Kulturë
Sevdail Hyseni: Një kronikë bamirësie “Lugina, gjithçka, për Kosovën”
E diele, 22.05.2022, 04:50 PM
Bashkautoret
e Monografise Hasan Emerllahu dhe Sadik Sadiku
Vështrim
Një kronikë bamirësie
“Lugina, gjithçka, për Kosovën”
Përkitazi
rreth librit monografik të bashkautorëve: Hasan Emërllahu & Sadik Sadiku
“Kronikë e një kohe (1989-1999), Lugina gjithçka për Kosovën”, SHB “Lena”,
Prishtinë, 2021, fq. 428.
Nga
Sevdail Hyseni
Presheva,
një krahinë shqiptare, gjithmonë, është përmendur për bujari, fisnikëri,
atdhedashuri, bamirësi, mikpritje. Kjo “shtyllë e fortë Kosove” historikisht e
politikisht, asnjëherë, e në asnjë periudhë kohore, nuk pushoi së vepruari për
të mirën e vëllezërve matanë kufirit, të ndarë padrejtësisht nga trungu
iliro-dardan.
Dy
bashkautorët e librit monografik “Kronikë e një kohe (1989-1999) Lugina,
gjithçka, për Kosovën, njëri gazetar i mirënjohur Hasan Emërllahu dhe tjetri
një atdhetar e humanist i devotshëm Sadik Sadiku, arritën që para lexuesve të
paraqiten me një vepër të karakterit më shumë se humanitar, një histori dekade,
kushtuar ndihmave për Kosovën, të dhënë me shifra e fakte, në mënyrë
kronologjike.
Kronika
e një kohe të vështirë, fillon me vitin 1989, kur Serbia me hekur e gjak
suprimoi Autonomia e Kosovës në ish-Federatën jugosllave, duke ndryshuar
Kushtetuta e vitit 1974 dhe duke e bërë atë si pjesë të saj.
Ky
vit për Kosovën dhe shqiptarët jashtë saj karakterizohet me protesta dhe me
ngujimin në grevë të minatorëve të Trepçës, duke lënë prapa jehonën e dhembjes
krenare me dhjetëra të rënë dëshmorë e me qindra të plagosur e të burgosur.
Shqiptarët
e Luginës së Preshevës, që me të drejtë e quajnë vetën Kosovë Lindore, gjatë
kësaj periudhe nuk rrinin këmbëkryq, ata u solidarizuan me vëllezërit e qoftë në aspektin kombëtar dhe humanitar.
Monografia
“Lugina, gjithçka, për Kosovën”, është një pasqyrë veprimtarie e Shoqatës
Bamirëse “Nëna Tereze”, dega në Rahovicë të Preshevës, kryetar i së cilës është
vet bashkautori i kësaj Monografie me vlera faktografike, historike dhe
letrare.
Libri
monografik përbëhet prej 21 kapitujsh, duke filluar nga fjala e redaktorit
Jonuz Fetahaj, për të vazhduar me ngjarje e zhvillime nga më të rëndësishmet
të ndodhura përgjatë një dhjetëvjeçarit
jo vetëm në Preshevë, por edhe rreth saj në Kosovën Lindore.
Rahovica,
vendlindja e bashkautorëve të Monografisë, gjatë aksioneve humanitare në ndihmë
familjeve nga Kosova, u bë shembull se si duhet të ndihmohet Atdhu kur është në
rrezik. Në këtë drejtim s’ka se si të mos përmendet rasti i nuses rahovicase
(Shqipe Jusufi), e cila heq stolitë e arit nga qafa dhe duart për t’ia dhuruar
motrave dhe vëllezërve të rrezikuar nga Kosova, duke u bërë një heroinë e
aksioneve humanitare dhe një shembull tipik i krenarisë kombëtare se liria
është mbi të gjitha.
Lexuesi
duke shëtitur nëpër faqet e librit të vëllimshëm monografik nga 21 kapitujt e
deri te Aneksi i fundit, ka çka të lexoj dhe të nënvizoj, duke filluar nga
aksionet humanitare me moton: “Shkolla ndihmon shkollën”, “Familja ndihmon
familjen”, “Individi- individin” e kështu me radhë, të gjitha me një organizimi
të mirëfilltë humanitar e kombëtar.
Nuk
ishte edhe aq lehtë të organizosh ndihma në një shtet diktatorial siç ishte
Serbia e kasapit të Ballkanit, Slobodan Milosheviq, e cila ushtronte dhunë dhe
terror edhe mbi ata që grumbullonin dhe shpërndanin ndihma solidare gjithandej
nëpër Kosovën martire.
Janë
me qindra mijëra marka, euro, franga e dinarë, të grumbulluar për vëllezërit
kosovarë përmes Shoqatës Bamirëse Humanitare “Nënë Tereza”, Dega në Rahovicë,
duke mos harruar ndihmat e tjera në gjëra ushqimore e veshmbathje.
Të
gjitha këto ndihma janë të regjistruara dhe të bëra publike me dëshmi e fakte,
të cilat në mënyrë tabelare janë të paraqitura në librin monografik. Po ashtu
një vend të rëndësishëm në libër paraqesin edhe apelet dhe reagimet e
politikanë shqiptarë dhe personalitete të jetës arsimore e kulturore, në
mbështetje të aksioneve humanitare, jo vetëm në Rahovicë, por edhe në gjithë
Preshevën, Tërnocin dhe Bujanocin dhe Medvegjën me rrethinë, pa përjashtuar
edhe ndihmat e shoqatave humanitare, të cilat aso kohe vepronin në diasporë.
Duke
lexuar shkrimet nga notesi i gazetarit Hasan Emërllahu dhe nga veprimtari
humanitar Sadik Sadiku, mësojmë se sa të vështira, po aq edhe krenare ishin ato
periudha kohore të skalitura me mjeshtëri
në shënime dhe dokumente, të shoqëruara me shembuj faktografik e
ilustrues, duke e bërë për vete lexuesin dhe ata që e komentojnë formën përmbajtësore
dhe vizuale të librit.
Monografia
“Kronikë e një kohe (1989-1999), Lugina gjithçka për Kosovën”, i përbush të
gjitha kriteret e të qenit një libër monografik, si nga aspekti teknik, po
ashtu edhe përmbajtësor. Bashkautorët ia kanë dalë, të rrumbullakësojnë një
periudhë kohore dhjetëvjeçare, me mjeshtëri e pedanteri, duke lënë një gjurmë
veprimtarie humanitare dhe duke vënë një gurë në kalanë e rezistencës shqiptare
për liri dhe pavarësi.
I
përgëzojmë bashkautorët e këtij libri monografik, duke u dëshiruar suksese edhe
në të ardhmen në këtë fushë të veprimtarisë jetësore dhe lexuesve fat që kanë
në duar një libër si ky.