E shtune, 22.01.2022, 09:32 PM (GMT)

Përjetësi » Lushaj

Aleks Kapllaj: Zeqir Lushaj, është Institucioni i miqësisë tonë!

E diele, 28.11.2021, 09:00 PM


ZEQIR LUSHAJ, është Institucioni i miqësisë tonë!

Nga Aleks Martin Kapllaj

Me cilësitë e një fisnikërie të rrallë, si një "fosil" i kohëve të principatave shqiptare, i ardhur deri në kohët tona moderne, miku i ynë Profesor Zeqir Lushaj, u nda papritur nga ne, pak ditë përpara, duke na lënë një boshllëk plot me dhimbje dhe trishtim të pamasë ndër ne që patëm fatin ta kishim, mik, dashamir apo të afërm familjar.

Zeqir Lushaj, ishte nga ata personalitete që të gjithë jetën ia dedikoi shërbimit për vëndin e tij, paqes shoqërore dhe prosperitetit të demokracisë dhe zhvillimit të kombit, në të gjitha trevat, kudo që ishte e në të gjitha kohërat, duke ruajtur dinjitetin dhe pastërtinë e tij intelektuale dhe vlerat e familjes dhe vendlindjes së tij. E gjitha kjo është përshkruar në të gjithë librat me poezi, reportazhe, shkrime gazetareske, folkloristike ku traditat dhe zakonet e doket, kostumet e shqiptarëve janë vlerë dhe duhet të ruhen si pasuri identitare që na japin krenarinë e Kombit, ndër ma antikët në gadishullin ballkanik.

Komunikimet me mikun tim Zeqir Lushaj, ishin të shpeshta dhe kishin një vlerë të veçantë për kënaqësinë e bashkëbisedimit me publiçistin, shkrimtarin, poetin, folkloristin dhe filozofin që i dhuroi vendit tonë një krijimtari të pasur, si trashëgimi per brezat që do vijnë.

Zeqir Lushaj, ishte kronist i vendeve, kohërave, ngjarjeve, zakoneve, personazheve dhe të zhvillimeve politike e shoqërore në gjysmë shekullin e fundit, me një korrektësi profesionale të rrallë që e ruajti të pastër në të gjitha kohërat.

Por ajo që e bani unik mikun tonë Zeqir Lushaj ishte institucionalizimi i miqësisë si një vlerë e përbashkët në një shoqëri që e sheh të ardhmen në zhvillimin e çdo individi dhe këmbimi me të tjerët është një pasuri reciproke. Zeqir Lushaj ishte istitucion i miqësisë, bujarisë dhe mikpritjes dhe kush ishte mik i tij ishte edhe mik i miqve të tij, sepse e dinte që vlerat që i bashkonte ata ishin virtytet e shqiptarit që e don dhe e respekton tjetrin edhe në idetë dhe në bindjet e tij të ndryshme, me të vetminë kusht që busulla e orjentimit të secilit të jetë e mira e shqiptarit dhe e kombit tonë në të gjitha trevat ku jetojnë ata, karakteristika ma thelbësore e bashkimit dhe identitetit të atyre që e duan vendin si gjanë ma të shtrenjtë.

Me veprën e tij, Profesor Zeqir Lushaj përjetsoi me mijëra personazhe identifikues të karakterit shqiptar, bashkudhëtar të jetës së tij, bashkvendas dhe bashkkombas që jetojnë në trojet shqiptare dhe në mbarë botën: Evropë, SHBA, Australi dhe kudo ku ata jetojnë, me bindjen dhe krenarinë se ata ishin pjesë e jetës së tij e që kishin pasuruar atë me vlerat që mbart secili me profilin e tij.

Zeqir Lushaj u përjetsua në të gjitha veprat e tij, si në ato që e panë dritën e botimit dhe ata që do ta shohin në të ardhmen.

Veprat e tij të botuara me rastin e 60 vjetorit: HIJA E VENDILINDJES, LISI I SHKRUAR, FJALA MBI TEL....., DYQANI I MENDJES, VDEKJA E VARREVE, PENGJET, si dhe botimet e kohëve të fundit si: PIEDESTALI, RROKADA...., SPORTIT I MBETA BORXH, DUHAMA E VALBONËS, ZBEHJA E HEROIZMIT, SI N'KURBET, BRE VËLLA, janë pasuria dhe trashëgimia që na la miku i ynë Zeqir Lushaj, ne dhe brezave që do të vijnë, duke fituar përjetësinë e tij si një personalitet i përmasave dhe vlerave mbarëkombëtare që do të kujtohet tanë jetën tonë si ndër më të mirët shqiptarë që kemi pasur dhe që kishim fatin ta njihnim.

Pushofsh në Paqe miku i jonë i shtrenjtë e u kujtosh brez mas brezit ndër miq, familjarë e dashamirë të afërm e të largët, që patën fatin me të pasë në mesin e tyre, ty dhe bashkoshorten tane të nderume, Sabrije Lushaj.

Zeqir Lushaj, është institucioni i miqësisë tonë dhe i tillë do të ngelet me veprën që na ka lanë trashëgim, duke u ngritur në piedestalin e kujtesës të gjithë shqiptarëve me të cilët e ndau jetën e tij tokësore.



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora