Mendime
Florim Zeqa: Me ADN-në drejt sistemit presidencial!
E marte, 13.09.2022, 07:38 PM
Me ADN-në drejt sistemit presidencial!
Shkruan:
Florim Zeqa
Jam i vetëdijshëm se një shoqëri e katandisur
nga antivlerat nuk i kapërdin lehtë ndryshimet pozitive, por jam thellësisht i
bindur se në heshtje i përqafon ato. Prandaj e kam vendosur ta sfidoj veten në
përballje me partitë e dështuara politike me bindjen e fuqishme në elektoratin
e shëndoshë kosovarë, të atyre që e duan me shpirtë dhe zemër atdheun e tyre.
Zgjedhjet
parlamentare dhe presidenciale të vitit 1992
Për
freskimin e memories së lexuesve, Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i
Republikës së Kosovës, i pari dhe historik, në zgjdhjet e para pluraliste
presidenciale e parlamentare të 24 Majit 1992 në përputhje me Kushtetutën e
Kaçanikut, me pjesëmarrje masive mbi 89 përqind, në rrethana të rënda okupimi e
shtetrrethimi nga regjimi i dhunës serbe.
Edhe
pse kanë kaluar 30 vite nga ajo kohë, Dr. Ibrahim Rugova mbetet i vetmi
president i zgjedhur drejtëpërdrejt me votën e popullit të Kosovës. Të gjithë
presidentet pas tij deri tek kjo e fundit nuk janë zgjedhur me votën e
popullit, por me marrëveshje politike, gjegjësisht përmes kontrabandimit të
votave të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Kosovës apo edhe më keq se
kaq, përmes ndërhyrjeve të tmerrshme nga jashtë, siq ishte rasti i zgjedhjes së
presidentes përmes zarfit në vitin 2011, dukuri kjo e paprecendent në vendet e
lira dhe demokratike!
Vlenë
për të theksuar se më 24 Maj të vitit 1992 zgjedhjet për Presidentin (Kryetarin
siq quhej asokohe) e Kosovës janë mbajtur në Kosovë dhe jashtë saj, në vendet
evro-perëndimore ku shqiptarët nga Kosova ishin të punësuar apo me qëndrim të
përkohshëm. Në Kosovë për Dr.Ibrahim Rugovën për Kryetar të Kosovës votuan
762.257 votues, (fletëvotime të pavlefshme dhe “kundër” ishin 3.812), ndërsa
jashtë Kosovës votuan 105.300 votues. Gjithsej 867.557 votuan për Kryetarin e
Republikës së Kosovës.
ADN
fillim i një organizimi të ri politik
Alternativa
Demokratik për Ndrsyhim (ADN) nuk ka asgjë të përbashkët me partitë e krijuara
nga ndarjet e partive ekzistuese. Ky është fillimi i një organizimi të ri
politik konformë rrethanave të reja të kohës, pra, nuk është burim dhe as
vazhdimësi e asnjë subjekti aktual politik.
Përveç
krizës së thellë politike në të cilën e kanë katandisur vendin politikanët e
papërgjegjshëm, shtetin e Kosovës e kanë mbërthyer një varg krizash si ajo:
ekonomike, energjetike, financiare, shëndetësore dhe arsimore si pasojë e
grevave politike, e në veçanti nga rrëshqitjet e dialogut të pabarabartë me
Serbinë, ku shteti i Kosovës është duke shkuar drejt falimentimit dhe zhbërjes
fizike.
Dëshprimi
i mërgimtarëve, i dhimbshëm dhe i rëndë
Njerëzit
nuk po ikin nga Kosova nga dëshira, por nga pamundësia për të jetuar
dinjitetshëm në atdheun e tyre, ngase pushtetet e pasluftës ua mbyllen të
gjitha dyert, ua shuan të gjitha shpresat për jetë në vendlindjen e tyre.
Është
tepër e dhimbshme kur dëgjon, që të rinjë dhe familje të tëra, të lodhura nga
varfëria dhe denigrimi social, nga humbja e të gjitha shpresave për një të
nesërme më të mirë në shtetin e lirë, shesin shtëpi e pasuri për të blerë vizat
për largim, dhe me lot në sy, me dhembje në shpirt dhe zemër të coptuar e
mbyllin pragun e shtëpisë së tyre, për t'u nisur drejt një shprese të re në
vende të panjohura, të cilat jo rralë iu sjellin dëshprim dhe përfundim fatal.
Është
shumë e dhimbshme kur fëmijëve u ndërpritet fëmijëria në vendin e lindjes; kur
nxënësit ndahen nga shokët e klasës, nga mësuesi që ua mësoi alfabetin e gjuhës
shqipe, nga familja e farefisi i gjerë, ndoshta për të mos u parë më kurrë mes
vete në këtë jetë!
Por
akoma më e dhimbshme është kur dëgjon mërgimtarët e dëshpruar, me shpirtë të
thyer dhe zemër të plagosur, të thonë; “nuk do të shkojë për pushime në
Kosovë”, shkaku i zhgënjimit në partitë politike dhe politikanët kosovarë, pa
dallim pozitë dhe opozitë, në një shtet pa pikë perspektive dhe tërësisht në
duart e krimit të organizuar e mafio-oligarkisë kriminale.
Si
pasojë e kësaj situate, mërgimtarët jo vetëm që nuk duan të kthehen, nuk duan
më që as eshtrat e tyre t’iu kthehen në vendlindje! Jemi dëshmitarë se viteve
të fundit janë në rritje e sipër rastet e varrimit të mërgimtarëve në vendet ku
jetojnë dhe veprojnë prej vitesh në vendet evro-perëndimore.
Nuk
e besoj të ketë gjë më të dhimbshme, se sa thyerja shpirtërore e një mërgimtari
që tërë jetën i ka kushtuar familjes, lirisë dhe pavarësisë së atdheut të vet,
e në fund të vie në situatë të braktisë vendlindjen e tij edhe për së vdekuri!
Kosova
e sotme e getoizuar është bërë parajsë e politikanëve dhe ferr i qytetarëve, e
cila më tepër i gjason një burgu kolektiv sesa një shteti të pavarur, më tepër
i gjason një qeverisje provinciale sesa një shteti sovran, populli një kopeje
delesh të ngujuara, ndërsa politikanët u ngjajnë barinjëve të uritur!
ADN
garanton kalimin në sistemin presidencial
Sistemi
Presidencial dhe zgjedhja e presidentit të shtetit drejtëpërdrejt nga populli
(ide e kamotshme e presidentit historik Ibrahim Rugova) do t’u jepte fund
bllokadave paszgjedhore dhe mënyrës së kontrabandimit të postit të presidentit
të shtetit nga partitë politike.
Reforma
e ashtuquajtur zgjedhore e filluar në vitin 2010, e bllokuar nga qeveritë e
kaluara dhe e harruar së fundmi nga partitë opozitare, pushtetarët dhe
legjislatura e aktuale e Parlamentit të Republikës së Kosovës!
Alternativa
Demokratike për Ndryshim (ADN) fillimisht do të merret me ndryshimin e
Kushtetutës, përkatësisht ligjeve dhe akteve nënligjore që mundësojnë reformën
e mirëfilltë zgjedhore për zgjedhjen e presidentit nga populli, gjegjësisht për
kalimin nga sistemi parlamentar në atë presidencial.
Ngjashëm,
sikurse zgjedhja e presidentit, do të bëhet edhe zgjedhja e kryetarëve komunal
me votë të drejtëpërdrejtë nga populli, model pa balotazh që e garantom kalimi
në Sistemin Presidencial.
Sistemi
Presidencial eviton ngërçet dhe krizat paszgjedhore
Sistemi
presidencial paraqet çelësin e evitimit të ngërçeve politike dhe krizave
artificiale paszgjedhore të paraqitura në mënyrë serike në Kosovën e pasluftës!
Sistemi
presidencial automatikisht krijon premisat e dy blloqeve të forta
parazgjedhore, respektivisht bipolarizimin e skenës politike, gjegjësisht
krahun e djathtë dhe të majtë apo krahun e qëndres së djathtë kundrejt krahut
majtist (social, socialdemokrat, pse jo dhe komunist të qëndres së majtë).
Përderisa
në sistemin parlamentar mundësia e manipulimit me zgjedhjet është
jashtëzakonisht e madhe, në sistemin presidencial zvogëlohet në minimum ajo
mundësi, pasi vota e sovranit (qytetarit) është vendimtare në përcaktimin e
kaheve qeverisëse të vendit.
Sistemet
presidenciale janë forma të paraqitjes së demokracisë reprezentative që
dallohen nga sistemet e regjimit parlamentarë, pasi që tek këto forma fuqia politike
mbi anën ekzekutive nuk paraqitet nga parlamenti por nga presidenti i shtetit
të pavarur i cili është (do të jetë) edhe komandant suprem i Forcave të
Armatosura të Republikës së Kosovës.
E
veçanta e sistemit presidencial është zgjedhja e presidentit nga ana e
popullit. I zgjedhuri(a) e lidhë në vete funksionin e kryetarit të shtetit dhe
të kryetarit të regjimit dhe nuk mund të shkarkohet nga këto detyra nga ana e
parlamentarëve, pasi nuk ka veto parlamentare në këto sisteme qeverisëse.
Presidenti
edhe pse nuk ka të drejtë iniciative për nxjerrjen e ligjeve, e ka të drejtën e
vetos kundër parashtrimit të ligjit nga ana e parlamentarëve. Asnjë anëtarë i
anës ekzekutive nuk ka drejtë të i takojë anës legjislative të sistemit në të
njëjtën kohë.
Presidenti
është fuqiplotë në anën ekzekutive dhe kontrolluese të institucioneve
shtetërore.
Funksionimi
i parlamentit në sistemin presidencial
Përfaqësimi
në parlament bëhet sipas fuqisë elektorale, e jo si deri më tani (me
kontrabandim të deputetëve në Kuvend). Kompetencat ekzekutive i merr Presidenti
bashk me politikën e jashtme, ndërsa Kryeministri merret më shumë me çështjet e
brendshme organizative, si; Ministrinë e Punëve të Brendshme, pastaj Ministrinë
e Arsimit, të Shëndetësisë, Kulturës, etj.
Sistemi
Presidencial garanton më shumë stabilitet qeverisës dhe pavarësi më të madhe
për institucionet e pavarura në vend; si bie fjala; sistemin e drejtësisë
(pavarësimin e plotë të prokurorive dhe gjykatave, si dhe ajo çka është më
kryesorja garanton pavarësi më të gjërë të institucioneve shtetërore edhe në
raport me bashkësinë ndërkombëtare, gjegjësisht përfaqësitë diplomatike të
akredituara në vendin tonë.
Kushtetuta
aktuale e bazuar në të ashtuquajturën “Pako e Ahtisarit”, është bërë pengesë
serioze e formimit të FARK-ut dhe pengesë e vendimarrjes në Kuvend. Ndryshimi i
ligjit, përkatësisht rregullimi i një ligji për heqjen e votës së dyfisht
(vetos) të serbëve në parlament, i cili i largon përfundimisht vargonjët serb
nga qafa e Kosovës.
Për
më shumë se kaq, Kosova me Sistemin Presidencial, “De Jure” dhe “De Facto” e
merr formën e shtetit sovran, me sistemin e ri qeverisës në njërën anë dhe
Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës në anën tjetër, shteti ynë do të
bëhej partner i fuqishëm politik dhe ushtarak i Aleancës Veriatlantike,
përkatësisht NATO-s dhe SHBA-së, si garantuesin më të fuqishëm të lirisë dhe
pavarësisë së shtetit tonë.