Mendime
Adil Fetahu: Programi i Qeverisë dhe fjalimi i Nolit në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve
E premte, 09.09.2022, 08:00 PM
PROGRAMI I QEVERISË , DHE FJALIMI I NOLIT NË ASAMBLENË E LIDHJES SË KOMBEVE
*Programi
ishte i shkëlqyeshëm, por nuk po realizohej
*Fjalmi
ishte brilant, por nuk i solli asnjë dobi Shqipërisë
Nga
Adil FETAHU
Ka mendime të ndryshme për atë se si erdhi deri
te ndërrimi i Qeverisë Zogu me Qeverinë Noli. Përmbysjen e Qeverisë Zogu disa e
quajnë revolucion demokratik, dikush e quan kryengritje, të tjerë e quajnë rebelim i armatosur,
avanturë politike, gushtshtet etj. Mund
të pranohet cilado prej
variantave të përmendura, përveç
atij “revolucion demokratik”,
sepse nuk mund të quhet demokraci dhuna,
e aq më tepër dhuna e armatosur.
Përmbysjes së Qeverisë Zogu i ka parapri një kaos i vërtetë i rebelimit të
armatosur të opozitës me segmente të ushtrisë dhe xhandarmerisë, sikur ajo
që ndodhi në e vitin e mbrapësht 1997, të cilën e kemi parë. Në kryeministrin Zogu u bë atentat (23 shkurt 1924).
Për t’iu shmangur gjakderdhjes së mëtejme, kryeministri dha
dorëheqje (më 25 shkurt), ndërsa detyrën e kryeministrit e mori Shefqet
Vërlaci (30 mars). Më 20 prill, plagoset për vdekje Avni Rrustemi. Varrimi i tij në Vlorë u
shndërrua në manifestim të hapur kundër Ahmet Zogut, mbi të cilin binte dyshimi
për vrasjen e Avniut. Grupet e armatosura rrebele, nga Jugu në Veri kishin
përkrahjen nga jashtë (nga Italia, Jugosllavia dhe Greqia). Qeveria e Vërlacit
nuk mundi ta qetësojë situatën kaotike në vend. Udhëheqjen e qeverisë shqiptare e mori Iljaz Vrioni, prej 27 maj deri më 10 qershor 1924.
Si u zgjodh Noli kryeministër
Direktoriati Ushtarak që u formua në Vlorë nga
përfaqësues të forcave të rebeluara të ushtrisë
dhe të opozitës, mori rolin e
Këshillit të Lartë Kombëtar dhe më 16
qershor ia besoi mandatin Fan Nolit, për të formuar qeverinë e re. Në librin e
Roland Qafokut “Historia e 33 kryeministrave të Shqipërisë”, shkruan se
zgjedhja e Nolit për kryeministër u bë me short. Ishin tre emra kandidatësh për
atë post: Sulejman Delvina, Qazim Koculi dhe Fan Noli. Emrat e tyre ishin
shkruar në tri copa letrash, shorti e kishte tërhequr letren me emrin e imzot
Fan Noli. Kështu Noli u bë kryeministri i 13 me radhë i qeverisë së
Shqipërisë. Më 17 qershor nisi
mandatin qeveria me këtë përbërje:
Imzot Fan S. Noli, kryeministër
Kolonel Rexhep Shala, ministër i brendshëm
Sulejman Delvina, ministër i punëve të jashtme
Kolonel Kasem Qafzezi, ministër i luftës
Stavro Vinjau, ministër i drejtësisë dhe arsimit
Luigj Gurakuqi, ministër i financave
Qazim Koculi, ministër i punëve publike.
Më 19 qershor 1924, qeveria prezantoi program të
admirueshëm, me motive të larta, për zbatimin e reformave thelbësore ekonomike, politike dhe ushtarake. Programi i
Qeverisë Noli, edhe sot është për lakmi në shumë pika. Pikat e Programit
parapriheshin me një manifest, në të cilin shkruante:
“Politika shkatërrimtare e qeverisë së fundit ka
krijuar kaq dëshprim në vend, sa që rezultati më në fund qe kryengritja dhe
vëllavrasja. Rezultatet e administrimit të ministrave të fundit janë buxheti i
rrënuar me një deficit të madh, çorganizimi i shtetit në të gjitha
institucionet e tij, pasiguria në të gjithë vendin, anarki në organet
shtetëtore, krijimi i pushteteve personale jashtë dhe mbi pushtetin e shtetit, krahas vrasjes apo përpjekjeve për të vrarë shtetas
apo të huaj. Këto fakte të pakundërshtueshme kanë dëmtuar themelin e vendit, na
kanë diskredituar brenda dhe jashtë vendit dhe kanë hedhur dyshime në mendjen e
shqiptarëve dhe të huajve për aftësinë e shetit tonë për të jetuar.
Për të kurorëzuar veprën e dobishme të
kryengritjes dhe duke u mbështetur mbi besimin që na ka dhënë populli, ne
pranuam barren e rëndë të drejtimit të punëve të shtetit, që na u besua nga
Këshilli i Lartë i Regjencës, dhe kështu i premtojmë popullit tonë mëkëmbjen
graduale nga gjendja kritike e krijuar nga puna shkatërruese e paraardhësve
tanë, nëpërmjet zbatimit të programit të mëposhtëm:
1. Çarmatimi i përgjithshëm i popullsisë, pa
përjashtim.
2. Vendosja e qetësisë, rendit dhe sovranitetit
të ligjit.
3. Të ngremë autoritetin e shtetit mbi çdo
pushtet personal dhe jashtëligjor.
4. Të çrrënjosim feudalizmin, të çlirojmë
popullin dhe të vendosim përfundimisht demokracinë në Shqipëri.
5. Të bëjmë reforma radikale në të gjitha degët e
administratës, civile dhe ushtarake.
6. Të thjeshtëzojmë organizimin e administratës
dhe ta shurtojmë e ta pastrojmë atë: përveç aftësisë dhe moralit do të merret
parasysh edhe atdhetaria e çdo nëpunësi.
7. Sigurimi I të drejtave të nëpunësve dhe
përcaktimi i përgjegjësive të tyre do të vendosen me një ligj të veçantë.
8. Të organizojmë prefekturat, në mënyrë që të
përmirësojmë kushtet e fshatrave dhe të fshatarëve, duke u dhënë këtyre të
fundit kompetenca të gjëra në çështjet lokale.
9. Të baraspeshojmë buxhetin me kursime
rrënjësore.
10. Të ndryshojmë sistemin e mbledhjes së taksave
në mënyrë të favorshme për publikun.
11. Të përmirësojmë kushtet e bujqëve, në mënyrë
që të sigurojmë pavarësinë e tyre ekonomike.
12. Të lehtësojmë futjen e kapitalit të huaj, të
mbrojmë dhe të organizojmë pasurinë e vendit.
13. Të rrisim prestigjin e vendit jashtë.
14. T’i japim liri të plotë bashkiake çdo qyteti.
15. Të bëjmë reforma gjyqësore.
16. Të ndërtojmë rrugë dhe ura të reja dhe t’i
kushtojmë kujdes të posaçëm mjeteve të komunikacionit në të gjithë vendin.
17. Të organizojmë kushtet sanitare të vendit,
për të luftuar sëmundjet që po shkretojnë popullsinë.
18. Të organizojmë dikasterin e arsimit me
orientime moderne dhe praktike, që shkollat të nxjerrin qytetarë të zotët,
atdhetarë të mirë dhe punonjës të aftë.
19. Të mbajmë marrëdhënie miqësore me të gjitha
shtetet dhe në veçanti me vendet fqinje.
Me kthimin e kushteve normale, ne do të thërresim
vendin në zgjedhje të përgjithshme dhe me votim të fshehtë, të drejtpërdrejt
dhe krejtësisht të lirë populli do të japë verdiktin e tij për punën tonë,
verdikt të cilit ne jemi të gatshëm t’i nënshtrohemi.
Ne nuk i mohojmë vështirësitë që i bashkohen
përmbushjes së premtimeve tona, as nuk themi që ky program do të zbatohet menjëherë
në tërësinë e tij, por ne jemi të bindur që, me ndihmën e të Gjithfuqishmit dhe
me mbështetjen e popullit, do të jemi në gjendje ta realizojmë këtë
shkallë-shkallë”,- thuhet në fund të pikave programore të Qeverisë, ku jepet
nënshkrimi: Fan Noli. (Teksti kurziv është marrë nga
libri: Joseph Swire, “Shqipëria, ngritja e një mbretërie”, i përshtatur të
folmës dhe drejtëshkrimit të tashëm).
Programi qeveritar u mirëprit, sepse shprehte
interesat e shtresave të gjëra të popullsisë. Shumica e pikave të programit të
Qeverisë Noli, kishin qenë edhe në programet e qeverive të mëparshme, por që
nuk kishin mund të realizohen, për shkak të situatës jostabile politike e të
sigurisë dhe për shkak të mungesës së financave.
Një gabim të nxitueshëm dhe të pafalshëm e bëri
qeveria e re, kur formoi një gjykatë politike për të eliminuar kundërshtarët
politik, e cila i dënoi me vdekje e me konfiskim të pronave, Ahmet Zogun,
Shefqet Vërlacin, Iljaz Vrionin e të tjerë, poqese do t’i zënin. Ndiqeshin e
persekutoheshin personat e regjimit të Zogut dhe pasanikët e njohur. Ishin
future në një listë 196 veta për t’i gjzkuar.
Gjendja në vend nuk u qetësua as pas formimit të Qeverisë Noli. Ajo
qeveri nuk u njoh nga shtetet e tjera, me pretekst se konsiderohej jolegjitime,
pasi nuk ishin organizuar zgjedhjet për Parlamentin, rrjedhimisht qeveria nuk
kishte legjitimitetin e duhur, pasi nuk ishte e zgjedhur nga Parlamenti. Emërimi i ministrave të Kabinetit Noli ishte
imponim nga Direktoriati Ushtarak, i cili kishte marrë kompetencat e Këshillit
të Lartë Kombëtar, kështu që as shumica e ministrave nuk e përkrahnin Nolin,
por vepronin krye në vete. Qeveria nuk kishte mjete financiare për të
zbatuar reformat e përcaktuara në programin e saj. Noli kishte
kërkuar nga Lidhja e Kombeve një hua prej 300 milionë franga ari, por kjo nuk
iu dha. Në lidhje me atë hua të kërkuar, Noli në mbledhjen e Asamblesë të
Lidhjes së Kombeve, në Gjenevë, më 10 shtator 1924, mbajti një fjalim që
mahniti të pranishmit dhe mediat e botës, por që nuk i solli asnjë dobi
Shqipërisë.
Kryesuesi i Asamblesë, zvicërani Guiseppe Motka,
duke ia dhënë fjalën Nolit, tha se “folësi i fundit është imzot Fan Noli, i
pari delegat i Shqipërisë. Kam nderin ta përshëndes si kryeministër dhe kryetar
i qeverisë shqiptare. Shqipëria si dhe Zvicra, janë shtete të vogla, por
përfitoj nga ky rast të shtoj se të gjitha shtetet anëtare të Lidhjes së
Kombeve janë të barabarta para ligjit” (Shqipëria u pranua anëtare e Lidhjes së
Kombeve më 17 dhjetor 1920, v.j.).
Për lexuesit e shumtë, të cilët nuk kanë pasur
rastin të njihen me përmbajtjen e atij fjalmi të Nolit, marrë nga burime të ndryshme të internetit,
po e botojmë këtu, si vijon:
“Kam frigë se edhe më i nxehti paqëdashës, po
t’i hedh një sy punës së kryer nga
Lidhja e Kombeve gjatë këtyre 5 vjetëve (Lidha e Kombeve u themelua më 10 janar
1920, v.j.), do t’i ngrejë duartë dejtë
qiellit nga dëshprimi dhe do të bërtasë: Oh! Më mirë luftë sesa të gjitha këto
llomotitje të mërzitshme për paqen! Ç’kemi bërë për paqen? Çfare po bëjmë tani
në këtë çast në këtë Asamble? Ajo që është bërë këta 5 vjetë të shkuara, pushon
qetë-qetë në paqen e përjetshme, e mbyllur fort, e varrosur në dosjet e vdekura
të Sekretariatit, të ruajtura me kujdes prej atij fort të ndershmit e të
shquarit xhentelmen, që është Seketari i Përgjithagën (Sekretar i Përgjithshëm ishte britaniku James Eric
Drummond, sh.j.). Është e vërtetë se
Lidhja e Kombeve ka bërë disa shërbime të vogla për paqen e përgithshme dhe në
veçanti nuk lejoi copëtimin e Shqipërisë, duke siguruar kështu paqen dhe rendin
në Ballkan.
Siç e dini, Shqipëria ishte një kaçkë e fortë për
t’u thyer dhe më e rëndë për t’u ndarë, kështu që Lidhja e Kombeve me mençuri
vendosi ta lerë Shqipërinë të qetë, të lirë, të lagur nga valët e Adriatikut.
Por, ju lutem zoti Sekretar i Përgjithshëm, përse refuzoni t’i jepni Shqipërisë një hua që do t’i mundësonte
të ecte vetë? Ne nuk na duhen më tepër se 300 milionë fr.ari. Apo më shumë?
Atëherë po bëj gjestin elegant të zbres në shumën modeste 200 milionësh. Ju tundni
kokën. E po jam gati të hyj në bisedime për një shumë më të vogël, për
shembëll, për 100 milionë. Më falni, mos pretendoni se nuk më keni takuar kurrë
dhe pra nuk jeni i predisponuar të më jepni asnjë dhjetëshe? Atëherë, merreni
këtë kërkesën time dhe varroseni në dosjet e vdekura të Sekretariatit, kyçeni
mirë dhe mbyteni fort përpara se ta futni në akropolin tuaj, sepse mund t’ju
dalë nga varri.
Ndoshta, Sekretari i Përgjithshëm ka dashur të
thotë se ai nuk dëshiron që të hyjë në bisedime për një hua me një qeveri
kryengritëse, që nuk ka parlament, një qeveri si ajo që kryeson i përunjuri
prift që po ju flet. Po a e dini ju se ç’është paramenti? Pa dyshim se e dini.
Por do të keni një ide më të qartë kur t’ju them ç’mendoj unë për të. E pra,
parlamenti është një sallë ku mblidhen politikanë të pa shpirtë, për të bërë prova operate në
trupin e gjallë të racës së tyre, në sallë plot me gazra helmuese, gazra
mbytëse, gazra që shkaktojnë lot dhe të qeshura, si dhe të gjitha gazrat e
tjera që u përdorën gjatë luftës së fundit për t’u dhënë fund të gjitha
luftërave për të vendosur paqen, atë paqe për të cilën po flasim.
Por, pasi ngulni këmbë, ne nuk refuzojmë të bëjmë
zgjedhje të reja e të thërresim atë
paqë, atë fatekqësi të madhe, atë bestytni të shëmtuar, që është
parlamenti, pasi të kemi bërë dy ose tre vjet qeverimi atëror. A do të pranoni
atëherë, zotri Sekretar i Përgjithshëm të më jepni pas tre vjetësh atë huanë
prej 400 milionë fr.ari, për të cilën ramë dakort para disa minutash? Ju
përgjigjeno prapë – jo. E dija.
Mirë pra, le të flasim për paqen. Më duket se nuk
ka gjë tjetër më të keqe sesa të bëjmë këtë. Them “më duket”, sepse dua që ju të gjithë ta dini se unë kam
banuar për shumë vjet në Amerikë, në Boston, një qytet që ndodhet diku në
Irlandë dhe që është mbushur me ‘O Conors, O’conells dhe Fitzgeralds, të gjithë
folës të mirë, folës fort të shquar, të cilët, bashkë me irlandezë të tjerë të
ardhur nga qytete të tjera irlandeze, marrin përsipër barren e të folurit në
fushatat elektorale amerikane. Do të doja që kolegët tanë të nderuar,
përfaqësuesit e Republikës së Irlandës, të sjellin këtu disa nga këta oratorë
të mbaruar për të na mbytur me fjalime për paqen. Nuk është aspak për t’u
çuditur që amerikanët, gjermanët dhe rusët nuk kanë fort dëshirë të hyjnë në
Lidhjen e Kombeve. Duket se nuk e çmojnë elokuencën tonë. Punojnë me mend. Për
emrin e Perëndisë, zoti Kryetar, pse nuk u jepni fund këtyre llomotitjeve dhe
nuk më jepni atë hua pej 500 milionë fr.ari, që më premtuat para se ta merrja
fjalën?
Dhe tani që iu përgjigja pyetjës së parë, se ç’ka
bërë Lidhja e Kombeve këto 5 vjetët e fundit, më lejoni të vij të pyetja e dytë
dhe e fundit: Ç’të bëjmë, e ç’po bëjmë ne në këtë Asamble? Përgjigja është e
lehtë. Do ta gjeni te Shekspiri: ”Fjalë, fjalë dhe vetëm fjalë”, dmth. erë dhe
e asgjë më tepër. Është një përrallë e dhënë prej një idioticplot me bujë e
tërbim, pa kurrëfar kuptimi. Po cili është përfundimi i gjithë këtyre
bisedimeve të mençura e të thella mbi çarmatimin dhe traktatet e arbitrazhit?
Këto çështje iu dhanë për shqyrtim një komisioni, që do t’ia kalojë një
nënkomisioni, i cili do t’ia parashtrojë
konkluzionet e tij një konference që do të mblidhet së shpejti dhe kjo
konferencë do t’ia dërgojë përsëri këto çështje një komisioni, pastaj një
nënkomisioni, i cili do t’ia referojë komisionit që do t’ia dërgojë një raport
konferencës! Konferenca do të votojë njëzëri një rezolutë dhe kjo e fundit do
t’i jepet për shqyrtim Këshillit të Lidhjes së Kombeve. Këshilli nga ana e tij,
do t’ia kalojë atë rezolutë Asamblesë së ardhshme atje lart në qiell! Dhe kur
kjo çështje ta ketë bërë këtë cikës poetik zvarritjesh e kundërzvarritjesh,
raportesh e kundërraportesh, mendimesh e konsultimesh, atëherë do t’i dërgohen së fundit Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve, i cili
do t’i mbyllë me kyç mirë e mirë dhe do t’i
varrosë në dosjet e vdekura të Sekretariatit, ku do të mbahen brez pas
brezi. Dhe natyrisht se kjo do të thotë,
që e gjithë kjo histori ka mbaruar siç mbarojnë fluskat e sapunit. Por,
ç’fjalime, ç’fjalime të bukura, të fryra e të stërfryra do t’i shoqërojnë këto
rezoluta e këto dëshira! Sa fort i dua! I dua me atë erën e keqe të moçaleve të
fëlliqura, si kërma të pambuluara që
helmojnë ajrin kur merr frymë. Por ja, përse përse jua drejtova fjalën
sot. Dhe me qenë se po flasim për fluska sapuni, a mund të bëj disa vërejtje
lidhur me fluskën më kolosale që ka
nxjerrë historia modern, dua të them për Planin Dawes. Por, a është vërtetë ky
një fluskë? Jo, është një kombinacion fluskash, kombinacion hipokrit, i
ndërlikuar, djallëzor, infernal. Nuk është një fluskë ordnere, është një
supërfluskë. or është e kotë të trembeni. Do të mbarojë edhe kjo fatalisht si të gjitha fluskat e vogëla që ne
lëshojmë këtu. Është tepër e ndërlikuar që të mund të ketë sukses; ajo mund t’i
sigurojë ndonjë post nënpesidenti autorit të saj të shquar, por kam frikë se
nuk do të dalin prej andej veçse shumë pak miliarda reparacionesh për Francën
dhe Belgjikën. Këto të dyja vertetë do t’i marrin.
Nuk është qëlimi im që të ju mërzis, por ky është
fati. Kjo supërfluskë e gjeneralit Dawes do t’i përcillet, në fund të fundit,
Lidhjes së Kombeve.
I dashur Sekretar i Përgjithshëm, përgatitni , ju
lutem, një kënd të thatë, një kënd shumë të thatë në varrin e dosjeve të
vdekura, sepse ju e dini se zoti Daws është amerikan dhe se Amerika është një
vend i thatë, megjithëse nga koha në kohë, me rrugë të nëndheshme, ajo njomet
vetëm sa për t’u zbavitur, falë
përppjekjeve të kontrabandistëve.
Duke folur për fluskat, përsëri më vjen në mend
ajo huaja e bekuar prej 600 milionë fr.ari, të cilën i nderuar Kryetar i kësaj
Asambleje, si dhe i dashuri Sekretar i
Përgjithshëm, më premtuan për Shqipërinë disa minuta më parë. Kjo hua
është një fluskë pasqeje, një fluskë paqe fort konsistente. Por jo, nuk është
aspak një fluskë: ajo që doja të thosha është se kjo hua mund të përgatitë
paqen në Ballkan, ajo mund të lehtësojë realizimin e konfederatës ballkanike,
por ia vlen të flitet për te?
Sekretar i Përgjithshëm,merrni edhe atë dhe futeni
në varrin e dosjeve tuaja të vdekura, futëni në nekropolin tuaj.
Pasi iu përgigja dy pyetjeve që shtrova, më
mbetet tani të nxjerr konkluzionin, të cilin do ta diskutoj në trajtën e dy
pyetjeve të tjera. Para së gjithash, në dritën e fakteve që u përmendën, a ia
vlenë barra qeranë që të kemi një Lidhje të Kombeve? Së dyti, në ast se ia
vlen, cila duhet të jetë metoda për t’ia arritur qëllimit, që është paqeja
univerzale?
Pyetjes së pare
do t’i përgjigjem në mënyrë pohuese. Edhe sikur Lidhja e Kombeve të jetë
një ëndërr, një utopi që i bënë skeptikët të tallen e të shtrembërojnë buzët,
ajo duhet të qëndrojë aty si një ideal që intepreton aspiratat më fisnike të
njerëzimit. Ajo duhet të qëndrojë aty si një sfidë kundër lavdisë groteske
militariste. Ajo duhet të qëndroë aty si një pohim solemn i vullnetit univerzal
për paqen. Ajo duhet të qëndrojë aty derisa bukuria e saj, fisnikëria e saj,
shpirti njerëzor i saj, nevoja e
domosdoshe e qenies së saj, të kuptohen nga e gjithë bota. Sepse, fundi i
fundit, me gjithë t ëmetat që ka sot, ajo meriton të pritet me këto fjalë: “O,
mgjithatë qëndro, ti je kaq e bukur”!
Përse të jemi kaq pesimistë? Aspiratat për paqe i
kemi kudo dhe për këtë s’ka asnjë dyshim. Përndryshe, ne nuk do të kishim as
komedinë e fluskave e supërfluskave që po na mbulojnë. Dhe pikërisht, sepse
popujt duan paqe, ndërsa burrat e shtetit, politikanët u sevirin atyre kohë pas
kohe fluska arbitrazhi, fluska çarmatimi dhe superfluska reparacionesh.
Por, paqja nuk do të vijë prej traktateve. Këto janë
të destinuara të hidhen shpejt a vonë në shportë. Paqja do të vijë nga edukimi
shkollor. Duhet t’ua mësojmë fëmijëve tanë se vrasjet me shumicë janë po aq
krime sa edhe vrasjet me pakicë. Duhet
t’ua mësojmë se ka vetëm një Perëndi që duhet t’i shërbejnë, Perëndia e
njerëzimit, i njëjtë për të gjitha tributeë. Duhet t’i mësojmë të bëhen anëtarë
të ndershëm të supërshtetit që do të përmbledhë të gjitha tiebutë, të bëhen
qytetarë fisnikë të federatës së përbotshme, që është në realizim e sipër dhe
që do të realizohet me siguri.
Kur fëmijët tanë të kenë mësuar këto të vërteta
të thjeshta, atëherë nuk do të kemi vetëm çarmatimin moral që do t’i parprijë
çarmatimit material, por do të kemi
gjithashtu bashkëpunimin e vëretë të të gjitha racave të botës për sigurimin e
paqes, progresit dhe prosperitetit ndërkombëtar. Të gjitha të tjerat sillen
rreth kësaj. Këtu qëndron thelbi i çështjes. Por përpara se të vijmë aty, duhet
të pranojmë njëherë, se jemi të gjithë tribu të egra,derisa i bëjmë kurbane
njerëzish Molohut të tribusë.
O, vritni, varrini, ndiqni në të katër anët e
botës këto hyjni barbare e antropofage, që e kanë mbushur historinë e
njerëzimit me kaq vuajtje e urrejtje, me kaq rrëfime, me kaq gjak, me kaq
tmerr! Vështroni sytë e njerëzimit që vuan pas shkatërrimeve të luftës
botërore. Nuk ka dhembje që të mos krahasohet me dhembjen e tij; asnjë
sakrificë nuk do të ishte tepër e madhe për t’i shpëtuar fëmijët tanë nga
luftëra të reja dhe lotë të tjerë.
Përpara o shokët e mi! Bota është gati për
Ungjillin e ri. Flamuri i Lidhjes së Kombeve është më fisniku që është ngritur
deri më sot. Ushtarët e saj janë më trimat që ka nxjerrë bota ndonjëherë.
Qëllimi i saj është maja e përarimit të njerëzimit. Shpirti i Wilsonit, ati dhe
profeti i saj, na udhëheqë. Vështirësitë janë tepër të mëdha, por shtrini
kurajon tuaj deri në pikën e fundit dhe mundimet nuk do të ju vejnë kot”!
* * *
Noli ishte kryeministri më i arsimuar dhe më i
kulturuar nga të gjithë kryeministrat
qeverive shqiptare dhe të Ballkanit deri atëherë, por edhe deri më sot.
Ishte edhe atdhetar i flaktë. Por ato cilësi nuk mjaftonin për të qenë edhe
kryeministër i suksesshëm në Shqipërinë e trazuar, nga brenda e nga
jashtë. Qeveria e tij nuk u njoh as nga
fuqitë e mëdha, as nga shtetet fqinje. Ishte në izolim të plotë diplomatik. Kot
u mundua Noli nëpër Europë të fitonjë njohjen e qeverisë së tij. Për gjashtë
muaj qeverisje, 55 ditë qëndroi jashtë vendit, duke kërkuar njohjen, por nuk e
mori dot, as nga Amerika në të cilën shpresonte. Marrëdhënie diplomatike
qeveria Noli mundi të zhvillojë vetëm me Bashkimin Sovjetik, gjë që nga fuqitë
europiane interpretohej si orientim i tij kah bolshevizmi sovjetik.
Fjalimi i Nolit në Asamblenë e Kombeve ishte
brilant nga aspekti literar dhe retorik, por aspak i dobishëm nga aspekti
politik dhe diplomatik ndërkombëtar. Sepse e vuri në shpoti punën pesëvjeçare
të Lidhjes së Kombeve, duke thënë se për pesë vjetë ajo organizatë ndërkombëtare
bëri vetëm fjalë. E shpotiti, deri në burleskë, Sekretarin e Përgjithshëm të
Lidhjes së Kombeve, për atë hua që nuk po i jipej. Retorika e Nolit, këtij
kryeministri të madh të një vendi të vogël,
u prit me duartrokitje frenetike nga delegatët e Asamblesë, dhe u bë
magnet për mediat botërore, që e lavdëruan deri në kupë të qiellit, por
Qeverisë dhe Shqipërisë së tij nuk i
solli asnjë dobi.
Për shkak të pamundësisë për të zbatuar reformat
që kishte premtuar, enthusiazmi i shtresave popullore u shndërrua në zhgënjim ndaj qeverisë së
Nolit. Atmosfera e paknaqësisë së brendshme dhe të jashtme ndaj qeverisë Noli,
i shkonte në favor synimeve të Zogut për t’u kthyer e marrë përsëri qeverisjen
e Shqipërisë, me dhunë sikur që ishte detyruar ta lejë atë. Dhe këtë e bëri më
24 dhjetor 1924, kur u kthye në Tiranë, dhe më 6 janar 1925 mori drejtimin e
qeverisë. Noli, me rreth 350 personalitete tjera u arratis nga Shqipëria, për
të mos u kthyer kurrë më në atdhe, të cilin e deshi aq shumë, por në të cilin
jetoi vetëm 5 vjet, nga tërë mosha e tij 83-vjeçare. Edhe gjatë gjithë kohës së
qëndrimit në megrim, Noli tërë dijen, përvojën dhe lidhjet miqësore me
personalitete dhe institucione të rëndësishme të Amerikës, i vuri në shërbim të
afirmimit dhe përparimit të Atdheut të vet – Shqipërisë. Vdiq më 13 mars 1965
dhe u vorros në Masaçusets, ShBA.