E hene, 29.11.2021, 08:31 PM (GMT)

Udhëpërshkrim

Tahir Bezhani: Vështirësitë jetësore në krahinën e Bytyqit, Tropojë

E diele, 17.10.2021, 04:58 PM


Një pamje e lagjes Hajdarmataj -Zogaj

Krahina e Bytyqit, veriut i Shqipërisë, jeton me brengat e kohës. Kjo trevë virtyt krenarie e ka bujarinë e fisnikërinë dhe madhështinë historike

VËSHTIRËSITË  JETËSORE NË KRAHINËN E BYTYQIT - TROPOJË

(Pa rrugë e të izoluar, braktisje e rinisë, emigrimi i popullsisë, plagë që dhëmbin shumë....)

Nga Tahir BEZHANI

E hënë pasdite e datës 04 tetor 2021, ditë me diell vjeshte, e këndshme, joshëse për syrin e dashuruar në natyrën e bukur. Dielli i asaj pasdite iu kishte veshur shpateve të atyre bokave të thata. Fijet e barit tregonin thatësinë marramendëse të verës që sapo iku. Xixëllima e shkëmbinjve dëshmonte se në thellësitë këtyre shpatijeve, fshehët xehja e kromit, pasuri e pashtershme të këtyre trojeve historike.

Kishin kaluar afër pesë vite që nuk i kisha vizituar dajët në Zogaj të Bytyqit-Tropojë. Malli më rrahte gjoksin etshëm që disa kohë, herë-herë, më dilnin edhe lotët. Shkoja me shpesh në Zogaj, ishte më bukur, shtëpitë guzhmonin nga zhurmë  fëmijësh me lojërat e tyre, rinia dukej gjithnjë në lëvizje, shkollë-shtëpi. Odave të asaj lagje me lakime të gjata, dëgjohej kënga e çiftelia, jehonë shpirti e zemre. Sytë treteshin atyre bokave të thata ku malloheshin tufat e deleve bardhoke, të zhdjergura nga Sulbica e Doberdoli, bjeshkët më të preferuara në trojet shqiptare.

Shtëpi e pabanuara, banorë të emigruar

Tani, vërejta se nuk ishte ajo bukuri si më parë, shtëpia e toka pa rini nuk e kanë  frymëmarrjen e shëndetshme, duket e zbrazët. Pleqtë i “han” vetmia në heshtje. Anglia, Franca, Gjermania e Amerika, kishin “përpi” gjithë rininë, ëmbëlsirën e jetës dhe shpresat e trojeve tona. Falë kohës, telefonat celularë “shuajnë” mallin, por jo ofshamat e  përmallshme...

Ku ka vend më të bukur se vendlindja e nanës!...

Dikur Qendër e frekuentuar me punëtorë e banorë nga të gjitha anët e vendit, sot e zbrazët, në  mëshirën e kohës...!

Plaku i dajave, Adem Hajdarmataj, Baci, i Zogajve, ka vite që jeton në Tiranë me familjen e tij. Mosha e tij ka kaluar të 84-tra. Besa edhe shëndeti iu kishte rrënuar shumë, më thanë. Përkundër pandemisë dhe halleve të tjera të kohës, kudo, mblodha vetën dhe telefonova dajën Kujtim nga Bajram Curri që të më bëjë shoqëri për në Zogaj. U ndie shumë i gëzuar nga ftesa ime!

Kishte ardhur daja Adem nga Tirana, dua ta vizitoj, më ka marrë malli- i thash dajës Kujtim. Kur prekë pleqnia në dërrasë të shtratit, dyshimet lidhen fortë me friken, i fola në telefon dajës Kujtim. Desha të përforcoj arsyen e bashkudhëtarit, Bajram Curr-Gjakovë-Zogaj dhe anasjelltas.

Sa kënaqësi kur u bashkuam dhe u nisem për në Zogaj! Rruga e asfaltuar deri në “kufi”-Qaf Prush, nuk na mori kohë, as pesë minuta. Formalitetet me policinë tonë mbaruan shumë shpejtë dhe me respekt. Nga kufiri, Qaf Prushi deri në Zogaj, përjetuam, jo vetëm mundimin e lodhjen, por edhe befasinë e gjendjes së rrugës. U zhgënjeva pafundësisht në mosinteresimin e pushtetarëve-Qeverisë, për këtë gjendje katastrofë në kohën e sotme.

Shpateve të kësaj treve, Bytyqit, shikohen “grithje” që behën për “nxjerrjen” e kromit. Dora e shtetit nxjerr pasurinë nga toka, jo lopatat....

Rruga nga Qaf Prushi- Zogaj, pa koment...

Nuk do e kisha besuar sikur të kisha dëgjuar nga fjalë(gojë) njerëzish! Vërtetë kaluam përmes një rruge sikur të ishte në vendet më të prapambetura të Afrikës. Si në Xhungla, thonë! Për këtë dëshmojnë fotot e bëra. Një krahinë e tërë, më fisnikja e vendit, e lënë në harresë të plotë! Varfëria reflekton në çdo hap. Rruga është arterie e zhvillimit ekonomik e jo vetëm. Ajo rrugë e hapur që nga okupimi Italisë, në vitin 1939 herë-herë mbushej zhavorr me lopata në kohë të monizmit, më njoftuan banorët. Vetëm nga B. Curr-Kam, është asfaltuar një pjesë e rrugës, moti. Premtime çdo vit zgjedhjesh, të kota. Pasuri kromi pafund e varfëria thellohet, durimi i humbur ikja nga vendlindja, e vetmja  alternativë kohe. Ecet zbathë mbi xehet e çmuara!.. E pabesueshme!

Kishim frikë se do na le makina në rrugë, ani se  “Benzat” janë makina të forta. Por jo! Ngadalë e me kujdes, duke u ndalur rrugës, bëmë ca fotokujtime të bukura megjithëse dielli  paralajmëronte  mbarimin e ditës.

Mbërrimë në Zogaj të Bytyqit sipas parashikimit. Vërtetë më kishte marrë malli, pas do viteve rresht pa qenë të dajët. Ato kodra të madhërishme, gjithandej ato pamje, më krijuan nostalgji pafundësisht. Vendlindja e nanës, një madhështi e pafund. Parafytyroja atë si fëmijë e të rritur atyre leqeve zik-zake, duke lozur me moshataret e veta të kohës së djegur-shkrumb. Asaj, pas lindjes sime në vitin 1947, kurrë më nuk i kishte shkelur këmba në ato troje. Malli e dogji dhe e mori  herët... Tani po përpiqem t’ia “plotësoj” amanetet e djegura...

Sa i lumtur ndihem ne mesin e dy dajave: Adem e Idriz Hajdaramataj, Zogaj

Biseda të ngrohta me dajën Adem, tetor, 2021 - Zogaj

Takim e përqafim i përmallshëm mes dajës e nipit

Daja Adem, ishte ulë në një divan në terasen e nipit të tij, Sokolit. Sapo dëgjoj zërin tim dhe të dajës Kujtim, u ngrit në këmbë, si i befasuar, na foli : ”oh, oh sa bukur! Më erdhi nipi im i dashur! Eja, eja të rrah, më ka marë malli! Nipin e “keq” duhet rrahë!... Eja shpejtë!...”Kështu mbetem pak minuta të “lidhur” në përqafime. Lotët e plakut janë si shiu, rrinë afër qerpikëve, aty ku i rrahë era e mallit... Të gjithë u gëzuan, edhe daja Sokol, daja Idriz, e gjithë familja.

Kjo pamje flet më shumë se mijëra fjalë. Gëzuar!

Tryeza e dajës Sokol, pa vonesë, ishte e mbushur me të gjitha të mirat. Nuk vonoi, erdhi edhe daja Idriz me atë lodhje të moshës, i gëzuar e i hareshëm. Mirëserdhe o nipash!-dhe u ngrykuam gjatë.

Gotave të mbushura me raki u ndihej kërcitma e gëzimit: ”gëzuar o nipash, eja më shpesh! Përbesë na gëzon kur vjen, na i përkundë mallet e kohëve, o nipi i dashur. Gëzuar!...”

Koha ecte shpejtë, pa dëshirën tonë. Dëshirat ishin të pafundta. Pritja e hareja e dajave nuk kishte të sosur. Daja Kujtim të nesërmen duhet të vazhdonte me punën në Fierzë. Duke vlerësuar kohën si të arsyeshme e me mirëkuptim e dashuri, e përfunduam një takim nip e dajë, siç e do e mbara dhe malli i pashuar kurrë.

Plakun nga Tirana, dajën e Adem, e përqafova gjatë. Nuk mundi të përmbahet nga lotët. U takofshim për të mirë e të gëzuar në familjen tuaj, daja Adem! Të faltë Zoti jetë të gjatë, i thashë dhe u largova drejt makinës, në përcjellje të dajës Sokol.

Hëna ende nuk kishte dalë. Sokoli, bënte dritë me një bateri dore.

Një takim i përzemërt që mbetët në kujtesë përgjithmonë.

Zogaj

04 tetor 2021



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora