Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Sali Berisha - Shkëlqimi dhe Rënia
E merkure, 12.01.2022, 09:58 PM
SALI BERISHA – SHKËLQIMI DHE RËNIA
Nga Xhelal
Zejneli
Sali Berisha (1944 - ) shërbeu si presidenti i dytë i Shqipërisë në
vitet 1992 - 1997, dhe presidenti i parë i zgjedhur nga një parlament i dalë
nga zgjedhjet të lira demokratike pas rënies së regjimit komunist. Berisha qe
edhe kryeministër i Shqipërisë nga 2005 deri më 2013. Ka qenë kryetar i Partisë
Demokratike dy herë, në periudhën 1991 - 1992 dhe sërish nga 1997 gjer më 2013.
Është aktualisht deputet në Kuvendin e Shqipërisë.
Si një ish-sekretar
komiteti i Partisë së Punës në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin
e Tiranës, e braktisi karrierën e tij si kardiolog dhe profesor i universitetit
për t'u bërë lideri i Partisë Demokratike.
Në vitin 1978 fitoi
një bursë nëntë mujore nga UNESCO për studime të avancuara dhe trajnime
në Paris .
ROLI NË RËNIEN E KOMUNIZMIT - Në vitin 1989 kur vendet e Evropës Lindore filluan
të përmbysnin komunizmin Sali Berisha dhe mbështetësit e tjerë të reformave
dolën më hapur në thirrjet e tyre për ndryshime në Shqipëri.
Në gusht të
vitit 1990 në një takim të disa intelektualëve shqiptarë me Ramiz Alinë
(1925-2011), Berisha kërkoi lejimin e sistemit shumëpartiak
dhe ekonominë e tregut. Në dhjetor të vitit 1990 ai iu bashkua që
në ditën e parë demonstratave të studentëve të cilat e detyruan regjimin të
lejonte sistemin shumëpartiak. Me krijimin e partisë së parë anti-komuniste,
Partisë Demokratike, ai ishte një nga drejtuesit kryesorë të saj dhe në shkurt
të vitit 199 ai u zgjodh kryetar i Partisë Demokratike. Sali Berisha
ka qenë zgjedhur deputet i parlamentit në 1991, 1992, 1997, 2001, 2005,
2009...
KRYETAR (PRESIDENT NË VITET 1992-1997) - Pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri,
Berisha u zgjodh President i Republikës më 9 prill 1992. Gjatë mandatit si
President i Republikës së Shqipërisë, Shqipëria u hap ndaj perëndimit; ajo u bë
anëtare e Këshillit të Evropës në vitin 1995; nënshkroi Marrëveshjen
për Paqe dhe Partneritet në vitin 1993 dhe vendosi bashkëpunim të
ngushtë me vendet e BE-së dhe ShBA-në. Të gjitha ligjet e diktaturës komuniste
u zëvendësuan me ligje të reja të standardeve evropiane dhe u krijuan
institucione të reja si Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë dhe Këshilli i Lartë i
Drejtësisë, që nuk ekzistonin më parë. Koha tregoi se institucionet e
sipërthëna, që nga themelimi i tyre e këndej nuk kanë funksionuar sipas ligjit.
Rënia e skemave
piramidale në fund të viti 1996, në të cilat shqiptarët humbën miliona
dollarë, çoi në demonstrata në të cilat njerëzit akuzonin qeverinë për vjedhjen
e parave. Trazirat e krijuara si rezultat i kësaj në fillim të vitit 1007
e detyruan Berishën të dekretonte zgjedhjet e parakohshme në qershor 1007.
Këto zgjedhje u fituan nga opozita dhe pas kësaj Berisha dha dorëheqjen si
President.
KRYETAR I OPOZITËS (1997-2005) - Më pas Berisha ri-zgjidhet Kryetar i Partisë Demokratike
dhe këtë pozicion e mban nga viti 1997 deri, i rizgjedhur në prill 2005 deri në
26 qershor 2013.
Më qershor të vitit
2007 Berisha e priti në Shqipëri Presidentin e SHBA-së Xhorxh Bush,
biri (George Walker Bush, 1946 -). Ishte kjo një vizitë historike.
KRYEMINISTËR NË VITET 2005-2013 - Më 8 shtator 2005 me shumicë prej 81 votash të
deputetëve zgjidhet Kryeministër i Shqipërisë. Më 4 prill 2009 Shqipëria u
pranua si anëtare me të drejta të plota në NATO. Kjo u arrit falë
reformave të kryera të qeverisë Berisha.
Gjatë qeverisjes së
Berishës, në Shqipëri u ndërtuan shumë rrugë. Midis tyre edhe rruga
Durrës-Kukës, që njihet si "Rruga e Kombit", sepse lidh
Kosovën me qytetin e Durrësit. Berisha
ka marrë pjesë në ceremoninë e emërimit të një rruge në Tiranë me emrin e Ibrahim
Rugovës (1944-2006). Gjatë qeverisjes së vet Berisha u angazhua për të
siguruar në Shqipëri energjisë elektrike pa ndërprerje.
Gjatë qeverisjes së
Berishës, më 2 prill 2009 Shqipëria u anëtarësua në NATO. U
hoqën vizat me vendet e BE-së. Vendimi hyri në fuqi më 15 dhjetor
2010, pas miratimit nga Parlamenti Evropian.
Berisha zotëron
gjuhën angleze, frënge, italiane, ruse dhe gjermane.
Më 23 prill 1996,
Kryetari Berisha u dekorua nga Kryetari i Republikës së Italisë Oskar Liugji
Skalfaro (Oscar Liugi Scalfaro, 1918-2012) me dekoratën “Cavaliere
di Gran Croce decorato di Gran Cordone dell'Ordine”.
Në vitin 2009, Universiteti
i Prishtinës ia dha Kryeministrit Berisha titullin “Doctor honoris
causa”.
Më 9 nëntor 2011,
Kryeministri Berisha vizitoi Maqedoninë. Universiteti i Evropës Juglindore, me
seli në Tetovë, ia dha Çmimi për lidership. Gjatë kësaj vizite u takua edhe me
përfaqësues të Bashkisë së Tetovës dhe të Universitetit të Tetovës.
* * *
LUHATJA E MARRËDHËNIEVE MIDIS ISH-KRYEMINISTRIT BERISHA DHE SHBA-SË, QË NGA
1991 E KËNDEJ
Sali Berisha ka qenë
politikani më i mbështetur nga SHBA që nga nisja e lëvizjeve demokratike në
Shqipëri. Më 1992 ai u prit në Shtëpinë e Bardhë nga Presidenti amerikan i
kohës, Xhorxh Bush, babai (George Herbert Walker Bush,
1924-2018). Kreu i Shtëpisë së Bardhë do ta presë përsëri në Shtëpinë e Bardhë
Sali Berishën në 1992, tashmë si president i Shqipërisë, pas zgjedhjeve të para
pluraliste.
VIZITA E BERISHËS NË ShBA DHE PRITJA NGA PRESIDENTI KLINTON – Më 1995, edhe pasardhësi i Xhoxh Bushit,
demokrati Bill Klinton (William Jefferson Clinton, 1946 - ), e priti
Kryetarin Berisha në Shtëpinë e Bardhë në Uashington. Në takimin me Klintonin,
Berisha e nxiti atë për më shumë vëmendje ndaj Kosovës.
TRAZIRAT E VITEVE 1997-1998 - Uashingtoni kishte besuar se Kryetari Berisha do t’i
dëgjonte këshillat dhe sugjerimet e administratës amerikane gjatë trazirave të
vitit 1997 dhe grushtit të shtetit në vitin 1998. Krisja e parë në këto
marrëdhënie daton me zgjedhjet e vitit 1996, kur administrata amerikane nuk e
pranoi rezultatin e zgjedhjeve dhe dhunën e ushtruar ndaj opozitës.
Dy vjet më vonë,
d.m.th. më 1998 ambasadorja amerikane në Tiranë, Marisa Lino (Trieste,
Itali, 1950 - ), dënoi grushtin e shtetit të opozitës, e cila i sulmoi
institucionet shtetërore. Përmes një deklarate, ambasada bënte thirrje që “vdekja
e Hajdarit nuk duhet të shfrytëzohet”, deklaratë që çoi në ftohjen e
raporteve të ish-kreut të Partisë Demokratike, Sali Berishës. Pasuan disa vite
marrëdhëniesh të ngrira mes PD-së, përkatësisht Sali Berishës dhe Shteteve të
Bashkuara të Amerikës.
NË VITIN 2007 PRESIDENTI AMERIKAN XHORXH BUSH, BIRI VIZITON TIRANËN - Fitorja e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005
nga Partia Demokratike dhe nga aleatët e saj si dhe zgjedhja e Sali Berishës
kryeministër i vendit, i riktheu marrëdhënien e dikurshme institucionale të tij
me SHBA-në.
Në vitin 2007 ndodhi
ngjarja më e rëndësishme në marrëdhëniet Shqipëri-SHBA. Për herë të parë një
president amerikan do të vinte në Tiranën në një vizitë njëditore. Presidenti
Bush, i riu u prit nga kryeministri Berisha. Mori mesazhin nga Presidenti Bush,
biri për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Ky vendim e rriti edhe
praninë e kompanive amerikane në Kosovë dhe në Shqipëri, ndërsa pati si produkt
edhe Rrugën e Kombit.
TAKIMI I BERISHËS ME KRYETARIN E KINËS – Në gusht të vitit 2008 u mbajtën në Pekin lojërat
olimpike. Në ceremoninë e hapjes mori pjesë edhe Sali Berisha. Më 8 gusht 2008
Berisha u takua në Beijing me kryetarin e Kinës Hu Jintao (1942- ).
SHQIPËRIA NË NATO - Në vitin 2009, në kohën e Kryeministrit Berisha, falë
marrëdhënieve të mira me Uashingtonin dhe me Presidentin Bush, i riu
Shqipëria u bë anëtare e NATO-së, edhe pse shpërthimi i Gërdecit
ku humbën jetën 26 vetë, ngriti ca pikëpyetje te amerikanët, për ndikimin e
Kryeministrit Berisha dhe të aleatëve të tij në këtë ngjarje. Në kabllogramet
që i bëri publike “Wikileaks” shihet se në vitin 2008 ambasadori
amerikan në Tiranë, Xhon Viters (John Lovelle Withers II, 1948- ), i
raporton qeverisë amerikane mbi rolin e Berishës në tragjedinë e Gërdecit.
“Të marra së bashku, përpjekjet e Berishës për të ushtruar një
kontroll më të madh mbi sistemin juridik, median dhe shërbimet e inteligjencës,
plus përpjekjet e tij për të minuar hetimin e Gërdecit, zbulojnë një prirje të
pagabueshme dhe shqetësuese; objektivat e tij më të afërt duket se janë
kontrolli i hetimit mbi Gërdecin, ndaj SHISH, gjykatave, Prokurorisë së
Përgjithshme dhe medias. Të gjitha këto luajnë një rol të madh në ekspozimin e
bizneseve të dyshimta dhe korrupsionin që çoi në shpërthimin e marsit, si dhe
çka është më e rëndësishme, lidhjet e mundshme të djalit të Berishës, që thuhet
se ka pasur interes biznesi në Gërdec. Një motivim i dytë është padyshim
motivimi i Berishës për të kontrolluar zgjedhjet e ardhshme parlamentare, që
janë caktuar në qershor të vitit 2009. Sulmi është përpjekja e fundit për të
devijuar hetimet në vazhdim, i pari ai i Gërdecit, i dyti ai i akuzave
serioze të korrupsionit kundër ministrit të Jashtëm Basha dhe
projektit Durrës-Kukës, ku abuzimi financiar shkon afërsisht në 200 milionë
euro. Duke iu referuar natyrës shpërthyese të këtyre hetimeve, Kryeministri
ka arsye të mëdha të vazhdojë, e madje të shtojë presionin ndaj zyrës së
Prokurorit të Përgjithshëm”, zbulon “Wikileaks” kabllogramin e Withers.
TAKIMI BERISHA-OBAMA – Në shtator të vitit 2009, midis Presidentit të ShBA-së, Barak
Obama (Barack Obama, 1961- ) dhe bashkëshortes së tij, Miçelle (Michelle
Obama, 1964- ), si dhe Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha (1944-
) dhe bashkëshortes së tij, pediatres, Liri Berisha (1948- ) ka pasur
një takim privat. Nga ky takim Shtëpia e Bardhë ka bërë publike foto. Takimi i
Berishës me Obamën u zhvillua në kuadër të pritjes së organizuar nga çifti
presidencial amerikan në "Metropolitan Museum of Arts", në Nju-Jork
për të gjithë krerët e shteteve dhe të qeverive që merrnin pjesë në sesionin e
64-t të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Pritja gala ka zgjatur rreth dy
orë. Lajmi u publikua më 30 shtator 2009.
REFORMA NË DREJTËSI - Sali Berisha sulmoi reformën në drejtësi në
vitin 2016, duke akuzuar Kryeministrin Edi Rama (1964- ) se tenton ta kapë atë nëpërmjet miliarderit Xhorxh
Soros (1930-) dhe me mbështetjen e ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald
Lu (1966- ): “Menjëherë reformën e mori Edi Rama në dorë dhe përjashtoi
opozitën. Çuditërisht në krah të Edi Ramës u rreshtuan edhe guvernatorja e
BE-së dhe më pak ambasadori Lu. E bënë draftin me specialistë të huaj,
natyrisht të paguar nga Xhorxh Soros, ky kryekorruptor në botën e lirë”.
Berisha e sulmoi ambasadorin Lu edhe për akuzat në adresë të Prokurorit të
Përgjithshëm. “Zoti Lu është në konflikt interesi, ka dy probleme. Lu do që
Adriatik Llalla me çdo kusht të ikë. Se Llalla e ka akuzuar për korrupsion. Lu
duhet t’u përgjigjet akuzave. Ai e ka akuzuar se i ka shkuar në zyrë dhe i ka kërkuar
ndërprerje hetimi për një dosje. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që kryeprokurori të
akuzojë një ambasador”, është shprehur Berisha.
DEKLARATA E RAMËS - Në janar të vitit 2019, në Kuvendin e Shqipërisë
kryeministri Rama lajmëroi se Sali Berisha e ka të pamundur të udhëtojë drejt
SHBA-së: “...ti Sali e kapërcen dot oqeanin me dasht?...Nëse do të isha ai
që përshkruani Ju, të jeni i sigurt se nuk do ta kapërceja dot oqeanin, e jo më
të komunikoj me Shtëpinë e Bardhë, me kërkesë të Shtëpisë së Bardhë...”.
SHKËMBIMI I TERRITOREVE KOSOVË-SERBI - Sali Berisha ka denoncuar tezën e shkëmbimit të
territoreve, duke e cilësuar atë produkt të Fondacionit Soros në Beograd,
ndërsa autorë të këtij projekti i ka quajtur
kryetarin e Serbisë, Aleksandar Vuçiqin (Aleksandar Vu?i? ose ?????????? ?????, 1970- ) kryeministrin Rama (1964-
) edhe ish-kryetarin e Kosovës, Hashim Thaçin (1968- ).
* * *
SALI BERISHA DHE FAMILJA E TIJ SHPALLEN NGA ShBA-ja “PERSONA TË
PADËSHIRUAR” - Më 19.05.2021, në një mesazh në twitter Sekretari i Shtetit,
Antoni Blinken (Antony John Blinken, 1962- ), shkruan se Berisha dhe
familja e tij janë shpallur zyrtarisht të papërshtatshëm për të hyrë në SHBA,
ndaj dhe u ndalohet hyrja në ShBA. Të padëshiruar apo persona non
grata shpallen edhe bashkëshortja e Sali Berishës, Liri Berisha,
djali Shkëlzen Berisha si dhe vajza Argita Berisha Malltezi.
“Veprat e korrupsionit të ish-Presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha,
minojnë demokracinë në Shqipëri. Unë e shpall publikisht Sali Berishën dhe anëtarët
e familjes së tij si të papërshtatshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara të
Amerikës. Ne vazhdojmë të jemi kundër korrupsionit së bashku me partnerët
tanë në Shqipëri”.
Sali Berisha i mohon
akuzat duke thënë se brenda tridhjetë vjetëve në skenën politike, asnjë
institucion i vendit apo i huaj nuk ka ngritur ndaj tij asnjë akuzë për
korrupsion apo për çfarëdo pune tjetër të paligjshme. Ai shton se anëtarët e
familjes së tij, gjatë veprimtarive që kanë ushtruar, kurrë nuk i kanë shfrytëzuar fondet publike.
Për shpalljen person të padëshiruar, midis tjerëve fajëson edhe Xhorxh
Sorosin.
Shënim: Xhorxh Soros
(George Soros ose György Schwartz, Budapest, 1930-) është miliarder amerikan,
investues dhe filantrop. Themelues i Fondacionit “Shoqëria e hapur”. Vjen nga
një familje e pasur hebraike e Hungarisë, e cila me dokumente të falsifikuara
ia doli të shpëtonte nga holokausti. Ka edhe të tillë të cilët Sorosin e quajnë
baba të prapaskenave botërore, bashkëpunëtor të nazizmit, spekulator, nxitës i
shkëmbimit të popujve etj. Një prej kundërshtarëve të tij është edhe
kryeministri hungarez Viktor Orbán (1963- ).
ZGJEDHJET E 25 PRILLIT TË VITIT 2021, PD-ja I HUMBI – Për humbjen e zgjedhjeve, Berisha nuk tha asnjë
fjalë kundër Lulzim Bashës.
Për arritjet dhe
ngecjet e Shqipërisë gjatë periudhës së pluralizmit, meritat dhe përgjegjësitë
u përkasin udhëheqësve politikë, siç janë Fatos Nano (1952- ), Sali
Berisha (1944- ), Ilir Meta (1969- ), Edi Rama (1964- ),
Lulzim Basha (1974- ) etj. Këta kanë qenë liderë partiakë, ndonjë prej tyre
ka qenë kryetar shteti, kryeministër, ministër, deputetë, kryetar bashkie.
Ndonjëri prej tyre ka qenë kryeministër më shumë se një herë. Në vitin 2002
Fatos Nano zgjidhet kryeministër për së treti herë. Liderët apo politikanët e
sipërthënë nuk arritën që brenda tri dekadave ta kthejnë Shqipërinë në shtet
ligjor, në shtetin e së drejtës. Nuk arritën t’i japin fund tranzicionit. Dhe
këta liderë apo politikanë, bashkë me nomenklaturat e tyre sillen sikur asgjë
s’ka ndodhur. Rrethi i tyre më i ngushtë nuk kanë vetëdije kombëtare dhe
njerëzore të mjaftueshme. Sillen sikur të jenë amerikanë. Amerikanë, në një
vend të pazhvilluar, të ngecur.
Çdo pushtet të prishë. Sidomos pushteti në një vend me
shkallë të ulët të zhvillimit ekonomik. Aty ku ekonomia ndodhet në shkallë të
ulët, edhe demokracia është në nivel të ulët. S’ka shtetar apo burrë shteti që
nuk gabon. Gabojnë edhe burrat e shtetit të vendeve me shkallë të lartë të
zhvillimit ekonomik dhe demokratik. Vendin me ekonomi të pazhvilluar mund ta
udhëheqin vetëm prijësit idealistë. Por prijësit e tillë s’bëhen
dot milionerë. Mahatma Gandi (Mahatma Gandhi, 1869-1948) me bastunin në
dorë, i binte kryq e tërthor Indisë me tren. Refuzonte të ulej ngase edhe për
të tjerët s’kishte ulëse të lirë. E thirrin baba. Shpallja e Berishës person i
padëshiruar nga superfuqia paraqet dramë për të. Por kjo s’është fare mirë as
për Shqipërinë dhe as për shqiptarinë. Të qëndrosh në maje të politikës
tridhjetë vjet, në një vend me probleme të theksuara politike, ekonomike,
sociale dhe morale është gabim. Në shtetin ku nuk funksionon ligji, lideri apo
politikani lehtë mund të shndërrohet në shtetar apo në politikan autoritar
dhe autokrat. Madje, kjo është e pashmangshme. Autoritarizmi dhe
autokracia nuk janë larg despotizmit dhe tiranisë. Autoritari dhe autokrati
s’ka sesi të mos jetë karrierist dhe i
etshëm për pushtet. Ai mund të jetë ekscentrik, egocentrik, narcis, person me
ambicie të shfrenuara, megaloman, arrogant. Pushteti i mundëson personit të
tillë të krijojë pasuri. I pasuruar, tanimë ai është edhe i pabindur. Të
qëndrosh tridhjetë vjet në pushtet, abuzimet dhe veprimet e paligjshme janë të
pashmangshme. Në hapësirat shqiptare, pothuajse të gjitha partitë janë
liderike. Lideri autoritar nuk lejon të rritet apo të formohet një lider tjetër
që do ta zëvendësonte. Ai dëshiron të jetë i pazëvendësueshëm. Kur vjen koha të
zëvendësohet, zëvendësuesin e cakton vetë. Ai vazhdon të ushtrojë ndikim, por
tani vepron në hije. Në partinë e tillë as që mund të flitet për demokracinë
brenda saj. Lideri i tillë nuk njeh rregulla dhe parime demokratike edhe kur
vjen në krye të shtetit.
Shtetari i mençur duhet të dijë se kur duhet të largohet
nga skena politike. Sa më parë të largohet, aq më mirë për të. Ndryshe,
rrezikon të diskreditohet dhe të komprometohet. Shtetari që përqendron në duart
e veta pushtet, nuk mund t’u bëjë ballë trysnive të rrethit të ngushtë.
Nëpërmjet pushtetit të tij, rrethi i ngushtë synon t’i realizojë interesat e
vet. Në rrethin e ngushtë bëjnë pjesë pjesëtarët e familjes, miqtë,
bashkëpunëtorët partiakë. Pushtetari autoritar dhe autokrat shndërrohet në
ligj, ligji jam unë. L’État, c’est moi kishte thënë më 13 prill 1655
para parlamentarëve të Parisit mbreti i Francës dhe i Navarës Lui XIV (Louis
XIV, 1638-1715).
*
* *
Përkundër pranisë së amerikanëve, politika shqiptare nuk
ia del të ndërtojë shtet ligjor. Pa Amerikën, a thua kur do të mund të
ndërtonin shqiptarët shtet demokratik? Ka pasur dhe ka politikan shqiptar që
kanë ardhur në mosmarrëveshje me përfaqësuesit diplomatikë të ShBA-së në
Tiranë. Pasi ia hoqën imunitetin, kryetari i PS-së Fatos Nano fajësoi –
pa arsye - diplomatët e huaj, ambasadorin e parë të ShBA-së në Shqipëri në
periudhën e pluralizmit Uilliam Rajerson (William Edwin Ryerson,
1936- ) dhe ambasadorin amerikan Kristofer Hill (Cristopher
Robert Hill, 1952- ). Nano akuzohej nga qeveria e Berishës për vjedhje në
përmasa të mëdha të ndihmave italiane kur ishte kryeministër. Më 30 korrik 1993
u arrestua. Më 1994 u dënua me 12 vjet heqje lirie. Më 14 mars 1997 u lirua me
faljen e Kryetarit Berisha.
Berisha ka pasur mosmarrëveshje me disa ambasadorë të
ShBA-së në Tiranë. Midis tyre edhe me ambasadoren Juri Kim (Yuri Kim,
1972- ). Duhet ditur se përfaqësuesi diplomatik amerikan përfaqëson ShBA-në.
Diplomati amerikan, në cilindo vend të botës, është i paprekshëm. Politikani
shqiptar që përplaset me diplomatin amerikan, s’i ndihmon dot as vetes, as
Shqipërisë, as kombit. Të sulmosh ambasadorin amerikan është naivitet.
Shqiptarët janë populli më
proamerikan në botë. Shqiptarët i janë mirënjohës Amerikës deri në jetë të
jetëve. Pa Amerikën, shqiptarët në rajon janë të rrezikuar prej hienave.
Mosmarrëveshjet apo konfliktet brenda Partisë Demokratike
kanë për pasojë dobësimin e opozitës në Shqipëri. Pa opozitë të mirëfilltë nuk
mund të ketë pluralizëm politik, pluralizëm ideologjik dhe shumësi interesash.
Pa një opozitë të njëmendët nuk mund të zhvillohen as proceset demokratike. Me
një opozitë të dobësuar s’kontrollohet dot shumica parlamentare, qeveria dhe pushteti. Në rrethana të tilla,
shoqëria mund të ballafaqohet me elemente të monizmit. Drama
personale e individit nuk duhet të jetë mbi interesin e shtetit, të shoqërisë
dhe të kombit.
Një Shqipëri jo mjaft e konsoliduar, nuk i ndihmon kauzës
kombëtare shqiptare, nuk i ndihmon Kosovës. Interes mbi interesa i çdo
shqiptari në rruzullin tokësor është forcimi i shtetësisë së Kosovës. Kjo nuk
është punë individi apo partie. Është punë e shtetit shqiptar, e kombit. Në një
kohë kur shqiptarët kacafyten ndër vete, Serbia forcohet ekonomikisht,
ushtarakisht dhe politikisht. Në vitin 2021 kanë hyrë në Serbi investime në një
shumë prej 3.9 miliardë eurosh.
*
* *
Historia është plot shembuj që dëshmojnë për daljen nga
skena të personaliteteve historike. Legjendari Uinston Çërçill (Winston
Churchill, 1874-1965) ishte ngadhënjyes i Luftës së Dytë Botërore. Kryeministër
i Britanisë në vitet e luftës, 1940-1945. I pari prej vetëm tetë njerëzve në
botë që janë shpallur qytetar nderi në ShBA. Në zgjedhjet e para të pas luftës
- nuk fitoi. Gjenerali francez Sharl dë Gol (Charles André Joseph Marie
de Gaulle, 1890-1970), organizues i Lëvizjes së Qëndresës (Les Mouvements unis
de Résistances), nderi dhe lavdia e Francës, doli nga skena para kohe.
Kancelari gjerman Helmut Kol (Helmut Kohl, 1930-2017), ribashkues i
Gjermanisë, u dënua për korrupsion nga gjykata në moshë të shtyrë.
Kancelarja Angela Merkel (Angela Dorothea Merkel, e lindur Kasner, 1954-
), e konsideruar si një prej politikaneve më me ndikim në rrafshin global, doli
nga skena. Liderët shqiptarë, daljen nga skena nuk duhet ta përjetojnë si një tragjedi
shekspiriane. Qëndrimi pafund në skenën politike është karakteristikë bolshevike.
Sali Berisha është personalitet i rëndësishëm i periudhës
së pluralizmit në Shqipëri. Por, ai dhe kushdo qoftë, nuk mund të qëndrojë
pafundësisht në skenën politike, vetëm pse paskësh qenë lider historik i PD-së
dhe pishtar i djathtizmit dhe i pluralizmit në Shqipëri. Për rolin dhe kontributin
e tij le të shkruajë historia. Sot, për të është më mirë të tërhiqet nga skena
politike, të ruajë shëndetin, të mbrojë integritetin moral dhe të shkruajë
kujtime.
Ngjarjet e 8 janarit të vitit në vazhdim, sado
brendapartiake, e diskreditojnë Shqipërinë para botës. Ngjarje të tilla, në
sytë e botës i bëjnë dëm edhe Kosovës. Para selisë së PD-së apo brenda saj, ka
mundur dikush edhe të humbë jetën. Në trazira të tilla pësojnë të rinjtë e
papunë, bijtë e punëtorëve, të fshatarëve, skamnorët, të varfrit. Kështu ka
qenë gjithmonë në histori. Në situata të tilla nuk pësojnë fëmijët e
politikanëve apo të pasanikëve. Kjo s’ka ndodhur kurrë në histori. Ka bij dhe
bija politikanësh dhe pasanikësh që e kalojnë kohën me shthurje morale, pa
pasur ndjenja njerëzore dhe atdhetare.
Nuk ka dy Amerika. Amerika është një. Administratat në
Amerikë ndërrohen, por vendimet e administratës paraprake, kryesisht mbeten në
fuqi. S’ka administratë amerikane që e rehabiliton korrupsionin. Edhe sa dekada
duhet të jenë prezentë amerikanët në Shqipëri apo në rajon, për t’u kryer
reforma në drejtësi, për t’u luftuar korrupsioni. Po qe se shqiptarët nuk mund
vetë ta luftojnë korrupsionin, atëherë duhet t’i jenë mirënjohës Amerikës për
ndihmën e dhënë. Po të mos jetë Amerika, kuvendet e vendeve të rajonit do të
vlonin prej deputetëve me dosje kriminale. Shteti, kuvendi i të cilit ka
deputetë që dyshohen për vrasje, plagosje, larje parash, amoralitet, kultivim
dhe shitje lëndësh narkotike – nuk e ka vendin në BE. Pastaj, fajet i paska
presidenti i Francës Emanuel Makron (Emmanuel Jean-Michel Frédéric
Macron, 1977- ).
Jeta e njeriut dhe interesi i kombit është mbi luftën për
pushtet, të individëve apo të koniunkturave. Politikanët, ish-kryetarët e
shtetit, ish-ministrat, përfaqësuesit e qytetarëve apo deputetët, të dikurshëm
dhe të tashëm duhet të gjykojnë në mënyrë racionale dhe jo të bëjnë gara se
kush është më militant partiak se tjetri. Do prej tyre sillen në
mënyrë irracionale dhe u ngjajnë veprimtarëve të shtabeve partiake gjatë
fushatave parazgjedhore. Në vend që të jenë konstruktivë, ata dalin
destruktivë.
*
* *
Po të mos ishte shpallur Berisha person i padëshirueshëm,
për të Lulzim Basha do të vazhdonte të ishte i mirë. Po të mos ishte
shpallur person i padëshirueshëm s’do të kishim as foltore. Basha
për Berishën do të vazhdonte të jetë kryetar i PD-së, madje i pakontestueshëm.
Zgjedhjet e 25 prillit të viti 2021 PD-ja i cilësoi si masakër zgjedhore.
Sidoqoftë, zgjedhjet i humbi. Megjithëkëtë, Berisha një fjalë të vetme s’e tha
kundër Bashës. Bashën, tani të cilësuar si të keq, e krijoi, e ngriti dhe e
mbajti Berisha, si kur ishte në pushtet, ashtu edhe kur vepronte në hije. Basha
është bir politik i Berishës, ndërsa Berisha është baba politik i Bashës.
Më 9 shtator 2021, Lulzim Basha përjashtoi Sali
Berishën nga grupi parlamentar i PD-së, duke shtuar se kjo do të
zgjasë derisa të zbardhet në rrugën ligjore vendimi për padinë e ngritur nga
ish-kryeministri ndaj sekretarit amerikan të Shtetit, Antoni Blinken.
Vendim më të rëndë se ky, Basha nuk ka pasur gjatë jetës dhe s’ka për të pasur.
Kësaj i thonë atëvrasje. Shikuar nga këndvështrimi i sotëm,
shihet qartë se amerikanët kanë gabuar që kanë kërkuar largimin e
Berishës nga grupi parlamentar i PD-së. Uashingtoni duhej ta linte me
aq, person i padëshirueshëm dhe jo përjashtim edhe nga grupi
parlamentar. Uashingtoni nuk e ka parashikuar se ngjarjet do të zhvillohen
kësisoj. Nuk e ka parashikuar se Berisha do t’ia marrë Bashës një pjesë të
madhe të partisë. Në anën tjetër, edhe Lulzim Basha nuk ka vepruar mirë
që e ka pranuar detyrën që ia kanë dhënë amerikanët për ta përjashtuar Berishën
nga grupi parlamentar i PD-së. Për të, më mirë ka qenë të jepte
dorëheqje. Një atëvrasje të tillë, kodi moral i shqiptarit nuk e lejon. Ndryshe
i thonë thikë pas shpine.
Sidoqoftë, beteja e Berishës është e humbur, madje pa
asnjë dyshim. Berisha edhe krejt PD-në ta bëjë për vete, beteja e tij është e
humbur. Nuk do ta kenë mbështetjen amerikane as ata që sot janë në rrethin e ngushtë
të Berishës. S’ka dyshim se edhe ata ndodhen në ndonjë farë liste të hirtë të
ShBA-së. Berisha e ka një pjesë të madhe të PD-së, por s’e ka Amerikën, ndërsa
Basha mbase e ka pjesën më të vogël tëPD-së, por mbështetet nga Uashingtoni,
për të mos thënë edhe nga BE-ja. Basha thirret në legjitimitet, ndërsa Berishën
dhe personat pranë tij, i konsideron jolegjitimë dhe puçistë.
Amerikanët aleatin e vet kurrë s’e lënë në baltë. Pra, Bashën, në asnjë
rrethanë s’kanë për ta lënë në baltë. Por, amerikanët janë edhe pragmatikë.
Për hir të ruajtjes së unitetit të PD-së, amerikanët mbase nuk do të ishin
kundër largimit të të dyve – edhe të Bashës, edhe të Berishës. Të gjithë ata që
janë në rrethin e ngushtë të Berishës e dinë mirë se fajtori kryesor, në mos dhe
i vetëm për ngritjen e Bashës, është ai dhe vetëm ai. Asnjë i rrethit të
ngushtë të Berishës nuk do ta donte atë në krye të PD-së. Si duket, ata e
përdorin Berishën, në betejën e tyre kundër Bashës, njashtu siç i përdor
Berisha, në luftën e tij kundër “atëvrasësit”. Rrethi i ngushtë i
Berishës e dinë shumë mirë se një PD me Berishën në krye, të shpallur person
të padëshirueshëm nga Departamenti i Shtetit, kurrë s’mund t’i fitojë
zgjedhjet.
Për të mos u ndarë PD-ja në dy parti, duhet që edhe
Basha, edhe Berisha të largohen nga skena politike. Berisha, si person i
padëshirueshëm, ndërsa Basha si bir politik i tij dhe si viktimë e gabimit
amerikan që ia kanë caktuar detyrën e atëvrasësit. Por, me largimin e Bashës,
PD-ja mbase do të binte në duart e militantëve që e rrethojnë sot Berishën.
S’ka dyshim se amerikanët i përcjellin zhvillimet në PD.
Ata do ta bëjnë më të mirën për të. Është utopi të mendohet se Uashingtoni mund
të miratojë çfarëdo zgjidhjeje pa Lulzim Bashën. Aktorët “politikë” duhet të
kenë kujdes që të mos zhyten nga gabimi në gabim.