dytë e gjen mishërimin e
saj të plotë në një shprehje aforistike, mjaft të përdorshme në bisedat e
njerëzve të thjeshtë me njëri-tjetrin: Shefat janë më të zgjuar se ne”. Është
e çuditshme se si ka mundësi që kjo shprehje të jetë kaq e përdorshme, paçka se
kuptimi i saj është mjaft poshtërues për dinjitetin e njeriut?! Sepse një
shprehje e tillë zbulon lakuriq mungesën e lirisë së individit, ajo dëshmon më
së miri se popullit rus është i kapluar nga ideja e “madhështisë” së Rusisë, e
madhështisë së shovinizmit rusomadh, për të cilin ai ka bërë kurban
demokracinë, lirinë e vet, se, në vend të saj, ai parapëlqen kultin e
individit, nënshtrimin e plotë para pushtetit dhe, për pasojë, vuajtjen në
kushtet e varfërisë.
Idenë
e “madhështisë” së Rusisë, populli rus e ka trashëgim nga Testamenti i Pjetrit
të Parë (1672-1725), në bazë të të cilit Rusia duhet t’i hedhë në luftë me
njëri-tjetrin shtetet e Evropës dhe pastaj atë ta pushtojë krejt, duke e
mbajtur nën sundimin e vet. Ky Testament është botuar i plotë në gazetën
“Bashkimi” të datës 8 prill 1994, f. 3-4, dhe shoqërohet me Kujtime të
Kalorësit të Eonit, ish-ambasador i Francës në Peterburg, Kapiten i dragonëve,
Kalorës i Shën Luigjit, Ministër Fuqiplotë i Francës në oborrin e Anglisë.
Ideja
e “madhështisë” së Rusisë u propagandua edhe në periudhën e diktaturës
komuniste që u vendos pas revolucionit të tetorit të vitit 1917. Në një fjalim
që Stalini pati mbajtur në Byronë Politike të Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik,vetëm
katër ditë para nënshkrimit të paktit Molotov-Ribentrop më 23 gusht, pra, më 19
gusht 1939, shtjellohet haptazi ideja bazë e Testamentit të Pjetrit të Parë për
pushtimin e Evropës. Në atë fjalim thuhet:
“Le të
fillojë Lufta e Dytë Botërore, pjesëmarrësit e saj le të shqyejnë njëri-tjetrin
dhe atëherë Bashkimi Sovjetik do të ngrejë flamurin e revolucionit proletar dhe
mbarë Evropa do të bjerë në këmbët e tij” (Citohet sipas: “Luftën e Dytë
Botërore e filluan Gjermania dhe Bashkimi Sovjetik”. Faqja e internetit “DW
Made for minds”. 30 gusht 2019).
Ideja
e përulësisë së njeriut rus para pushtetit zë fill që në vitin 1497, kur
fshatarët, në bazë të ligjit të së drejtës së bujkrobërisë, u shndërruan në
bujkrobër, në pronë të çifligarëve, të cilët i trajtonin si mall që mund t’ia
shisnin dhe t’ia blenin njëri-tjetrit. E drejta e bujkrobërisë u shfuqizua në
vitin 1861. Pra, gjatë 364 vjetëve, njeriu i zakonshëm rus, pra, krejt
fshatarësia, e cila përbënte tërësisht popullsinë e Rusisë, me përjashtim të
njerëzve të shtresës së pushtetit, s’ishte gjë tjetër, veçse thjesht një mall
për tregun e çifligarëve. Sigurisht që kjo periudhë kaq e gjatë sundimi mbi
njeriun e thjeshtë rus, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në formimin e tij psikologjik,
i cili u bë edhe më i dukshëm gjatë diktaturës komuniste 74-vjeçare
(1917-1991). Pikërisht një popull të tillë, të edukuar me idenë e përulësisë
shumëshekullore, Putini e gjeti të gatshëm për nënshtrim të mëtejshëm kur erdhi
në krye të Rusisë më 26 mars të vitit 2000.
Në një
burim informacioni nga inteneti, bëhet e ditur se Putini, duke ndjekur gjurmët
e perandorit Pjetri i Parë dhe të Stalinit për “madhështinë” e Rusisë, ja çfarë
ka deklaruar pesë vjet pasi qe bërë neocari i saj. Në atë informacion thuhet:
“Pikërisht para
Krishlindjeve të vitit 2005, Putini pati parashtruar idenë e vet se në ç’mënyrë
Rusia do të rivendosë ndikimin e vet në mbarë botën, si dikur Bashkimi
Sovjetik. Ai deklaroi me krenari se Rusia është eksportuesja më e madhe e gazit
në botë dhe e dyta për eksportimin e naftës. Në një takim që pati asokohe me
disa ministra dhe këshilltarë të tij të besueshëm, ai deklaroi se Rusia duhet
të synojë të dalë në krye të botës në sferën energjetike” (Citohet sipas: “Pse
Rusia po vë në rrezik ambiciet e veta energjetike?”. Faqja e internetit “InoPressa”.
04 janar 2006).
Dhjetë vjet më
vonë, përsëri në vazhdim të gjurmëve të Pjetrit të Parë dhe të Stalinit, Putini
pati deklaruar:
“Kufijtë e Rusisë
nuk mbarojnë askund” (Citohet sipas: “Putin: Kufijtë e Rusisë nuk mbarojnë
askund”. Faqja e internetit “BBC News”. 24 nëntor 2016).
Tani, pasi kanë
kaluar 200 ditë që nga koha kur Rusia, me sulmin fashist që ndërmori kundër
Ukrainës, si një shtet i pavarur dhe sovran, e zhveshi veten lakuriq para botës
dhe zbriti në sheshin e mejdanit si një shtet banditesk, si një shtet terrorist
dhe mbarë populli rus, që nga Kamçatka, Vladivostoku e deri në brigjet e detit
Balltik, u prezantua para opinionit ndërkombëtar si një bashkësi me një
zbrazëti shpirtërore unike, duke vëzhguar me shpërfillje të plotë krimet e
ushtrisë gjakatare ruse kundër fëmijëve, grave, plakave dhe pleqve ukrainas, më
erdhi menjëherë ndër mend përmbajtja e veprës “Frymë të vdekura” të
shkrimtarit të shquar Nikollaj Gogol (1809-1852). Ajo është një vepër thellësisht satirike.
Realitetin që e rrethon, Gogoli e përshkruan me nota tepër të zymta dhe e vë në
lojë plot mllef. Ai nuk ia fsheh lexuesit tiparet më të pështira të heronjve të
vet, madje ia nxjerr në pah qëllimisht.
Përqeshja, me të cilën Gogoli e përshkruan
realitetin, përfshinte në vetvete edhe një ndjenjë trishtimi të thellë, pasojë
kjo e tablove të shuarjes shpirtërore “të vdekjes për së gjalli” të njeriut
rus, të poshtërimit dhe të shtypjes së tij nga dukuritë e amullisë sociale. Ai ka përshkruar mjeshtërisht veset
dhe dobësitë e njeriut rus, ka pasqyruar në një mënyrë të tillë problemet më të
mprehta për Rusinë, saqë heronjtë kryesorë dhe pikësynimet, ndjenjat dhe bëmat
e tyre të mos tingëllojnë si jehona të së kaluarës. Edhe 180 vjet pas botimit
të saj (1842), kjo vepër ka një tingëllim mjaft aktual, sikur të ishte botuar
në ditët tona. Ja çfarë thuhet në njërën prej faqeve të internetit:
“Gogoli ka
pasqyruar në poemë një të keqe të tillë sociale, si zbrazëtia shpirtërore. Me
një mjeshtëri të hollë artistike, ai ka pasqyruar njerëz, të zhveshur nga
ideale të larta, të mbyllur vetëm në vetvete, shpërfillës ndaj gjithçkaje që
nuk ka të bëjë me ta drejtpërsëdrejti. Zbrazëtia shpirtërore është shoqërues i
përhershëm i njeriut rus deri në ditët tona” (Citohet sipas: “Tingëllimi atual i
poemës “Frymë të vdekura”. Faqja e internetit “Cyberleninka”. 25 maj
2017).
Lind pyetja: cila
është arsyeja që populli rus, i madh e i vogël, nuk u ngrit peshë më këmbë
kundër agresionit fashist të ushtrisë ruse në Ukrainë, një ushtri kjo kaq
gjakatare, saqë ua ka kaluar shumëfish edhe krimeve të nazizmit gjerman?
Përgjigjen e kësaj
pyetjeje e gjejmë në historinë e popullit rus, e një populli me psikologji prej
skllavi, të kultivuar nga carizmi për shekuj me radhë. Pikërisht në saj të
kësaj psikologjie, Rusia ka pasë qenë vlerësuar si një burg popujsh. Pra, Rusia, në fakt, s’ka qenë dhe s’është gjë tjetër, deri në ditët
tona, veçse një burg popujsh për njerëzit e thjeshtë, është një vend i “frymëve
të vdekura”.
Shprehja
frazeologjike “burgu i popujve” pati
hyrë në qarkullim në mesin e shek. XIX. Si kuptim kryesor i saj, pati shërbyer
përfytyrimi stereotip i perandorisë ruse, si një shtet i prapambetur
diktatorial. Ai, që i pari e ka quajtur Rusinë “burgu i popujve”,
ka qenë aristokrati, shkrimtari dhe udhëtari francez Astolf de Kystin (Astolphe-Louis-Léonor, marquis de Custine - 1790-1857), i
cili, në vitin 1839, pati vizituar Rusinë me ftesë të perandorit Nikollaj
I (1796-1855). Nisur nga bindjet e veta politike (konservatorizmi,
monarkizmi dhe klerikalizmi), ai qe pritur në oborrin rus dhe në qarqet më të
larta të shoqërisë ruse. Shënimet e tij të udhëtimit, me titull “La Russie en 1839” (Rusia në vitin 1839), qenë botuar për herë të parë në Paris në vitin 1843, duke shkaktuar
një stuhi kritikash dhe reagimesh kontradiktore në mjediset e inteligjencies
ruse, si në radhët e simpatizantëve të Perëndimit, ashtu edhe të
sllavianofilëve. Autori i këtyre shënimeve, Rusinë e shek. XIX, me një sarkazëm
therës, e përshkruan si një vend kontrastesh, Në morinë e vërejtjeve kritike të
planit të përgjithshëm për natyrën mashtruese të fasadës ruse, për
arbitraritetin e autoriteteve, për mangësitë e theksuara të sistemit gjyqësor
etj., autori nxjerr mirë në pah gjendjen e mjeruar të të gjithë popujve nën
sundimin e perandorit rus dhe mungesën e shoqërisë civile. Sado e pafundme që
është kjo perandori, thekson ai, ajo s’është gjë tjetër, veçse një burg
popujsh, çelësat e të cilit i mban perandori”.
Në veprën e lartpërmendur të autorit francez, janë
mjaft mbresëlënëse disa shprehje me vlera aforistike, të cilat zbulojnë
psikologjinë prej skllavi të njeriut rus dhe që po i rendis në vijim:
“Secili mundohet ta maskojë të keqen para
pushtetarit dhe të reklamojë të mirën”.
“Të pasurit këtu nuk janë bashkëqytetarë me
njerëzit e varfër”.
“Në Rusi, çdo sundimtar vlerësohet si një perëndi,
çdo femër monarke vlerësohet si Artemida dhe Kleopatra”.
“Rusia është vendi i memecëve”.
Fakti mjaft domethënës që populli rus nuk e
kundërshtoi agresionin fashist kundër një shteti fqinj, dëshmon pa mëdyshjen më
të vogël se Putinin ai e konsideron si “perëndi”. Ky qëndrim prej sllavi i
popullit rus, të cilit s’i bëjnë kurrfarë përshtypjesh krimet barbare të
ushtarëve të tij kundër popullsisë civile në Ukrainë, shkatërrimet me raketa të
pallateve të banimit, të objekteve të artit dhe të kulturës dhe përgjithësisht
të infrastrukturës në atë vend, më solli ndër mend një shprehje mjaft
kuptimplote të arkitektit amerikan Frank Lloid Rait (Frank Lloyd Wright - 1867-1959), të vlerësuar si krijues të “arkitekturës
organike”. Ajo shprehje i shkon mjaft për shtat natyrës të marrëdhënieve të
kryekriminelit Putin me popullin e vet. Ai ka thënë.
“Madhështia e një despoti e ka burimin jo në vlerat e tij
personale, por në poshtërimin e turmës që e rrethon”.
Despotët, zakonisht, janë njerëz me aftësi poshtë
mesatares së intelektit dhe, kuptohet vetvetiu, nuk kanë aftësi intelektuale,
çka bën që të vuajnë tmerrësisht nga
kompleksi i inferioritetit. Prandaj mundohen t’ia rrisin autoritetin vetes
përmes sundimit despotik. Shoku i klasës së Putinit në Institutin e zbulimit,
Juri Shvec, i ka bërë Putinit “rezonancën magnetike” të intelektit. Ai rrëfen:
“Që të pranoheshe
në Institutin “Andropov” të KGB-së së Bashkimit Sovjetik, ishte një gjë
jashtëzakonisht e koklavitur. Por po të pranoheshe ama, atëherë gjasat ishin
99,9% që ty do të të dërgonin të shërbeje në zbulim… Fakti që Putinin e dërguan
jo në zbulim,.. dëshmon se mes kolegëve, aftësitë e tij ishin poshtë mesatares”
(Citohet sipas: Ana Dvali. “Intervistë me zbuluesin Juri Shvec, shok i
klasës së Putinit në Institutin “Andropov””. Faqja e internetit “Gordon”.
28 prill 2015).
Natyrën e
nënshtruar të popullit rus me psikologji prej skllavi, e nxjerrin mirë në pah
edhe sot disa intelektualë nga radhët e tij.
Gazetarja e
shquar, Ksenjia Llarina (1963), ka pasë qenë drejtuese programesh në radion “Eho
Moskvëj” (Jehona e Moskës). Në mars të vitit 2010, ajo pati nënshkruar një
thirrje të opozitës ruse, me titull “Putini duhet të largohet”. Në tetor
të vitit 2017 e braktisi Rusinë për shkak të përndjekjeve të vazhdueshme nga
ana e Vladimir Sollovjovit, drejtues emisionesh ky në kanalin televiziv
shtetëror rus “Rusia 1”. Përkrah kopesë së servilëve me damkë të
Putinit, si Dmitri Kiselov, Margarita Simonian, Olga Skabejeva, Nikita
Mihallkov dhe monstra të tjera, Vladimir Sollovjovi është bërë shumë i njohur
në mbarë opinionin ndërkombëtar, si një
kryeservil i pështirë i Putinit, i cili është ngritur deri në modelin e një
skizofreni të paimagjinueshëm. Ajo përndjekje shërbente si nxitje për
eliminimin fizik të gazetares. Prandaj, për të mos pësuar fatin e koleges së
saj gazetare, Ana Politkovskaja, demaskueses së agresionit që pati ndërmarrë,
me urdhër të Putinit, ushtria fashiste ruse kundër Çeçenisë, të pushkatuar në
ashensorin e pallatit të vet më 07 tetor 2006, Ksenjia Llarina, siç u theksua
më lart, u largua nga Rusia përfundimisht
Tani ajo jeton në Portugali. Në një postim të sajin në fb, ajo ka bërë
deklaratën në vijim:
“Më duket se
gabimi më i madh i rusëve konsiston në faktin që ne nuk kemi arritur të
vetëdijësohemi se jemi të paqenë, se nuk ekzistojmë. Ne drejtojmë emisione
televizive, themi dëngla para kamerave, shesim mend, ngacmojmë
bashkëbiseduesit, arsyetojmë për natyrën e dobishme dhe të dëmshme të Rusisë,
shprehim pakënaqësi, na kap histeria lidhur me vizat shengen, me hedhjen në
harresë të kulturës ruse.., kërkojmë respektimin e të drejtave qytetare… Por nuk jemi në
gjendje të kuptojmë kryesoren: ne kemi pushuar së ekzistuari. Ne ndodhemi jo
vetëm jasht truallit juridik, ne ndodhemi jashtë truallit të njerëzimit. Ne
duhet të ndërgjegjësohemi për ta kuptuar një gjë të tillë…” (Citohet sipas: “Gabimi
më i madh i rusëve. Diskutime në gjurmët e postimit të Ksenia Llarinës”. Faqja
e internetit “Radio Svoboda”, 19 gusht 2022).
Më bënë shumë
përshtypje dy komentete për deklaratën e mësipërme.
Së pari, Tatjana Anjikina,
duke iu drejtuar Ksenjia Llarinës, shkruante:
“Ti ke shkruar për atë që unë e
kuptova shpejt në mëngjesin e 24 shkurtit. Madje jo në këtë mënyrë: se në çfarë
humnere mosekzistence ne, si “popull rus”, jemi duke rrëshqitur, unë pata
filluar ta kuptoj më herët: solla nëpër mend Gjeorgjinë, Krimenë, Boingun
malajzian, Lojërat olimpike tërë gjak - t’i numërosh “zilkat” dhe shenjat,
duhet një kohë e gjatë dhe nuk ia vlen. Qoftë edhe për arsyen se do të fillojnë
menjëherë kundërshtimet… Unë, për veten time, këtyre kundërshtimeve u kam vënë
një kryq të madh. Kjo për arsye se mëngjesin e 24 shkurtit mund ta krahasosh me
shembjen e buzës së fundit të një shkëmbi, ku është kapur me majat e gishtave
dikush që rri varur mbi një humnerë.
Përderisa gjithë vendi, mbarë populli… atë mëngjes nuk doli të mbushte rrugët
me pllakatën e vetme në duar me thirrjen “Jo!”, atëherë ky është fundi ynë, si
popull” (po aty).
Së dyti, Viktor Shenderoviç bën fjalë, nëse mund të ketë vend
pendesa e rusëve për krimet në Ukrainë. Ai thekson:
“Përgjithësisht, nuk ekzistojnë kurrfarë
rusësh për një pendesë të tillë. Temperatura mesatare etike, sipas spitalit me
njëqind e dyzet milionë të sëmurë, është e njëjtë… Me një diagnozë dhe terapi
të përgjithshme: ne të gjithë jemi të çmendur” (po aty).
Pra, mendësia e popullit rus e kohës
së Gogolit, në raport me despotët e vet, është e njëjtë edhe në Rusinë e sotme
neocariste, në krye të së cilës është një askush me emrin Putin. Prandaj Rusia
vazhdon të mbetet një burg popujsh, një vend me frymë të vdekura, një spital
gjigand të sëmurësh, siç thekson intelektuali Viktor Shenderoviç, një realitet
tragjik ky, të cilin kasta sunduese e Kremlinit mundohet ta maskojë me paradat
“madhështore” të forcave ushtarake në Sheshin e Kuq më 09 maj.
Ishin pikërisht aftësitë e Putinit
poshtë mesatares ato që çuan në organizimin e sulmit fashist të ushtrisë
gjakatare ruse kundër Ukrainës, të cilat, para opinionit publik ndërkombëtar,
zbuluan lakuriq të vërtetën se Rusia s’qenka gjë tjetër, veçse një gërmadhë e
kalbur që di vetëm të kacagjelohet para botës me kokat e mbushjeve bërthamore.
Tani le t’u pijë lëngun armëve bërthamore dhe le të vazhdojë të plehërojë edhe
më shumë tokat pjellore të Ukrainës me kufomat e rreth 50 mijë ushtarëve të
vrarë deri tani.
Shprsa vdes e fundit. Le të
shpresojmë që popujt e Rusisë do të zgjohen një ditë nga gjumi letargjik
shumëshekullor, për ta gjetur vetveten, do ta shkundin nga vetja psikologjinë e
skllavit, frymën e nënshtrimit poshtërues para pushtetit, do t’i shkallmojnë
dyert e burgut gjigand, ku i mban të mbyllur kasta kriminale e Kremlinit, do të
çlirohen nga natyra shoviniste dhe ideja marroke e “madhështisë” së Rusisë dhe
Putinin, bashkë me rrethin e ngushtë të servilëve të tij të pështirë në mjetet
e informimit masiv, do t’i flakin në koshin e mbeturinave. Një rreze drite
duket në fundin e tunelit të errësisër puitiniane. Në një informacion më të
fundit thuhet:
“Disa deputetë nga Peterburgu i
propozuan Dumës Shtetërore (parlamentit rus - E.Y.) të ngejë… akuzë
kundër Putinit për tradhti shtetërore… dhe të kërkojë dorëheqjen e tij. Për
këtë njoftoi deputeti Dmitri Paluga. Deputetët e Peterburgut mendojnë se
vendimi i Putinit për fillimin e sulmit të ushtrisë ruse në territorin e
Ukrainës, dëmton sigurinë e Rusisë dhe të qytetarëve të saj…” (Citohet sipas: “Populli
u rebelua! Putinin e akuzuan për tradhti shtetërore! Tiranin e pret gjyqi!”. Telekanali
“News for you”. 12 shtator 2022).
Le të shpresojmë që theqafja e
Putinit do të shënojë shembjen e themeleve të Perandorisë së kalbur neocariste
ruse dhe popujt e kombësive të ndryshme do të shkëputen prej saj, duke krijuar
shtetet e tyre të pavarura dhe sovrane, kurse rusët do të mblidhen në stanin e tyre të shtetit
Moskovia.
Kaliforni, 12 shtator 2022