Mendime
Agim Binaj & Fahri Dahri: Gabimet që shoqëruan tranzicionin 30 vjeçar (2)
E merkure, 07.09.2022, 06:31 PM
POLITIKA FISKALE DHE LUFTA NDAJ EVAZIONIT FISKAL
Pjesa II
Nga
Prof. Dr. Agim Binaj
Fahri Dahri, ekspert ekonomie
Nga të dhënat e institucioneve të pavarura brenda
dhe jashtë vendit konstatohet se shkalla e lartë e evazionit fiskal dhe e
informalitetit, zë afërsisht 40-45% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), me
një efekt të të ardhurave në Buxhetin Vjetor afërsisht 800-900 milionë euro.
Në bazë të studimeve të bëra për sistemin fiskal në
vende të Europës, Gjermania ka mbi 40 lloj taksa, por specifike janë disa që
mund të aplikohen sa më shpejt në vendin tonë: TVSH e diferencuar 6-7% për
artikujt e konsumit të gjerë, sidomos ushqimorë; Tatim Fitimi 15%, taksë shtesë
për të pasurit dhe taksë solidariteti 5.5% mbi të ardhurat, tatim mbi
trashëgiminë apo dhuratat 7-50%, etj. Përvoja kanë dhe vendet e Ballkanit, siç
është Maqedonia e Veriut, që nuk ka përjashtime të qenësishme nga TVSH me
përjashtim të disa shërbimeve, nuk ka kufizime në vlerë për përjashtimin nga
TVSH, siç ka shteti shqiptar deri në 10 milionë lekë të reja, që janë të
përjashtuar nga TVSH dhe sipas raportit qeveritar të fundvitit 2021 zënë
afërsisht 60-70% të të gjithë numrit të bizneseve në Shqipëri.
Edhe pse kemi pasur rritje të PBB 3-4% në vitet e
fundit, zhvillimi i vendit në aspektin cilësor duket se po ecën me hapa
të ngadaltë. Kjo përcaktohet nga niveli i varfërisë dhe nga vulnerabiliteti
ekonomik e social që ka kapur zonat periferike të vendit. Po rriten pabarazitë
dhe diferencat ndërmjet shtresave sociale dhe kjo po zgjerohet çdo ditë.
Pasuria ka tendencën të përqëndrohet në pak duar. Po t’u referohemi disa
shifrave të raportit të Bankës së Shqipërisë 2020-2021 dhe të dhënave të tjera
nga institucione të pavarura, afërsisht 5% e popullsisë zotëron gati 90% të
pasurisë kombëtare, ose 4% e depozituesve (depozitues janë afërsisht 2.4 milion
vetë) në bankat e nivelit të dytë zotërojnë rreth 3.7 miliard euro ose 45% e
depozitave (depozita gjithsej janë 9.2 deri 9.5 miliard euro).
Si duhet ngushtuar ky hendek? Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar na
këshillojnë të shikojmë politikat fiskale, me synimin që kush ka më shumë të
ardhura të paguajë më shumë taksa. Efektive do të jetë vendosja e taksës së
solidaritetit apo taksa për të pasurit, sipas modelit gjerman, për të
ardhurat vjetore mbi 250 mijë euro, në nivelin 6-7%. Të ardhurat nga kjo taksë
të shkojnë për ndihmë sociale, rritje pensionesh, pagash etj. Kjo masë shpie në
ngushtimin e hendekut midis të pasurve dhe të varfërve. (Referohu Super rich
call to pay more taxes in Davos.)
Rritja e PBB-së nuk është shoqëruar në parametrat e
duhura me rritjen e cilësisë së jetës dhe përmirësimin e kushteve të saj. Nuk po përkthehet në një rritje të mirëqenies së qytetarëve, sepse me
gjithë përmirësimet, ende nuk kemi një shpërndarje të drejtë të të ardhurave.
Në Shqipëri vetëm 1/5 ose 20% e PBB-së shpërndahet për paga, ndërkohë që
mesatarja në vendet e OECD është 55%. Ne jemi vendi me pagën bruto mesatare më
të ulët në Ballkan (419 euro, ndërkohë që mesatarja e vendeve të Ballkanit
Perëndimor arrin 773 euro).Jemi gjithashtu vendi me produktivitetin më të ulët
në Ballkan.
Ekonomia shqiptare është përqëndruar në sektorët me
produktivitet të ulët si Fasoneria dhe Call Center. Sot në Shqipëri janë mbi 40 mijë sipërmarrje të tilla.
Po ashtu në zhvillimin e bujqësisë, nëpërmjet
politikave fiskale zhvillimore, taksave dhe tatimeve, sidomos në aplikimin me
rigorozitet e TVSH-së në masën 5-6% si në blerje dhe shitje, ashtu dhe të
subvencionet të drejtpërdrejta për bujqësinë. Modeli i aplikuar i stimulimit të
bujqësisë nëpërmjet TVSH-së 6% në blerje të prodhimeve bujqësore dhe 20% në
shitje në fazën e përpunimit nuk ishte i drejtë dhe dështoi, sepse cënon
ekuilibrin e TVSH-së. Ky është tatim mbi konsumatorin me ndikim të
drejtpërdrejtë në rritjen e konsumit apo uljen e tij. Bujqësia shqiptare, me gjithë
tendencën rritëse, është më shumë deficitare, prodhon shumë në sezon, por ky
prodhim shitet me çmime të ulta duke dëmtuar prodhuesit (fermerët). Kjo ka bërë
që shumë prodhime të lihen pa mbledhur sepse çmimet e shitjes nuk justifikojnë
kostot e prodhimit.
Bujqësia dhe blegtoria duhen stimuluar nëpërmjet
subvencioneve, jo fermerë të veçantë, por bashkësi të fermerëve (Shoqata
fermerësh) duke stimuluar koperimin për teknikën bujqësore, farërat etj., për
kapitale, informacion, vizion dhe mbrojtje tregtare. Ka ardhur koha për ta
kthyer bujqësinë shqiptare me projekte afatgjata në bujqësi intensive të
orientuar drejt tregut, sidomos për eksporte. Vëmëndje për masa të shpejta i
duhet kushtuar zhvillimit të tregut të tokës në fashat, e pa ndarë kjo me krijimin
e mundësive ku njerëzve t'u rikthehet besimi për tu marrë me tokën, të
sigurojnë të ardhura prej saj dhe punës, për të jetuar në zonat rurale.
Kështu sigurohet rikthimi i energjive intelektuale dhe muskulore, sidomos
nga të rinjtë, për tu përdorur me efektivitet, dinjitet dhe prosperitet brenda
vendit.
Pse po pengohet zhvillimi ekonomik i vendit dhe në
veçanti bujqësia?
Së pari. Rreth 95% e
sipërmarrjeve shqiptare kanë 1-10 të punësuar. Dimensionet e vogla limitojnë
investimet në inovacion dhe kualifikimin e burimeve njerëzore, të cilat
ndikojnë në konkurencën globale. Nëse shohim indeksin e inovacionit në botë,
Shqipëria renditet e 68-ta, pra shumë poshtë mesatares të vendeve të rajonit.
Nga të dhënat e studimeve, në sektorin e bimëve medicinale, Shqipëria ka rreth
3 mijë e 200 specie bimore, që përbëjnë afërsisht 30% të specieve të faunës që
ka Europa. Për grumbullimin e tyre punojnë rreth 80 mijë punonjës, në zonat
rurale. Në këtë industri dhe pasuri të madhe, që e gjitha shkon për eksport,
shteti investon fare pak (rreth 170 mijë deri 200 mijë euro në vit). Duhet të
zgjerohen investimet në këtë industri me subvencione për përpunimin dhe
industrializimin e bimëve medicinale, që kjo pasuri të eksportohet jo si lëndë
e parë, por si produkt i gatshëm, duke rritur vlerën e tyre. Është pasuri
natyrore që sjell vlera të shtuara dhe që duhet ti përfitojë Shqipëria dhe
shqiptarët nëpërmjet teknologjive të përparuara të përpunimit dhe jo vendet e
tjera ku eksportohen si lëndë të para.
Së dyti. Jemi vendi me nivel
arsimor ndër më të ultit në Europë. Të diplomuar nga shkollat e larta kemi, por
ata nuk kanë përgatitjen profesionale për të punuar në specialitetin përkatës
apo tregun e punës. Sipas të dhënave të INSTAT-it, rreth 22.5% deri në 25% e të
papunëve janë me shkollë të lartë, kemi 346 doktorantë pa punë, shifër kjo e
lartë. Sistemi ynë edukativ, me gjithë reformën arsimore që ka filluar të japë
shenjat e para të përmirësimit, është ende i paaftë të përgatisë profesionistë
që ti përgjigjen tregut të punës me kompetencë profesionale, sidomos në fushën
e teknologjive të reja. Ka shembuj si Estonia, me karakteristika shumë të
ngjashme me Shqipërinë, e cila sot është shndërruar në një “lojtare” tregu e
rëndësishme në lidhje me ofrimin e shërbimeve të specializuara dhe produkteve
në fushën e teknologjisë. Kjo filloi që në vitin 1992, kur niveli i të
ardhurave për frymë në Estoni dhe Shqipëri ishte afërsisht rreth 3000 USD në
vit. Ndërsa sot të ardhurat për frymë në Estoni llogariten 7 deri 8 herë më
shumë se në Shqipëri. Kryeministri i Estonisë në atë kohë, Mart Leart, ndërmori
një sërë reformash në fushën e investimeve, por dhe të politikave fiskale
lehtësuese. Do të ishte me interes të inspirohemi nga Estonia dhe politika që
ajo ka ndjekur, ta aplikojmë përvojën e saj në Shqipëri duke mbajtur parasysh
dhe kontekstin shqiptar.
Së treti. Shqipëria paguan
shtrenjtë inefiçencën e administratës publike dhe burokracinë. Zbatimi i ligjit
prej saj megjithë përmirësimet, vazhdon të lërë për të dëshiruar. Prej
studimeve jo reale e të sakta apo procedurave me mangësi nga administrata, me
mungesë profesionalizmi(veç të tjerave) p.sh. për të kaluar shërbime apo prona
publike në private në formën e koncesioneve, janë marrë vendime të gabuara. Nga
kontratat e firmosura për këto veprimtari humbet gjithmonë shteti shqiptar, si
në rastin e ÇEZ-it, koncesioneve të naftës, çështja Becetti etj., ku humbjet
llogariten disa qindra milionë euro.
Së katërti. Politikat fiskale në
Shqipëri favorizojnë më shumë të pasurit dhe barra fiskale spostohet drejt të
varfërve. Ekonomia shqiptare nuk ka të zhvilluar industrinë përpunuese, si
rrjedhojë nafta, mineralet, gurët dekorativë eksportohen si lëndë e parë. Të
punësuarit shqiptarë punojnë 48 orë në javë dhe paguhen vetëm 35-40 mijë lekë
në muaj. Paga të tilla janë nën nivelin e dinjitetit, ku nuk stimulohet konsumi
dhe nuk gjenerohet zhvillim. Këtu duhet të ndërhyjë politika fiskale që ajo të
jetë sa më e barabartë, duke favorizuar të punësuarit shqiptarë jo vetëm në
rritjen e pagës, por dhe në tatime më të ulta. Vendosja e ekuilibrit në këtë
drejtim kërkon studime dhe vendimmarrje të veçantë e të shpejtë.
Së pesti. Politika fiskale të
favorshme për investitorët e huaj. Të gjitha vendet e rajonit kanë lëvizur në
këtë drejtim, ndërsa ne si gjithmonë mbetemi mbrapa. Vazhdojmë të mbajmë
nivelin e tatim fitimit në masën 15%, si për bizneset dhe për investitorët
vendas apo të huaj, ndërkohë që Bullgaria, Bosnje-Hercegovina dhe Maqedonia e
Veriut e kanë 10%, Mali i Zi 9%, Hungaria për investimet e huaja e ka ulur
tatim fitimin në masën 9%, ndërsa Serbia subvencionon një pjesë të investimit
dhe pagat e investitorëve të huaj. Kroacia dhe Sllovenia japin subvencione për
kompanitë që investojnë në fushën e IT, etj.
Njëkohësisht duhet parë dhe klima e përgjithshme,
si në fushën e infrastrukturës, arsimit, korrupsionit, stabilitetit politik
etj.
Përballja me ekonominë informale dhe evazionin
fiskal
Mbushje të boshllëqeve dhe përmirësim të
legjislacionit për shoqëritë tregtare apo dhe ligje të tjera që lidhen me procedurat
tatimore, ligji për TVSH-në, Tatimin mbi të Ardhurat etj, janë një
domosdoshmëri për qëndrueshmërinë dhe efikasitetin e tyre. Ndryshimi çdo vit i
këtyre ligjeve krijon konfuzion për biznesin dhe politika fiskale të
paqëndrueshme. Për më efikasitet, lufta kundër evazionit fiskal duhet të prekë
tre aspekte të shoqërive tregtare: qeverisje, menaxhim dhe administrim;
politika të kontabilitetit dhe të sistemit të raportimit; praktika të mira
auditimi dhe kontrolli, jo vetëm manualisht, por nëpërmjet sistemeve të IT me
softuerë me teknologji të përparuar dhe harmonizim të shkencës e të praktikës
kontabile me shkencat e disiplinat e tjera, duke përgatitur kontabilistë me
njohje komplekse, që t’i pëtgjigjen kërkesave të shek. XXI.
Luftën kundër ekonomisë informale dhe evazionit
fiskal duhet ta shikojmë në kushtet e Shqipërisë nga pikëpamja social-kulturore
dhe psikologjike. Mënjanimi nga punësimi i personave nepotikë apo militantë dhe
prioriteti për emërimet e punonjësve profesionistë, është një masë sociale me
rëndësi në sigurimin e prosperitetit dhe forcimin e shtetit ligjor.
Theksi duhet vënë në shtimin dhe përmirësimin për
të njohur këto dukuri dhe në bashkëpunimin mes faktorëve të ndryshëm që mund të
kontribuojnë në realizimin e njohjes më mirë të tyre, si dhe në masat për t’i
minimizuar ato. Po t’u referohemi shifrave dhe burimeve të ndryshme për vitin
2020-2021 Shqipëria për 1 milion banorë prodhon dhe mbledh më pak të ardhura
publike për të njëjtën bazë krahasimi me vendet e tjera. Për shembull, Kroacia për
1 milion banorë prodhon 13,4 miliardë USD dhe mbledh tatim-taksa 6.2 miliardë
USD në vit, ndërsa vendi ynë prodhon rreth 4.5 miliardë USD dhe mbledh 1.3
miliardë USD në vit. Pra Shqipëria renditet e fundit në rajon duke përjashtuar
vetëm Kosovën. Nëse luftën kundër ekonomisë informale dhe evazionit fiskal do
ta shihnim pastërtisht vetëm nga perspektiva e politikëbërjes dhe politikave
administrative, atëherë këtë luftë do ta ngrinim mbi katër elemente, që janë: marrëdhëniet
shtet-biznes; vlerësimi i detyrimit tatimor të bizneseve dhe zbatimi i
drejtë i tyre; dokumentimi i veprimtarisë së biznesit dhe modeli i
administrimit me standard; e teknologji e përparuar dhe e integruar me
trekëndëshin Doganë-Tatime-Kasë (Konsumator).
Çelësi i administrimit dhe luftës kundër
informalitetit e evaziont fiskal tek trekendëshi: Doganë-Tatime-Konsumator
duhet gjetur nëpërmjet teknologjisë së informacionit të fiskalizimit. Në
prespektivë duhet menduar për heqjen e TVSH në doganë etj. TVSH në doganë që
biznesi e paguan në formë, paradhënie duhet të paguhet sipas kuptimit të këtij
tatimi, kur malli krijon vlerë të shtuar, pasi shitet. Kjo mënyrë e të paguarit
të TVSH-së në doganë, me argumentin se nuk mblidhet dot gjatë procesit të
krijimit të vlerës, e rëndon gjendjen financiare të biznesit, sepse ai paguan
një tatim që nuk e ka realizuar. Kjo ka dhe kosto shtesë për biznesin, i cili,
në disa raste, për të gjetur këtë tatim në doganë, detyrohet të marrë kredi ose
overdraft. Po ashtu duhet studiuar heqja dhe reduktimi i mëtejshëmi i
referencave në doganë për një grup të caktuar mallrash, të cilat rritin koston
e biznesit. Dogana duhet të veprojë me vetdeklarimin që bën biznesi dhe
dokumentet shoqëruese që disponon për importet nga vende të ndryshme.Në
Shqipëri nuk është aplikuar asnjëherë amnisti fiskale. Mendojmë se një amnisti
fiskale mund të bëhet vetëm kur shteti t’i ketë kapacitetet e nevojshme
administrative për ta zbatuar drejt atë, dhe sidomos nëse është i përgatitur që
ta zbatojë drejt dhe me eficencë ligjin në të ardhmen, duke mos lejuar
përsëritjen e fenomenit. Pra, të krijohet besimi se ligji do zbatohet me
korrektësi, njëlloj për të gjithë, dhe shkelësit do të dënohen. Përndryshe,
amnistia do të rrisë pakënaqësinë tek ata që e zbatojnë ligjin dhe do të
shkatërrojë besimin tek ligji dhe tek qeveria.
Lideret e demokracive të përparuara në Europë dhe
SHBA nuk i vendosën binarët e demokracisë kundër taksave, por përkundrazi
ndërtuan sisteme të tilla taksash që ti përgjigjen nivelit kulturor ekonomiko e
shoqëror, dhe demokracisë së një vendi të caktuar.
Prof.dr. Agim Binaj
Fahri Dahri ekspert ekonomie
Tiranë, më 07/09/2022